| E hene, 15.11.2021, 06:35 PM |
Malësia pa trashëgimi nuk ka ardhmëri
Nga
Gjekë Gjonaj
Malësia
është e pasur për nga trashëgimia kulturore e natyrore dhe ka se çka t’u ofrojë
vizitorëve , por janë institucionet që
duhet të punojnë për ruajtjen dhe kultivimin e saj. Institucionet
vendore e qendrore që merren
me studimin e këtij thesari të Malësisë , shumë pak ose aspak flasin
për monumentet e trashëgimisë kulturore e natyrore të Malësisë , edhe pse ato janë të pranishme gati në çdo pjesë të sajë. Duhet të jemi të sinqertë e ta
pranojmë se trajtimi i trashëgimisë
kulturore dhe natyrore dhe mbrojtja e
saj në këtë trevë ka mbetur shumë prapa sepse ka pasur shumë prioritete
tjera.
Në
Malësi trashëgimia kulturore dhe natyrore ka mbetur pothuaj e njëjtë, që nga periudhat e
hershme e deri në periudhën e kohës së
re. Kjo trashëgimi kulturore dhe
natyrore e secilës prej këtyre
periudhave kohore nuk është hulumtuar, identifikuar, regjistruar,
studiuar, ruajtur dhe mbrojtur sa duhet. Kështu, sot kemi shumë lokalitete, objekte, vlera e
pasuri të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të dëmtuara, të shkatërruara, të prishura, të paruajtura, të papërkujdesura, të pambrojtura nga të
dy nivelet shtetërore. Ato me vite janë lënë
pas dore, në mëshirën e natyrës , por edhe prishjes nga dora e njeriut.
Gjendja dhe pozita e tyre është mjaft e vështirë me tendencë të shkatërrimit
të plotë. E gjithë kjo mendojmë se ka ndodhur për shkak të mungesës
së vullnetit politik, mungesës së
fondeve në fushën e kulturës, mungesës
së projekteve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore , e cila është dëshmia më e argumentuar se malësorët janë popullsi autoktone (
vendase) në këtë krahinë shqiptare në Mal të Zi. Vështirë mund të kuptohet, e aq më pak të
arsyetohet neglizhenca e institucioneve përkatëse në trajtimin e së kaluarës historike të
pasurive kulturore dhe natyrore, që janë
të shumta në këtë trevë.
Një
intervenim i shpejtë , në aspektin e
ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Malësi,
është më se i domosdoshëm, nëse duam
ta njohim dhe ta ruajmë këtë
thesar të malësorëve. Siç mësuam
jozyrtarisht Sekretariati për Kulturë i Komunës së Tuzit është duke u marrë me hartimin e Hartës
arkeologjike e cila do të mundësojë
evidentimin e kësaj trashëgimie
kulturore. Mirëpo, nuk mjafton vetëm
identifikimi i saj , por duhet me i
mbrojtur dhe kultivuar atë, mbase trashëgimia dëshmon vlerat
dhe traditat të cilat pasqyrojnë dhe i japin formë kulturës dhe identitetit kombëtar. Komuna e
Tuzit , përmes njerëzve përgjegjës , do
të ishte mirë që,
brenda kompetencave ligjore,
të ushtrojë ndikim
pozitiv në institucionet
qendrore dhe të ndajë edhe mjete nga buxheti i saj për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe zbardhjen e kësaj trashëgimie, sidomos
tash kur e ka nëpër duar hartimin dhe aprovimin e Buxhetit për vitin
2022.
Ekspertët
shqiptarë të kësaj fushë janë të një
mendimi se deri më sot janë bërë shumë pak përpjekje për ta lidhur trashëgiminë kulturore e natyrore me zhvillimin ekonomik
në Malësi. Sipas tyre në vend që
trashëgimia kulturore dhe natyrore të përdoret si mundësi
për të krijuar vende të qëndrueshme të punës, si : shoferë autobusi,
ciceronë, arkitektë, arkeologë, punonjës
në hotelieri e në biznese të vogla , më
shpesh trajtohet si “ kosto” për kuletën
publike dhe barrë fiskale për disa nga qytetarët e Malit të Zi. Malësorët nuk duhet lejuar që këto vlera
të tyre të papërsëritshme
kulturore dhe natyrore të
degradohen dhe të shkatërrohen, por të mbrohen dhe vlerësohen. Sepse një popull pa trashëgimi vështirë se mund të
gjejë vend në mes të popujve të civilizuar të botës.