Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: Hetuesia

| E hene, 20.12.2021, 06:32 PM |


Hetuesia

Nga Kastriot Dervishi

Deri në vitin 1973, Dega e Hetuesisë (me numrat 7, 5, 4) ishte pjesë e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të MPB. Hetuesit ishin oficerë Sigurimit. Për veprat ordinere vepronte hetuesia e Policisë. Me dekretin nr.5139, datë 30.1.1974 të Presidiumit të Kuvendit Popullor “Mbi unifikimin e hetuesisë”, ky organ u përqendrua në MPB, duke krijuar kështu Drejtorinë e Hetuesisë. Në organikën e re, Drejtoria e Hetuesisë me 5 degë, përbëhej nga 31 oficerë dhe 5 civilë. Posedonte 33 pistoleta dhe 31 automatikë. Drejtohej nga drejtori e dy zëvendës. Struktura ishte kjo:

-Dega e 1-rë për ndjekjen e krimeve kundër shtetit, me 8 oficerë dhe grupi i hetimit për çështje të rëndësishme me 5 oficerë.

-Dega e 2-të për ndjekjen e krimeve në ekonomi dhe të tjerave, me 6 oficerë.

-Dega e 3-të për ndjekjen e krimeve ndaj ushtarakëve, me 3 oficerë.

-Dega e 4-t për kontrollin e hetimeve, me 3 oficerë.

-Dega e 5- administrata me 3 civilë dhe 2 shoferë.

Me ligjin nr.6800, datë 29.6.1983 “Për hetuesinë e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, kaloi në varësi të Kuvendit Popullor. Hetuesit ishin civilë.

Me nenin 42 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991, “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, Hetuesia kaloi administrativisht në varësi të ministrit të Drejtësisë. Emërimi i kryetarit bëhej me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrit të Drejtësisë.

Me ligjin nr.7574, datë 24.6.1992 “Për organizimin e drejtësisë dhe disa ndryshime në kodet e procedurave penale e civile”, hetuesia, sipas nenit 16, kaloi në përbërje të Prokurorisë.