| E enjte, 04.11.2021, 08:39 PM |
Ka ikur koha e blerjes së qytetarëve me para të shtetit!
Nga
Florim Zeqa
Sikurse vendimi i Qeverisë Kurti 2 për zbatimin
e reciprocitetit për targat që ishte i vonuar dhe jo në kohën e duhur (fushatë
zgjedhore), edhe shpërndarja e parave nga arka e shtetit në prag të balotazhit
jo vetëm që nuk është e qëlluar, është veprim i shëmtuar politik!
Shpërndarja e parave në
kohë fushate, strategji e gabuar
Sikurse
që doli të jetë i vërtetë parashikimi im se çdo tendencë e Lëvizjes Vetëvendosje
për abuzim të situatës së krijuar në veri për qëllime elektorale, jo vetëm që
nuk do ta ndihmojë, do ta vëjë për tokë këtë subjekt politik, edhe shpërndarja
e parave në kohë fushate do ta dëmtojë akoma më shumë LVV-në dhe Albin Kurtin
si kryeministër i vendit.
Arsyeja
pse Albin Kurti do të dështoj keq me aksionin “humanitar” nga arka e shtetit
qëndron në faktin se qytetarët janë vetëdijësuar dhe nuk do të blihen me para
sikurse në kohën e Hashim Thaçit.
Pasi
aksionet në veri i dolën të dështuara Albin Kurtit në grumbullimin e votave në
raundin e parë të zgjedhjeve, e harroi veriun, iu kthye premtimeve dhe ngritjes
së ndihmave sociale pas ngritjes artificiale të çmimveve të artikujve ushqimor.
Pasi
nuk i dhezën maskaradat mashtruese në veri të vendit për zgjedhjet e 17
tetorit, tani Albin Kurti e ka filluar një strategji të re me lëmoshë për
kategoritë e rrezikuara me qëllim të nxjerrjes së një rezultati sa më pozitiv
në zgjedhjet e balotazhit të 14 nëntorit për të shpëtuar fytyrën nga dështimi total
i zgjedhjeve lokale!
Babadimri me strajcë
n’krah
Pasi
Lëvizja Vetëvendosje mbeti e vetmja parti parlamentare e cila nuk arriti ta
fitojë asnjë komunë (pa balotazh) e ka filluar fushatën e re të mashtrimit dhe
joshjes së qytetarëve me nga 100 euro nga arka e shtetit!
Kësisoji,
duke e parë dështimin katastrofal në balotazhin e 14 nëntorit, kryeministri
Albin Kurti e ka filluar një fushatë të hapur me shpërndarjen e parave nga arka
e shtetit për të gjitha kategoritë e rrezikuara, filluar nga pensionistët,
familjet në asistencë sociale, bujqit dhe fermerët për blerjen e votave për
LVV-në!
Për
dallim prej Hashim Thaçit i cili me paratë e shtetit i mashtronte shtresat më
të larta dhe intelegjencën, administratën dhe shërbyesit publik (të uniformuar
dhe pa uniformuar), Albin Kurti kësaj radhe nuk do të arrijë t’i mashtroj as
shtresat më të varfëra me asistencë sociale!
Asnjëherë
nuk më ka shkuar mendja për Albin Kurtin që do të transformohet kaq shpejt dhe
keq në një personalitet të dyfisht, e aq më pak të bëhet kopje e Hashim Thaçit
në fushatë zgjedhore.
Për
vetëm 8 muaj qeverisje në pushtetin qendor, Albin Kurti përveq mosmbajtjes së
premtimeve elektorale, i shkeli të gjitha parimet e veta të proklamuara, duke i
pranuar të gjitha ato që i kishte kundërshtuar si lider opozitar, vargu i të
cilave është i gjatë dhe i pambarim!
Askush
nuk e ka pritur që Albin Kurti si kryeministër do të dali me “strajcë n’krah si
babadimër” për shpërndarjen e dhuratave një muaj e gjysmë para vitit të Ri.
Me
hapjen e “kuletës së shtetit” për votat e LVV-së, kryeministri Kurti përveq
lëndimit të imazhit personal, do ta dëmtojë akoma më shumë subjektin e tij në
balotazhin e 14 nëntorit!
Edhe
pse Kushtetuta ia lejon, Albin Kurti në asnjë rrethanë nuk është dashtë të bie
në nivelin e kryeministrave paraprakë dhe as të involvohet në fushatë të
zgjedhjeve komunale, por është dashtë ta ruaj imazhin e një kryeministri të
përgjegjshëm në shërbim të gjithë qytetarëve, e jo të atij partiak siq po
vrapon nga njëra komunë në tjetrën për grumbullimin e votave për LVV-në!
Përderisa
në të kaluarën qytetarët mashtroheshin me nga një mbushje telefoni, me 10 litra
karburante apo me 100 kg miell, sot nuk mashtrohen as me nga 100 apo 200 euro!
Ofertat
para balotazhit nuk do t’i kryejnë punë Albin Kurtit. Sigurisht se qytetarët
paratë do t’i marrin, por voten nuk nuk do ta shesin, për shkak se ka ikur koha
e mashtrimeve dhe e blerjes së votës me para. Ka ardhur koha e vetëdijësimit
dhe e ndëshkimit të mashtruesve politik në kutitë e votimit!