| E marte, 23.11.2021, 08:42 PM |
ANTON NIKË BERISHA DHE STUDIMET E TIJ PËR LETËRSINË GOJORE ARBËRESHE
Nga
Prof. Dr. Bardhosh Gaçe
Vlerësimeve
shkrimore për studiuesit e kulturës shpirtërore dhe letërsisë së një populli
gjithmonë diçka u mungon, pasi brenda tyre përherë shpërfaqet një dyshim
shpirtëror dhe intelektual, nëse ai është kapur pas hallkës së nevojshme dhe a
e plotëson detyrimin e tij. Kjo detyrë dhe dyshim intelektual bëhet akoma më i
madh dhe më reflektues, sa herë që gjendesh para universit të kulturës,
konstitucionit shpirtëror dhe letërsisë gojore arbëreshe.
Studiuesin
Anton Nikë Berisha kam dëshirë ta këndvështroj në këtë betejë të gjatë dhe të
pambaruar, pasi veprimtaria krijuese dhe studimore e tij është e pasur dhe
interesante, duke përmbushur një ndërmarrje të vështirë dhe sfiduese në fushën
e letërsisë. Zakonisht njerëzit në jetë kanë pasur arsye të mëdha për të marrë
vendime të rëndësishme. Për një studiues këto vendime janë të vështira, pasi
fusha e studimeve është një udhëtim i gjatë me shumë shtigje dhe të papritura,
ndërsa sedra e tyre prej shkencëtarësh të mirë dhe korrekt bën mrekulli.
Anton
Nikë Berisha iu përkushtua aventurës së kulturës, artit, letërsisë dhe
gjurmimit të universit arbëresh. Ka qenë një zgjedhje e zgjuar, jo vetëm për
larminë që ka kjo kulturë dhe univers shpirtëror, por dhe për kompleksitetin e
saj, e cila e çon studiuesin e çdo lloji në shtigje dhe realitete të
mrekullueshme, që të mbushin me kulturë dhe dije. Të gjithë studiuesit që janë
marrë me kulturën, folklorin, letërsinë, gjuhën, arsimin, traditën arbëreshe
janë kompletuar me një motiv të qartë atdhetar dhe historik shqiptar, janë kompletuar
me një përvojë dhe traditë të shkëlqyer të njerëzve me dije të larta që nga De
Rada dhe gjithë plejada tjetër e njerëzve të ndritur, që punuan për kulturën
arbëreshe dhe vazhdojnë të punojnë dhe sot e kësaj dite.
Realisht
Anton Nikë Berisha ka zgjedhur një rrugë të vështirë, një rrugë të mundimshme
shkencore, në të cilën pleksen kultura e të nxënit të ideve, kërkimi, gjurmimi,
interpretimi, kreativiteti, puna si krijues dhe si filolog, njohja e
konteksteve kulturologjike brenda dhe jashtë obligimit intelektual dhe shumë
çështjesh të tjera. Po ashtu, studiuesi Anton Nikë Berisha për arsyet
fondamentale të njohura nga të gjithë studiuesit shqiptar dhe arbëresh, është
dakordësuar dhe me mendimin tonë, se letërsia arbëreshe në të gjithë format dhe
kontekstet e saj është një obligim i detyrueshëm për studime, interpretime dhe
vlerësime më të thella, komplekse e të vazhdueshme.
Studiuesi
është i njohur për shumë arsye në të gjithë rrethanat dhe nivelet intelektuale
shqiptare në veçanti, por dhe ato ndërkombëtare, me ç’rast ka treguar dhe po
tregon një punë, inteligjencë dhe racionalitet të mençur, për t’i shkuar në
fund një pune të nisur, sado e vështirë të jetë ajo, por ç’është më e
rëndësishme, ai shquhet për një shqisë të hollë; intelektin prej shkencëtari të
vërtetë dhe produktiv.
Në
fondamentet më të njohura të popujve, pavarësisht arritjeve në nivelet e dijes
dhe krijimit të mendësive apo praktikave të reja, të njohura si moderne,
kultura dhe trashëgimia e hershme e letërsisë gojore të këtyre popujve ka
mbetur e artë. Në jo pak raste, në jo pak herë, ky fondament ka qenë kaq i
rëndësishëm për fate konkrete të këtyre popujve, pasi shoqëria njerëzore ka
prodhuar rregulla korrekte në raportet mes të drejtës autoktone dhe të drejtës
historike.
Sa
herë që flitet për kulturën popullore, me të drejtë ne shqiptarët nuk mund t’i
largohemi kurrsesi përplasjeve e debateve të njohura në rrethet akademike
ballkanase, për çështje të tilla, që kanë marrë zgjidhje dhe do të vijojnë të
marrin nga dëshmitë e kulturës sonë të lashtë.
Në
rrugëtimin kërkimor dhe shkencor të Anton Nikë Berishës, krahas hulumtimeve të
tjera, të bien në sy edhe studimet e tij komplekse: “Antologji e poezisë gojore
arbëreshe” (1998), “Mbi letërsinë e arbëreshëve të Italisë” (2000), “Gjymtime
dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” (2001), si dhe
“Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” (2008) etj. Studiuesi,
gati në të gjithë veprimtarinë e tij studimore dhe shkencore mbi kulturën
arbëreshe në veçanti, krahas profilitetit skrupuloz, kërkimit dhe natyrës
krahasuese të çështjeve që ka shtruar, ai duket se ka mbushur gjithmonë diçka
në vendin bosh që ka pasur një çështje e një tjetër, d.m.th ai ka arritur të
vërë gurë të qëndrueshëm në murin e mundimshëm të dijes sonë.
Studimin
e titulluar “Mbi poezinë gojore të arbëreshëve të Italisë”, studiuesi e fillon
me një krye-temë të mrekullueshme, që duket se e ka udhëhequr dhe vijon ta
mbajë rreth vetes në mënyrë të vazhdueshme. Autori shkruan: “Në procesin e
formimit, të gjallimit e të zhvillimit të popullit shqiptar letërsia gojore me
llojet e saj, luajtën një rol të rëndësishëm dhe të vijueshëm që nga kohët e
lashta. Krijuesit gojorë nëpërmjet këngëve dhe llojeve të ndryshme të prozës
(përrallës, kallëzimit, anekdotës) ose urimeve, mallkimeve, fjalëve të urta
etj., shprehën botën e tyre të brendshme dhe shfaqën ndjenjat dhe mendimet e
tyre për jetën, për veprimin dhe për fatin e njeriut, për natyrën dhe për
dukuri të saj”. (Anton Nikë Berisha, “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve
të Italisë”, “Luigi Pellegrini Editore”, Collana di Leteratura Albanese, Itali
2008, fq.25)
Në
thellim të veprimtarisë së vet kërkimore dhe shkencore, Anton Nikë Berisha, me
botimin e përmbledhjes “Antologji e poezisë gojore arbëreshe”, bëri të mundur të
përfshijë në të një visar të begatë të trashëgimisë gojore arbëreshe, duke e
qëmtuar atë me skrupolozitet në 24 burime të ndryshme, nëpër botime të veçanta,
nëpër revista dhe dorëshkrime, siç është “Dorëshkrimi i Kientit” 1736-1750 etj.
Krijimtaria
popullore e përfshirë në këtë botim, e cila ka bërë një jetë folklorike për
gati tre shekujsh, nën transkriptimin e Prof. Françesko Altimarit, na përcjell
vlera të rralla për receptivin e mesazheve të tyre, duke dëshmuar edhe një
nivel të lartë artistik nëpërmjet formave të lashta, riteve, miteve,
legjendare, nëpër të cilat ngjizen edhe ndryshimet e tjetërsimit midis botës
njerëzore, mitike dhe legjendare, një pjesë e të cilave kanë përhumbur nëpër
shekuj.
Si
në parathënie edhe në studimin e gjatë të A. N. Berishës “Mbi poezinë gojore të
arbëreshëve të Italisë”, studiuesi na bën me dije, se dy janë arsyet që
ndërmori botimin e kësaj Antologjie, nevoja që poezia gojore arbëreshe, me
vlerat dhe cilësitë e shumta poetike dhe kuptimore që bart, të bëhet pjesë e
gjallimit letrar e artistik të botës arbëreshe e shqiptare, por edhe e asaj
italiane. Nga ana tjetër, ai thekson se pa njohjen e mirëfilltë të poezisë
gojore arbëreshe, studimet dhe interpretimet e letërsisë së kultivuar arbëreshe
do të ishin të mangëta.
Në
të 108 poezitë gojore arbëreshe përfshihen ninulla, lirika të dashurisë, lirika
familjare, vajtime, balada, këngë legjendare, mitike dhe ato të epikës
historike, si: “Mëma e ka nj’bir si dielli”, “Vashëz t’bukur çë m’ka mëma”,
“Flëj, flëj, zambra ime”, “Luan një vashë me një moll”, “Hënëz e diell çë kur
m’u leve”, “Ishin tri vasha të mira”, “Vinej një trim zallit e lumit”, “Trimi e
zu e më puthi”, “Hapu mal e bëju udhë”, “Gjithë e veshur ndë të zeza”, “Kënka e
Pal Golemit”, “Se ti zoti Pjetro Shin”, “Vu spërvjerët Skënderbeku”, “Nik Peta
i lavosur”, “Hanij bukë Skënderbeku”, “Kostandini i vogëlith”, “Kostandini e
Garentina”, “Olimbia e Vllastari”, “Fërshëlluan di zogë” etj., në të cilat
mbizotërojnë rrëfimi lirik dhe epik.
Shpesh,
brenda strukturës së teksteve poetike shpërfaqen tablo të gjera e të thella,
duke nxjerrë në dritë mesazhe, ndjenja e përjetime të fuqishme mbi jetën dhe
fatin e arbëreshëve, gëzimet dhe brengat e tyre, botën mitologjike dhe
legjendare, ndodhitë historike e dukuritë natyrore, të cilat këndohen e
vallëzohen ende në vatrat arbëreshe.
Lehtësisht,
duke iu referuar sintagmave “procesin e formimit”, “të gjallimit”, “të
zhvillimit të popullit shqiptar”, kupton marrëdhënien dhe referencën e gjerë që
studiuesi ka me punën dhe detyrën e tij, si dhe sa ai e vlerëson kulturën
popullore dhe detyrimi i tij si studiues që buron nga të marrit me të. Madje
konstatimi i studiuesit shkon deri në thelbin racional dhe përgjithësues të
kulturës popullore në të gjitha format e shfaqjes, pasi gjithë kultura e mëvonshme
historike dhe konceptet moderne të sotme janë vendosur mbi këtë bazament të
fortë të hershëm popullor.
Një
nga çështjet e rëndësishme në interpretimin e poezisë gojore shqiptare,
rrjedhimisht dhe asaj arbëreshe, është ajo që ka të bëjë me vjetërsinë e saj.
Studimet e Anton Nikë Berishës ri konfirmojnë shënimet e Strabonit (viti 54
para Krishtit) apo historiani venecian Antonio Sabeliku (viti 1474), Marin
Barleti, Buzuku, Budi dhe shumë autorë të tjerë të besueshëm, të cilët
konfirmojnë se poezia gojore shqiptare është e hershme dhe përbën një lloj
tradite të njohur, për të cilën sot nuk ka asnjë dyshim. Ky është një fakt i
rëndësishëm jo vetëm për studiuesin në fjalë, por për vetë poezinë gojore
popullore shqiptare dhe atë arbëreshe, e cila konsiderohet një lloj arkivi për
kulturën popullore shqiptare.
I
rëndësishëm është dhe një fakt tjetër, që studiuesi A. N. Berisha e evidenton
si një arsye të rëndësishme në interpretimin dhe idetë që ai ka për poezinë
gojore arbëreshe, që lidhet dhe me rapsodinë e parë arbëreshe, të njohur deri
më tash, siç është rapsodia arbëreshe e Pal Golemit, e shënuar kryesisht në
vitin 1693, një periudhë kohore kur ishin të njohura veprimtaria shkrimore e
Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit, Marin Barletit dhe autorë të tjerë që na
bëjnë me dije edhe për poezinë gojore popullore. Ky është një fakt i
rëndësishëm studimor, pasi rapsodia e parë është evidentuar kryesisht ndër
arbëreshët e Italisë.
Studiuesi
Anton Nikë Berisha, pavarësisht objektit specifik të studimit të tij, kryesisht
atë të poezisë gojore arbëreshe, ka gjetur vendin dhe rastin të prezantojë
idetë, perceptimet dhe argumentet e domosdoshme për të vënë në vlerë dhe në
konsideratë krijimtarinë popullore në përgjithësi. Ai argumenton qartë
rëndësinë e kultivimit dhe të kthim vëmendjes së studimit të vazhdueshëm të
poezisë popullore, pasi dy arsye e justifikojnë këtë çështje, pasi, ajo (poezia
popullore arbëreshe) trajtoi dhe shqiptoi botën dhe shpirtin shqiptar në
harmoni shpirtërore dhe virtytet, ngjarjet historike dhe ato jetësore, por dhe
se në shekuj shërbeu si një mjet dhe formë e shkëlqyer komunikimi, duke
përgatitur terrenin e shëndetshëm të letërsisë artistike të shkruar. Në këtë
kuptim dhe kompleks racional, poezia popullore duket se ka një receptivitet të
madh dhe nuk mund të mbetet në një stere të thatë.
Historia
e poezisë gojore arbëreshe, për shkaqet e njohura historike është një mundësi e
mirë dhe një motiv më shumë për një studiues të kësaj krijimtarie,e cila
pavarësisht pavarësisë tërësore që ajo ka, ka arritur t’i ruajë mrekullisht
ekuilibrat e veta, për të përcjellë mesazhet dhe vlerat e duhura dhe në ditët e
sotme.
Çështjet
e pavarësisë tërësore që poezia gojore shqiptare, rrjedhimisht ajo arbëreshe,
mbart në elementët e stadit të vjetër tematik, format e saja të lashta, por dhe
shtresat e shumta kuptimore, janë të tilla për shkakun e nevojës apo dëshirës
për një komunikim të gjerë dhe të pa kontrolluar në rregullat zhanrore.
Të
gjendurit e ndjenjave, mendimeve, meditimeve, dhimbjeve, urrejtjeve dhe dashurive,
fateve dhe fatkeqësive, dramacitetit dhe tragjedive, kuptohet qartë se në këtë
regjistër të besueshëm dhe të organizuar lirshëm dhe thjeshtësisht, janë
elementet racionale të “kronikës’ arbëreshe në aventurën e “atdheut të ri”, që
ata ishin të detyruar ta krijonin dhe ta donin në kushtet e reja historike.
Jehona e të kaluarës, legjendat mitike, një lloj romantizmi dhe mjediset
baritore, karakteret prej luftëtarësh të personazheve të këngëve dhe shumë
“aksesorë” të tjerë, që duken prezentë në poezinë gojore arbëreshe, shpjegojnë
mjedisin dhe sfondin historik në të cilat u evokuan apo u krijuan këto poezi
gojore.
Krahas
vlerësimit të zakonshëm të formës kryesore të lirizmit dhe epizmit, që
përgjithësisht karakterizohet që nga praktikat më të hershme të poezisë gojore
popullore shqiptare- arbëreshe, studiuesi qëmton hollë se çfarë e tematizon
zakonisht rrëfimin epik, si një strukturë e lashtë e këtyre krijimeve, ku duken
elementë natyrorë, personifikime, hiperbolizime dhe mitizimi, si një lidhje e
fortë tradicionalisht e njohur tek eposi i kreshnikëve dhe zgjatimet e
mëvonshme të fillimit të epikës historike, e cila ka të bëjë me personazhe që
sapo kanë lënë kohën e legjendave. Kënga e njohur “Konstandini dhe Garentina”
dhe “Konstandini i Vogëlith”, të cilat duket se mjedisin e hershëm arbëresh e
kanë si tokën e tyre, janë modeli i rrëfimit epik të poezisë gojore arbëreshe
dhe asaj shqiptare në përgjithësi.
Studiuesi,
në hulumtimin e tij të thellë shpjegon të gjithë elementët “anatomik” të këtyre
krijimeve, si realitet dhe fiksion, elementët kohorë, distanca mes krijimit dhe
“interpretimit” anonimizmi, mos evidentimi i kohës, por përdorimi i simbolikës
dhe metonimisë, si rasti “vitin e rëndë” për kohën (Konstandini dhe Garentina),
po ashtu dhe koncepti i “besa e madhe” dhe shumë çështje të tjera, i vijnë në
ndihmë korrektimit estetik mbi këtë gjini të debatueshme dhe të nevojshme për
studime të tilla.
Pavarësisht
metonimizmit, përmes të cilit deduktohen elementët kohorë, në asnjë rast në
poezinë gojore arbëreshe nuk është përjashtuar elementi tematik historik.
Historia është gjithmonë aty, pavarësisht “kamuflazhit” të krijimit, i cili
parëson atë që kërkon të thotë krijimi. Kështu “viti i rëndë” i “Konstandini
dhe Garentina”, pavarësisht datimit, e ka brenda vetes elementin historik, i
cili në këtë rast nuk lidhet apo nuk evidentohet përmes “personazhit”, por
përmes ngjarjes tragjike, e cila i ka brenda zhvillimit të saj këto elementë.
Studiuesi Anton Nikë Berisha bën kujdes të veçantë prej njohësi të mirë në këtë
çështje, pasi asnjë lloj krijimi nuk mund t’i heqësh elementin historik,
pavarësisht interpretimit ekstra- estetik.
Ndërsa
rrëfimi lirik i poezisë gojore arbëreshe, ka një marrëdhënie dhe raport të
lidhur fort me botën shpirtërore, duke fiksuar kështu dhe një lloj fati
historik të arbëreshëve. Në një mënyrë apo tjetër këto elemente nuk mund t’i
shkëputen asnjë lloj krijimi, veçmas atij popullor. Pastaj elementët artistik,
figuracioni, metaforizmi, krahasimet, antitezat, personifikimet me anë të
cilave kuptohet një nëntekst i pasur, janë çështje të përvetësisë dhe
specifikës së këtyre krijimeve.
Në
vijimin e punimit, për të cilin që në krye të herës e kemi quajtur një
kontribut të veçantë në llojin e tij, studiuesi Berisha përpiqet të elementojë
dhe të shpjegojë si cilësi, praktikë apo tipare të llojit, “kampionët” e
elementëve, simbolikave dhe praktikën e poezisë gojore arbëreshe, që
përgjithësisht përmbushin një detyrim për studiuesin. Në të vërtetë elementë të
tillë janë si “aksesorët” e një shtëpie në të cilën banon një familje e
rregullt dhe në disa breza e shtrirë. Kështu kënga e karakterit epik ka
“aksesorët” e vet që përdorë rëndom, por që duhet të përdoren racionalisht,
ashtu siç ka elementët e vet rrëfimi lirik.
Ndoshta
një çështje e tillë, përveç evidentimit dhe interpretimit që autori bën për
poezinë gojore arbëreshe, kërkon një kontribut shkrimor dhe studimor të gjerë,
pasi në të duhet të zënë vend çështjet etnopsikologjike, psikologjike,
historike, sociale, evoluimi individual dhe shoqëror dhe shumë elementë të
tjerë, që në kohët kur janë krijuar këto krijime nuk kemi pasur këtë
terminologji interpretuese dhe vlerësuese. Në rastin e poezisë gojore arbëreshe
kjo është e rëndësishme. Studiuesi qëmton hollë dhe ka një qasje të besueshme,
kur shkruan kryesisht për një element racional të rrëfimit lirik, siç është
“puthja” në këtë rast: “Kështu, në krijimin “Trimi e zu e më e puthi”,
këngëtari krijon një situatë metaforike të rrallë, një tablo unike e
kuptimplote, si pasojë e gjendjes së vajzës dhe puthjes që trimi i jep asaj.
Puthja ka një fuqi magjike dhe bëhet një përbërës qenësor i objektit artistik.
Për ta shprehur fuqinë magjike të saj (puthjes) krijuesi gojor përdor një
sistem të tërë metaforash...” (po aty, fq.31)
Konstatimi
nuk është statistikor, por një element “morfologjik- anatomik” i krijimit. Më
pas autori merret me elementë të tillë si: “shikimi”, intriga çudibërëse e
“dialogut” mes vajzës dhe kuçedrës, ku vajza i thotë asaj se është e bija e
Diellit dhe Hënës, për ta sugjestionuar, se ajo banon atje ku jetojnë dhe
rrufetë për ta goditur atë, “dilemat”, të cilat kanë luajtur një rol
jashtëzakonisht të madh në këto krijime të hershme dhe shumë elementë të tjerë
të këtij sistemi shumë të pasur artistik.
Duke
marrë shkas nga “Dorëshkrimi i Kieutit”, si një dëshmi autentike dhe e
rëndësishme e traditës letrare të poezisë gojore, por dhe të shkruar, pasi
letërsia e shkruar është mbështetur që në fillimin e vet, kryesisht mbi
krijimtarinë popullore, autori bën prezent shqetësimin studimor mbi disa
çështje të tjera të evidentuara nëpër kohë, madje dhe në ditët e sotme, për
nevojën dhe trajtimin që i duhet bërë kësaj krijimtarie. Autori sa ç’është
bashkëkohor, po kaq është dhe korrekt në kritikën që ai ka mëton për shumë
çështje që burojnë nga një nevojë ri shqyrtuese të kësaj teme. Ai ka kujtesë
për rrafshin e studimeve të trashëgimisë popullore, e cila zë kohët hershme që
nga krijimet e para. Mosbotimi i veprave të nevojshme të kulturës popullore,
mospërkthimi dhe botimi i një sërë veprash të autorëve të huaj që kanë folur
dhe shkruar për poezinë popullore dhe krijimtarinë e saj në përgjithësi, jo
vetëm që nuk krijojnë mundësinë që ne të kemi një tablo të plotë, por mendimit
artistik dhe studimeve tona, iu mungon një referencë e rëndësishme.
Me
shkas “Dorëshkrimi i Kieutit”, i Nikollë Filjes, që daton 250 vjet më parë, në
të cilin që nga gjurmuesi i parë i tij e deri në ditët tona, duket se lexuesit
dhe studiuesit shqiptar i kanë humbur vite dhe fakte kulturologjike të rëndësishme,
autori dikton një plagë jo të vogël për çështje të tilla. Këtë, Berisha, siç
duket e ka ndjerë në studimin e tij, si një arsye serioze dhe të domosdoshme
për ta bërë pjesë të interpretimit shkencor dhe dëshmues. Dorëshkrimi është i
rëndësishëm për një sërë referencash, pasi ai konsiderohet i pasur dhe për
krijimtarinë popullore arbëreshe, sepse brenda tij ka rreth 18 këngë gojore
arbëreshe, me një nivel të lartë artistik të tyre. Dorëshkrimi gjithashtu ka
brenda tij dhe tri këngë në dialektin gegë, dhe kjo merr rëndësi të madhe për
studiuesin e poezisë gojore arbëreshe dhe shqiptare në përgjithësi.
Këtë
shqetësim korrekt, përmes studimeve skrupuloze e kanë mbështetur dhe studiues
të tjerë, veçmas studiuesit të njohur sot të çështjeve kulturologjike arbëreshe
si Matteo Mandala, në studimin e të cilit ka shumë interpretime referenciale në
të cilat u shkrua “Dorëshkrimi” i njohur e të tjerë.
Kultura
arbëreshe dhe poezia gojore arbëreshe prodhoi një plejadë të madhe e të
vazhdueshme studiuesish shqiptarë, që për autorin kanë një rëndësi të veçantë,
pasi studimet për poezinë gojore arbëreshe nuk janë në mjedis bosh, duke na
dëshmuar një traditë të hershme, e cila duhet të vazhdojë në kushtet e reja
bashkëkohore. Mandala argumenton, se Filja, autori i “Dorëshkrimit” ka ndikime
të prekshme me autorë të tjerë, kryesisht të kulturës gege, me Budin, Bogdanin,
duke na njoftuar një lloj lëvizshmërie kulturologjike nga autori në autor dhe
nga koha në kohë, kur kemi parasysh se Bogdani nga “Dorëshkrimi...” ka goxha
vite hapësirë dhe largësi. “Dorëshkrimi...”, si një dokument i rëndësishëm, me
një intertekstualitet kohor dhe një hapësirë të konsiderueshme është i
rëndësishëm sipas Anton Nikë Berishës, pasi “Me botimin e plotë të
“Dorëshkrimit...” vetvetiu lindin një varg çështje të tjera të rëndësishme dhe
komplekse, që heqin peshë për njohjen jo vetëm të traditës kulturore arbëreshe,
të letërsisë (gojore e të shkruar), të gjuhës, të përkthimit nga italishtja në
arbërisht në shek. XVIII, po dhe shumë më gjerë. Kam plot arsye të besoj, se
studiuesit e fushave të ndryshme do të bëjnë objekt studimi këtë Dorëshkrim me
vlerë dhe do të hedhin dritë rreth disa çështjeve tejet të vështira, por të
qenësishme.” (po aty, f. 42).
Studimi
i Anton Nikë Berishës është konkret dhe ka një vizion të gjerë, pasi ai është i
klasifikuar. Modeli i studimit të imët, veçmas e “Rapsodisë së Pal Golemit”, jo
vetëm se përmbush treguesit dhe referencën e një studimi model mbi poezinë
gojore arbëreshe, por ai ka një praktikë të veçantë, ku ndërthuren mjeshtërisht
dhe qartësisht çështjet teorike dhe ato praktike, me një thjeshtësi të duhur,
duke iu përmbajtur aforizmit, se e thjeshta është tregues i njeriut të ditur.
Sistemi preferencial integrues i kohës, ngjarjes, personazhit, epizmit dhe lirizmit,
përdorimi i sistemit rrëfimtar dhe vargëzues tradicional, risitë dhe veçoritë e
tjera, nuk kanë krijuar asnjë vështirësi për studiuesin që ai të integrojë në
studimin e tij idetë dhe praktikat bashkëkohore të studimit gjithashtu.
Çështjet
si “Traditë letrare gojore cilësore dhe e pasur”, “Veçantia e shtjellimit të
strukturës tekstore”, “Qenësia e paranëntekstit”, “Dhembja dhe magjikja e
dashurisë së nënës”, “Arti dhe amshimi artistik” dhe çështje të tjera përbëjnë
një praktikë të mirë për studimin e poezisë gojore arbëreshe.
Në
të gjithë këtë punim të veçantë të studiuesit Anton Nikë Berisha, besoj se i
shkon për shtat një lloj metafore literale, sepse ai di mjaft mirë ta “lidhë
kohën në cepat e saj”. Duket se është një metaforë poetike e bukur, të cilën
dhe unë nuk mbaj mend ku e kam lexuar, por besoj se i shkon analizës dhe
mendimeve mbi studimin e autorit, mbi një lloj krijimtarie popullore, e cila më
shumë se çdo praktikë dhe fenomen krijues popullor zë brenda vetes një hapësirë
jashtëzakonisht të madhe kohore. Për fatin tonë, kjo krijimtari zë brenda vetes
mbi pesë shekuj, por si zgjatim i një hapësire kohore pa kohë.
Në
mënyrën më korrekte autori nuk harron përvojën dhe praktikën studimore dhe
shkrimore arbëreshe dhe shqiptare për këtë pasuri të jashtëzakonshme nën titujt
shkrimor si: “Mbi rapsodinë e De Radës botuar më 1866”, i cili krijoi dhe
“doktrinën” e krijimit të traditës së mbledhjes dhe studimit të poezisë gojore
arbëreshe, në të cilin Berisha ka bërë një “grim” të detajuar të evidentimit dhe
çështjet që dalin akoma dhe sot, “Mbi dorëshkrimin e Rapsodive të Francesko A.
Santorit”, një personalitet i shquar i kulturës arbëreshe dhe krijimtarisë
gojore.
Natyrisht,
në këtë qasje përshkruese mbi veprimtarinë kërkimore e shkencore të studiuesit
Anton Nikë Berisha, nuk mund të thuhen shumë gjëra, veçse duhet të vëmë në
dukje, se ky punëtor i madh i letrave shqipe, me përkushtimin e tij të rrallë
shkencor, na ka sjellë vlera të reja edhe për peshën që poezia popullore
shqiptare, arbëreshe dhe gjithë pasuria tjetër kulturologjike shqiptare. Kënga
është një krijim i shkurtër, i koncentruar, me një denduri jo të zakontë
informimi shpirtëror, por dhe kohor, në të cilën është strehuar artistikisht
nën petkun e figurës artistike një univers i paçmuar psikologjik, etnologjik,
etnopsikologjik, historik dhe njohës gjithashtu.
Studimet
e tij mbi të gjitha janë një model dhe qasje, një lloj mësimi për mundësitë dhe
arsyen se si mund dhe duhet të studiohet poezia gojore arbëreshe dhe shqiptare
në kushtet e reja, pa iu shmangur tradicionalizmit, përkundrazi, duke u
mbështetur tek ajo.