Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Rrënimi i kishës katolike në fshatin Keqekollë

| E hene, 22.11.2021, 08:24 PM |


Rrënimi i kishës katolike në fshatin Keqekollë

Nga Dr. Qazim Namani

Në qendër të fshatit Keqekollë, përkatësisht në lokalitetin e quajtur, "Konaku i Jonuzit", në anën e djathtë të rrugës dhe përroit,  në lagjen e Qelajve, ka gjurmë të një vendbanimi mesjetar. Gjurmë të vendbanimit mesjetar, janë hasur edhe në anën e majtë, në përroin tjetër që e ndanë lagjen e Qelajve me lagjen e Kurtajve. Është me rëndësi të dihet, se te "Konaku i Jonuzit", në një bregore të vogël (Shih foton 1), deri pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, i kishte mbijetuar kohës, një kishë katolike shqiptare. Bazuar nga dëshmitë e banorëve të kësaj ane, e sidomos një banor i kësaj lagjeje plaku Hetemi, rrëfen për gjurmët arkeologjike në këtë lokalitet, dhe objektin e kishës. Sipas rrëfimeve të tij, në fillim të viteve 50, të shekullit XX, ishte rreth 18 vjeçar, kur pushteti i asaj kohe i kishte mobilizuar banorët e fshatrave të kësaj treve, për ta ndërtuar shtëpinë e kulturës (Shih foton 2), në qendrën e fshatit Keqekollë.

Mbaj mend rrëfen Hetimi, kur pushteti urdhëroi, që ta prishim kishën e lagjes tonë. Kisha deri në ato vite i kishte muret, por i mungonte çatia. Pushteti urdhëroi që gurët e kishës, të barten për ti ndërtuar muret e shtëpisë së kulturës. Unë isha njëri nga punëtorët, që isha caktuar për ta rrënuar kishën. Ne filluam rrënimin e kishës, dhe gurët i bartnim me qerre, deri te vendi ku do të ndërtohej shtëpia e kulturës. Mbaj mend se te pragu i kishës, ne hasëm në një pllakë të mermerit, me ngjyrë të kuqërremtë. Në këtë pllakë ishte i skalitur një kryq,  dhe  në pllakë kishte qenë një shkrim me shkronja latine. Por sa e dërguam këtë pllakë, te vendi ku ndërtohej objekti i ri, dikush nga punëtoret, pllakën e ndau nga gurët tjerë, dhe e mbështeti për murin e objektit të policisë. Për fatin e këtij mbishkrimi, ne banorët e kësaj ane nuk kemi asnjë informatë tjetër, rrëfen plaku Hetem.

Këtë rrëfim e kishin treguar edhe disa banor tjerë që në ato vite kishin marrë pjesë në  ndërtimin e shtëpisë së kulturës në fshatin Keqekollë.

Kështu pas pushtimit nga Serbia, shkatërrohej çdo gjurmë e shqiptarëve autokton  në këto troje.