| E enjte, 11.11.2021, 02:35 PM |
DJALË
TROPOJE
-Për
shokun e bankës në pedagogjike, Shkodër,
Zeqir
Lushaj (1949-2021)
Nga Kolec
P. Traboini
Me mbarimin e shkollës pedagogjike 2 vjeçare në
Tiranë, Ministria e Arsimit nuk pranoi të na pajiste me diplomat e arsimtarit
dhe na rekomandoi të ndiqnim shkollat Pedagogjike në rrethe. Mua me një grup shokësh e shoqesh na caktuan
në Shkodër. U paraqita në shkollë dhe u regjistrova në vitin e tretë. Klasa ku
më caktuan kishte mësuese kujdestare Emine Oktrovën. Dija se ajo ishte
bashkëshortja e regjisorit të njohur të teatrit “Migjeni” Esat Oktrova. Kur u
gjenda në klasë mësuesja po lexonte emrat në regjistër për tu njohur me secilin
nxënës. Pasi thirri emrin tim, më tha të ulesha në një bankë me Zeqirin. Unë
nuk e dija kush ishte Zeqiri. Vështrova përreth dhe me ra në sy një djalë i
qeshur, i cili ngriti dorën duke më treguar se do të isha shok banke me të.
Ka qenë e njohur ndër nxënësit e shkollave të
mesme se shoku i bankës ishte disi më i afërt se sa bashkënxënësit e tjerë.
Pasi u ula, Zeqiri më dha miqësisht dorën e më tha “Jam Zeqir Lushaj prej
Tropoje” e unë ja ktheva “ Jam Kolec Traboini nga Hoti”. As e kisha idenë nga
binte Tropoja se kisha qenë dy vjet në Tiranë, kisha shkuar edhe në Korçë tre
muaj, në Shëngjin tek kushërinjt e mi vllaznit Pjetër e Ndoc Ujka, por në asnjë
qytet tjetër.
Kështu u bëra shok me Zeqirin. Ajo çfarë më
pëlqente tek shoku i bankës ishte natyra e tij e çiltër. Ai nuk nxehej kurrë,
nuk fliste ashpër e nuk mbante mëni edhe kur ndonjë i binte në qafë. Se
adoleshentë ishim e frynim erë. Madje e kalonte gjendjen me një buzëqeshje të
sinqertë.
Që në njohje i thashë “djalë Tropoje” të cilën
ai e priti mirë. Por në klasën tonë në shkolle Pedagogjike në Shkodër nuk
kishim vetëm Zeqir Lushën nga Tropoja. Mbaj mend se ishin edhe katër djem të
tjerë nga Tropoja, Frrok Vuka, Rifat Hajdarmataj, Halil Gjoni dhe Sadri Ponari,
por mua më pëlqente që vetëm Zeqirit ti thosha “djalë Tropoje”. Ajo çfarë ruaj
në kujtesë është së një herë që Zeqiri shkoi në Tropojë, na solli gështenja.
Gështenja kishte edhe Shkodra andej nga Reçi, por gështenjat e Tropojës ishin
më të mëdha dhe u shkëlqente lëkura. Vija re se ndër biseda herë pas here me
fliste për vendlindjen. Këto biseda më së shumti bëheshin kur ishim në konvikt.
Dimri, bora, pranvera, Shkëlzeni, Maja e Hekurave, Maja e fushave, Sopoti,
Grija, Dragobia, Valbona, ajri i pastër, gështenjat, por edhe arrat, pa harruar
kumpirat, se kështu u thoshte patateve.
Një prej atyre ditëve që po fliste me pasion për
Tropojën më tha: “Kur të mbarojmë vitin mësimor e të vemi me pushimet e verës,
do të marr në shtëpinë time të rrish tërë verën në Tropojë e do të bindesh sa e
bukur është. Dhe më tej më pyeste: “Do të vish?”. “Po!”, - ja ktheja,- “do të
vij”.
E kisha ndare mendjen, do te shkoja sa të vinte
vera. Mirëpo përpara verës ishte dimri, po afronte dhjetori kur pa pritur më
thirrën në Degën Ushtarake Shkodër. Nuk e dija përse. Sapo hyra në ndërtesën e
Degës Ushtarake vura re një grup djemsh të rinj që prisnin në korridor. Na
thirrën brenda një e nga një dhe gjëja e parë që na thoshin ishte “zhvishu”.
Një doktor ushtarak na vizitonte e thoshte “i aftë”. Si mbaruam vizitat na
thanë se për dhjetë ditë do të shkonim ushtar. Madje na caktuan edhe datën.
Kuptohet dëshpërimi im. Do të ndahesha nga
shkolla dhe shokët për të shkuar kush e di se ku. Më vinte keq se kësisoj më
prishej edhe ëndërrimi të bëhesha mësues.
“Kështu, djalë Tropoje”,- i thashë shokut tim të
bankës Zeqir Lusha kur ndamë!- “Por ti mos u mërzit se unë do të vij në Tropojë
kur të mbaroj ushtrinë, veçse ti mbaje fjalën.”
U ndamë të përmalluar. Por ndodhi ajo që nuk
pritej. Më vunë në kamion me një grup rekrutesh shkodranë e drejtë e në
Tropojë.
“Eh, more Zeqir Lushaj”, - thashë kur u gjenda
në Tropojë në mes të dimrit e ku bora binte deri në brez, - Si ma ndolle
kështu, o djalë Tropoje!”
I shkrova një letër duke i thënë se të gjitha
ato bukuritë që më ke thënë, o djalë Tropoje, më dolën “të vërteta,... por ke
harruar të më thuash se këtu të ngrijnë veshët e të dridhet mjekra”.
Dimri ishte i gjatë, madje një herë na ra borë
edhe në mes të majit. Por kur erdhi vera, vërtetë vendi kishte një bukuri mahnitëse.
Bjeshkë, ajër i pastër e i freskët, qiell i kaltër, bari i blertë dhe lulet,
luginat e malet që të shoqëronin kudo.
Kur isha në shkollë në Tiranë vuaja nga morthi i
këmbëve dhe duarve, më ënjteshin sa më bëheshin gjak. Por për dy vjet në
Tropojë nuk e njoha më morthin, madje nuk mu shfaq kurrë më. Tropoja kishte një
të ftohtë e borë të shëndetshme.
Djalin e Tropojës nuk e pashë më. Duhej të
kalonin vite që ta takoja. Kur vazhdova
studimet universitare e takova shokun e bankës, ai tashme ishte student në
Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve.
Të dy u emëruam në Tiranë, unë në Kinostudio dhe
ai në gazetën “Zëri i Rinisë” e kësisoj
takoheshim herë pas here. Kishim edhe një shok të përbashkët gazetar, Tonin
Shtjefnin me të cilin Zeqiri e bashkonte puna. Pastaj ndodhi emigrimi. Me
gjithë atë nuk u harruam. Ishte dhe në Amerikë, por vendosi të kthehej në
Shqipëri dhe zgjodhi si vendbanim Shëngjinin. Këto ditë nëntori Zeqir Lushaj
ishte shtruar në spital i infektuar me Covid, sëmundje që i mori jetën.
Paç dheun e lehtë shoku im i bankës, djalë
Tropoje, Zeqir Lushaj!
11 nëntor 2021
https://traboini.blogspot.com/