| E premte, 17.12.2021, 08:51 PM |
POROSIA E FUNDIT E SENATORIT ROBERT DOLE:
KOMPROMISI SI PARIM
POLITIK
Nga
Frank Shkreli
Ish-Senatori
republikan, Hero i Luftës së Dytë Botërore, ish-Kongresist, ish-Senator,
ish-Kryetar i Partisë Republikane, ish-kandidat për president i kësaj partie
dhe ish-udhëheqës i Senatit Amerikan – por mbi të gjitha, njëri prej miqëve më
të mëdhej i shqiptarëve në Amerikë, ish-Senatori Bob Dole ndërroi jetë javën që
kaloi në moshën 98-vjeçare. Frank Shkreli: Pushofsh në paqe Bob Dole, miku ynë i
shtrenjtë përjetësisht në kujtesën tonë! | Gazeta Telegraf. Ai njihej për dekada si kampion i vërtetë i
demokracisë dhe i të drejtave të njeriut për popujt e shtypur, përfshir
shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, por jo vetëm. I ndjeri Senator Robert (Bob) Dole njihej, përveç
tjerash, edhe si një politikan praktikues dhe promovues i artit të kompromisit
parimor në diskursin politik, këtu në Shtetet e Bashkuara.
Në artikullin e
fundit botuar në gazetën, USA Today, i cilësuar tani si “mesazhi i fundit
publik” para se të ndërronte jetë me 5 Dhjetor, 2021, ish-Senatori Dole thekson
rëndësinë e atij që ai e ka quajtur si “kompromis parimor”, Sen. Bob Dole's final column: 'Too many of us have sacrificed too much'
(outline.com), në diskursin politik në Washington, por
edhe më gjërë.
Në diskursin
politik, këtu në Shtetet e Bashkuara, kompromisi politik është praktikuar dhe
respektuar si parim, duke filluar nga baballarët e këtij kombi që në fillim të
themelimit të Amerikës -- që nga Xhejms Madisoni e deri tek Presidenti Ronald
Reagan. Gjatë periudhave të ndryshme të
historisë amerikane, mund të gjënden shumë raste, kur në politikë është
përdorur parimi i kompromisit për të arritur fitore ndërtuese me rëndësi
historike dhe jo si një shenjë dobësie ose dorëzimi para një kundërshtari
politik. Por, me largimin nga skena
politike, të personaliteteve të njohura të politikës amerikane, si senatorët
Robert Dole dhe Xhon Mëkejn, kompromisi parimor në politikë, përdoret pak ose
aspak, midis dy partive kryesore në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, madje
përdoret shumë pak edhe brenda partive, sikur “ka dalur mode”. I vetdijshëm për
këtë realitet politik këtu në Amerikë dhe në botë, para se të kalonte në atë jetë, Senatori Dole
la pas, porosinë e fundit për politikën amerikane në një artikull të botuar në gazetën kombëtare
USA Today duke bërë thirrje që të mos hiqet dorë nga kompromisi parimor në
debatet politike, sidomos në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
“Bashkpunimi është
sot më i nevojshëm se kurrë në Washington”, ka shkruar Dole, disa ditë para se
të ndërronte jetë. “Gjatë viteve që kam shërbyer në Kongresin amerikan në
Washington, republikanët dhe demokratët ishin kundërshtarë politikë, por ishin
gjithashtu edhe miq e kolegë, me njëri tjetrin.
Mësova heret” -- në karrierën time politike, vazhdon Senatori i ndjerë
-- “se ishte pothuaj e pamundur të arrije gjë ose të realizoja ndonjë fitore
politike, nëse nuk bëja kompromis – jo kompromis me parimet e mia, por ishte e
nevojshme të bëja kompromis me gatishmërinë time, për të parë anën tjetër të
argumentit, argumentit të kundërshtarit. Ata që sugjerojnë se kompromisi është
një shënjë dobësie, keqkuptojnë krejtësisht forcën themelore të demokracisë
tonë”, ka shkruar Senatori Robert Dole në artikullin e fundit, botuar në
gazetën USA Today, pak ditë para se të ndërronte jetë, javën që kaloi.
“Të mbështesim
meritat dhe vlerat e demokracisë amerikane, duke provuar se nuk është e
nevojshme që të jemi dakort për çdo gjë, për të arritur marrëveshje për disa
gjëra”, ka porositur Dole, duke shtuar se, “Historia jonë është plot me debate
politike dhe përçarje të thella, por, kolektivisht, ne ndajmë objektivin e
përbashkët, për një Amerikë më të mirë” për të gjithë dhe pa dallim, ka
nënvijuar ai në kryeartikullin e fundit të jetës së tij. “Ne nuk duhet të
lejojmë që ndryshimet politike të pengojnë realizimin dhe sigurimin e të mirës
së përbashkët” si objektiv arritjeje, ka theksuar Robert Dole në artikullin për
gazëtën USA Today, sikur t’a dinte se ishte amaneti i fundit lënë bashkombasëve
të tij.
Dy burra të mëdhej të Amerikës -- nga dy parti me parime dhe politika të
ndryshme – me kompromis midis tyre dhe me të tjerët -- siguruan mbështetjen e
Washingtonit zyrtar dhe të aleatëve përendimdorë, që tragjedia e Bosnjës të mos
përsëritej në Kosovë, duke autorizuar më në fund bombardimin e Serbisë nga
NATO, (1999) për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga forcat
policoro-ushtarake terrroriste serbe.(Foto- Presidential debate, 1966)
Sot, më shumë se
kurrë më parë, jo vetëm Amerika por e mbarë bota e sidomos, shqiptarët, kanë
nevojë për burra, por edhe për gra, si Bob Dole -- burra të njohur për nder,
heroizëm dhe karakter, por edhe të gatëshëm për kompromis në politikë, si një
parim i rëndësishëm politik. Presidenti
Joe Biden, i cili ka shërbyer në Senat me Senatorin Dole për 25 vjetë, e
cilësoi ish-Senatorin Diole, një patriot të madh, si “në fushtë të betejës
ashtu dhe në sallën e Kongresit amerikan.
Bob Dole, tha Presidenti Biden, jetoi tërë jetën e tij, bazuar në një
kod nderi. Senatori Dole, shtoi ai, ishte “burrë i fjalës, i cili donte atdheun
e tij e të cilit i shërbeu me përkushtim të plotë, terë jetën e tij.” Z. Biden e cilësoi Senatorin Dole, si një
“gjigant të historisë tonë”.
Gjatë gjithë jetës
së tij, Senatori Bob Dole ndërtonte ura komunikimi e kompromisi në politikë dhe
për të mirën e Amerikës, të cilën e donte aq shumë dhe për të cilën sakrifikoi
edhe më shumë, ndërkohë që si individ dhe si politikan shembte muret që ndanin
dhe përçanin politikanët amerikanë nga njëri tjetri. Për Senatorin Ribert Dole, fjala kompromis
nuk ishte një fjalë e ndyrë në diskursin politik amerikan, por është diçka që
përveç gatishmërisë për të bërë kompromis nevojit edhe cilësitë e Senatorit
Dole, si: sinqeriteti, besueshmëria nderi, burrëria dhe karakteri. Por, që kompromisi të përfundojë në
marrëveshje ose sukses, duhet që interlokutorët kundërshtarë, të kenë cilësitë
dhe vlerat që posedonte i ndjeri Robert Dole – cilësi dhe vlera që,
fatkeqsisht, vështirë të gjënden më, kudo qoftë. Prandaj, bota është në
gjëndjen që është sot.
Falënderojmë të
Madhin Zot për nderin dhe privilegjin që në jetën tonë kemi njohur miq të
shqiptarëve, burra të fjalës të këtij vendi të madh e të bekuar – Amerikës tonë
të dashur. Shqiptarët do të thonin burra të besës, të nderit e burrërisë, por
edhe trima e guximtar si Senatori Bob Dole, që na ka dhënë mundësinë,
privilegjin dhe nderin ta njihnim. Uroj që mikut tonë të dashur e të nderuar,
mos t’i ketë shkuar mundi bosh për të shpëtuar shqiptarët në ditët më të
vështira të tyre! Si përfundim i punës dhe kontributit të Senatorit Dole dhe
rolit të politikanëve të tjerë të
dalluar amerikanë në mbrojtjen e shqiptarëve nga të huajt, pyetja më e
rëndësishme sot është se kush do i shpëtojë shqiptarët nga vet-vetja. Pushofsh
në paqën e merituar miku i ynë Bob Dole, promovues i frymës së parimit të artit
të kompromisit në politikë, si një mjet për arritje të mëdha. Përgjithmonë në
kujtesën tonë!
Frank Shkreli
Sipas patriotit dhe aktivistit të
dalluar të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti,
shqiptaro-amerikani, Z. Jim Xhema (i pari majtas), Senatori Dole kundërshtonte
fuqimisht ndarjen e Kosovës LETTER OF APPRECIATION FOR SENATOR BOB DOLE – Dielli | The
Sun (gazetadielli.com), duke ndryshuar
kufijt dhe duke çkëmbyer territore me Serbinë.
Presidenti demokrat, Joe Biden e
cilësoi Senatorin republikan Bob Dole, një “gjigant të historisë tonë”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara,
Z. Joe Biden me bashkshorten Jill Biden para arkivolit të ish-Udhëheqsit të
shumicës republikane në Senatin Amerikan, ish-Senatorit të shtetit Kansas dhe
mikut të madh të shqiptarëve, Robert DOLE –
PAS ÇIFTIT PRESIDENCIAL BIDEN,
DALLOHET AKTIVISTI I ÇËSHTJES SHQIPTARE NË AMERIKË PREJ DEKADASH -- SIDOMOS TË
ÇESHTJES SË KOSOVËS -- SHQIPTARO-AMERIKANI I MADH, (KRENAR TA QUAJ MIK E
DASHAMIR), Z. JIM XHEMA, MIKU I
NGUSHT I SENATORIT ROBERT DOLE DHE I FAMILJES SË TIJ –PËRFAQSUES I DENJË I
KOMUNITETIT SHQITARO-AMERIKAN PËR T’I DHENË LAMTUMIRËN E FUNDIT SENATORIT DOLE,
NË EMËR TË GJITHË SHQIPTARËVE KUDO QË JANË
Foto pas debatit me rastin e zgjedhjeve për president të Shteteve të
Bashkuara midis kandidatit të Partisë Republikane, Z. Robert Dole dhe
kandidatit të Partisë Demokrate, Z. Bill Clinton, 1966 – garë që e fitoi Bill
Clinton. Megjithë ndryshimet e tyre
parimore politike mbi shumë çeshtje, ata mbetën miqë të përjetëshëm -- një
miqësi kjo -- midis dy personaliteteve të mëdha të politikës amerikane të
shekullit të kaluar – nga e cila përfitojë shumë, jo vetëm politika amerikane,
por edhe fati i shqiptarëve mori një drejtim tjetër historik, duke ndryshuar,
për më mirë, epokën e shqiptarëve! Kosova, shtet i lirë dhe i pavrur, si
përfundim i gatishmërisë së dy politikanëve amerikanë, me pikëpamje të forta
dhe shpesh të kundërta, për të bërë kompromis mbi çështje me rëndësi të paqës
dhe sigurisë në botë!
Ish-Presidenti republikan, Z. Ronald Reagan me ish-Kryetarin e Dhomës së Përfaqsuesve, demokratin Z. Tip O’Neill – praktikuesë të artit të kompromisit në politikën amerikane për të mirën e përbashkët të atdheut – siç duket në një moment marrëveshje kompromisi midis tyre. Ish-Presidenti Ronald Reagan dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit, Z. Tip O’Neill – dy amerikano-irlandezë, njëri siç cilësohej si, “ekstremist i djathtë” dhe tjetri “ekstremist i majtë”, sidomos sa u përkiste çeshtjeve të brendshme të Amerikës, njihen si dy politikanë amerikanë – që bënin kompromis për të arritur ndonjë sukses për vendin. Megjithë pikëpamjet e tyre politike, shpesh krejtësisht të kundërta me njëri tjetrin, ata njiheshin si, “miqë pas orës 6 në mbrëmje”, kur takoheshin për ndonjë gotë “scotch”.