| E shtune, 01.01.2022, 07:11 PM |
Neo-osmanizmi, alternativë edukuese për fëmijët tanë?
Nga
Nuhi Ismajli, 2013
Në
kohën tonë, shkrimit të një historie të rrejshme, proturke dhe tepër
poshtëruese e të dëmshme për shqiptarët, në ndihmë i erdhi edhe qeveria e
tashme e Kosovës dhe qeveritarët më të lartë të saj. Qeveritarët e Kosovës
paralajmëruan edhe debat lidhur me ndryshimin e teksteve të rëndësishme të
arsimit shqip për identitetin shqiptar, sipas kërkesave turke. Debati, në këtë
rast, qartazi shihet se nuk ka të bëjë me synimin për ndriçimin e së vërtetës
historike, e cila njihet mjaft e mund të njihet edhe më, për të parë kërkesën
tejet të pamoralshme turke dhe arsyen që shqiptarët të mos ndryshojnë historinë
e tyre, po për të futur mentalitetin e robit në vështrimin e historisë
shqiptare, vështrimin e të tjetërsuarve, apo të “mbetjeve turke”, sipas termit
turk, inkuadrimit në debat për historinë shqiptare të logjikës dhe të forcës së
turmës, inkuadrimit në debat dhe imponimit të mentalitetit anadollak të turmës,
të prirura për qëndrime proturke dhe antishqiptare. Kryetari i Komisionit për
ndryshimin e teksteve të arsimit shqip të Kosovës, dr. Sh. Raça, pranoi se
Perandoria Osmane ka qenë pushtuese, por, sipas tij, “pushtimi turk nuk
nënkupton dhunën, vrasjet, barbaritë”, të cilat dihen mirë sipas të dhënave
historike. Sipas tij, nuk duhet të thuhet se P. Osmane ka bërë dhunë, ka bërë
vrasje, ka shkatërruar vlera materiale, shpirtërore e kulturore të shqiptarëve,
përkundër statistikave të shumta historike ekzistuese për gjenocidin e vërtetë
osman mbi shqiptarët. Sipas dr. Sh. Raçajt, P. Osmane nuk ka përndjekur, nuk ka
keqtrajtuar as ka vrarë mësuesit shqiptarë! Sipas tij, fajtorë kryesorë për
mungesën e shkollës shqipe, gjatë robërisë osmane, për pengimin e arsimit
kombëtar shqip e dhunën ndaj tij, është kisha ortodokse greke! D.m.th. sipas
këtij “dijetari”, pushteti i kishës ortodokse mbi shqiptarët, paska qenë më i
fuqishëm se vetë pushteti i P. Osmane, të cilit i shërbyen mjaft shqiptarë,
duke qenë madje edhe në pozita mjaft të larta. Askush nga të pranishmit nuk u
shpreh se tekstet e arsimit shqip të Kosovës, po bëhen nga kërkesa turke e
dëshira e renegatëve të saj, nga synimi për asimilimin e shqiptarëve dhe
integrimin e tyre në projektet neo-osmane, e jo për shkak të kërkesës së
Këshillit të Evropës për zbutjen e gjuhës së urrejtjes ndaj popujve. Këshilli i
Evropës nuk kërkon të shkruhen histori false, politike, të rrejshme, histori ku
nxënësit edukohen të mos e urrejnë pushtuesin dhe robërinë, sepse urrejtja e së
keqes, siç janë edhe pushtuesi e robëria, është cilësi tejet njerëzore etj. Në
një situatë të tillë të shqiptarëve të Kosovës, të cilën e ka krijuar kërkesa antishqiptare
turke dhe renegatët e saj; në një situatë të tillë kur kërkesën turke për
tjetërsimin e shqiptarëve e turqizimin e tyre, me program, në mënyrë të
planifikuar, institucionale, e imponojnë qeveria e Kosovës, qeveritarët e saj e
pushteti i turmave të tjetërsuara anadollake, shqiptarit të Kosovës nuk i
mbetet tjetër alternativë, pos që, përgjithnjë, t’i refuzojë kategorikisht
tekstet e imponuara antishqiptare.