| E hene, 10.01.2022, 07:13 PM |
Zgjedhje në PD, si shpëtim nga kafazi i hekurt
Nga
Armand Shkullaku
Deputetët
e selisë së Partisë Demokratike duhet të mendojnë sot mënyrën se si do të dalin
nesër për të takuar ata që i kanë zgjedhur si përfaqësues të tyre. Ata janë
përdhunuar politikisht dhe publikisht, njëherë kur u detyruan të futen në
kafazin e hekurave e dyerve të blinduara dhe, herën tjetër, kur “policia e
krimit” i mori në mbrojtje duke sulmuar egërsisht anëtarësinë e tyre.
Shumica
e këtyre deputetëve, që kanë shkuar në atë parti si njerëz të lirë, sot e
shohin veten të ngujuar në një korridor mes Bashës dhe Edi Ramës. Eshtë hera e
parë që përfaqësinë më të lartë të një partie kryesore opozitare, e ruan nga
anëtarësia e saj qeveria, me skfandra, trupa speciale dhe gazlotjellës. Edhe
për ata që kanë pasur ndonjë dyshim për përfshirjen e Edi Ramës në konfliktin
brenda PD, tashmë çdo gjë është e qartë. Gatishmëria e planifikuar e
kryeministrit për të goditur brenda selisë anëtarët e Partisë Demokratike, ka
vendosur tashmë vijen e kuqe mes votuesve të kësaj partie dhe grupimit të
kafazit të hekurt.
Për
të thyer këtë vijë të kuqe, ka mbetur ndoshta vetëm një mundësi e fundit. Për
të ndalur përdhunimin dhe për të rifituar lirinë e tyre, deputetët e selisë
duhet të kërkojnë zgjedhje legjitimuese për drejtuesit e PD. Vetëm një proces
zgjedhor, i pranuar dhe i monitoruar nga palët kontestuese, mund t’i japë fund
krizës dhe t’i detyrojë palët t’i japin dorën njëra- tjetrës. Përfaqësia e
selisë nuk gëzon mbështetjen e anëtarësisë së partisë, ndërsa anëtarësia ka
nevojë për një përfaqësi të rilegjitimuar prej saj. Në këto kushte, ata që ende
i thërrasin arsyes, duhet të kuptojnë se s’mund të ketë opozitë brenda dyerve
të blinduara dhe me sytë nga Edi Rama. Ato mund të garantojnë sallën e
mbledhjeve të absurdit, por janë një dështim i sigurtë në përballjen më të parë
elektorale.
Ata
që mendojnë përtej dyerve të hekurta, e kanë të qartë se mbështeja e grupit të
selisë tek anëtarësia është në kuotat më të ulta. Nëse qëllimi i angazhimit të
tyre në politikë ka qenë interesi i demokratëve dhe çuarja e PD drejt
pushtetit, ata duhet të çlirohen nga kurthi ku e kanë futur veten. A fitojnë
ata më shumë vota, më shumë besim tek elektorati duke përdorur mercenarë me
shkopinj e gazlotjellës dhe policinë e Edi Ramës kundër atyre që i kanë votuar?
Çfarë vlere kanë korridoret e selisë kur secili prej tyre sot nuk del dot të
takohet me njerëzit që janë helmuar me gazin e Edi Ramës, njësoj si para kryeministrisë
ashtu dhe para selisë së partisë së tyre?
Nëse
në kupolën e PD arsyeja ka emigruar në tokën e premtuar të Edi Ramës, ata
deputetë që sot mundohen të kapërdijnë turpin me çorbën bajate kundër Sali
Berishës, duhet të nisin lëvizjen për rikthminin e legjitimitetit në partinë e
tyre nëpërmjet një procesi të besueshëm zgjedhjesh partiake, si për kryetarin
ashtu edhe për drejtuesit e tjerë. Në të kundërt do vazhdojnë të jenë
personazhet e ngujuara VIP të vëllait të madh që i mbikëqyr nga kryeministria.
Për
ta kuptuar këtë nuk ka nevojë për sondazhe apo anketime. Nuk ka nevojë as të
monitorosh xholët mediatikë të Edi Ramës, që pa u skuqur i japin mbështjetje
sot Bashës, të cilin deri dje e kanë denigruar deri në qelizat familjare. Nuk
ka nevojë madje as të ndjekësh komentet e reagimet në rrjetet sociale. Mjafton
që secili prej deputetëve të selisë të rrotullojë vështrimin për të parë se ku
gjendet dhe t’i bëjë pyetjen vetes se a ndihet i çliruar të shkojë e të flasë
me ata që e kanë votuar. Për të dalë nga kafazi i hekurt i selisë dhe
skafandrat e kryeministrisë, ata duhet t’i kërkojnë Bashës gjënë më normale dhe
më demokratike në këtë krizë të paprecedentë: legjitimitetin përmes zgjedhjeve
të reja në PD.
©Lapsi.al