Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sylejman Morina: Meritë e Magdalenës deshifrimi i fotos së Demukajve nga muzeu i Zagrebit

| E diele, 26.12.2021, 09:45 PM |


Foto Toshe  Dabac, Familja e Muhamed Demukajt

MERITË E MAGDALENËS  DESHIFRIMI I FOTOS TË FAMILJES    DEMUKAJVE NGA  MUZEU I ZAGREBIT

Nga Sylejman Morina

Në muzeun  Zagrebit :”Muzej za umjetnost i obrt u Zagrebu” mbi  gjysmë shekulli kishte qëndruar një foto me motive nga Kosova. Fotografia ishte vepër e fotografit të njohur kroat, Toshe  Dabac (1907- 1970). Dabac ka qenë një fotograf i njohur me renome ndërkombëtare; njëri ndër  themeluesit dhe përfaqësuesi kryesor i shkollës zagrebase të fotografisë.

Fotoja në fjalë ishte e realizuar në kullën e Muhamed Demukajt, gjatë vizitës së funksionarit të njohur kroat, Vladimir Bakariq, në vitin 1963, në komunën e Deçanit.

Ishte studentja e Universitetit të Varshavës, Magdalena Moleda, nga dega - Gjuhë dhe letërsi kroate, personi që e kishte filluar kërkimin për deshifrimin e kësaj fotografie, që i mungonin të dhënat reale dhe njohuritë për këtë eksponat të muzeut. Por, në saje të këmbëngulësisë së saj dhe përkushtimit u arrit të  deshifrohet fotoja enigmatike për të cilën muzeu nuk kishte njohuri të mjaftueshme.

Për çudi, pikërisht kjo foto i kishte pëlqyer Magdalenës nga opusi i gjerë i Toshe Dabacit. ”Kjo fotografi ka të bëjë me një ese në kuadër të studimeve në fakultet, ndaj kisha për të shkruar për tri foto të përzgjedhura nga tre autorë kroat: Toše Dabac, Marija Braut dhe Branka Bali?”, thotë Magdalena Moleda.

Ajo kishte dashur që në punimin e saj studimor, nëpërmjet kësaj fotografie, të paraqitet një pjesë e trashëgimisë së Kroacisë.

Por me kërkesën për informata shtesë rreth përmbajtjes së kësaj fotografie të autorit Dabac, ajo e kishte  lutur  lektoren e saj  të gjuhës kroate  Gordanu Leshinu, që  të kontaktoj  me një  etnologe, personeli i Muzeut të Zagrebit, i cili nuk kishte njohuri se nga ç’trevë e Kroacisë buronte kjo foto. Mendimi se fotografia ishte realizuar diku në Kroaci, dhe ishte  pa informata shtesë  për Magdalenën, nuk ishte plotësisht e pranueshme.

Poashtu , dyshohej se  fotoja mund edhe të mos ishte nga ambienti i Kroacisë, që nënkuptonte dilemën se nga cila pjesë e Jugosllavisë mund të ishte?! Pra, veshja e femrave që shihej në foto cilit popull mund t’i  përkiste, pasi që në Jugosllavi jetonin shumë kombe e kombësi.

Siç dihej, të vetmet informacione ishin: autori dhe legjenda e fotos ku shkruante: “Obitelj Muhameda Demukaj” (familja e Muhamed Demukajt).

Pasi  që askush nuk ishte në gjendje të jepte përgjigje të sigurt, zyrtarja e muzeut (”Muzej za umjetnost i obrt u Zagrebu”) kishte  kërkuar ndihmë nga kolegia e saj në  Muzeun Etnografik të Zagrebit, që ishte një etnologe me origjinë nga qyteti i Zarës. Ajo kishte njohuri të gjerë për veshjet e popujve të Ballkanit dhe, sapo e kishte parë foton, kishte pohuar se kemi të bëjmë me veshje shqiptare, pa dhënë detaje se nga cila trevë mund të ishin ato.  Më pas, ajo i drejtohet me letër për informacione shoqes së saj nga Zara, bibliotekares arbëreshe, prof. Lucija Peroviqit, duke e ditur se kjo kishte bashkëpunim me shqiptarë nga Kosova.

Falë kontakteve të mia të vazhdueshme me arbëreshët e Zarës, profesoresha Peroviq ma kishte dërguar fotografinë me lutjen që, mundësisht, ta deshifroja atë, se nga cila trevë  shqiptare mund jetë ajo, duke u bazuar në veshjen e femrave që gjendeshin në fotografi. Pa u menduar fare e dija se kjo veshje tradicionale e femrave duhet të ishte nga treva e Dukagjinit, e sidomos në bazë të emërtimit të saj: “Familja e Muhamed Demukajt”. Lucijes menjëherë  ia ktheva përgjigjen, duke i thënë se do ta hulumtoja edhe familjen në fjalë. Ajo, u falënderua që përgjigjen e kishte marrë brenda minutash dhe se për muzeun kjo informatë do të ishte e mjaftueshme.

Sidoqoftë, përmes miqve nga ajo komunë hulumtova familjen në fjalë, por, fatkeqësisht, rezultatet ishin zhgënjyese, për faktin se askush kurrfarë informacioni nuk më solli për ketë familje. Për një çast m’u kujtua që të hulumtoj në ueb faqen zyrtare të Komunës së Deçanit. Aty hasa në emrin e zyrtarit komunal, Agron Demukaj, i cili po mbante postin e drejtorit për Buxhet dhe Financa.

Magdalena Moleda

Kisha parandjenjën se Agroni do të ishte në farefisni me familjen e Muhamet Demukajt, kështu që i shkrova menjëherë një letër, të shoqëruar bashkë me fotografinë. Përgjigjja e tij ishte e menjëhershme, ndonëse edhe ai nuk ishte plotësisht i sigurt se fotoja do të ishte nga familja e tij. Pra, mbeti që ai të konsultohej me familjen e tij dhe të përgjigjej pas verifikimit të fotos. Sigurisht, anëtarët më të vjetër e kishin identifikuar foton në fjalë, për çka z. Agroni, në përgjigjen e dytë, e vërtetoi që fotografia ishte e realizuar në familjen e tij. “Fotografia është bërë në Kullën e Demukajve, në qytetin e Deçanit, kullë e cila është në pronësi të prindit tim - Haxhiut. Kulla është bombarduar nga forcat serbe më 1998, por është restauruar pas luftës”, ishte përgjigjja e Agronit.

Ndërkohë më kishte ardhur një letër falënderimi nga studentja e Universitetit të Varshavës, zonjushës  Magdalena Moleda, e cila falënderohet për kontributin tim për ndriçimin e fotografisë në fjalë, duke më shpjeguar në detaje se si kishte filluar deshifrimi i kësaj fotografie. Ajo e kishte falënderuar personelin e Muzeut, profesoreshën Lucija Peroviq, pastaj z. Agronin, të cilit ia kisha dhënë adresat që të komunikonte me Lucijen dhe Magdalenën.

Jam i habitur për të mirë që filli i kësaj nisme ishte nga  një studente polake, ndërkohë që unë, fillimisht, mendoja se informacionet korrespondojnë vetëm me muzeun e Zagrebit dhe me prof.  Lucijen.

Duke e parë gjithë këtë ecejake të një informacioni, që kësaj here është edhe në të mirë të kulturës sonë, arsyeshëm shtroj pyetjen: - sa e sa vlera kombëtare na i kanë zbuluar të tjerët; madje edhe anën tjetër të medaljes: - sa e sa vlera autoktone na i kanë vjedhur të tjerët, duke ndërruar autorësinë?!

Kur kihen parasysh edhe raste të tjera të tjetërsimit të artefakteve nga trashëgimia jonë kulturore, siç ishte më herët “Mbretëresha në fron”, pastaj eksponate të shumta nga muzeu i Kosovës që u zhdukën gjatë luftës së fundit, ose tjetërsimi i instrumentit të lahutës, tentimi i përvetësimit të figurave historike kombëtare,  Skënderbeut , Nënë Terezës  e ngjashëm, në mendjen time më vjen pyetja e vazhdueshme: ku janë dy akademitë tona me gjithë akademikët dhe përgjegjësit e trashëgimisë kulturore, dhe jo vetëm kaq?

Le të jetë kjo fotografi vetëm një shkas i porosisë sime për institucionet tona respektive që t’i hapim vetë sytë  dhe ti përvjelim mangët, të punojmë më shumë, mos presim  që të tjerët  do të punojnë për ne!