Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hysen Berisha: Zeqir Lushajn e paska ftuar e shoqja

| E merkure, 10.11.2021, 09:28 PM |


ZEQIR LUSHAJN E PASKA FTUAR E SHOQJA

NGA HYSEN BERISHA

Në vitin 1995, pas pesë vjetësh, në Bergen të Norvegjisë, më vjen im at. Na kishte zënë malli edhe për takimin fizik babë e bir, por edhe për njerëzit në vendlindje. Thesi i pyetjeve ishte i madh. E ngushllova për të vëllanë që i kishte vdekur 13 muaj më parë. Ka qenë më i ri nga im at. Me frikë e pyesja për njerëz të rinj. I vriste APJ-ja, i vriste policia. Më në fund u hap blloku i pyetjës për dashamirët e moshës së tim eti dhe atyre më të moshuar. Unë shtoja një emër e, ai ma priste «Ti shëndosh».

Sot, vetëm një orë parase baci Zeqir të ikte për në amshim, më telefonoi miku ynë i përbashkët, Bardh Nëngurra. Isha në dijeni se baci ai ishte në spital në shikim intenziv. Mu dridh zemra. I thashë

-Mos ma prish dëshirën me ndonjë lajm të keq!

-Jo, më tha. E di ku e ke mendjën, por, sipas një bisedeje me njerëzit e familjës, aty në spital, nuk janë shenja të mira.

Mora frymë thellë e lehtë.

Një orë më vonë, kur u këtheva nga Qendra tregtare, shikoj në postën elektrike:

«Baci Zeqë na la, o Hysen Berisha».

E mora me mend pse nuk më ngushlloi me zë telefoni. Isha i sigurt se Bardhi po dënesej. E njihja shoqërinë e tyre shumë vjeçare. Por, edhe mua mu hap shtegu i kujtimeve të takimeve me bacin Zeqë.

Në takimin e fundit, në javën e parë të shtatorit, bashkë me bashkëshortën time, u ngjitëm në shtëpinë e tij, në Shëngjin. Korona e kishte bërë të tijën dhe ne nuk patëm mundësi ta takonim më herët për ta ngushlluar për shoqen e tij të jetës, znj. Sabrie. Ishim miq të vegjël (shikuar nga këndi im), por ai e kishte me traditë se miku është mik dhe nuk peshohet në kantar. Unë dhe bashkëshortja ime u ndjemë keq. Ishim mësuar të gjenim, përkrah tij, edhe znj Sabrie. Lulja ime është e ndjeshme, zu të qajë. Dorën në zemër, edhe bacit iu dridh zemra.

-Të kujtohet tregimi popullor kur një plak po mbillte fidanin e Ullirit? Po? Një fëmijë i thotë «Pse mundohesh kot kur ti nuk do mbërrish t´i shijosh frytat e kësaj pemeje».

-E di porosinë e këtij tregimi por ...

- ... Kur më iku Sabria, kështu më vajti mendja. Deshi të më trathtojë zëri se zu të dridhet por, e mbëlodha vetën. Iu sjella rreth shtëpisë, preka katër këndet e saj, preka oxhakun mu në mes të oborrit, u ula pranë sofrës çarkore që ti e quajte «sahatsofër» dhe thashë: «Në çdo cep të oborrit, ka fidane kujteseje edhe për Sabrinë, edhe për mua. Shtëpia është plot ndaj, le të shijohen kujtimet».

Thënë të vërtetën, gratë edhe gurin e bëjnë të qajë. Unë nuk qava. Po ta dëgjoja rrëfimin në telefon, sigurisht se, për tu zbrazur në vaje, do ia ndërprisja lidhjën.

Sillej rreth nesh. E vrante mendjën si të ikim ne pa na shtruar sofrën. Unë ngrita vetullat për ta pyetur se ç`e mundonte. E ai, duke levizur kokën, tha:

-Nuk e ka thënë kot Sami Frashëri se gruaja është shtylla kryesore e shtëpisë. A do ma plotësoni një dëshirë edhe mua, edhe (ngritin gishtin tregues kah qielli) asaj, Sabrisë?

Unë, po e ditur se ku e kishte mendjën ai, i thashë

-Fol, bac! Çdo dëshirë do ta plotësojmë.

-Ikim, pra. Ku të them unë, ti drejtoje makinën.

-U tha, u bë, bac.

Gruaja më shikonte në pasqyrë. Përpiqej të më thoshte se ideja ishte e qëlluar. E kishim biseduar ma heret se si ta nxjerrnim diku në restaurant. Porositë i bëmë në atë restorantin që ai e kishte për qeif. Tek po i cakrronim gotat e verës së kuqe, sikur përpiqej të më thoshte edhe diçka. Lulja iku për në VC. Jo se kishte nevojë, por e pa atë që na shërbeu të sillej andej. I kishte thënë që ta bënte llogarinë pa e diktuar baci Zeqë. Kamajeri i kishte thënë Lules se baci është i ashpër në këso situata. Po t´i marr lekët por, dije se nuk do të kesh sukses.

Derisa Lulja ishte larg nesh, më tha:

-Më mirë që iku Sabria se unë ia mbledh kurdo që të dua.

Fliste me mua por, mendjën nuk e kishte aty. Qëndruam bukur do kohë duke biseduar për gjithçka. Më tha se kishte dorëshkrime edhe për shumë libra, por ... Munda të kuptoj se nuk ishte në disponim për t`i botuar.

Kur u ngritëm për të ikur, thirri konobarin. Ai i dha shenjë se ishte në rregull.

-Jo, djalo, jo. Rregullin e bëjmë ne. Kush e pagoi?

Ai i dha shenjë kah Lulja. Nuk u desht shumë për ta kuptuar se lekët duhej këthyer asaj.

Unë dhe bashkëshortja, tek po këtheshim për në shtëpinë tonë, folëm gjatë për gjendjën e bacit Zeqir. DZbehja në fytyrë dhe disa fjalë, çaprapik, na sinjalizuan se ai, meqë e donte shumë znj Sabrie, mund t´i bashkojnë shpirtërat.

Ski (Norvegji), më 10 nëntor 2021