| E hene, 15.11.2021, 07:29 PM |
Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa LII.)
Më datën 25 shtator 1992, ora
12.00, kam dhanë këte intervistë në Radio “Shkodra”, me rastin e dekorimit të
At Pjetër Meshkallës S.J., prej Presidentit të Republikës
“Me Medaljën e Artë PISHTAR
I DEMOKRACISË”.
Kjo ishte
medalja e parë që i jepej një Kleriku Katolik Shqiptar prej një forumi të naltë
të Shtetit Shqiptar, që nga themelimi i Tij.
Drejtor’i Radio “Shkodrës”
atëherë ishte z. Anton Çefa, ndërsa intervistuesi im ishte z. Albert Kurti.
Pyetje: Asht ba një peticion
nga një grup qytetarësh për dekorimin e të Nderuemit Padër Pjetër Meshkalla.
Mëqë në këte grup keni ba pjesë edhe ju, çfarë mund të na thoni ?
Përgjegje: Peticioni që kemi ba
në bashpunim me zotnijtë: Anton Benussi, Kolec Çefa, Refik Bushati dhe Sandër
Kaçinari nga Tirana, gjeti përkrahjën e të gjithë nënshkruesve, si në qytetin e
Shkodrës, ashtu edhe në Kryeqytet. Na ndihmuen në mënyrë të veçantë: Shoqata e
të burgosunve politikë të Shkodrës, si edhe Kryetari i Bashkisë së
qytetit tonë, z. Filip Guraziu. Pranimi për shqyrtim dhe aprovimi i kërkesës
sonë nga ana e Presidentit Sali Berisha, tregon se me të vërtetë ka ardhë koha
e vendosjës në piedestalin e merituem të demokracisë, së figurës së Pader
Pjetër Mëshkallës, Këtij “Biri të rrebtë, të një Nanës së
ashpër”, që gjithë jetën punoi për Lirinë, Unitetin e Përparimin e Atdheut.
Pyetje: Ku konsiston vepra
atdhetare e Këtij Patrioti?
Përgjegje: Pader Pjetër Mëshkalla
asht ndër figurat ma të mëdha të Atdheut dhe Klerit katolik Shqiptar, të
salvuem nga diktatura komuniste. Për qytetin e Shkodrës asht nder i madh që
nxori një Burrë si Ky. Ai ishte atdhetar i flaktë, se primare për Té ishte
kenja Shqiptar!
Që në moshë të re, rreth vitëve
1925-30, prej vjershave të para e deri tek artikujt e Tij të randësishëm, në të
cilët dallohët “Udhë e gabueme”, Ai lufton fanatizmin. Ai thotë: “Vëllazën
me të gjithë, këso dore kemi me provue me fakte, se asht e mundun bashkjetesa
ma paqësore dhe ma e frytëshme me besimet tjera.”
Ai luftoi me gjithë shpirt
ndasitë fetare në gjithë Shqipninë. Libri që do të botoj për këte figurë të
ndritun ka me i vlejtë rinisë me njohë edhe ma mirë figurën e Tij.
Pyetje: Meqë materiali vlenë
per rininë, a ka lidhje kjo me ceremoninë që do të zhvillohët në Universitetin
tonë “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës?
Përgjegje: Sigurisht që po! 25
vjet ma parë, në “Revolucionin Kultural”, dijetarët dhe klerikët mendjendritun
thirreshin po në këtë auditor dhe aty u viheshin hekurat. Pikërisht aty, me 29
prill 1967 u arrestue edhe Pader Mëshkalla, Ai Burrë që edhe i pranguem gjujzoi
para Tij bishat komuniste, bashkë me ata pseudointelektualë shërbëtorë besnikë
të marksizëm-leninizmit, shkatërrues të artit, kulturës dhe arsimit tonë
kombëtar.
Për të gjithë qytetarët e
Shkodrës dhe mbarë Popullin Shqiptar, jeta dhe vepra e Pader Mëshkallës mbetet
simbol i atdhetarizmit, besës, burrnisë, fesë, trimnisë, bujarisë, fisnikisë
Shqiptare dhe, Nderës ndaj Flamurit tonë Kombëtar! Ju falëmnderës!
•Shenim FR: Botohet pa asnjë
ndryshim nga intervista.
Melbourne, 12 Nandor 2021.