| E merkure, 01.12.2021, 08:22 PM |
Blerim Latifi:
Edhe
një dimër i humbur shtrihet para nesh! Në pranverë në Serbi ka zgjedhje dhe do
të thotë se nuk duhet pritur asgjë nga dialogu i Brukselit. Dhe shkaku dihet:
secila parti në Serbi do të mundohet të përfitojë vota nga retorika
nacionaliste për Kosovën. Madje mund të priten edhe incidente etnike në Kosovë,
si pasojë e garës për përdorimin elektoral të pakicës serbe dhe të Kishës
Ortodokse.
Në
anën tjetër, si pasojë e largimit të Merkel, sot Bashkimi Europian ka mbetur pa
zërin e vetëm moral dhe pa një lider që ka autoritetin të thotë diçka të
besueshme përtej interesave të shteteve që e përbëjnë BE-në. Shto kësaj faktin
se edhe Macron i ka përpara zgjedhjet, në të cilat do të përballet me një
alternativë agresive të së djathës franceze, që ka nxjerrë si kartë elektorale
populizmin ksenofobik. Kështu, në një Bashkim Europian pa zot shtëpie, krejt
çfarë mund të ndodhë është të flitet për dialogun Kosovë-Serbi, pa bërë asnjë
hap praktik përpara. Dikush mund të thotë: I harrove amerikanët. As ata nuk
duken fort të motivuar për ta thyer staus quonë. Dhe kanë arsye: loja e madhe
gjeopolitike është zhvendosur në Azi.
E
ne çfarë do të bëjmë gjatë këtij dimri të humbur?
Me
gjasë atë që dimë ta bëjmë më së miri: të shajmë dhe akuzojmë njëri-tjetrin nga
mëngjesi në darkë.
_________
Fushta
elektorale në Serbi ka filluar me konfrontime të dhunshme midis pushtetit dhe
opozitës. Në shumë video që po qarkullojnë shihen grupe civilësh që sulmojnë me
shkopinj protestuesit opozitarë. Pushtetet autoritare gjithmonë krijojnë njësi
paramilitare për t'i përdorur në situata kur njësitë zyrtare nuk kryejnë dot
punë. Kjo është një shpikje tipike fashiste. Kur Musolini krijoj lëvizjen
fashiste, ai u tha njerëzve të tij: Gjëja e parë që duhet të bëjmë, është të
krijojmë grupet e armatosura për t'i rrahur kundërshtarët tanë! Por problemi
aktual në Serbi është edhe më i rëndë, sepse se si ata që po rrahin, edhe ata
që po rrihen, ndajnë të njëjtat bindje ideologjike për fqinjët e Serbisë. Në
fakt, rrahja është temë qendrore në ideologjinë serbe të tridhjetë viteve 40
viteve të fundit. Millosheviqi e nisi karrierën e tij politike pikërisht duke u
premtuar serbëve se askush më nuk do të guxojë t'i rrah ata. Edhe sot në
Beograd po rrihen me njëri tjetrin për ta zënë karrikën nga ku mund të
përsëritet ky premtim.
_________
Bashkim
Jashari, komandanti i ri i Ushtrisë së Kosovës. Vendim i mirë, 100 %.