| E hene, 17.01.2022, 09:05 PM |
3 teza mbi oportunizmin shqiptar
Edhe
ai që ne na duket të ketë vepruar në formën më destruktive përbrenda sistemeve
si ai osman apo jugosllav ka qenë kontribues aktiv i finales: dy shteteve
shqiptare!
Nga
Xhemal Ahmeti
«Më
përshkruaj shqiptarët. Si janë ata?», kështu më pyeti një mik imi zviceran me
të cilën dikur kishim studiuar bashkë në Universitetin e Freiburgut. Diplomati
që do ikte në Kosovë donte të mësonte, dhe atë për dyzet e pesë minuta, sa më
shumë për popullin «atje poshtë», për historinë, politikën, mentalitetin, veset,
ritet dhe traditat. Më tërhoqi vërejtjen: «Para se të nisësh me përshkrimin
tënd mos e harro atë konkluzionin e mikut tonë Prof. dr. Christian Giordano që
tha se shqiptarët janë ndër ballkanasit që prijnë për nga vetëpërshkrimi
negativ». E qëlluar: modë është bërë portretimi plotë veturrejtje ndër
shqiptarë!
Vetëm
edhe një orë kishte mbetur për të formuluar opinionet, ligjëratën mbi qenien
shqiptare. Si rezultat i atyre shënimeve dolën 12 teza mbi qenien shqiptare,
pjesë e të cilave janë edhe këto 3 tezat e mëposhtme mbi oportunizmin shqiptar:
TEZA E PARË –
Vetëkritika si imponim
E
urrejnë veten shqiptarët, pasi para tjerëve flasin gjithherë keq për veten?
Këtë do ta pohonte çdokush që i njeh vetëm sipërfaqësisht shqiptarët. Ose që
shfrytëzon edhe atje ku s’duhet metodën aristoteliane të induksionit. Portreti
autark negativ më shumë duket të jetë rezultat i një lodhjeje kronike nga
«fatumi i padrejtë» dhe «dështimet» e elitave të tyre për tua sjellë lirinë sa
më herët. Me një autosugjestion frytplotë ata ushqejnë përshtypjen kurrë të mos
kenë kapur me kohë epokat; gjithmonë me vonesë të madhe qenkan integruar në
procesin e iluminizmit, arsimimit, shtetësisë e kështu me radhë. Evropiani me
plis mallkon veten jo pse urren apo dashuron tjerët, por sepse xhelozon fatin e
të tjerëve që e kanë lënë pas në mirëqenie dhe në civilitet – çka do të që jetë
kjo e fundit. Vetëpërshkrimi negativ dhe specifik i shqiptarit del pra nga
grindja e përhershme me vetveten, nga refuzimi i statusit në të cilin gjendet,
ai gjithmonë pretendon të mos jetë ashtu siç është, por ndryshe, më mirë. Kemi
të bëjmë nëfakt me një mentalitet që dëshiron progresin permanent? Vetëkritika
(edhepse tmerrësisht agresive) si motor shtytjeje përparimi? Pjesërisht
qëndron. Mirëpo më shumë se ky motiv vetëkritika shqiptare është pjesë e një
strategjie mentale, të cilën shqiptari e ushtron me shekuj.
TEZA E DYTË –
Oportunizmi si strategji mbijetuese
Pasi
që shqiptari gjithmonë mendon të mos ketë gjetur formulën adekuate se si duhet
jetuar më së miri, ai është elastik. Jorrallë edhe aventurier altruist. Aq
elastik saqë bind edhe tiranin më mizantrop të jetë qeni më besnik i tij. Gati
çdo perandor i ka konsideruar gardën më besnike të tij. Gati çdo religjion i
numëron si të vetët dhe të gjitha ideologjitë (komuniste, liberale, fashiste,
naziste) i kanë trajtuar si operatorët më të efektshëm në terren. Dhe në çdo
bilanc final kemi parë se ata, shqiptarët, nuk janë besnik të asnjërit dhe
askujt. Po me atë lehtësi që i përvetësojnë situatat edhe i shporin, sikur
kurrë të mos kishin qenë komunistë, sikur kurrë të mos kishin besuar në Hitlerin
e sikur e gjithë përpjekja për të qenë jugosllavët sa më origjinalë s’ishte gjë
tjetër përpos aktrim i zakonshëm për ta siguruar mëditjen.
TEZA E TRETË – Formula e
tolerancës
Se
ç ‘oportunistësh maratonik dhe të përkryer janë shqiptarët dëshmon historia e
elitave të tyre: ata luajtën e luajnë rolin e hoxhës, të klerikut, të
gjeneralit, të beut a valisë, të ultrakomunistit a fashistit, të demokratit apo
anarkistit pa dyshuar kush kurrë në autenticitetin e tyre. Të veshur si
priftërinj dhe nëpërmjet «fjalës së Zotit» krijuan gjuhën dhe alfabetin, të
veshur si osmanë shpallin pavarësinë, të rreshtuar si stalinist vjelën Rusi,
Kubë e Kinë, duke u sjellë jugosllavë ndërtuan e finalizuan edhe një shtet të
ri.
Nga
këtu rrjedh edhe diversiteti kulturor, fetar dhe ideologjik i shqiptarëve. Se
gjithë këto botë kulturash, feshë e doktrinash – të cilat janë armike të
mërzitshme ndër veti – nuk kanë arritur ta përmbytin qenien shqiptare në ndonjë
konflikt nuk është meritë e «tolerancës gjenetike shqiptare» siç duan të na
lajnë kokën me akull irracionalët, por është rezultat i oportunizmit
tradicional të elitave shqiptare nëpër histori.
«Nëse
elitat shqiptare e kanë bërë këtë me qëllim, të themi, si një doktrinë
mbijetuese atëherë qenkan më të mençur se të gjithë», bëni zvicerani. Nuk kemi
të dhëna historike shqiptarët të jenë sjellë kështu për çështje taktike. Ata
kanë vepruar kështu. Kjo është historia e tyre. Dhe kjo teori natyrisht se mund
të përdoret edhe nga më destruktivët për të justifikuar rolin e tyre në këtë
apo atë sistem. Pse jo? A nuk do të ishte fantastik një pajtim ndërveti? Së
paku në shenjë dasme ndarëse nga oportunizmi, i cili vetëm për diplomatët është
i shëndetshëm!
Janar 2013