| E marte, 09.12.2008, 12:03 AM |
Ekskluzive
SHQIPJA NË RAPORT NDËRGJUHËSOR OSE PËRKTHIMI SHQIP NË VORBULLËN E GLOBALIZMIT TË SOTËM
(me theks nga përvoja si përkthyes-studiues)
Nga Dr. Nuhi Veselaj
Me sugjerimin e stafit të Forumit të Përkthyesve Profesionalë të Kosovës, nga punimi me titull Shqipja në përballje me sfidat e globalizmit të sotëm, përveç hyrjes, ku trajtonim shkurtimisht etimologjinë dhe historikun e globalizmit si rend, metodë a doktrinë shoqërore, anashkaluam edhe këto çështje të trajtuara si tema të veçanta:
1. Shqipja në shtjellë të huazimeve gjuhësore nëpër shekuj deri në ditët e sotme;
2. Profili i studiuesve të shqipes dhe raporti: shqipja standarde/dialektet / krijimtaria letrare dhe
3. Nënprofili i standardologut të letrarishtes së sotme dhe nevoja e sforcimit të tri shtyllave themelore të standardit (drejtshkrimit, gramatikës dhe fjalorit përshkrues normativ).
Një reduktim të tillë e bëmë në favor të përqendrimit tonë vetëm në temën e fundi të atij punimit, me titull: Shqipja në raport ndërgjuhësor ose përkthimi shqip në vorbullën e globalizmit të sotëm, temë kjo, të cilën e sforcuam, duke sjellë e theksuar të dhëna konkrete me interes nga përvoja jonë si studiues, përkatësisht si përkthyes disavjeçar në administratën dygjuhësore (shqip-serbokroatisht e anasjelltas) gjatë viteve ’70-’80 të shekullit të kaluar në një ndërmarrje prodhuese metalpërpunuese: Uzinën e Amortizatorëv të Prishtinës.
Ne, ç’është e drejta, pasi qemë të larguar me detyrim nga puna në arsim, para se të punësoheshim si përkthyes në Uzinën në fjalë, veç tjerash, kishim njëfarë përvojë edhe në fushën e njohjes së dygjuhësisë te ne, qoftë nga mjedisi shoqëror, mësimi në shkollë, burgu, ushtria,, qoftë nga puna në arsim si mësues i gjuhës shqipe në konsultim me arsimtarë të lëndëve përkatëse ose qoftë gjatë studimeve universitare e pasuniversitare, me konsultim literature etj., qoftë edhe si bashkëpërkthyes i një libri shkollor ose si lektor në Radio-Prishtina dhe së fundi edhe si referent administrate në ndërmarrjen për ndërtimin e rrugëve Partizanski put -Beograd, filiala në Prishtine, andaj aty, në atë uzinë, nuk e patëm aq vështirë të gjindeshim. Natyrisht që punën ta kryenim, siç e bënim edhe më përpara, si ka hije me nder e ndërgjegje të lartë, që në fillim, me ndihmën edhe të personelit inxhiniero-teknik (shqiptar) të asaj ndërmarrjeje prodhuese, bëmë seleksionimin e problemeve të hapura të terminologjisë, të cilat i merenduam në këto pesë fusha
I. Emërtimet e njësive të organizimit të punës,
II. Emërtimet e njerëzve sipas profesionit a vendeve të punës,
III. Emërtimet e proceseve tekniko-teknologjike,
IV. Emërtimet e mjeteve të punës si dhe të pjesëve të mjeteve të punës dhe
V. Terma nga fusha të tjera (ekonomike, juridike, publicistike, politike etj.).
Pasi grumbulluan një shumësi materiali sa ishte e mundur dhe përcaktuam temat e diskutueshme në gjuhën shqipe:
së pari përpiqeshim me i harmonizue trajtat me ato që sadokudo i dinim se përdoreshin në Shqipëri,
së dyti, shënuam ato kalkëzime a emërtime që në mënyrë spontane a të rastësishme dëgjoheshin në rrethe të caktuara te ne etj. dhe
së treti, edhe vetë kalkëzonim shembuj të ndryshëm, natyrisht duke respektuar rregullat e fjalëformimit të gjuhës sonë, për të cilat ishim interesuar t’i zotëronim edhe më përpara, sidomos gjatë studimeve pasuniversitare
Sigurisht nuk e kishim lehtë, por për të gjitha këto fusha a tema që na imponoheshim përpiqeshim të gjenim zgjidhje, madje rreth disa çështjeve më problemore filluam të shfaqnim mendimin tonë edhe botërisht, qoftë në shtypin e ditës, qoftë në atë profesional, ose edhe nëpërmjet kumtesave dhe formave të tjera, sa herë që na jepej mundësia.
Risimet që dolën nga vëzhgimet tona, u pranuan mirë nga rrethet përkatëse, ngase kishim të bënim me tema të patrajtuara nga gjuhësia jonë, dhe pikërisht me disa nga ato risime, duke e respektuar radhën, sipas pikave të mësipërme, do t’ua kumtojmë gjatë ligjëratës sonë:
E para, në artikuj e në punime të veçanta dhamë kontributin tonë në përcaktimin dhe harmonizimin dhe përplotësimin e termave përkatës si brenda shqipes, ashtu edhe në raport me serbokroatishten e gjuhë të tjera.
Së pari, vumë në spikamë dhe verifikim qëndrueshmërinë e fjalë-termave: kombinat, uzinë, fabrikë, punishte, punëtori, ofiçinë, repart, impiant, stabiliment, veçane, departament, drejtori, sekretari etj. etj., që edhe sot ka ende paqartësi jo vetëm te ne në Kosovë, por edhe në Shqipëri, andaj ka nevojë për ritrajtim të kësaj problemartike. .
Së dyti, në kontekst të çështjeve të pazgjidhura po përmendim monografinë tonë kushtuar: Emërtimit të vendshërbesave në gjuhën shqipe me prapashtesën -TORE, ku ky formant që nga rilindësit tanë dilte si prapashtesë e specifikuar për destinime të tilla. Krahaso: greqisht apoteka shqip barnatore, biblioteka shqip libërtore etj.
Ne duke favorizuar prirjen e tillë, që ishte e vërejtshme sidomos te ne, bëmë krahasimin e emërtimeve të tilla në katër gjuhët në kontakt turqisht, serbisht, italisht dhe shqip. Ja disa shembuj dhe barsvlerësia na doli mirë.
Krahaso:
turqisht italisht serbisht shqip
----------------------------------------------------------------------------------------
sallhane mecelleria mesarnica mishtore
berberhane barbieria brija?nica rrojtore
kalhane fonderia topionica shkritore etj.
Veni re, se si prapashtesa -TORE e shqipes me (si)prapashtesat e specializuara të gjuhëve të tjera: t. hane, it. -e/ria, serb. -nica, del me barasvlerësi të plotë. (Shih: N. Veselaj, Çështje të shqipes standarde...I, Rilindja, Prishtinë 1997)
Mjerisht, edhe pse në përdorim e sipër patëm gjetur jo tre shembuj në shqip po mbi 80, një zgjidhje e tillë në Shqipëri nuk vazhdoi së praktikuari, që mund të konsiderohej pa hamendje si një model i formëzuar i shqipes Atje ndërkohë, ashtu edhe te ne tash së voni, mund të themi, u ndërpre një zgjidhje e tillë shumë dobiprurëse për shqipen, ngase po praktikohen emërtimet të huazuara më tepër nga italishtja e gjuhë të tjera. Andaj mendimi ynë është që shembujt e tillë me -TORE të (ri)kthehen në përdorim normal, sa herë që kemi të bëjmë me koncepte të lokaleve të punës.
E dyta, edhe më i madh del kontributi ynë praktik lidhur me emërtimet e njerëzve sipas profesioni në gjuhën shqipe. Ne për të qenë më në nivel punimi ynë: Struktura fjalëformuese e emërtimeve të profesioneve në gjuhën shqipe, të cilën edhe e trajtuam .dhe e mbrojtëm si tezë doktorate, patëm konsultuar, veç tjerash edhe emërtimet e profesioneve sipas organizatës ndërkombëtare ILO. Mjerisht teksti integral i kësaj monografie ende nuk është botuar si libër i veçantë, me gjithë se edhe sot është tejet aktual. Ndihmesa jonë, në këtë fushë, veç tjerash, mund të përmblidhet në këto tri pika:
Së pari, duke konsultuar emërtimet e profesioneve të përdorura të shifruara edhe në gjuhë të huaja kemi dhënë me dhjeta e dhjeta vërejtje rreth shpërputhjeve të emërtimeve përkatëse të emërtimeve të tilla te ne, që kishin të bënim me lajthitje serioze për shkak të keqpërkthimit nga serbokroatishtja, por edhe mospërputhje me ato emërtime që përdoreshin në Shqipëri. Edhe sot vërejtjet e tilla janë aktuale. p.sh. te ne ende stabiliment po përdoret në vend pajisje a pajim, teknik a inxhinier reparti për teknik a inxhinier pajisjeve elektrike, axhustator i makinave në vend mekanik i makinave etj.
Së dyti, nga struktura fjalëformuese e emrave të profesioneve në gjuhën shqipe konstatohet veç tjerash se në shqipe nuk ka prapashtesë -cient, pra jo teoricient, matematicient, muzicient etj, po ka prapashtesa të tjera të specializuara. Në të vërtetë, përveç atyre që mbi bazë të ndërkombëtarizmave me -IK(ë) fundore që dalin zakonisht me -AN (matematikan etj., prapashtesat më të përdorura për këtë destinim mbi tema të fjalëve të shqipes janë të tjera dhe sa për kërshëri po japim numrin e tërësishëm të emrave të tillë që i ndeshim në Fjalorin e shqipes së sotme 1984: me -ë/s janë 390 shembuj, me-TAR 120, -AR 73 -IST 89 -xhi 29, me -ier/er 32 e kështu me radhë.
Siç po shihet si prapashtesat -as dhe ato -tor e -or, nuk dalin prodhuese në emërtime të tilla, prandaj nuk duhet të na hutojnë trajtat drejtor e punëtor e ndonjë tjetër, sepse prapashtesa -tor është përftuar nën ndikimin e prapashtesës italiane -a/tore.
Së treti, semantikisht duhen dalluar emërtimet e profesioneve bazë nga profilimet e profesioneve, p.sh. emërtimi mishtar dallohet nga mishshitës e kështu me radhë. Ky dallim duhet të figurojë edhe në fjalorët përkatës normative e në organikat e caktuara.
E treta, nga analiza që i bëmë çështjes së emërtimeve të proceve tekniko-teknologjike në krahasim me gjuhë të huaja arritëm në konstatime, si me thënë, të jashtëzakonshme, edhe sa i përket sistemit foljor, edhe sa i përket sistemit emëror, përkatësisht të prejfoljorëve të gjuhës shqipe. Këtu kemi të bëjmë me disa risi, që ende nuk njihen sa duhet nga ekspertët përkatës të gjuhës sonë dhe si rrjedhojë nuk qëndrojnë të përligjura në burimet tona normative, andaj është e kuptueshme se edhe përkthyesit ndeshin në vështirësi të mëdha në kontekste përkatëse. Këtë rast, veç tjerash, mendojmë se edhe këto risi që do t’i përmendim, si tash si në të ardhmen, patjetër, duhet të kihen në konsideratë.
Së pari, përveç pesë prapashtesave të foljeve më -Oj me zgjerim: -to, -ro, -llo, -so dhe -zo të cekura në Gramatikën e Akademisë, shqipja i ka edhe 13 të tjera: -no, -mo, -rro, -lo, -izo, co; -ko, -sho, -shto, -ço, -zho, -ho, -jo dhe që të gjitha këto priren për të shprehur nënfusha të caktuara semantike, prandaj çdo përkthyes duhet t’i njohë dhe t’i shfrytëzojë trajtat e caktuara në kontekste të caktuara. Në të vërtetë gramatika i njeh nja 8-9 prapashtesa foljore, ndërsa shqipja i ka në përdorim 26-27 sosh. Nuk po zgjatemi më tepër po nuk mund të anashkalojmë konstatimin se pothuajse të gjitha emërtimet e proceseve kimiko-teknologjike shprehen me foljet më -zo, ndërsa ato me kuptime neutrale më -O e me formante të tjera. Krahaso vetëm dallimin: luloj lulim ose kromoj kromim, ku nuk ndryshon substanca, ndaj lulëzoj lulëzim ose kromëzoj kromozim, ku kemi të bëjmë me një proces të ndërlikuar, me ndërrim substance etj. Këtë dallim e ndeshim edhe në gjuhë të huaja, prandaj edhe përkthyesi profesional duhet ta njohë dhe ta respektojë një fakt të tillë dallues. (Shih veprën: N.Veselaj, Foljet më -O në gjuhën shqipe, Dardania sacra, Prishtinë 2002.)
Së dyti, në mënyrë që çështje të jetë më e përkapshme po i shënojmë nja dy shembuj të foljeve përkatëse në gjuhë të ndryshme, sipas trajtës përfaqësuese:
Krahaso:
shqip. lëvdoj (me lëvdue?!); marr vesh (me marrë vesh?!)
serb. (po)hvaliti, u?estvovati
rus. hvalitj u?estvovatj
gjerm loben teilnehmen
fr. leuer plandre part, participer,
it lodare paticipare, aver parte,
angl. (to) praise to partipate
turq. ovmek, sena etmek anlamak, shtirak etmek
Për përkthyesin tonë në shqip këtu dalin tri çështje që kërkojnë sqarim:
Së pari, kur në të gjitha gjuhët krahasuese trajta përfaqësuese e foljes del në infinitiv, a mjafton që në shqipe me dalë vetëm veta e parë e njësit të dëftores, kur dihet se edhe shqipja e ka paskajoren që ne e vumë mes skllapash me pikëpyetje e pikëçuditjeje bashkë (?!), kur dihet se këtë trajtë të gjithë shqipfolësit te ne e kanë të ravijëzuar në sistemin e tyre ligjërimor! Jo vetëm kaq, por kur dihet, gjithashtu, se vetëm trajta e paskajores së shqipes me + pjesore ka barasvlerësi të plotës me infinitivin përkatëse të gjuhëve të tjera, atëherë shtrohet pyetja, duhet, apo jo, të futet në veprim një fakt i tillë?
Së dyti, shihet edhe një çështje tjetër. Në burimet tona normative (gramatika) thuhet se lidhorja i zëvendëson konceptet kryesore të paskajores gege(!), siç shihet nga shembujt e mësipërm nuk del ashtu. Pra nuk del lidhorja te shembujt e mësipërm: të lëvdoj ose të marr vesh, madje aq më e paqëndrueshme del veta e dytë njëjës e lidhores të lëvdosh ose të marrësh vesh, e cila në raste të tjera del e ngarkuar për të zëvendësuar koncepte të paskajores së mirëfilltë me + pjesore. Madje konceptin e paskajores me+pjesore në këto raste nuk e zëvendëson as e ashtuquajtura paskajore e dytë, tipi për të lëvduar ose për të marrë vesh. Siç po shihet atë koncept të infinitivit të gjuhëve të huaja, njëherazi edhe të paskajores së mirëfilltë të shqipes me + pjesore po e zëvendëson veta e parë e njëjësit të dëftores jo të lidhores?! Andaj ky fakt, edhe pse nënkuptohet, duhet të shënohet, më qartë, në burimet tona normative teorike. Ne nuk kundërshtojmë zgjidhjen praktike që është bërë konceptit të tillë me njëjësin e dëftores së trajtë përfaqësuese, por mendojmë se edhe paskajorja e mirëfilltë me + pjesore, së paku si mjet konkretizimi a si element i domosdoshëm plotësues sqarues duhet të ceket në raste të tilla. Kjo është njëra nga arsyet që ne kemi kërkuar rehabilitimin paskajores me + pjesoren në standardin e sotëm.
Së treti, kërkesa jonë për rehabilitimin e paskajores së mirëfilltë nuk mbështet vetëm në atë që u tha në pikën e mësipërme si mjet konkretizues ekzistues në jetën tonë ligjërimore, por veç tjerash edhe për një arsye tjetër. Pra përveç arsyeve të tjera edhe për faktin se vetë kuptimi me paskajore plotëson një vakuum që nuk shprehet qartë me trajtën përfaqësuese të dëftores. Në këtë kontekst çdo shqipfolës, jo vetëm gegërishtfolës a njohës i ish shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes, por edhe të tjerët,e sidomos kjo është më e ndjeshme tek përkthyesit (shqip gjuhë e huaj e anasjelltas), sepse siç dihet në gjuhët përkatëse ekziston si në shqipe edhe veta e parë e dëftores e së tashmes së njëjësit të dëftores, po jo me kuptim përfaqësues, po me kuptim të një vete. Mjafton të kujtojmë, këtë rast trajtën përkatëse në serbisht ja se hvalim (unë lavdërohem) ose ja u?estvujem (unë marr pjesë). Kur themi se paskajorja e shqipes qëndron si barasvlerës ndaj kuptimit që shprehet me paskajoret e gjuhëve në fjalë, kemi parasysh faktin se si në gjuhë të tjera edhe në shqipe me trajtën me lëvdue ose me marrë vesh nënkuptohet se kjo vlen për të gjitha vetat, gjininë, numrin e njejës e shumës të folësit (unë, ti,. ai ajo, ne, ju ata, ato), ndërsa me lëvdoj ose marr vesh nënkuptohet si në serbisht ashtu edhe në gjuhë të tjera, parësorisht, vetëm veta e parë njëjës.
Andaj vërtet, rehabilitim i paskajores me + pjesore në standard del i domosdoshëm edhe për këtë fakt semantik. (Shih: dr. N. Veselaj, Paskajrorja, çështje e shqipes standarde, Prishtinë 2000 dhe Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe, Prishtinë 2006.)
Së treti, po e përmendim edhe një rast tjetër, po tash kemi të bëjmë me emra foljorë, konkretisht me sinonimikë prejpjesorë dhe për të kuptuar më mirë çështjen po japim disa shembuj në tri gjuhë, shqip dhe dy gjuhë të tjera në kontakt:
shqip serbisht italisht
1. bind (me bindë) ubediti convincere
a) bindje ubedjenje condizione
b) të bindurit ubedjivanje cinvicimento
2 detyroj (me detyrue) obavezati obligo
b) të detyruarit obavezanje obbligazione
3. çmoj (me çmue) ceniti (oceniti, proceniti) apprezzare
a) çmim cena prezzo
b) të çmuarit ocenjivanje, procenjivanje estimo
4. rrit (me rritë) rastiti crescere
a) rritje porast cresasciuto
b) të rriturit rastenje crescione
c) rritë-a rast crescita
Jemi të vetëdijshëm se barasvlerësi përkatës nën a), b) dhe c) që mund të ndeshet sigurisht në raport edhe me gjuhë të tjera për koncepte të caktuara mund të këmbehen edhe me sinonime të tjera, mbase edhe më të përshtatshme, varësisht nga natyre e gjuhës përkatëse, por ne, dhe kjo vlen sidomos për përkthyesit edhe për studiuesit e të tjerët, kemi për qëllim të vëmë në pah këto dy çështje:
1) Në gjuhën shqipe për konceptin e caktuar që ka të bëjë me majat më të larta të abstraksionit përdoret normalisht asnjanësi përkatës (shembujt nën b)) dhe se trajtat me -IM ose -JE zakonisht dalin të favorizuara për emërtimin e procesit të caktuar ose edhe për rezultatin e veprimit. Këtë që sapo e thamë po e theksojmë në mënyrë të veçantë, sepse nuk është e vërtetë ajo që del e shënuar pothuajse në të gjitha burimet tona normative se asnjanësit prejpjesorë të paranyjëzuar janë në numër të vogël dhe se prodhimtaria e aktiviteti i tyre në letrarishten e sotme ka pushuar, ngase ata gjoja janë zëvendësuar pothuajse tërësisht me emrat e prejardhur me -IM ose -JE(!). Ne kemi konstatuar se jo vetëm nuk kanë pësuar tkurrje a zhdukje asnjanësit e paranyjëzuar, por ata janë aktivë e produktive, ngase e kanë të qartë edhe temën prodhuese motivuese fjalëformuese ashtu si edhe nënfushën semantike që e mbulojnë. Vetëm në Fjalorin e gjuhës shqipe (2006) janë shënuar afro 200 shembuj të tillë përfaqësues nënklase që mund të konsiderohen si detyrues për përdorim normal.
2) Edhe për tipin e emrave që ne e shënuam vetëm një rast nën c) rritë rrita, i cili bën pjesë në emrat e ashtuquajtur: prejpjesorë pandajshtesorë mbi temë në bashkëtingëllore (tipi pritë, pasë, zgjedhë pjekë etj), thuhet se është zëvendësuar me emrat më-im ose -je. Ne konstatojmë të kundërtën. Numri i tipit të tillë të regjistruar në FSHS kalon njëqindshin, madje bashkë me shembujt mbi temë të një foljeje me zanore, tipi shtrojë, mbulojë, rrojë ngrijë etj, atëherë numri i regjistruar i tyre në fjalorin normativ shpjegues mund të kalojë edhe 200-shin.
Pra, vërejtja ose përgjigjja jonë rreth dy pikave të sapodiskutuara është se emrat a asnjanës nën presionin e emrave me -im ose -je nuk janë zhdukur por kanë kaluar dhe dalin të pozicionuar fort në pikën a nënfushën më të lartë të fushës së abstraksionit, ndërsa emrat prejpjesorë pandajshtesorë gjallërojnë në fushën e konkretizimit. Këtë fakt duhet ta dinë jo vetëm përkthyesit tanë, por ashtu edhe të gjithë të tjerët pa dallim, e sidomos standardologët e sotëm.
E katërta, edhe lidhur me emërtimin e gjë-sendeve konkrete në gjuhën shqipe dalin probleme me të cilat u ballafaquam edhe ne. Edhe në këtë fushë përpjekja jonë nuk ka munguar. Këtë rast po i përmend nja tri çështje:
Së pari, siç dihet mjaft emërtime aparatesh, makinash e pajisjesh etj. te ne janë përhapur nëpërmjet serbishtes që disa vinin nga gjuha gjermane etj, ndërsa në Shqipëri zakonisht atë ishin huazuar ose huazoheshin nga italishtja, andaj ne bëmë sa mundëm harmonizimin e tyre. Shembuj të tillë nuk janë pak, duke filluar nga shrafcigeri / kaçavida e tutje deri te bageri./ ekskavatori etj.
Së dyti, për të kuptuar realitetin se si janë ose duhen emërtuar mjetet e punës a sendet konkrete në shqipe ne trajtuam temën: Rreth formimit me prapashtesim të emrave të sendeve në shqipen letrare (1997), punim ky, i cili, me sa dimë, ende ka mbetur si punim unik në gjuhën tonë.(Shih: N. Veselaj, Çështje të shqipes standarde ...I ,Prishtinë 1997.)
Me rezultatet nga analiza që bëmë që janë të pakontestueshme, për çudi, ende nuk janë pajisur burimet tona normative, qoftë të botuara, qoftë të ribotuara në këta dhjetëvjetëshat e fundit?!Gjithsesi punimi në fjalë ia vlen të konsultohet dhe të shfrytëzohet, ngase aktualiteti ynë gjuhësor atë e kërkon.
Së treti, gjatë punës si përkthyesit patëm shënuar fjalët më karakteristike të nevojshme që më tepër na hynin në punë, mirëpo ndërkohë numri i tyre u shtua dhe që në vitin 1981 doli i hartuar (e shaptilografuar) një përmbledhje e fjalëve të tilla që u quajt Fjalor pune (Poslovni reçnik) shqip-serbokroatisht /për nevojat e Uzinës së Amortizatorëve të Prishtinës Me kohë edhe u përplotësua, kështu që tashti dorëshkrim (i kompjuterizuar) përbëhet prej 4000 fjalë-termash dhe për të mësuar paksa rreth përmbajtjes së këtij doracaku, po i paraqesim tri pikat nga hyrje-sqarimi që i bëhet këtij teksti:
1) Edhe pse mbizotërojnë termat t tekniko-shkencorë nga fusha tekniko-teknologjike në të janë përfshirë edhe terma (të përzgjedhur) nga fusha të tjera, si nga ekonomia, drejtësia (jurisprudenca), politika e publicistika etj, andaj edhe u quajt Fjalor pune ( serb. Poslovni reçnik).
2) Për hir ekonomimi janë shënuar vetëm emrat në cilësinë e termit të caktuar, duke lënë jashtë trajtat foljore, mbiemërore etj.
3)Emri (në funksion termi edhe në togfjalësha në fillim të çdo zëri) është shënuar vetëm në njëjësin e pashquar si trajtë përfaqësuese.
4) Janë respektuar risimet që mund të jenë hetuar, sidomos te ne dhe më gjerë...
Mjerisht edhe ky material mbeti i pabotuar. Gjithsesi, mendojmë se do të jetë me shumë interes botimi i tij, madje edhe përplotësim i tij, siç e patëm filluar ne sipas versionit serbisht -shqip, plus ndonjë gjuhë tjetër, sipas tipit të fjalorëve shifrorë.
E pesta, sa i përket terminologjisë së stilit publicistik-administrativ etj. përgjithësisht ne kemi dhënë ndihmesë modeste me artikuj të veçantë, sidomos rreth harmonizimit të terminologjisë te ne me atë në Shqipëri .
Tashti do të përmend edhe dy çështje jo të panjohura, njëra ka t[ bëjë vërejtje nga fusha e kalkëzimit dhe tjetra, me meditim rreth terminologjisë kompjuterike që konsiderohet si veçori kryesore e globalizmit gjuhësor.
Së pari, po i riprekim dy kalke: kushtimisht thënë dhe kyçje që janë përftuar në Kosovë, nën ndikimin e serbishtes uslovno dhe uklju?enje e priklju?enje si dhe fjalën: binjakëzim të kalkëzuar jo natyrshëm në Shqipëri nga italishtja. gemellaggio.
Për raste të tilla, por edhe për këto tri fjalët e sipërcekura kemi pasë reaguar më herët në artikuj të veçantë, prandaj këtu vetëm sa për t’i rikujtuar po i shënoj bashkë me barasvlerësit nga gjuha origjinale dhënëse dhe zgjidhjen e parapëlqyer më natyrshëm me korrespondueset përkatëse të shqipes.
1) Serb. uslovno është adverb i foljes usloviti (kushtëzoj, me kushtëzue), që vjen nga emri uslov (kusht), që në shqipen tonë doli arbitrarisht kushtimisht Ku qëndron vërejtja jonë? Së pari, ndajfolja kushtimisht nuk ka mbështetje të vetë folja kushtëzoj, përkatësisht emri kushtëzim, ku ligjërisht duhet ta kishte. Trajta e tillë ka për bazë foljen kushtoj, përkatësisht emrin kushtim, emër ky që është i zënë në gjuhën tonë për dy koncepte të tjera që nuk lidhen me kushtin as me kushtëzimin, së pari, në gjuhën tonë emri kushtim vjen nga folja kushtoj, d.m.th. ia kushtoj (dedikoj) dikujt diçka dhe së dyti, kemi të bëjmë me kushtimin tjetër, d.m.th. kushtoj kushtim që ka të bëjë me vlerën e shitjen të një malli, sa kushton? etj. Pra trajta në shqyrtim uslovno (re?i) e serbishtes ka kuptim nëse përkthehet vetëm me barasvlerësin e thënë me kusht (me rezervë) ose e thënë kushtëzimisht, por jo assesi kushtimisht (thënë!).
2) Edhe fjala kyç (emër e folje në shqip) në serbishte ka barasvlerës emrin kljuç (çelës), ndërsa si folje kyç (me kyçë) ka për barasvlerës dy trajta sinonimike: zatvoriti dhe zakljuçati. Ku qëndron kontesti? Në serbisht pasi ekziston edhe homonimi kljuç (kljuçanje) si emër me kuptimin në shqip vlim, të vluarit që vjen nga folja kljuçati vloj (me vlue), atëherë me kuptim të emrit të mëparshëm kljuç (kyç) foljet dalin me parashtesat përkatëse me kuptime të ndryshme si p.sh:
priklju?iti (lidh përsëri diçka, ngjit, bashkoj, inkuadroj),
zakju?ati (kyç, mbyll me çelës, drynoj),
zaklju?iti (përfundoj, mbyll, drynoj),
uklju?iti (përfshij, vë në veprim, inkuadroj) dhe
otklju?iti (hap, çel).
Siç po shihet si barasvlerës i foljes kyç (me (u) kyçë) sipas normës del vetëm trajta zaklju?ati, që për një koncept të tillë te ne përdoret vetëm trajtat me mbyllë mbyll a me mëshelë mëshel (me çelës), ndërsa folja kyç del e përdorur arbitrarisht për barasvlerësit priklju?iti (d.m.th. në vend: ndërlidhem, inkuadrohem, (i) ngjitem, ose lidhem përsëri me...) si dhe për uklju?iti, (d.m..th. në vend të barasvlerësit përfshij a përfshihem). Pra te ne folja kyç kyçem përdoret, jo siç e parasheh norma, por për koncepte të tjera që nuk i njeh letrarishtja e përbashkët.
Sigurisht, lajthitjet e tilla, pasi nuk janë të pranuara për konceptet e caktuara në Fjalorin normativ, edhe pse për çudi, dalin të përdorura (mbase rastësisht) edhe nga ndonjë akademik a profesor me profesion gjuhëtar etj., megjithatë janë të lehta për t’u korrigjuar.
3) Fjala binjakëzim në shprehjen binjakëzimi i dy qyteteve është një kalk nga italishtja,:gemellaggio due cita, e cila mjerisht me këtë koncept del e regjistruar edhe në fjalorët e rinj normativë shpjegues të gjuhës shqipe (2002, 2006). Ku qëndron kontesti? Për mendimin tonë, në shqipe pa të drejtë i është dhënë ky kuptim i ri foljes binjakëzoj, përkatësisht emrit binjakëzim, ngase për një koncept të tillë ne kemi fjalë të tjera më të përshtatshme dhe më të përafërta për konceptin në fjalë. Pasi kemi të bëjmë me afrim shpirtëror a vëllazërim në mes të dy qyteteve, përkatësisht të njerëzve të dy komuniteteve të dy qyteteve të shteteve të ndryshme, atëherë në vend të binjakëzimit më mirë do të dilte barasvlerësi vëllamërim vëllamim ose edhe vëllamëzim (serb. bratimljenje), ngase ky emër (vëllamim nga vëllamoj) ka të bëjë me afrimin shpirtëror të dy njerëzve që nuk kanë lindur nga një bark nëne në të njëjtën kohë, por e kanë pirë nga një pikë gjaku në shenjë afrie a dashnie shpirtërore vëllazërore, ndërsa tashti në mënyrë analoge një proces i tillë që ka të bëjë me vëllamërim në mes përfaqësuesve të dy qyteteve në vend të një pike gjaku pihet shërbeti (ose bëhen takime mikste solemne) simbolikë kjo si në ceremoni vëllamimi.
Mjerisht raste të tilla të kalkëzimeve jo në frymën e gjuhës shqipe nuk janë të pakta në gjuhën tonë (në Kosovë e në Shqipëri), të cilat janë përftuar nga ana e përkthyesve të papërvojë, të cilët nuk e kanë njohur mirë, as etninë e popullit të vet, as fondin e fjalëve të gjuhës sonë, madje as mënyrën e të shprehurit të natyrshëm të gjuhës shqipe.
Së dyti, po i themi dy fjalë edhe rreth terminologjisë kompjuterike. Edhe lidhur me këtë ne që në vitin 1999 kemi botuar punimin me titull Rreth terminologjisë kompjuterike në shqipe, ku veç tjerash, patëm konstatuar se emërtimet e tilla, përkundër huazimeve të më parshme që vinin në shqipe zakonisht nga italishtja e frëngjishtja, tani vijnë drejtpërdrejt nga anglishtja (amerikane), madje vijnë në paketë dhe shumica prej tyre jo sipas huazimeve të mëparshme sipas skemës objekt -koncept -emërtim, por sipas asaj: koncept - joobjekt- emërtim, të cilat në shqipe paraqesin problem më fort shqiptimor se shkrimor, ngase shumica e term-simboleve janë të pandara nga komandat e veprimit të proceseve të caktuara. Sidoqoftë, problemet janë më të vogla nga puna e mirë që ka sjellë kjo pajisje e mrekullueshme. Edhe këtu mendojmë se ia vlejnë të shënohet konstatimi përfundimtar nga ai punim, sepse siç theksojmë aty:
Së pari, në raportin grafi-shqiptim të trajtave në anglishte ndaj shkrim-shqiptimit në shqipe dhe në këtë kuadër del e nevojshme që në burimet përkatëse të shqipes letrare të ceket “lejueshmëria” e përdorimit të komandave kompjuterike e të ngjashme sipas grafisë së anglishtes në origjinal e jo vetëm sipas shqiptimit të tyre. Madje duhet vlerësuar si të drejtë transkriptimin e shkronja w e l të anglishtes me ato përkatëse të shqipes U, LL (apo V, L!).
Së dyti, të vazhdohet me përdorimin me tempo të sforcuar të termave të shqipes nga tradita e terminologjisë elektronike me kuptim të specifikuar si dhe të sforcohen përftimet me burim vendës, natyrisht ato që janë formuar në përputhje me ligjet e fjalëformimit dhe të formëzimit të termave të shqipes.
Së treti, të bëhet harmonizimi i trajtave të caktuara të përftuara qoftë nga individë të caktuar, qoftë nga institucionet përkatëse të qendrave të caktuara kombëtare (Tiranë, Prishtinë, Tetovë).
Sidoqoftë, na merr mendja se edhe përvoja jonë si dhe përvojat e të tjerëve duhen shfrytëzuar konkretisht e në mënyrë analoge, ngase edhe këto ndihmojnë në përcaktimin sa më të plotë dhe të saktë të prirjeve, të cilat duhen përkrahur në shqipen standarde, në mënyrë ajo sa të mundet gjithnjë e më me lehtësi me u bë ballë sfidave që vijnë nga ndikimi i globalizmit të sotëm gjuhësor.
Gjithsesi lypset sforcuar tri shtyllat themelore të standardit të shqipes së sotme, siç janë drejtshkrimi, gramatika dhe leksiku dhe kjo duhet bërë, duke i rinuar përsosur e sforcuar burimet e derisotme të cilat fatlumnisht i kemi. Themi fatlumnisht, sepse tashmë ne e kemi një gjuhë të përbashkët letrare, andaj e kemi shumë më lehtë se ata para nesh që atë gjuhë ta bëjmë edhe më kombëtare, edhe më shkencore, madje edhe më funksionale me përplotësimet e nevojshme.
Këto ishin disa fragmente nga përvoja jonë si studiues dhe përkthyes, të cilat besojmë do t’ua shtojnë dëshirën. nxitjen dhe durimin që profesionin tuaj jo të lehtë ta perfeksiononi gjithnjë e më tepër, duke u mbështetur dhe motivuar nga tri dhantitë që çdo njeri i ka dhuratë hyjnore e ato janë kujtesa historike, vetëdija dhe vullneti.
Pra të pajisur këto virtyte, sigurisht do të arrini që veprimtaria juaj të mos jetë vetëm ushqim trupi (ekzistencë), por edhe ushqim shpirti.
Andaj ju uroj suksese që të përjetoni me punën tuaj përveç kënaqësive të tjera edhe kënaqësinë intelektuale që edhe kjo kënaqësi është dhuratë hyjnore.
Ju falemi nderit për vëmendjen
Prishtinë, më 6.11.’08
(ligjëratë e mbajtur para përkthyesve profesionalë të Kosovës)