| E shtune, 01.01.2022, 02:47 PM |
Etika e studiuesit në etnokulturë
Pranimi
i vlerave diverse dhe respektimi i të drejtave të njeriut në fokusin e
etnokulturës së trevës së Konispolit dhe më tej
Nga
Dr. Bardhyl Maliqi
Në të vërtetë kjo
temë është e gjerë dhe do të kërkonte një studim kompleks dhe më të thelluar,
por këtu do të mjaftohemi me skicimin e problemit duke shkruar ca prej
impresioneve tona, banore të përhershme të kujtesës sonë emocionale dhe
episodike, pasi ato duam s’duam ne, janë bërë tashmë pasuri e jona shpirtërore.
Po e fillojmë me
një ngjarje të jetuar. Ju e dini se ç’janë bakllavatë e Çamërisë e të
Konispolit. Të bësh bakllava me 100 petë s’është e lehtë. Tradicionalisht
mblidheshin gratë e lagjes ditët e enjte për të ndihmuar shtëpinë e djalit, që
martohej për të holluar bakllavanë. Kështu ndodhi dhe atë ditë. Mirëpo Nënë
Memesë nuk i thanë. Mbase qe një harresë e rastit. Por ajo s’e gëlltiti dot, i
mbeti merak. Dhe ju e dini se merakun s’e tret as dheu! Për t’u larë gabimi ajo
u ftua në dasëm. Në të vërtetë atë e quanin Meme Arapja dhe qe realisht pak e
zeshkët, po shumë e pastër. Kur befaz
del në krye të valles dhe ia fillon këngës:“Jesh e zezë, /‘Anadaj s’më
thanë,/U lerosja bakllavnë…/ Pa dhe unë
e kam një djalë, / Po kur të martoj Selanë, /
Do ta ftoj të gjithë fshanë, / Do
ta tund tërë dunjanë…”
Fakti që kjo këngë
këndohet edhe sot tregon përpjekjet e vetëdijshme për pranimin e vlerave të
qëndrueshme, pohimin e gabimit dhe ndjesën ndaj fajit. Kjo është mungesë
kompleksiteti, një shenjë e qartë emancipimi shpirtëror. Ka dhjetra shembuj të
tillë. Të gjitha kanë brenda një doze qesëndie, por janë të pranueshme, të
bukura dhe jetësore. Burri që përshkruhet në këngën e mëposhtme ka qenë person
real, pak i shkurtër e rondokop, por i zgjuar e fjalë flori: “Paska burra Shqipëria,/ Burra si Jasin
Hania./Rrumbullak si çorja e shkopit,/ Mustaqet si leshtë e Sopit.*/ Jasini,
burrë me mend,/ Fjalë e tij peshon kuvend./ Fjalë e tij gur-ë qoshe, / Hije i
ka kur rri përdhe.”
(*Shënm: sopit, këtu emri i
cjapit)
Krahina e
Konispolit në të vërtetë është më se e begatë me etnokulturë materiale e
shpirtërore, pasi ajo gjithnjë është gjendur në udhëkryq të kohrave, në udhëkryq
të erërave epokale dhe të paktën në pikëpamjen shpirtërore ka ditur të
absorbojë vlera. Jo më kot një nga qafat e saj quhet Qafa e Botës. Një
simbol unkal në topomastikën kombëtare për nga shprehësia dhe rrezëllimi. Pika
e kontaktit mes nesh dhe të tjerëve, një antenë për të kapur dhe shkëmbyer
mesazhe me kontinente e botëra të tjera. Bile më shumë se kaq. Një zgjatje e
qafës së botës për të kqyrur universin dhe kontaktuar me aljenët. Ky simbol
shpreh në esencë përmbajtjen e temës sonë që ndryshe mund të thuhet: Konispoli
është i hapur ndaj të tjerëve, pranues dhe vlerësues. Kjo është pjesë e qënies
së tij historike, e origjinës pellazgo-ilirike si një fis i vogël Prasajb midis
Kaonisë dhe Thesprotisë së madhe. Duke
qenë i hapur dhe
pranues ndaj labërve dhe çamërve konispolatët janë ndjerë edhe labër për
nga disa tipare të karakterit dhe
kontaktet shpirtërore, fizike e politiko-luftarake me Vlorën e Ismail Qemalit e
të Selam Musait, me Onhezmin dhe Lëkurësin, me Delvinën e Gjirokastrën gjatë
gjithë rropamave të historisë shqiptare nëpër mote të përgjakshme dhe ditë të
kthjellëta. Ata janë ndjerë çamër për nga gjuha e nuancat e saj dialektore,
marrëdhëniet tregëtare e zakonore, fatet shpesh të përbashkëta e natyrën e butë
dhe pak lirike. Ky përjetim i dyfishtë mbase më mirë se kudo duket në dy
epitete në pamje të parë të zakonshme, por që të përdorura me vend kanë
nëntekst të fuqishëm. Kur në Konispol thonë për një grua “Ajo është Labe” do të thotë se
është burrëreshë, e fortë si guri dhe e
ashpër si stralli, një grua që s’ia ha qeni shkopin. E kur thonë “Ajo është
Çame” do të thotë është e bukur, e pastër dhe nikoqire, ç’i sheh syri ia
bën dora! Konispoli e ka pranuar bashkëjetesën dhe kontaktin e përhershëm, jo
vetëm me krahinat, por edhe me etnitetet e tjera, si grekë, arumunë e romë.
Shpesh politikanët e pushtetarët kanë qenë nga Labëria, xhandarët dhe
ruajtësit e rendit
nga Gegëria, mjekët, rrobaqepësit e shoferët nga minoriteti, sazexhinjtë e zanaçinjtë nga
radhët e romëve, barinjtë e blektorët nga vllehtë (arumunët) e Shkallës etj.
Ashtu siç ka pranuar ai edhe bashkëjetesën, krushqitë e martesat me fe dhe
besime të tjera duke krijuar kështu një rreze më të gjerë kontakti me botën,
një mundësi më të madhe vlerësimi dhe integrimi. Dëgjoni si rezëllinë fjalët
dhe figurat e kësaj kënge, është një nga gjardanët e xhevahireve tona:
“Dola në breg të qershisë,/Shkon bejk’e moskovolisë,/Vet’e bardh’e rrobat
pisë,/Të vret me cep të shamisë. /Me gjoks e supe të vret,/Dallgë-dallgë por si
det./Moj bejka konispolite,/ Në gjerdan treqind mexhite./Në beson Kristo-në
hiqe./Treqind mexhite i kam,/Vajzë zagorite jam,/Shoqe përmbi vete s’kam!”
Prania e
ndryshimit në kulturat e besimit, pranimi i ekzistencës së një shtrese
kristianizmi si fondament bazë, para atij mysliman, prezenca e një vajze
zagorite si nuse në Konispol dhe pranimi i ndryshimit
kulturor, etnik dhe fetar si diçka e zakonshme, bile e bukur është shenjë
qytetërimi. Vetëm skllavëria shpirtërore nuk i pranon vlerat diverse.
Gjithashtu kjo është shenjë e sigurt se martesa mes një djali nga Konispoli dhe
një vajze zagorite do të funksionojë. Janë të sigurta gjenetikisht dhe
shpirtërisht lindja dhe rritja e breznive të shëndetshme.
E me që zumë në
gojë martesat, po i kthehemi dhe një herë kësaj teme, por duke u përpjekur për
të zbërthyer mesazhet që ndriçojnë disa prej riteve ekzistenciale si dasma,
lindja dhe vdekja me tërësinë e vet të ca zakoneve të vogla. Psh. Nusja dhe
dhendëri vishen me vello dhe këmishë të bardhë, për të dëshmuar dlirësi e
pastërti, qëndrim larg veseve dhe njollave që mund të fshehë rroba me ngjyra, e
si për t’iu diktuar të tjerëve urimin: Qoftë përjetë i bardhë çasti i
martesës suaj! Kur nusja kapërcen pragun e oborrit të shtëpisë së burrit i
hedhin në kokë oriz si për t’i thenë: Paç këmbë të mbarë në këtë prag,
shtëpia të qoftë e bardhë dhe e begatë! I hedhin ca kokrra bajame për t’i
kujtuar se fjala duhet të jetë me bukë,
se në jetë ka edhe pak hidhësi e kokëfortësi, por kapërcehen të tëra; i
hedhin karamele apo sheqerka për t’i thenë: Të qoftë e ëmbël buka!
I lyejnë dorën me
mjaltë, e ajo me këtë dorë duhet të lyej
portën për t’i uruar familjes pritëse ëmbëlsi dhe
se këtë ëmbëlsi është ajo, nusja që po e sjell. Çiftit të sapo martuar i venë
një djalë të vogël në krevatin bashkëshortor për të pasur lindje të bukura dhe
trashëgimtarë të sigurtë. Venë dy thela
bakllava që kur të çohen në mëngjes t’u shkojë në mendje që kënaqësitë dhe
ëmbëlsitë e jetës nuk i përkasin vetëm krevatit bashkëshortor. Bile ai s’mund
të jetë i tillë nëse e ardhmja s’ka ëmbëlsi. Fëmijës së sapo çuar të shtrirë në
shesh i venë para duarve fyellin, kalemin, një pushkë lodër dhe sende të tjera
si për të përzgjedhur në jetë simbolet e disa
profesioneve, pa hirarki, por në shenjë respekti për të gjitha punët
njerëzore. E kështu deri në vdekje, kur trupi lahet e vishet me rroba të reja
si për të thenë: Dua të iki burrëror dhe i bukur! (Kujtoni Osman Takën e
Konispolit, një nga shëmbëlltyrat e bukurisë e trimërisë mashkullore që kërkoi
dhe hidhi valle para litarit, Birblenjtë e Labërisë që kërkuan të dredhin
cigarë e Vasil Laçin e Bregdetit që
kërkoi një krehër para ekzekutimit) Nuk është një eufemizëm që mbulon temën më
të lashtë të historisë së letërsisë botërore frikën dhe tmerrin e njeriut nga vdekja (kujto “Epin
e Gilgameshit”), por shprehje e respektit për njeriun. Nuk është rastësi as
vendosja e gërshërës apo çelësit në arkivol. Duan të thonë se vdekja këtu u
pre, u mbyll në çelës, u ndry në arkivol, pas ngelën të mirat e kësaj
bote, ndaj përpiquni t’i shijoni!
Jeta dhe vdekja
janë dy antipode të ekzistencës, që pa dashur na kujtojnë një distik të
Migjenit ”Unë e ti murgeshë,/dy skaje të një litari.” (njeri skallav i
besimit e tjetri qenie e lirë).
Konispoli e vlerësonte
jetën, vishej e krihej bukur. Edhe fukarai ishte sqimëtar aq sa dhe ai e kishte
një kostum si të agait. Kjo i detyroi grekët dhe evropianët e konsullatave të Korfuzit të përdornin
shprehjen Europeos konispolatis, pra Evropian nga Konisoli. Po të kemi
parasysh mardhëniet tregëtare e kulturore të Konispolit me Korfuzin kjo s’ishe
shprehje qesëndie, por një realitet, pasi në shekuj Konispoli ka investuar për
dijen dhe kulturën ashtu si thotë kënga për atdhetarin Alush Taka “O Alush
mustaqeverdhë,/ lirat për shqipen t’u derdhë…”Dhe kur erdhi puna për
shërimin e tij investuan edhe miqtë e tij të vërtetë në Korfuz. E megjithëse ai
vdiq prej sëmundjes, qëndrimi vlerësues ndaj tij nuk mund të harrohet.
Përmendëm vdekjen
dhe respektin për të. Kjo nuk është rastësi. Ka dhjetra e qindra këngë për
patriotë, dëshmorë e heronj të dijes e dritës, të armës e trimërisë në emër të
idealeve të larta që janë përjetësuar në këngët e popullit të Konispolit. Këngë
për Pirro Burrin e Hasan Tahsinin, Kuçukajt e Dinejtë, Plakanjt e Çaparenjtë,
për Alush Takën e Muharrem Rushitin, Musa e Rexhep Demin, Thimjo Gogozoton e
Lefter Talon, Damin Korron e
Thoma Lulën. Po rikujtojmë një ngjarje. Është një episod i
jetuar në dy kohë. Kur çeta partizane ishte në Zminec, u dha urdhër për
marrshim dhe në shtëpinë ku ishte strehuar i riu Qemal Kuçuku nuk kishte
dalë buka nga zjarri. Qemali iku po
thuaj pa ngrënë dhe të nesërmen u vra në betejë me gjermanët. Ndodhi që një
grua e kësaj familje pas shumë vitesh të vinte në Konispol për të takuar vajzën
konviktore dhe kur pa pllakën përkujtimore me emrin e Qemalit, nxori dhe vuri
një copë kulaç mbi të. Le ta hanin zogjtë, zogjtë e ajrit të lirisë! Të asaj
lirie për të cilën ra dëshmor Qemali.
Përmendëm më më
lart emrin e fshatit Zminec, një nga fashatrat e minoritetit me të cilat
Konispoli ka pasur miqësi, ashtu si Janjari me Karroqin, Markati me Qesaratin,
Shalësi me Vagalatin e Pandalejmoni me Livadhjanë e Komatin. Emri Zminec na
kujton gjithashtu mjekun e spitalit partizan Petro Nako, i cili u pushkatua nga gjermanët dhe forcat
kolabracioniste gjatë luftës për mbështetjen dhe humanizmin e tij përkushtues
ndaj djemve shqiptarë e minoritarë të rreshtuar së toku në çetën partizane “Çamëria”
e më pas në batalionin “Thoma Lula”. Aty nga vitet ’60 ishte
infermieri markaqot Sheref Nelaj që dëshmon koncepte të larta morale kur përmes
një artikulli u propozon organeve kopetente në shtypin e kohës që spitali i
Sarandës të pagëzohej me emrin e Dr. Petro Nakos dhe kështu ndodhi vërtet.
Por është
gjithashtu e vërtetë se vlerësimi i diversiteteve dhe respektimi i të drejtave
njerëzore nuk mud të fshehë as masakrat zerviste dhe as synimet gllabëruese të
politikave shoveniste të fqinjëve tanë jugorë. Ashtu si nuk mund të fshehë as
dukuritë e mbrapshta të realitetit shqiptar të djeshëm e të sotëm.
Patrioti dhe
vjershëtori popullor Haxhi Murati mund të mbahet mend qoftë edhe vetëm me një
pëllëmbë publike që i dha politikës së pamoralshme dhe korrupsionit të
qeveritarëve zogistë në prag të pushtimt fashist me këto vargje:“Rroftë
Duçja, rroftë Mbreti!/Që na sjell sheqer nga deti,/Dyqind gram i ha
mileti,/Dy kuintalë Nënprefekti.”
Reflektimi qe i
menjëhershëm dhe ndihmat u ndanë në rregull, ndaj dhe morali i saj mbeti i
gjithëkohshëm: për dje dhe për sot.
Trashëgimia jonë
etnokulturore është e pasur dhe e shëndetshme, pikërisht pse është e larmishme,
se ka sipas rastit kripën dhe ëmbëlsinë e nevojshme. Shpesh emrat e vendeve e
të njerëzve, si pjesë e kulturave të ndryshme gërshetohen bukur dhe krijojnë
një ansambël harmonik vlerash.
Vëreni një listim të shkurtër toponimik:
Qyteti Konispol – Livadhet e Lumbardhës,/ Posta në Pagane – Fshati
Çiflik/Bregu i Koçit – Kroi i Agait, /Mali i
Nartës – Mali i Saraqindit,/Çuka e Ajtoit – Çuka e Hierzës /Mali i
Orlës– Prroi i Manetës,/ Kroi i Vasiliqisë – Kroi i Shelqit/Maja e Shëndëllisë
– Bregu i Sterrës/Lagjja Çuçat – Lagjja Aliagat,/Prroi i Pirros – Qafa e
Hoxhës,/Gropa e Tetos – Bregu i Pyllotope,/Arat e Kondit – Plazhi i
Shëndodhërit,/Kroi i Çiçirikut – Gropa e Vulës,/ Lugu i Dardhës – Fusha e
Patates / Maja e Nikollës – Sheshi i
Halabakut etj.
E kështu mund të
evidentoja me dhjetra e qindra të tjera. Por do të mjaftohesha për të theksuar
një dukuri: në lartësi, pikërisht në pikat e kontaktit me qiellin emrat kanë mbetur paganë: Pagane,
Shëndëlli, Shëndodhër. Pak më poshtë kemi toponime praktike, panteiste dhe
ateiste: Rrapi i Konispolit, Prralli i Markatit, Lisi i Thatë, Gropa e
Tetos, Bregu i Pyllotope, Kroi i Shelqit, Lugu i Dardhës, Fusha e Patates, pastaj
renditen dukuri të besimit kristjan, më pas ato myslimane: Konispoli, Bregu i Koçit, Qafa e Nikollës; Fshati
Çiflik, Kroi i Agait, Qafa e Hoxhës.)
dhe mbase më të bukurat janë ato që janë krejt të zhveshura nga
ngarkesat fetare dhe ku gjejmë një etnokulturë krejt të pastër, shqipe: Lugina
e Lumbardhës, Qafa e Botës, Kroi i Shelqit, Plazhi Paqyrat, Pema e Thatë,
Shpella e Krëshmoit etj.
Në to ka gërshetim
të bukur të shqipes me greqishten pasive apo të mbartur, shtresëzime të
besimeve pagane, politeiste dhe monotesite, krishtërim dhe myslimanizëm,
mprehtësi dhe humor, shpirtdhëmbshuri dhe qesëndisje, florë dhe faun, shenjtorë
dhe shejtanë. Të gjitha janë pjesë e natyrshme e ekzistencës, të gjitha kërkojnë
të jetojnë, e po ta respektojmë hisen e diellit të gjithësecilit, dielli i
ngroh e i thek të gjithë.
Po e shikojmë më
konkretisht problemin në fokusin albanologjik, por të nxitur nga letërsia.
Mbase do t’ia vlente ta citoja shumë poezi të poetit minoritar Jorgo Çati nga
fshati Qesarat. Jorgua ka mbaruar gjimnazin “Bido Sejko” të Konispolit
dhe më pas është shkolluar si ekonomist finance me rezultate të larta. Ka
shkruar 15 libra në poezi dhe prozë, për të rritur dhe për fëmijë, për të
mençur e për të marrë. Gjatë viteve të shkollimit në Konispol, ku e mësoi ta
fliste dhe ta shkruante shqipen më mirë se shqiptarët, në shtegëtimet e tij me
këmbë në maja e brinja, kodra e livadhe, (se dhe makinë në atë kohë nuk
kishte), ai fiksoi veç të tjerave mjaft toponime prej fshatit dhe krahinës së
tij dhe qytetit jugor të Konispolit dhe komunës së Markatit përbri. I gjithë ky
plym emrash gjendet në poezitë e tij. Rast unik dhe i veçantë është poezia “Në
festën e Shëngjergjit” shkruar në 1 maj 1996 në Mesopotam dhe botuar në
vëllimin poetik “Në skaj të ëndrrës prêt një vajzë” (Albin, Tiranë
1998, fq. 62-63).
Vetëm në poezinë e
mësipërme ka mbi 80-të emra dhe emërtime të tilla:
NË FESTËN E SHËNGJERGJIT
Një Jorgo jam unë dhe Gjergj seç më quajnë
Ca Xhorxhio më flasin miqësisht, disi me takt
Në Gurrëz pi ujë, në Sudhë etjen shuaj
Dhe një ish-president më thotë: Jemi emnakë!
Më vijnë për Shëngjergj miq e bashkëfshatarë,
Më flasin hapur, të matur, me lyrë buzëngjyer
Më përmendin se jam pinjoll minoritar,
Por unë, poeti, në shpirt ndihem i fyer!
I lemë diku etikat, elozhet, ndërhyrjet
Dhe hartën e Vendlindjes e shtrijmë mbi trapezë
Marrin udhë pa fund batutat, qyfyret
Njeri sypërskuqur, tjetri faqendezur!
Porse Qesarati më kujton shpesh Jul Qezarin
Dhe qypat antikë të çelura në Rrëzë,
Gurrësi, Bregvarra, Shumeti, Grimeri, Dyjari
Ma shtrijnë dorën drejt gotës në trapezë!
U flas për Pogon, për Çatistë e për Mengul,
Për kapedan Ismailin, që sheshit nxorri pallë,
Për Pashkët në Komat, për sherrin plasur shekujsh,
Për shqiptarë e grekë - gjitonë në Mëhallë.
Më përmendin Homerin, e unë u tregoj Omerë,
Aretisë i them Vyrtyte, Dhoqinës – Doruntinë,
“E ç’mbeti prej heleni tek ty, o i mjerë?”
Më ngasin të ndezur prej verës në këthinë!
Tërë bota po shtiret, po e dredh, po e luan
Hedh baltë, përdhos Skënder e të bir,
Ti Gjergjin po e mban medaljon e nuk e luan,
Kur dihet se Helada na mori fiqir…
Më kujtojnë qilimat e “Iliadës” e “Odisesë”
Dhe unë “Ylliadë” i shqiptoj dhe “Udhërrëfyes”
Gjëmojnë vetëtimat që bien majë Milesë
Romuzet më shpojnë e tutje shkoj shpërthyes!
Gropat e Brahos, Jazi, Qafa, Vreshtat, Breshka,
Më shtyjnë drejt shtigjesh me mallin e fëmijës,
Manxeta, Rrushati, Driza, Gurëzdeti, Borima ku vjershat
I mblodha një ditëz nën Dushqet e Malinës!
Pastaj propozimi tek Gjolet, e puthura, ndarja,
Brengosja tek Vidhat; betimet, psherëtimat
Tek Puset e Bënglës, Darrëza e gjer tek Llamja,
Ku te Molla zbuluar m’u shfaq gjokslëndina!
Përqeshjet, munxët, trishtimi, çurgu i lotit,
Në Ketunë, Bush, Llupsinë, Shelgje e Mullez
Janë lidhur pazgjidhmërisht me mua e me botën
Dhe shpirti prej turtulli vrarë nga një syzezë!
Rrapishta, Shpati, Shëjza, Mulliri i Merkos,
Na ngatërrojnë sadopak në festën e emrit.
Rako i Zi, Dërrasa, Rrethi, Ara e Zeqos,
Ç’më pleksin nën cimbisjen e thumbit të ndonjerit!
Manxeta, Kungji, Lashnja, Shtogu, Karroqet, Malçani,
Më shtyjnë drejt vitesh me hi të mbuluar
Dhe dreka bën firo, vringëllin “jatagani”
Tërë sherr po ngrihen miqtë që erdhën për të më uruar!
…Gjithçka përreth flet me gjuhë të qartë Arbërie:
(Arëza, Ferra, Rrapet, Shëngjergji, Shëndniku…)
Me buzë të gjakosura, me prush vajzërie,
Mua Muza më thotë:-Vazhdo se mirë e ke nisur!!
* Topinimet janë të vendlindjes së autorit.
Kjo poezi mund të
shërbente si një ilustrim i shkëlqyer i onomastikës dhe toponimisë shqipe dhe i
bashkëjetesës dhe harmonisë ndërkulturore.
Në të ka shumë:
Antroponime, si: Gjergj- Jorgo dhe Xhorxhio, Qesar(at) dhe Jul Qezar, Ismail, Homer
dhe Omer, Areti dhe Vyrtyte, Dhoqinë dhe Doruntinë, Skënder, Braho, Rako,
Malinë, Merko, Zeqo, Iliadë dhe Ylliadë, Odise dhe Udhërrëfyes etj;
Oikionime: Qesarati,
Komati, Mëhalla, Malçani, Karroqi, Pogon, Çatista, Menguli;
Etnonime: Helada, Arbëria,
grekë, shqiptarë, Shëngjergj, Shëndënik;
Hidronime: Gjolet, Gurrëza,
Gurrëdhësi, Gurrëzdeti, Sudhësi, Mesopotami; Jazi, Borima, Puset e Bëngëls,
Mulliri i Merkos ( Marrë si hidronime);
Oronime njëfjalëshe: Mileja, Mullezi (ose Mëllezi), Shpati, Sheshi, Shumeti,
Bregvarra, Grimeri, Dyjari, Qafa, Vreshtat, Breshka, Manxeta, Rrushati, Driza,
Vidhat, Darreza, Llamja, Molla, Ketuna, Bushi, Lluspina, Rrapishta, Shëjza, , Dërrasa, Rrethi, Ara e
Zeqos, Kungji, Lashnja, Shtogu, Karroqet, Arëza, Ferra, Rrapet etj
Oronime dyfjalëshe: Shelgjet e Mullezit, Dushqet e Malinës, Gropat e
Brahos, Rako i Zi, Mulliri i Merkos, Puset e Bëngëls (marrë si oronime) etj.
Kështu ato mund të
rindahen dhe rigrupohen në makrotoponime dhe mikrotoponime etj.
Do të dilnim shumë
nga tema nëse do të futeshim në etimologjinë e të gjitha këtyre fjalëve, por po
mjaftohem me një rast.
Udhëtoja me këmbë
nga Cerkovica për në Gravë, rrugës bëmë një pushim në Malçan, ishte fund
shtatori dhe fshati kishte fare pak njerëz, shumë shkëmbenj, ujra, rrush, fiq,
bajame dhe arra. Rrëzë shkëmbenjve kishte shumë myshqe dhe kullonin ujra. Shoku
im Jorgo më thotë se emri i këtij fshati, ashtu si qindra emra të tjerë rrotull
është shqiptar. Malçan=Mali qan, siç e sheh kjo përputhet dhe me
realitetin e tij konkret, emri i fshatit i përshtatet aspektit gjeografik dhe
gjeologjik të terrenit: male dhe ujra. Por sa bukur tingëllon: malçan, mali
që qan një animizim dhe metaforizim i natyrës. Tani mund të provoni të
shkruani një hartim, poezi apo ese për brengën e malit që qan, të fshatit Malçan
që i kanë ikur djemtë në kurbet dhe ka mbetur vetmitar. Këtë brengë e japin
bukur një varg poetësh. Ndër librat më të spikatur është ai i Dashamir Malos “Fshehja
e lotit”, po citoj prej tij poezinë “Përse ofshan mendimi im”: “Përgjaku
malin e topitur,/Dielli sovran teksa u var,/Një bredh i plakur, i vetmuar,/
Qëndron në shpat si oshënar//Tek tret vështrimin perëndimit,/Më lë mendimi
endacak,/Si shpend i egër fluturon,/Përmbi kurorë të bredhit plak.//Për botën
mbarë që përgjaket,/Ofshan mendimi im i ikur,/Atje në shpat të shenjtëruar,/Rri
bredhi si pishtar i fikur.”
Por brengën e vet,
të Jorgos dhe të krahinës e jep bukur një poet tjetër minoritar, Vangjel
Zafirati. Vangjeli ashtu si Dashua është poet tejet lirik. Poezia e tij është
plot tinguj dhe ngjyra, tablo dhe imazhe, mbresa dhe mallëngjime. Lexoni psh.
poezinë “Fshatrat e Theollogos”: “Më shumë shenjtorë dhe /Manastire/Në
shkëmbinjtë e zinj/Si murgjër./Kishave përreth/Në shpella asketësh,/Vetëm pak
pleq /Që ndezin qirinjtë./Çaji i verdhë dhe sherebeli,-/Fëmijë të vegjël /Në
faqen e malit.
4 maj 2012