| E marte, 23.11.2021, 07:53 PM |
Ardhja e ambasadores Hajdaraga u ka kthyer buzëqeshjen emigrantëve tanë
Ambasadorja
që i mungonte emigrantëve shqiptarë në Greqi prej 30-vjetësh
Nga
Albert Z. ZHOLI
Historia
e emigracionit shqiptar në Greqi është një histori e rrallë me zhvillime interesante. Fundshekulli XX e
rrudhi edhe njëherë Atdheun tonë. Edhe
ashtu i pakët siç ka qenë, me pjesë të tëra territori e popullsie të ndarë nga
trungu, kur priste t’i rritej shtati
duke u bashkuar me Kosovën martire, ky u mpak nga njerëzit që po i iknin,
shumica pa kthim. Kjo lëvizje popullsie në drejtim të shteteve të perëndimit e
kryesisht, drejt Greqisë, në fillim ngjau si gëzim pas ndrydhjes së gjatë nga
shteti totalitar: pastaj, kuptimi i mërgimit e ktheu ikjen në tragjedi, ndërsa
tani, gëzimi dhe tragjedia kanë depërtuar
te njëra-tjetra fatalisht dhe përjetohen me ankth. Sepse të shumta kanë
qenë humbjet, vdekjet e ndryshme, por më shumë tragjike e të parakohshme.
Vdekje nga krimet, por edhe nga përpjekja
e stërmundimshme për të arritur “tokën e premtuar”. Shumë mbërritën,
shumë e lanë përgjysmë ëndrrën dhe disa e vazhdojnë. Por Greqia për emigrantët
mbetet porta më e madhe pasi aktualisht aty ka më shumë se 650 mijë emigrantë
të legalizuar. Lind pyetja: “Në këto 30 vite emigracion sa është kujdesur
ambasada shqiptare në Athinë me konsujt për emigrantët? Sa janë të lidhur ata
me hallet, problemet, shqetësimet e tyre?! Çfarë ndihme kanë dhënë dhe japin për të burgosurit dhe të
drejtat e tyre?! Sa janë të interesuar ata për mësimin e gjuhës nga fëmijët e
emigrantëve dhe çfarë ndihme konkrete kanë dhënë?! Në këto 30- vjet emigracion
masiv në ambasadën Shqiptare në Athinë kanë qenë disa ambasadorë që janë
munduar të jenë pranë problemeve të tyre”? Por ka pasur edhe situata që nuk ke
dëshirë as t’i dëgjosh dhe as t’i përmendësh. Askush nuk mund ta besonte
deklaratën e ish- Ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme (8
korrik, 2020), Gent Cakaj, për shkarkimin e të gjithë stafit të Ambasadës
Shqiptare në Athinë, përfshirë edhe ambasadoren. Kjo fortunë në Ambasadën
shqiptare në Athinë është motivuar nga Cakaj me mosperformancën dhe shërbime të
dobëta ndaj komunitetit shqiptar. Pa humbur kohë ministri Cakaj gjeti edhe
emrin që do të zëvendësonte ambasadoren e shkarkuar Ardiana Hobdari . Ajo ishte
Luela Hajdaraga, vajza e ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga. Ajo ka
studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për psikologji dhe është diplomuar
për marrëdhënie ndërkombëtare në universitetin e Neë York Empire State Collage.
Të jesht diplomat
Të
jesh diplomat është një detyrë e vështirë, por po aq dhe fisnike. Funksionet
kryesore të një diplomati janë përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të vendit
të tij dhe qytetarëve të tij, mbledhja e informacionit për vendin pritës, si
dhe promovimi i vendosjes së lidhjeve miqësore, kulturore, tregtare dhe të
tjera midis vendeve. Ndoshta këto tipare janë në figurën e ambasadores
shqiptare në Athinë Luela Hajdaraga, E qeshur, korrekte, e dashur, punëtore, e
kudogjendur ajo e ka kthyer amabsadën shqiptare në Athinë një shtëpi të dytë
për emigrantët. Kushdo që ka qenë dhe është emigrant në Athinë tashmë e shikon
shumë qartë ndryshimin. Besohet se diplomatët nuk bëhen, dhe lindin, sepse
gjëja kryesore në këtë profesion është talenti, edhe nëse nuk ke mbaruar për
diplomaci. Komponentët kryesorë të suksesit në shërbimin diplomatik janë:
potencial të lartë arsimor, intelektual dhe kulturor, përvojë historike, si dhe
arti i zbatimit të të gjithë kësaj në praktikë. Këto cilësi dhe virtyrte janë
pjesë e jetës dhe e punës së Luela Hajdaraga. Sa mori detyrën puna e parë ishte
rregullimi i ambientit të jashtëm dhe të brendshëm të ndërtesës. Ajo ishte
përballja e parë me çdo njeri që do ta vizitonte atë. Pa një ambient të pastër,
të rregullt, nuk mund të vazhdosh punë serioze. Prezantimi i parë dhe tek
njeriu është paraqitja e jashtme dhe sjellja: pastaj niveli intelektual dhe kulturor.
Tashmë në ambasadë çdo gjë ka ndryshuar. Ambientet jashtë dhe brenda të
ngjallin dëshirën për t’u afruar.
Komunikimi i personelit
Personeli
ka një detyrë të vështirë pasi të tilla janë dhe hallet e emigrantëve. Një
punonjës i ambasadës me çfarëdo detyre është një diplomat në miniaturë. Për
vetë specifikën e punës, për vetë larmitë e problemeve, një punonjës ambasade
duhet të jetë i aftë si një psikolog i mirë që e di se si të gjejë një qasje
për çdo bashkëbisedues dhe ta bindë atë për të drejtën e tij dhe shqetësimin që
mbart. Me këtë frymë është instruktuar dhe me këtë frymë punojnë tashmë
punonjësit e ambasadës pas ardhjes së zonjës Hajdaraga. Kjo për vetë natyrën e
problematikave emigratore, punonjësi duhet
të jetë një person i zhvilluar tërësisht, të ketë një mendje dhe aftësi
fleksibël për t'u përshtatur me situatën, me të papriturat e halleve të shumta.
Humanizmi i diplomates
Një
diplomat pa qenë human asnjëherë nuk do të ketë sukses. Humanizmi është cilësia
më e lartë e një diplomati. Një diplomat i mirë duhet të ketë një numër
cilësish personale si humanizëm, bukuri,
ndjenjën e humorit, mirësjellje, takt, një njeri punëtor, i shkathët,
psikologjikisht i qëndrueshëm, energjik dhe përgjegjës për çka bën. Këto cilësi
janë pjesë e punës së znj. Hajdraga. Ja
si shkruajnë gazetat ( 5 nëntor 2020) për vizitën e znj. Hajdaraga, që i bëri
në spitalin e Athinës një fëmijë shqiptar: “Ambasadorja e Republikës së
Shqipërisë në Greqi, zonja Luela Hajdaraga, ka vizituar sot në Spitalin e
Përgjithshëm të Fëmijëve në Athinë ”Panagiotis dhe Aglaia Kyriakou”, shtetasin
shqiptar Eriko Mane, i cili, pasi është konstatuar me fraktura të rënda nga
tërmeti i djeshëm, është transportuar me urgjencë në Athinë dhe i është
nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale ku gjendja e tij është stabilizuar. Në
kuadër të kësaj vizite, zonja Hajdaraga mori kontakt me Drejtorin e
Përgjithshëm të Spitaleve të Fëmijëve në Athinë, z. Emanouil Papasava,
Drejtoren e Pavionit, znj. Paraskevi Feizidhu dhe doktorin ortoped, z.
Konstandin Paleologo, të cilët i falënderoi për ndihmën e tyre të shpejtë dhe u
shprehu mbështetjen e Ambasadës të Republikës të Shqipërisë. Ambasadorja
Hajdaraga ka komunikuar me familjarët e të plagosurit dhe u shprehu mbështetjen
e Ambasadës dhe qeverisë shqiptare për të gjitha nevojat e mundshme gjatë
këtyre momenteve të vështira. Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm me
autoritetet greke lidhur me gjendjen shëndetësore të 14- vjeçarit si dhe çdo
informacion të mëtejshëm në lidhje me situatën aktuale dhe mbetet në
dispozicionin e familjes e të plagosurit për çdo ndihmë të mundshme.
Problemet e pasaportave
Kur
ke një hall mosqofsh emigrant. Kjo për shumë arsye. Por një ndër arsyet
kryesore është se emigranti nuk njeh mirë gjuhën e vendit ku është. Nuk njeh
mirë ligjet e shtetit ku jeton dhe punon, nuk njeh procedurat. Shumë herë nuk
ka dokumentacionin e nevojshëm për të sqaruar problemet e shumta për legalizim,
punësim, apo dhe shkollim. Një ndër problemet e emigrantëve shqiptarë në Greqi
për 30- vjet ka qenë pajisja me pasapota. Sekserët ishin nëpër këmbët e
emigrantëve. Kontakti i drejtpëdrejt me personelin kishte humbur. Roli i
sekserëve ishte rritur. Ambasada jonë ishte e mbyllur në interesa që çuan në
atë skandal të paparë e padëgjuar, në shkarkimin e të gjithë personelit të
ambasadës me ambasadoren në krye. Kjo ishte e vërteta. Po e vërteta sot kush
është? Nuk ka më sekser. Nuk ka më sorollatje. Nuk ka më pengesa. Çdo gjë është
e saktësuar me rregullore. Askush nuk mund të bëjë jashtë rregullave dhe detyrave
që ka. Një ndryshim rënjësor. Kjo e vërtetë i ka qetësuar emigrantët.
Lidhja me gazetarët,
shkrimtarët dhe artistët
Në
Greqi ka shumë gazetarë, shrimtarë dhe artistë. Ata me artin e tyre janë
amabsadorët më të mirë. Aktorët, këngëtarët, muzikantët, valltarët dhe personat
e tjerë, këndojnë, kërcejnë, recitojnë, luajnë, interpretojnë, ekzekutojnë,
drejtojnë dhe janë të shumtë në Greqi. Ata janë në shumë institucione të artit
dhe të kulturës greke. Pra vihet re se shoqëria greke i afron, i punëson ndërsa
ambasada shqiptare disa herë ishte treguar mospërfillëse. Sipas koreografit dhe
balerinit me famë botërore Andrea Rama, me ardhjen e znj. Hajdaraga çdo gjë ka
ndryshuar. Ajo sa filloi punë mori një takim të gjerë me të gjithë këtë
kategori emigrantësh. Rruga për bashkëpunim dhe vlerësim është e hapur.
Marrëdhëniet me stafin
Aftësitë
ndërpersonale janë thelbësore për të krijuar një marrëdhënie sa më të mirë dhe
të shëndetshme. Drejtuesit efektivë duhet të dinë të negociojnë mirë me
bashkëpunëtorët dhe të zgjidhin konfliktet duke përdorur metoda formale dhe
joformale. Kur komunikimi çalon për arsye nga më të ndryshmet krijohen
problematika në punën e përditshme. Kjo mbetet prioritet i punës së znj.
Hajdaraga. Prioritet i punës ishte sektori i pasaportave ku tashmë znj Olsa Sade ka përcjellë një performancë
mbresëlënëse. Gjithashtu ajo ka një bashkëpunim shumë shprehës me konsullen
Eliverta Radomi për problemet e artit, kulturës. Por një nga problemet me
emigrantët ka qenë dhe mbetet me të burgosurit. Të drejtat e tyre shpesh herë
janë nëpërkëmbur. Por tashmë puna e Sofokli Vasilit ka bërë që këto probleme të
marrin rrugën e zgjidhjes. Albana Tërnova për problemet ekonomike në çdo hap ka
mbështetjen dhe këshillat e ambasadores. Një frymë bashkëpunimi që rrallë
ngjet. Pra, kjo është Luela Hajdaraga,
ambasadorja e re që po sjell një frymë të re, një mënyrë komunikimi të re në
ambsadën tonë në Athinë. Është ambasadorja që i mungonte emigrantëve shqiptarë
në Greqi prej 30-vjetësh.