| E premte, 05.11.2021, 09:34 PM |
Blerim Latifi:
I
kam kundërshtuar gjithmonë ata që tek Edi Rama shohin një rimishërim të Esad
Pashë Toptanit të viteve 1913-15 apo të Ahmet Zogut të vitit 1924. Janë
rrethana të tjera historike dhe për dallim prej tyre Ramës nuk i duhet ndihma e
Beogradit për ta marrë ose mbajtur pushtetin në Tiranë. Por kur e shoh
fotografinë nga darka e mbrëmshme në Beograd, nuk mundem të mos i shtroj disa
pyetje, thjesht morale:
-
Si është e mundur moralisht ta quash Hashim Thaçin vëlla dhe njëkohësisht të
ulesh në një darkë miqësore me ata që kanë sajuar dhe dërguar në Hagë qindra
dosje për ta dënuar Hashim Thaçin me dënimin më të rëndë që mund të marrë një
njeri: për krime kundër njerëzimit?
-
Si është e mundur moralisht që, si kryeministër i Shqipërisë, të ulesh në një
darkë miqësore me ata të cilët nuk lënë gur pa lëvizur që ta rrënojnë
shtetësinë e Kosovës?
-
Si është e mundur të ulesh në një darkë miqësore me ata që, duke kuptuar
dobësinë aktuale të Bashkimit Europian dhe shpërqendrimin e Amerikës, i janë i
rikthyer planeve për të rindërtuar hegjemoninë e re serbe në rajon?
-
Si është e mundur të ulesh në një darkë miqësore me ata që, të nxitur nga
Rusia, kërcënojnë hapur ta ndezin flakë edhe njëherë Bosnjën, ndërsa vetëm pak
kohë më parë e kanë shkatërruar sovranitetin e Malit të Zi, duke sjellë në
pushtet një qeveri, të cilës NATO refuzon t'i japë informacionet sekrete të
saj, edhe për kundër faktit se Mali i Zi është anëtar i saj? A nuk tregon
gjithçka ky refuzim?
Unë
e kuptoj vullnetin e mirë të Ramës për një Ballkan që ecë përpara, por vullneti
i mirë dhe Beogradi janë dy gjëra që kurrë s'kanë shkuar dhe vazhdojnë të mos
shkojnë bashkë.
_____________
Vendet
me ngjyrë kuqe tregojnë vendet e paftuara në Samitin për Demokraci në
Washington.Në mesin e tyre edhe Kosova, bashkë me Serbinë, Bosnjën dhe
Hungarinë. Pse?
-
Kuptohet mungesa e ftesës për Serbinë lidhet me rolin destruktiv që qeveria e
Vuçiqit po e luan në rajon, por edhe me faktin e shndërrimit të Serbisë në një
shtet që afirmon interesat ruse në Ballkan. Po ashtu, nën Vuçiqin, Serbia
përditë e më shumë po merr tiparet e një regjimi autoritarist, ku, si në Rusi, partia
në pushtet i fiton gjithmonë zgjedhjet.
-
Mungesa e ftesës për Bosnjën është meritë e krizës së fundit në këtë shtet, pas
thirrjeve luftënxitëse të kryetarit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, i cili
realisht është shndërruar në një mashë të Putinit në Ballkan dhe po punon hapur
në minimin e Marrëveshjes së Daytonit, e cila ishte dhe vazhdon të mbetet
investim amerikan.
-
Mungesa e ftesës për Hungarinë sigurisht ka të bëj me faktin e rrezikut të
rrëshqitjes së Hungarisë nga demokracia liberale në demokraci iliberale, si
pasojë e stilit autoritarist të kryeministrit Viktor Orban.
E
Kosova? Pse nuk është ftuar?
-
Jo për shkaqe që lidhen me sistemin demokratik, por për hezitimet e qeverisë
rreth zbatimit të Marrëveshjes së Washingtonit, të shtatorit 2020, dhe
refuzimin e projektit amerikan të gazsjellësit.
Ne,
shpesh, i ngjajmë atij fëmijës i cili duke pasur dashurinë e plotë të babait,
nuk mund ta imagjinojë dot se një ditë mund të ndëshkohet prej tij për sherret
që i bën herë pas here.