| E enjte, 02.12.2021, 10:01 PM |
Ibrahim Rugova - gjeni i të sotmes dhe të ardhmes së Kosovës!
Nga Enver
Bytyçi
Dy shtata janë fat. Sot Ibrahim Rugova ka
bashkuar dy shtatat e tij dhe ne e përkujtojmë në këtë 77 vjetor të lindjes si
askënd tjetër! Janë dy shtatat që do të sjellin fatin e Kosovës në disa
kuptime:
Së pari: Rugova shtroi trasenë e pavarësisë së
Kosovës. Dy shtatat e ditëlindjes së tij do të jenë fati i përkushtimit të
politikës e diplomacisë shqiptare, sidomos të Kosovës, për pëmbylljen në
aspektin e subjektivitetit ndërkombëtar të kësaj pavarësie. Nuk ka asnjë arsye
pse Kosova të mos njihet tashmë nga bota e civilizuar e të mos bëhet pjesë e
këtij civilizimi.
Së dyti, Rugova e projektoi Kosovën si pjesë të
Bashkimit Europian dhe të NATO-s. Nuk ka asnjë pengesë që të mos realizohet ky
projekt. Kosova duhet të punojë fort ta arrijë këtë fillimisht përmes njohjeve
të pesë shteteve anëtare të BE-së. Duhet të bëjë çmos ta arrijë këtë njohje. Më
pas me angazhim maksimal për anëtarësim në NATO e BE!
Së treti, Rugova konsolidoi projektin e një
miqësie të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ruajti marrëdhënië
të shkëlqyera me kryeqytetet europiane. Kjo përvojë historike e tij është
detyrim-përcaktim për çdo qeveri dhe për institucionet e Kosovës.
Së katërti, Ibrahim Rugova apeloi për një Kosovë
të hapur me Serbinë dhe me Shqipërinë. Por sot Kosova gjendet e rrethuar dhe e
trysnuar nga të dyja këto shtete në lidhje të ngushtë me njëra-tjetrën. Eshtë
dilemë e madhe sesi do të realizohet kjo hapje në kushtet kur kryeministri i
Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë komplotojnë kundër Kosovës. Këtë lidhje nuk
e kishte parashikuar Rugova. Por ai në rastin e takimit të Fatos Nanos me
Milosheviçin në nëntor 1997 në Kretë të Greqisë e pati dhënë një paralajmërim:
"I kujtojmë qeverisë shqiptare, tha ai, se Shqipëria e ka njohur
Republikën e Kosovës (Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë 1991)"! Me këtë
tërhiqte vëmendjen e kurtheve të Tiranës zyrtare me Beogradin! Kjo ndodhi me
Edi Ramën. Trashëgimia e Rugovës na mëson se kur vëllai bashkëpunon me hasmin,
atëherë i duhet vënë një kufi edhe vëllait!
Së pesti, Rugova e projektoi shtetin e Kosovës
si shtet demokratik dhe ai ishte një demokrat i jashtëzakonshëm. Që do të thotë
më shumë mirëkuptim, më shumë tolerancë, më shumë respekt për pakicat dhe
opozitën, më shumë bashkëpunim dhe transparencë. Kosova është modeli i
demokracisë në Ballkan, por ajo mund të bëhet edhe një demokraci e niveleve
euro-atlantike!