| E enjte, 09.12.2021, 08:00 PM |
Gjithçka
varet nga mënyra sesi i shikoni gjërat dhe jo se si janë ato në vetvete. Carl Jung.
HAXHI
RAMA,
Ne
po e presim librin…,
“DUKE
PIRË NJË KAFE”
Nga
Kadri Tarelli
Në
fund të librit “Duke pirë një kafe”-Rrëfenja tavoline, dhe me Osman Rexhën”,
kur po mbyllja faqen e undit, shkrova: -
Oh sa keq, erdhi fundi! Më pas shtova:
- Do ta lexoj përsëri, por tashëm me faqe të mbyllura.
Nuk
kanë rëndësi rrethanat që kohët e fundit u takova me regjisorin e njohur, “Mjeshtrin
e madh” Haxhi Rama, (Xhixhi, siç i thërasim), shokun tim të vjetër, si nxënës në
ish gjimnazin “16 Shtatori”, këtu në Durrës. Më ftoi për një kafe që e pranova me
shumë kënaqësi. Në bisedë e sipër e pyes: -Çfarë pune kë nëpër duar, këto kohët
e fundit? -Pyetje që e përdor shpesh, kur dua që biseda të ketë “bereqet”.
Xhixhi,
nuk është natyrë që rri të mendohet gjatë, megjithatë ndaloi pak dhe thotë: - Kam një libër që po e mendoj prej kohësh.
E kam gati në përfundim, veç duhen ujdisur ca gjera të vogla. Do të ta sjell,
hidhi një sy: Ç’ përshtypje të le dhe ç’ mund të korrigjohet para se ta çoj për
shtyp?
E
pranova me kënaqësi, por kur fillova ta shfletoj, u pendova. Isha futur në një
udhë që nuk e njoh, ndaj nuk po di si të dal. Është fjala për një libër, i tëri
me rrëfenja, skica dhe batuta humori, që e pëlqej, por ta analizoj, duhet të
matem mirë. Po edhe fjalën nuk e kthej. - Pse kthejnë burrat? - i them vetes. Kështu
që, do bëj si do bëj dhe do ta ujdis një shkrim. Nuk di sa do t’i pëlqejë Xhixhit
dhe të tjerëve!
Së pari: Them se libri është
punuar mirë, madje i krehur bukur, si në mendim të pjekur ashtu edhe në formën e
të shprehurit letrarisht. Autori është vetë mjeshtër i fjalës, madje i fjalës së
folur në skenë, ku dëgjohet nga publiku. Këtu s’kam ç’të them, pasi autori e
kërkon dhe e zgjedh fjalën, nuk e ledhaton, ai e gdhend atë, që të kumbojë fort
dhe bukur. Po libri është libër, sa i ngrohtë në lexim aq edhe i ftohtë në qëndrim,
si ndaj temave serioze, ashtu edhe shakave apo qyfyreve që shkruhen. Kur bëhet
fjalë për gabime gjuhësore, nuk duron t’i mbajë mbi shpinë gjithë jetën. Ndaj mund
të ndreqen disa veprime teknike, që i shpëtojnë atij që e hedh materialin në kompjuter.
Së dyti: Unë kam një mendim disi
ndryshe me autorin, lidhur me kontratën që ka bërë me vete, në hyrje të librit.
Ajo ka vetëm një “firmë”, kështu mungon firma e lexuesit. A ka kontratë vetëm
me një firmë? E gjitha, lidhur me emrat që janë përdorur nëpër shkrime të
ndryshme, disa me iniciale, disa të ndryshuar apo të përafrët. Për disa, ku
mund të cenohet nderi apo krenaria e një miku apo qytetari, Xhixhi ka të drejtë.
Mendoj se nuk është e njëjta gjë, kur bëhet fjalë për personalitete, si inxhinierë,
profesorë, doktorë, oficerë, kolegë regjisorë dhe artistë, maestro muzike, mësues,
drejtorë institucionesh, kryetarë dikasteresh, shokë e bashkëpunëtorë, etj,
etj, nuk ka pse të përdorë shkurtime. Logjika është e thjeshtë: Brezi ynë i
njeh edhe pa e thënë emrin, sepse bëmat në shumicën e herës janë tema bisede
nëpër tavolina. Janë ata që me dy fjalë humori, kanë dalë nga situata, duke na
bërë të qeshim edhe tani pas kaq vjetësh. Mos harrojmë, se janë po këta
personalitete që kanë bërë jetën shoqërore, ekonomike, politike, artistike,
sportive dhe shkencore të qytetit të Durrësit dhe më përtej. Në fund të fundit,
ata janë pjesa e jonë, me të mirat dhe dobësitë. Emri në libër është gur i
çmuar, një stoli, nderim, mirënjohje dhe përjetësim në memorien e qytetit dhe të
kombit. Ky është edhe shpërblimi që u jep koha, si mision i një libri, qoftë
edhe me humor.
Së treti: Struktura apo forma e
çdo copëze është e ngjeshur në mendim, ku përputhen bukur forma dhe përmbajtja.
Në shumicën e herës, çdo shaka dhe batutë humori vendoset në fund, si pika
kulmore në mbyllje, që të mbahet mend gjatë e të duartrokasësh, pikërisht atëherë
kur je ngopur me fjalë dhe pështjellime muhabetesh. Nuk e di nga vjen kjo, besoj
nga mjeshtëria e regjisorit, por çdo lexuesi do t’i pëlqejë. Në disa raste, siç
është skica “Mbylle dyqanin”, që unë do ta titulloja “Mbylle dyqanin Time”,
humori nis që në rreshtat e parë dhe të shoqëron deri në fund, aq sa i duhet
vënë veç kapaku: “Time! …..Mbylle dyqanin, se të ka dalë Bovilla!”.
Ajo
që bie në sy, është mesazhi që përcillet nëpërmjet humorit, mbase forma më e
bukur, më e mençur, më e shpejtë dhe pa hallakatje fjalësh dhe fjalish të
stërzgjatura. Unë si mësues i vjetër, që e nisa dhe e grisa jetën në arsim, tani
e kuptoj pse shumë herë moralizimet klasike, sado bukur të ujdisura e të përsëritura
edhe duke tërhequr veshin, nuk hynin në kokën e nxënësit. Është mjeshtëri artisti,
që seriozitetin ta sjellësh me shaka dhe humor, dhe çuditërisht ngjit më shumë.
Të gjithë ne, miq, shokë dhe prindër, në jetën e përditshme, kush më shumë e
kush më pak, përdorim shprehje të tilla humori, të mësuara apo të lindura aty
për aty, por që mbahen mend gjatë dhe u transmetohen brezave, si mësime të
vyera për jetën.
Jo
pak tema, do t’i quaja brilante në përmbajtje dhe mesazhe, do të ishte mirë të
futeshin nëpër libra apo antologji për nxënësit e shkollave, si bie fjala: “Të
ulesh mbi iriq”, “Lyeje bir, lyeje”, “Pallto e Verit”, “Leksion Anglez”, “Bojaxhiu
virtuoz”, “Ore çuno! Mos më lyej me mjaltë”. “Mos u zini, se e marr unë atë
alamet nëne”, apo “Të vdesësh në kohën e duhur”, “Xhaketa e gjeneralit”,
“Kartolina e viti të ri”, që përfundon me batutën: “Drejtor, mos na e bëj rogën
“synet””, etj, etj.
Duke
vazhduar në këtë hulli mendimi, po komentoj pak rrëfenjën “Kafeja e fundit”, që
kur e lexon të trondit për mesazhin njerëzor, mbase i vjetër sa vetë jeta, i
ardhur në kohët moderne, ku ngacmohet tjetërsimi i moralit të nëpunësve, miqve,
bashkëpunëtorëve, për sa je kryetar në detyrë, por të braktisin sapo marrin
vesh se e le detyrën, ca më keq kur ta heqin karrigen. Kam përshtypjen se po të
vihet në skenë, shushurima në sallë dhe mos vajtja në kafe, ka një humor të
hidhur, por është humor i firmosur në art. Ndërsa fundi, kur njoftohet se
kryetari transferohet në një detyrë më të lartë, ka vetëm zhgënjim dhe dhimbje.
Shumë
tema, janë përjetime të vetë autorit, jo thjesht duke dëgjuar të tjerët, por
duke qenë vetë pjesëtar, si bie fjala në rrëfenjën “Streçet”, “Tasi i
kryetarit”, apo qyfyret e jetës shkollore, si copëza ndodhish në klasë mes
shokëve, më pas artistë të skenës dhe filmit. Cili nga ne nuk do të shkruante për
ndodhitë e vogla në klasë, kur shoqe të kishte artisten e madhe Vaçe Zela bashkë
me studentë të tjerë? Ku vetë Vaçja ishte një thesar humori, që kudo krijonte
humor.
Libri
pasurohet me kujtime dhe përjetime të gjalla nga shokë të vetë autorit, ndaj
humori i Xhixhit është i vërtetë, i lindur në çaste kritike, mban vulën e
kohës, është humor pa hile, si mjaltë gështenje shpesh i hidhur por kurues.
Shkurt, humor i gjallë, jo i stisur apo i kurdisur në tavolina pune.
Ky
libër në vetvete është një kumt nderimi për të gjithë ata miq e shokë, që kanë
lënë një gjurmë jete me humorin e tyre. Unë po përmend disa, që vetë autori i
veçon disi më shumë, si, Nikolin Xhoja, Vaçe Zela, Fadil Hasa, Muharrem Hoxha
(Rrema), Lutfi Loxha (Luti), dhe humoristi popullor, durrsaku i pavdekshëm, Osman
Rexha,. Ky është arti dhe forca e humorit, që të përjetëson në kujtesën e
popullit brez pas brezi, si një pagëzim apo përmendore arti, që do ta kishte
lakmi cilido nga ne.
Në
fund dua të shtoj një mendim, pavarësisht sa do pëlqehet nga autori. Po e them
nga përvoja e këtyre pak ditëve, që kisha nëpër duar librin (dorëshkrim), i
cili kur të shtypet bëhet rreth 250-300 faqe, një libër goxha i madh, i përdorshëm
në tavolinë pune dhe për t’u vendosur në rafte biblioteke. Shpesh i rikthehesha
rrëfenjave, se më pëlqenin, më mbanin në humor të mirë, madje nuk kursehesha ta
merrja me vete në çantë, si nxënës shkolle, për ta lexuar në kafe, gjatë kohës
që prisja ndonjë nga shokët e mi.
Punë
e bukur por me pak bezdi, “Një qese të madhe për një libër”, ndaj dhe pyesja veten:
- Po sikur ky libër voluminoz të ndahet në dy-tre apo katër pjesë, me format të
vogël si një doracak, për t’u mbajtur në xhep, në çantat e vogla ku mbajmë syzet
apo telefonin, a do të ishte më mirë? Kështu këto librushka (po përdor
dialektin e Korçës), mund t’i lexosh kudo, në tren (fatkeqësisht i harruam
trenat), në avion, në autobus, në tavolina kafeneje, kur muhabetet mbarohen dhe
zëmë e flasim për motin, apo thashetheme bajate, duke marrë nëpër gojë dynjanë.
Kështu humori i këtij libri bëhet pronë e shumë njerëzve, besoj dëshira më e
madhe e çdo shkrimtari apo krijuesi. Sido që të jetë në format, libër i madh
apo doracak, publiku e mirëpret, sepse çlodhet sadopak, e përhumbet në humor të
hollë, që buron nga vetë shpirti i popullit artist.
Urime
Xhixhi! Me këtë libër i ke ngritur përmendore humorit durrsak dhe atij mbarëshqiptar.
Mos u vono ta botosh, që ta kemi nëpër duar sa më shpejt, sepse janë edhe të
tjerë libra që presin botimin. Koha vrapon e nuk na pret.
Suksese!
Miqësisht dhe
mirëkuptim!
Kadri Tarelli
Durrës. Qershor 2021.