| E diele, 28.11.2021, 09:42 PM |
Blerim Latifi:
"A
e di se ktu i thonë Shqipni"
25 dhjetor 1912. Në Vlorë sapo është shpallur
pavarësia e Shqipërisë. Kosova ndodhet nën terrorin e pushtimit serb. Rrugët e
fshatrave e qyteteve të saj janë të mbushura me kufoma shqiptarësh të
masakruar. Shtypi europian flet për rreth 25 mijë të vrarë. Atë ditë një njësi
paramilitare serbe futet në Prekaz dhe fillon plojën. Banorët që mundën të
largoheshin, morën arratinë nëpër acarin e asaj dite. Bajraktari i Prekazit,
Ahmet Delia, i zënë ngushtë nga fakti se nuk kishte municion për të luftuar, i
thërret të birit: - Do t'luftojmë me sakica! Nuk du me dekë me marre! Pas pak
në krye të një grupi të vogël, Ahmet Delia shfaqet në hyrjen e oborrit të
shtëpisë ku serbët kishin filluar festën e tyre makabre. -Stoj! - i bërtiti
roja që ndodhej në hyrje të oborrit. - Unë serbishten nuk e di. Kush u ka thanë
me hy ktu? A e dini që ktij vendi i thonë Shqipni? - ishin fjalët e plakut. Dhe
në çastin kur ushtari po gatitej ta godiste me plumb Ahmet Delinë, ky nxori
sakicën e vogël fshehur nën xhamadan dhe e plandosi në tokë ushtarin. Më pas
nisi drama e përgjakshme: pesë burra me sakica kundër një njësie të armatosur
me pushkë të gjata. Si në ato skenat e filmit Mohikani i Fundit. Brenda pak
minutash oborri nxinte nga të vrarët e dy palëve. Në mesin e tyre edhe Ahmet
Delia, burri që kishte refuzuar këshillën e Isa Boletinit për t'iu bashkuar në
rrugën e tij drejt Vlorës.
Dhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë së
Shqipërisë, shtypi vjenez botonte hartën të cilës i referohej kjo shpallje. Kjo
ishte Shqipëria për të cilën u ngrit flamuri me 28 nëntor 1912. Injorantët, që
edukimin historik e kanë për faqe të zezë, mendojnë se pavarësia e Shqipërisë u
shpall për territorin e kufijve që i ka sot Shqipëria, kufij që u vendosën
shumë muaj më vonë nga fuqitë e mëdha, pa i pyetur shqiptarët.
Pesë flamujt më të vjetër të Europës janë: i
Skocisë ( 832), i Austrisë ( 1230), i Latvisë ( 1280), i Danimarkës(1307) dhe i
SHQYPNISË(1443). Valoftë gjithmonë i lirë mbi tokën e Kombit Shqiptar!