| E diele, 28.11.2021, 09:29 PM |
Ambasada e Athinës vijon
me “Nëntori shqiptar” për bashkatdhetarët në tokën helene
Nga
Armela Hysi
Një tjetër aktivitet i
ngrohtë zhvilluar në kryeqytetin helen në ambientet e Ambasadës Shqiptare të
Athinës, hallkë e zinxhirit të pandërprerë të nismës festive e mikpritëse për
bashkatdhetarët nën simbolikën “Nëntorit
Shqiptar”, u realizua me sukses të shtunën në datën 20 të këtij muaji historik
për mbarë shqiptarinë. Siç dëftonte dhe titulli i aktivitetit në fjalë “Nëntori
Shqiptar në shpirtin e një artisti” të ftuar qenë artistë të suksesshëm dhe
veprat e tyre.
Me dëshirën për njohjen dhe
promovimin e artit tonë bashkëkohor si
dhe vetë personaliteteve përfaqësues të disa zhanreve, në komunitetin shqiptar
të Athinës e më gjerë, e kryesisht arteve pamore, Ambasadorja e nderuar
Luela Hajdaraga së bashku me Oficeren rezultative, Koordinatore për Diasporën
Joneda Dodaj, patën dritësinë të ftonin për krijimin e një ekspozite spontane,
të përgatitur pjesën më të madhe live në ambientet e Ambasadës e cila
përcolli mjaft emocione dhe aromën kremtuese të Festave të Nëntorit, të
disa nga artistëve më në zë të arteve vizive ndërkohë që mbrëmja qe ideuar
gjithashtu me ndikime të theksuara nga kultura dhe trojet kosovare prej
përfaqësuesit të shtetit më të ri të Evropës në Greqi, zotit Fitim Gllareva.
Të pranishmit u nderuan nga
prezenca e Ambasadores shqiptare zonja Luela Hajdaraga dhe fjalët e saj të
ngrohta mbi vëmendjen e saj personale të artit të secilit prej autorëve e
debutuesve, kush për jehonën e gjatë të aktivitetit të vet krijues, e kush duke
prezantuar veprat e veta të hershme, apo dhe të përgatitura enkas për atë
mbrëmje; si dhe nga prezenca e Kreut të Zyrës për Interesat e Kosovës, zotit
Gllareva, i cili qe përkujdesur personalisht për të sjell pranë artistëve një
potpuri atdhetare poezish të zgjedhura nga autor të njohur e tepër të dashur
kosovar. Gjithashtu miqtë patën rastin të njihen me literaturë dhe foto të peizazheve
të truallit të lashtë dardan, vende historike, piktoreske e destinacione
turistike sjellë pikërisht për mbrëmjen duke shtuar emocionet tek të gjithë të
pranishmit. E bukur qe dhe surpriza që ruajtën autoret e talentuara të
përzgjedhur për të recituar gjatë aktivitetit për zotin Gllareva, teksa
përfshinë ndërmjet vargjeve, të interpretonin edhe një poezi për Kosovën të
autorësisë së tij. Sigurisht dhe ndjenja e bashkëpunimi të pandarë që zonja
Hajdaraga e ritheksojë edhe në këtë takim, ndërmjet dy përfaqësive shqiptare që
përherë sjell kënaqësi të pamasë për të gjithë bashkatdhetarët tanë.
Aktivitet të tilla gjejnë
përgëzimet dhe falënderime nga anëtarët e komunitetit shqiptar të Greqisë për
Ambasadën e tyre, që ndonëse kushtet e vështira të organizimit të secilit
takim, prej pandemisë globale i kufizojnë mundësitë e pjesëmarrjes, apo të
zhvillimit më të gjerë, ndikojnë pozitivisht në ngritjen e marrëdhënieve më të
mira, e aq të nevojshme të emigrantëve me shtetin amë, dhe Ambasadës,
gjithashtu ndërmjet organizmave që ata kanë ndërtuar në shtetin helen e
respektit reciprok ndërmjet secilit anëtar. Prandaj “Nëntori shqiptar” me të
gjitha stacionet e veta si një maratonë festive me etapa të shumëllojta e
gjithëpërfshirëse, në rrjedhën e nismave të tjera të mëparshme, jo vetëm është
mirëpritur e frekuentuar përzemërsisht por kanë krijuar dhe atmosferën e mirë e
të begatë për më tepër arritje e ide të reja në vazhdën e këtyre marrëdhënieve.