| E merkure, 22.12.2021, 09:32 PM |
Duke lexuar satirat e At Gjergj Fishtës
“TARALLOQJA E BALLKANIT”
Nga
Adil FETAHU
Para dy muajve, djali im
(Arbeni) ma bëri një dhuratë të vlefshme: më pruni nga Shkodra kompletin
veprave të At Gjergj Fishtës, një kolanë prej 7 tome librash: Epika, Lirika,
Dramatika, Publicistika, Satira, Letërshkëmbimi dhe Shkrime të ndryshme në
shtypin e kohës. Është ky kompleti të cilin
e ka botuar Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta”, Shkodër (2020).
Me qenë se epin “Lahuta e
Malcisë”dhe satirat “Gomari i Babatasit” dhe “Anzat e Parnasit” i kam lexuar ma
heret (kur isha nxënës i Normales së Prishtinës dhe kur ishte ma rrezik me ta
gjetë policia “Lahutën e Malcisë” se një armë zjarri), tash për ngadalë e pa
frikë lexova: Publicistikën, Letëshkëmbimin, Shkrime të ndryshme në shtypin e
kohës, dhe për fund – ambësirën: dy satirat të cilat nuk i kisha lexuar më
përpara: “Nikolejda” dhe “Taralloqja e Ballkanit”.
Kam dëgjuar shumëkend që
thotë se veprat e Fishtës janë të vështira për t’i lexua dhe më të vështira për
t’i kuptua, sepse janë të shkruara me një gegënishte të vjetër e të rëndë. Por unë, si gegë me rrënjë e me degë, nuk kam pasur vështirësi as për t’i lexuar,
as për t’i kuptuar veprat e Fishtes, të Koliqit e të Camajt. Shume fjalë nga e
folmja e vjetër e Fishtes, të cilat i përdorë në këtë satire, deri vonë fliteshin edhe në Malësinë e
Gallapit dhe besoj më gjërë në Kosovë (havale; hasha; teste; tarçuk; zari;
setra; hallba, etj.). Natyrisht, ka
pasur aty-këtu fjalë që s’i kam kuptuar, por nga konteksti i fjalisë kam
nxjerrë kuptimin e drejtë të tyre.
Satira
“Taralloqja e Ballkanit”
Duke besuar se pak lexues
kanë pasur rastin ta lexojnë satirën “Taralloqja e Ballkanit”, hulumtimtova në internet por nuk gjeta se
dikush ka bërë e botuar ndonjë vështrim
për këtë, prandaj për lexuesit e shumtë vendosa t’ua prezantoj në vija kryesore
satirën e përmendur.
Së pari duhet sqaruar
emërtimin, sepse “taralloqja” është një fjalë e rrallë, që nuk gjendet në
fjalorët e rendomtë. Në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (Prishtinë,1982),
fjala “Tartalisë” jepet me kuptimin - “përpëlitem”. Në Fjalorin e fjalëve dhe
shprehjeve popullore (Instituti Albanlogjik, Prishtinë 1982), fjala “tarilaq”
jepet me kuptimin “I lazdruar”. Se sa
prej këtyre mund t’i përgigjen emërtimit të satirës”Taralloqja …”, nuk mund të
jem i sigurt. Autori i
“Hyrjes” (të gjatë 55 faqe) që iu bënë katër satirave të Fishtës, prof.
dr.Lisandri Kola, nga Miçigeni, fjalën “taralloqje” e shpjegon si këngë
qesharake e fituesve mbi humbësit në lojën e kapuçave. As ky shpjegim nuk ma mbushë mendjen se në
rastin konkret “Taralloqja e Ballkanit” ka këtë kuptim, duke pasur parasysh
qëllimin shpotitës, me konotacion politik, që Fishta iu bënë mbretërve të
Ballkanit të asaj kohe. Por, t’i kthemi përmbajtjes së satirës.
Edhe në satirën “Nikolejda”,
edhe në këtë ‘Taralloqja e Ballkanit”, Fishta përqeshë deri në burleskë knjaz
Nikollën e Malit të Zi, i cili ka rënë në borxhe për shkak të shpenzimeve të
mëdha që ka bërë për pajën e vajzës së tij, Jellena, e cila ishte martua me djalin e mbretit të Italisë.
“Jellena,
bija e shkinës,
le e rritë
n’koliba t’Cetinës”.
Prandaj, këto dy satira:
“Nikolejda” (që i referohet kryesisht
knjaz Nikollës), dhe “Taralloqja e Ballkanit”, në të cilën përveç knjaz
Nikollës, marrin pjesë edhe mbreti i
Serbisë, Petar Karagjorgjeviq (Tuka), ai i Bullgarisë Ferdinandi I, dhe i
Athinës, Georgios I (Gjeka). Loja (satira) zhvillohet në këtë mënyrë: me qenë
se knjaz Nikolla nuk i kishte kthyer dhe i mohonte borxhet e marruna, ishte organizuar një kuvend i
mbretërve të Ballkanit për të vendosur për rastin. Në atë kuvend, përballë
katër mbretërve të monarkive të Ballkanit merrnin pjesë edhe katër shqiptarë:
Prenkë Bibdoda, Esat Toptani, Haxhi Zeka dhe Frashër Beu (Naimi). Këta
Kjenë
mbledhë me da ‘i pleqni
Për do
borxhe t’Malit t’Zi
Qi i ki’n
mbetë Nikollës havale,
Qyshë se
dha çikën n’Itale.
…
Kur erdh
fundi e na shkoi vasha,
Xen
Nikolla me qitë lasha,
Edhe
borxhit na i bjen hasha.
Pasi kryhet Kuvendi dhe
merren vesh për larjen e borxheve me çdogjë, sipas Kanunit, duke lënë edhe
peng, fillojnë “lojën e kapuçave”.
Struktura
e lojës së kapuçave
Në lojën e kapuçave,
pjesëmarrësit e lojës, madje edhe të pranishmit e tjerë ndahën në dy grupe,
sipas dëshirës së tyre. Loja luhet
ashtu që secili grup, sipas radhës, fshehë nën kapuç një send metalik (unazë
ose monedhë). Pala (grupi) tjetër e kërkon sendin e fshehur. Para se të ngritë
kapuçin, për ta zbuluar sendin e fshehur, duhet të deklarohet ose për “teste”, ose për “bosh”. Teste do të
thotë se pretendon që nën atë kapuç është sendi i fshehur. Nëse kërkuesi (i
unazës) ka thënë: “teste”, por nën atë
kapuç nuk ka qenë unaza, kështu e ka humbur turin e parë të lojës. Pas ngritjës
“teste” të kapuçit, nën të cilin nuk ishte unaza, vazhdon fshehja tjetër nga
pala e njëjtë. Nën formulën “bosh” mund
të ngritën me radhë kapuçat, për
të ngushtur rrethin për kapuçin ‘teste”. Por, nëse nën kapuçin “bosh’ del se
ishte unaza, edhe në këtë rast humbet turi i lojës. Loja vazhdon deri sa
unaza të gjendet sipas rregullave të
lojës. Pastaj e merr pala tjetër rolin për të fshehur unazën. Këndej nga
Gallapi, kjo lojë luhet me filxhana të kafesë. Filxhanat radhitën rreth e rreth
brenda një tepsie, dhe një filxhan vehet në mes të tepsisë. Personi që fshehë,
largohet në një skaj të odës, ua kthen
shpinën lojtarëve. Ai që kërkon unazën, nëse ka thënë teste, e ngritë filxhanin
me një lëvizje të shpejtë, ashtu që nëse unaza është nën te, kërcen e sillet nëpër tepsi (ndodhë
që del edhe jashtë tepsie). Filxhanat bosh ngriten më ngadalë.
Paraprakisht caktohet se pas sa lojëve të humbura/fituara do të këndojnë këngët humoristike, satirike, plot me shaka dhe epitete, deri në në burleskë. Gjatë këndimit bëjnë edhe gjeste
të ndryshme me karakter humori. Loja merr tipare të një shfaqje teatrale. Fituesit e lojës ngritën në këmbë, vejnë duartë
mbi supet e shoqi-shoit dhe me lëvizje si në valle iu këndojnë palës humbëse
kolektivisht dhe individualisht. Humbësit zakonisht rrijnë me shikim poshtë
(përtoke), por shpeshherë edhe i shikojnë “valltarët” dhe qeshin me humorin e
tyre.
Me këso strukture të
lojës, e me vargje siç dinte t’i thurte,
Fishta i përqeshë mbretërit e Ballkanit të asaj kohe:
…
Mbasi
kryen njatë pleqni…
E si
ngrenne do zogj pulash,
Ranë për
rrash me luejtun ksulash.
…
Katër
vetë, katër Shqyptarë,
Prenkë
Bibdoden vunë të parë,
M’tjetrën
anë ndej Gjeka e Tuku,
Knjaz
Nikolla, mullë-terçuku,
Edhe
krajli i Bullgarisë…
Knjaz Nikolla mshehi i pari,
Por s’i heci kësajë here
zari;
Pse Toptani ‘i sy-skyfter,
Ia muar teste t’parën herë.
Loja vazhdon, fshehin e
kërkojnë me radhë, por fiton pala shqiptare edhe në të fshehur edhe në të
gjetur të unazës, dhe kur arrijnë pikët e caktuara, fituesit ngritën në këmbë e
ia fillojnë këngës, duke vallëzuar. Herë iu këndojnë tërë grupit humbës, herë
veç e veç individëve nga ai grup.
M’kambë
Shqyptarë, at’herë, u çuenë
Edhe
kangës kështu i a filluenë:
…More
Krajla, more Knjaza,
Me
Shqyptarë s’luhet unaza.
Pastaj iu këndojnë
individualisht secilit nga humbësit, sipas afiniteteve të tyre, duke filluar
nga Knjaz Nikolla:
…Knjaz Nikolla me terçuk
Del nder
Krajla me lypë buk.
M’a ke
deren derë me trinë,
Shtatqind
dreqen t’dal’n e t’hinë.
…Ty t’a
prehtë Zotynë nafaken,
Se të
fortë po e kish’ rradaken.
Shqiptarët vazhdojnë t’i
këndojnë Tukut të Serbisë :
Xhamadanin
vija-vija,
T’zezat
t’i din shtëpija,
Ke mbytë
m’spatë gjinden e shpisë,
Për me u
ba Krajl i Serbisë.
… Po të
pava në Kosovë,
Do t’a baj
ty kryet kotrovë.
Ma ke
kryet sa ‘i palare,
T’marroftë
Zoti gjithë si je!
Mbretit të Bullgarisë, që
kishte paretendime mbi tokat shqiptare, ndër të tjera ia këndojnë këto vargje:
More
djalë, kah t’ka hup dhija?
Hajt e
lype kah Greqija,
E jo
këndej kah Shqyptarija.
Në këngën drejtuar mbretit
të Greqisë (Gjekës) ia përmendin humbjet në luftën kundër turqëve, por edhe ia
tërheqin vërejtjen kundër pushtimit të Janinës:
M’a ke
ksulen pipiruqe,
Edem Pasha
t’a la duqe.
...Si s’i
meni Gjeka fjalët,
Me një
kpurdhë ia thej tëmallët,
N’atë
Janinë ai kurr në m’daltë.
Rruga e
largët-o bri kalas,
I a marsh
t’zezat fukaras!
Mandej grupi fitues nisë ta
vajtojë Knjaz Nikollën për gjendjen në të cilën ka rënë, dhe ia përmendin
vajzat e martuara për princa e mbretër:
Pse,mos
t’kenkshin njato goca
Qi me i
xanë për gra do voca,
Njato voca
të ngrim n’ari,
Pat me
t’mbetë nën bark samari.
Kështu herë e nisë këngën
Bibdoda, herë Toptani, i thërasin me emra (nofka) krajlat e Ballkanit, tjetri
pyet: “po kush është ai more”?, tjetri përgjigjet me shpoti:”nuk e di si e
quajnë emrin, more”!. Pastaj pala fituese, të gjithë së bashku, si në kor
fillojnë këngën “Na ka cofë gomari mbrëmë”, dhe neni pyet: se çka t’iu bëjnë lëkurës, bishtit,
këmbës, syrit, veshëve të gomarit të
cofur, ndërsa tjetri përgjigjet:
(Lëkurën):Knjaz Nikollës për dallamë,
(bishtin):Krajl Petrit për breshanë,
(Këmbën): Gjekë Orumit për tagan,
(Syrin): Ferdinandit për nishan.
Pasi konsiderojnë se i
kënduan mjaft, Toptani pyet: “A thua t’i falim”?, ndërsa Bibdoda thotë se s’do
t’i falin, por më në fund pajtohen të gjithë t’i falin, dhe duke ua tërheqë vërejtjen, ua këndojnë fjalët e fundit:
Edhe sande
kjoshi falë,
Prej
mjesnate marrshi mal’in,
Marr
turbin e kundroj detin:
Tgjith si
jeni, hangshi vetin!
Sikur edhe në satirat e
tjera: Gomari i Babatasit, Anëzat e
Parnasit e kudo tjetër, Fishta godit e nuk kursen askend, prej zyrtarëve të
rangut më të ulët e deri te mbreti në vendin e tij, kështu vepron edhe ndaj mbretërve
të monarkive të Ballkanit. Ai gjen mënyrë dhe mjetet për t’i përqeshur e tallur
në pikat më goditëse, duke e lidhur satiren me ngjarjet nga realieti, si bie
fjal “Tukut” të Serbisë për vrasjen e Aleksandër Obranoviqit me të shoqen. Po
të njëjtit i sinjalizon edhe në lidhje
me Kosovën: “Po të pava në Kosovë/, do ta bëj kryet kotrovë”. Edhe
mbretit të Geqisë i sinjalizon lidhur me Janinën, ku nënkupton edhe Çamërinë.
Te Fishta gjithmonë ka çka
të lexohet erilexohet dhe analizohet, e që mbetet aktual githmonë. Dy satirat e
përmendura këtu: “Nikolejda” dhe “Taralloqja e Ballkanit” nuk janë analizuar
nga kritika letrare-artistike të veprave të tij. Unë, pa pretendim të ndonjë
kritike letrare, kënaqëesinë e leximit të poemthit”Taralloqja e Ballkanit”
desha ta ndaje edhe me lexues të tjerë. Për shkaqe teknike, nuk kam mundur t’i
veje thekset mbi zanoret të cilat i kanë në tekstin origjinal, e që u japin
kuptimin fjalëve; psh. te fjala
“palare”, që ka kuptimin e një ene të cekët, mbi zanoren e fundit është theksi
(aksenti) i gjatë.
Aspekti politik dhe satirik
i Fishtës drejtuar liderëve të Ballkanit atëherë, është aktual edhe sot,
me ambicjet, takimet dhe marrëveshjet e
“knjazëve” e “mbretërve”:
Vuçiq–Rama-Zaev, me “taralloqjen” e “Ballkanit të hapur”!