| E hene, 15.11.2021, 08:56 PM |
Blerim Latifi:
Çfarë ndodhi?
Vetëvendosje
i humbi zgjedhjet nga pafuqia për t'u kthyer në realitet pas ekstazës së 14
shkurtit. U futën në fushatën e zgjedhjeve lokale me idenë se gjithçka kishte
ndryshuar radikalisht dhe përgjithmonë në atë datë dhe mjaftonte të ndiqnin
formulën e atij ndryshimi për të korrur sërish një fitore spektakolare. Dhe kjo
formulë mbante emrin e Albinit. Nuk e konsideronin fare të rëndësishme çështjen
e kandidatëve për kryetarë të komunave. Besonin verbërisht se do të mjaftonte
për ta që Albini do të qëndronte pas tyre dhe fitorja do të vinte.Doli që ky
kalkulim ishte krejtësisht i gabuar.
Partitë
opozitare, ndërkaq, ndoqën strategji krejt të ndryshme. Të nisur nga koncepti
se këto zgjedhje ishin garë midis kandidatëve lokalë, e jo betejë e kauzave
nacionale, ato u orientuan në emra me background të respektuar në komunitetet
lokale dhe në strukturat partiake. Dhe kjo rezultoi krejtësisht e suksesshme.
Këto
zgjedhje na e treguan qartë se demokracia lokale e Kosovës ndjek një logjikë
tjetër nga ajo e nivelit qendror.
Dhe
Vetëvendosje i humbi këto zgjedhje ngase nuk arriti me kohë ta perceptonte dhe
vlerësonte këtë fakt.
_______
Ja
po kryhen edhe këto zgjedhje! Që prej verës jemi duke u marrë me to. Pothuajse
gjysmë viti ne e harxhojmë për çdo palë zgjedhje. Dhe gjatë kësaj kohe
shpenzojmë fjalë dhe emocione të pafundme për t'i punësuar një grup njerëzish
në zyrat e shtetit, njerëz që premtojnë t'i rregullojnë gjërat në këtë shoqëri,
dhe kur vjen dita për të ikur, e shohim se problemet e para katër viteve janë po
aty ku ishin. Ndërkaq, zhurma e premtimeve të reja e mbytë kujtesën e
premtimeve të vjetëra. Kështu, nga viti në vit, vazhdon cikli në të cilin
zgjedhim vazhdimisht dhe nuk zgjidhim asgjë realisht. Në fakt zgjidhim diçka: i
bëjmë më të pasur ata që i zgjedhim!
_______
Sapo
më erdhi nga Tirana ky libër shumë i çmuar: Apologjia e Sokratit, e shkruar nga
Platoni. Qenka botuar në shqip, në Shkodër, nga Shtypshkronja “At Gjergj
Fishta”, si sot 80 vite më parë.
Kush
e di se çfarë kalvari ka përjetuar ky libër pas vitit 1944?
Ku
mund të jetë ruajtur i fshehur gjatë kohës së komunizmit, i cili bashkë me
Fishtën e kishte futur në indeksin e librave e autorëve të ndaluar edhe
Platonin?
A
është lexuar ky libër fshehurazi apo thjesht është lënë diku në ndonjë skutë të
harruar të ndonjë arkivi privat apo shtetëror?
Kush
mund ta thotë të vërtetën?
Përkthyesi
i kësaj vepre, ndër më të famshmet në historinë e filozofisë, është Spiro
Konda, një njohës i shkelqyeshëm i asaj kohe i gjuhëve klasike, greqishtes së
vjetër e latinishtes.
Në
atë kohë nuk mund të përkthente vepra të tilla gjithkush. Duhej të ishte
filolog i njohur, që të mund ta bëje një gjë të tillë. Ky standard, për fat të
keq, sot ende nuk është rikthyer në fushën e përkthimeve shqipe të literaturës
filozofike dhe teorike në përgjithësi.
Periudha
midis dy luftërave botërore ishte periudhë e njëlloj bumi intelektual e
kulturor në Shqipëri. Botoheshin shumë revista kulturore, zhvillohej një jetë
letrare e intelektuale shumë dinamike, dhe sapo kishin filluar të përktheheshin
në shqip veprat e para të mëdha të mendimit filozofik. Ky përkthim i Apologjisë
së Sokratit ishte fryt i asaj periudhe. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, e
gjithë kjo dinamikë kulturore u këput me rrënjë. U shpall borgjeze, reaksionare
dhe armiqësore. Bartësit e saj, shkrimtarët e intelektualët liberalë, u
persektuan sistematikisht. Shumë prej tyre përfunduan burgjeve të regjimit
komunist, shumë të tjerë u detyruan të largohen nga atdheu, e të tjerë që
mbetën në vend u detyruan të mbyllnin gojën. Kështu, ende pa lëshuar mirë
shtat, kultura perëndimore në shoqërinë shqiptare u kosit. Vendin e saj e zuri
ideologjia staliniste me degëzimet e saj kulturore, realizmin socialist dhe
filozofinë marksist-leniniste, të kanonizuar nga Stalini. Atë që e kishin bërë
osmanët me literaturën e vjetër shqipe shekuj më parë, tani po e përsëritnin në
një formë tjetër vetë shqiptarët, të dehur nga ideologjia e një perandorie
tjetër lindore. Edhe njëherë Europa ishte larguar nga horizonti shqiptar.
Përfytyrojeni
për një moment sikur ky bum kulturor i asaj kohe të mos ishte ndërprerë! Sot
kultura shqiptare do të kishte përmasa të tjera të zhvillimit. Mbase të
barabarta me ato të vendeve të zhvilluara europiane. Dhe sigurisht sot
shqiptarët nuk do t’i ngrysnin ditët e jetës së tyre duke ëndërruar për ditën
kur do të jenë pjesë integrale e familjes së demokracive perëndimore. Sepse kjo
ëndërr do të ishte realizuar shumë më herët.
_______
Gjuhëtarët
thonë se sintaksa dhe fonologjia përbëjnë armaturën kryesore mbrojtëse të një
gjuhe, ndërsa leksiku vetëm pjesën e jashtme të kësaj armature. Kur një gjuhë
"sulmohet" nga një gjuhë tjetër, goditjet e para bëhen mbi leksikun e
saj. Fonologjia kundërpërgjigjet duke i mbajtur jashtë gjuhës fjalët e gjuhës
"sulmuese", ose duke i pranuar ato në formë të modifikuar e të
adaptuar brenda gjuhës së "sulmuar". Ja një shembull : fjala shqipe
ftoni. Etimologët thonë se ftoni është modifikim fonologjik në shqip i fjalës
latine cotoneus. K-në latine shqipja e ka shndërru në f dhe kështu cotoneus
latin është bërë fillimisht fotoneus dhe në fund në shqip e ka marrë formën
ftoni.