| E marte, 04.01.2022, 08:48 PM |
EDHE NJË DËSHMITARE E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT ENVERIST KUNDËR FESË, SHKOI NË AMSHIM
Nga
Frank Shkreli
Radio
Vatikani në gjuhën shqipe njoftoi se me 2 Janar, 2020 ndërroi jetë në moshën
92-vjeçare, Motra Marie Kaleta – murgesha shqiptare e cila me dëshminë e saj
për vuajtjet gjatë komunizmit – bëri të përlotej edhe Papa Françeskun në vizitën
e tij në Shqipëri, në Shtator të vitit 2014. Ajo ndërroi jetë këto ditë, por
dëshmia e sajë jeton!
Mesha
dhe ceremonia e varrimit u kryesuan nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të
Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, Kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit, së
bashku me Ipeshkvin e Sapës, imzot Simon Kulli, me Ipeshkvin e Rrëshenit, Imzot
Gjergj Meta, si edhe me meshtarë e rregulltarë të tjerë. Tashmë, motra imcake, që nuk reshti së dhëni
dëshminë e saj të krishterë, pushon tek Varrezat e Rrmajit, nga ku vijon t’u
flasë të gjithë atyre që duan të mësojnë nga jeta e saj, thuhet në njoftimin e
Radio Vatikanit. Motra Marie Kaleta,
është një nga dëshmitarët e fundit të qëndresës së klerit e të besimtarëve
katolikë gjatë komunizmit. Populli i
dioqezës së Sapës, sidomos besimtarët e famullisë së Shën Nikollit në Pistull,
e përcollën si i ka hije një qëndrestarjeje dhe dëshmitarjeje të krimeve të
komunizmit.
KUSH ISHTE MOTËR MARIA
KALETA:
Ajo
i përkiste Urdhërit të Murgeshave Stigmatine – e cila së bashku me Kardinalin e
sotëm shqiptar, Ernest Simonin, e bëri të përlotej Papën Françesku gjatë
vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014. Maria Kaleta ka lindur më 10 nëntor
1929, në Nënshat të Zadrimës, Shkodër, nga prindërit Engjëll e Shuke Kaleta. Së
bashku me prindërit, u zhvendos më vonë në fshatin Pistull, ku shkolla vendore
mban sot edhe emrin e Marie Kaletës. Emri i saj, në mos për dëshminë personale
-- sado që edhe ajo është një dëshmi e fuqishme -- është i lidhur me dëshmitë e
martirizimit të klerit katolik gjatë komunizmit, pasi motër Kaleta, apo halla
Marie, siç e quanin të gjithë për respekt, ishte e mbesa e dom Ndoc Sumës, i
lum martir, viktimë e komunizmit. Në moshën 10-vjeçare, ajo hyri në Kuvendin e
Motrave Stigmatine në Nënshat të Zadrimës e pas një viti, pasi i bindi të
gjithë për dëshirën e patundur të saj për t’u bërë murgeshë, pavarësisht nga
mosha e njomë, më 11 dhjetor të vitit 1940 e çuan në Kuvendin e Stigmatineve në
Shkodër. Aty jetoi 7 vite, deri më 1946,
kur komunistët e sapoardhur në pushtet në Shqipëri, i nxorrën motrat nga
Kuvendi, sepse Zoti ishte për ta tepër i rrezikshëm duke ia mbyllur edhe
Perëndisë portat e Shqipërisë, mendonin ata, një herë e përgjithmonë. Por jo
edhe portat e zemrës.
Sipas
Radio Vatikanit, murgesha shqiptare Marie Kaleta edhe nën regjimin komunist
vazhdoi të mbetej motër stigmatime duke fshehur fenë dhe besimin e saj në të
vetmin Zot, të cilin e Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës e kishte shpallur
ilegal në Shqipëri, duke u mbështetur tek ata pak njerëz që e mbrojtën dhe nuk
e paditën as nuk e dorëzuan tek xhelatët e regjimit komunist. Ja edhe dëshmia e
Marie Kaletës – rrëfimi i të cilës, për vuajtjet e Kishës Katolike Shqiptare në
kohën e komunizmit -- që përloti Papën Françesku gjatë vizitës së tij në
Shqipëri në Shtator të vitit 2014, sipas Radio Vatikanit në gjuhën shqipe:
“Zoti
me mbajti me një fe aq të gjallë saqë më shtynte t’ua dhuroja edhe të tjerëve
duke pagëzu, jo vetëm fëmijtë e fshatit, por edhe të gjithë ata të cilët më
kanë ardhë në derë kur kisha sigurinë se, nuk do të më padisnin. Ka shumë ngjarje që më kanë shoqëru përgjatë
këtyre viteve kur publikisht ishte e ndaluar të shfaqje besimin. Me
thjeshtësinë e zemrës po ju tregoj një ngjarje. Isha tuj u kthy për në shpi nga
puna e kooperativës. Gjatë rrugës dëgjoj
një zâ që më thërriste. Një grua me një fëmijë në krah më arriti me vrapin e
saj. Kërkesa e saj ishte më i pagëzu foshnjën, që mbante në krah. Nga frika,
pasi që e dija se ajo ishte gruaja e një komunisti, i them se nuk kam me ça ta
pagëzoj, pasi që jemi në mes të rrugës. Ajo, nga dëshira e madhe që kishte, më
thotë se kanali përbri ka ujë. Unë i them se nuk kam me ça ta nxjerr atë ujë.
Ajo vazhdonte të më lutej për pagëzimin e vajzës. Unë, duke pa fenë e saj, hoqa
opangën prej llastiku që kisha veshë. Me ‘të nxora ujë prej kanalit dhe e
pagëzova. Falë njohjes së meshtarëve kam
pasë fatin të mbaj në një komodinë të Shenjtnueshmin Sakrament, kështu për
raste të njerzve të sëmurë që dergjeshin në shtratin e vdekjes. Kam kryer
shërbimet e fesë, nuk e di se si, në fakt sot kur e mendoj, më duket e
pabesueshme, si kemi duru ato vuajtje të tmerrshme, por them me plot bindje se
i madhi Zot na ka dhanë forcën, durimin dhe shpresën. Ashtu sikurse me egjrën e
shëmbëlltyrës Zoti “priti” pjekjen e plotë para se ta shkulte nga gruni. Edhe pse koha qe e gjatë dhe puna e
kooperativës tepër e vështirë, prapseprap Zoti atyre që i thërret ua jep forcën
e vet. Në fakt, në fund ai m’i shpërbleu të gjitha vuajtjet e mia edhe këtu në
tokë. Mbas sa viteve të regjimit u rihap
Kisha e unë pata fatin me u gjetë si rregulltare, fat të cilin për sa vite e
dëshirova sikurse të gjithë meshtarët e murgeshat e vendit tonë”.
Në
një bised? në vitin 2012 -- me Dom David Xhuxha, Drejtor i programit shqip të
Radio Vatikanit -- mot?r Maria Kaleta ka rr?fyer jet?n e saj, ka folur për
vuajtjet e besimtar?ve, t? klerit katolik dhe t? motrave rregulltare nën
regjimin e egër komunist të Enver Hoxhës.
Ishte shoqe me martiren të Lumen Marija Tuci, që ka vdekur nga torturat
më të tmerrshme në kohën e regjimit komunist në Shqipëri, duke u bërë kështu e
vetmja femër që renditet në mesin e 40-të martirëve të parë të Kishës Katolike
Shqiptare. Sipas Radio Vatikanit, kjo
dëshmi e murgeshës Marie Kaletës për vuajtjet e Kishës dhe të mbarë popullit
shqiptar nën regjimin komunist, është një thesar i përbashkët, tejet i çmuar,
për kujtesën e përhershme që, “të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të
ndërtohet me guxim e ardhmja”, sikur pat porositur Shën Gjon Pali II gjatë
vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1993. Porosia e Papa Gjon Palit të II në
atë kohë, “që të mos harrohet e kaluara”, si dhe dëshmia e murgeshës shqiptare
stigmatine, motër Marie Kaleta, e cila me rrëfimin e saj për vuajtjet e
Kishës dhe të popullit shqiptar nën komunizëm, e përloti edhe vetë Papen
Françeskun në Katedralen e Shën Palit në Tiranë më 2014 – janë një këmbanë që
ende bie – në veshë të shurdhër -- për të zgjuar ndërgjegjen morale dhe njerëzore
të klasës politike, “post-komuniste” shqiptare, por edhe tek përfaqsuesit e
demorkacive perndimore në Tiranë, të cilët refuzojnë të promovojnë një
qeverisje dhe një shoqëri më tolerante për Shqipërinë dhe për shqiptarët pa
dallim.
Siç
dihet, edhe sot tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit -- ndryshe nga
vendet e tjera të Evropës ish-komuniste – Shqipëria refuzon të dënojë
zyrtarisht krimet e komunizmit enverist dhe refuzon gjithnjë të përballet me të
kaluarën e errët të asaj periudhe. Siç e
kam venë në duklje shpeshëherë në të kaluarën, diplomatët perëndimorë në Tiranë
-- me heshtjen e tyre në lidhje me këtë çeshtje -- vazhdojnë të kenë një njollë
të zezë në fytyrat e tyre, për vetën dhe për vendet që ata përfaqësojnë.
Vura
re në portalin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, njoftimin me një
ekzaltim krenar e të papërmbajtur, “Urime Shqipërisë për një arritje të
jashtëzakonshme, fillimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Sigurimit të
Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në histori”. “Arritje e jashtzakonshme”?!, mos u tallni!
Shqipëria nuk kishte as një shtet konkurent, asnjë vend pra nga zona
gjeografike që përfaqëson Shqipëria në Këshillin e Sigurimit për dy vitet e
arddhëshme, që të ishte i interesuar për atë “arritje të jashtzakonshme”. Pasi
vetëm Shqipëria ishte e interesuar nga zona e Evropës jug-lindore, nuk kishte
se sit ë mos votohej, por ky është një subjekt për një shkrim tjetër, ndoshta.
“Arritje
e jashtzakonshme”, për Shqipërinë do të ishte njohja zyrtare e krimeve të
komunizmit në Shqipëri dhe përballja me ndërgjegjësi morale me të kaluarën
komuniste, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste, sot anëtare të
Bashkimit Evrpian dhe NATO-s, ashtuqë të mos harrohet e kaluara, siç ka
porositur edhe Papa Gjon Pali II në vizitën e tij në Shqipëri, më 1993. Normalisht, edhe në politikën e jashtme dhe
në diplomaci do duhej të kishte përgjegjësi dhe ndërgjegjësim moral dhe etik.
Të
falënderojmë për dëshminë tënde të gjallë, Motra Marie – Pushofsh në paqe!
Frank Shkreli
Murgesha
shqiptare Marie Kaleta me Papa Françeskun, Shqipëri, 2014, dëshmia e të cilës
për sakrificat e saja gjatë regjimit të egër komunist shqiptar, përlotën edhe
udhëheqsin e Kishës Universale Katolike. Papa Françesku i ka dhënë motër Maria
Kaletës, medaljen e “Kryqit për Kishën e Papën” (Pro Ecclesia et Pontefice).
Murgesha
Marie Kaleta në lutje
Motër
Maria Kaleta