| E marte, 02.11.2021, 08:22 PM |
Prishtina, nga fundi i
shekullit XIV qendër e njohur diplomatike-konsullore!
Nga
Jahja Drançolli
Në
kohën kur Prizreni si qendër e njohur konsullore, që nga viti 1332, nga
kapërcyelli i shekullit të katërmbëdhjetë kishte filluar të pësonte rënie
ekonomike, atëherë primatin e morën qytetet minerare të Kosovës. Këto ndryshime
ekonomike u shoqëruan edhe me zhvllime të reja diplomatike-konsullore. Kështu,
në vitin 1396, selia e përhershme konsullore e Prizrenit ishte zhvendosur në
Novobërdë dhe Prishtinë. Dihet se, për konsull në qendrat e përmendura më
sipër, zakonisht emëroheshin raguzanë bujarë. Janë të njohura edhe raste kur si
konsull zgjidhej dikush me origjinë arbërore, i cili gëzonte të drejtën e
nënshtetësisë së shtetit të Raguzës. Për çështjen në fjalë njihen dokumente të
shumta përkatëse. Njëri prej tyre njoftonte drejtpërdrejt se si Qeveria e
Raguzës, më 16 gusht 1396, kishte vendosur të caktojë një konsull për
Novobërdën dhe Prishtinën së bashku me rrethet e tyre, “[...] in Nouaberda,
Pristina et illis partibus”. Ky vendim i Qeverisë Raguzane kishte për qëllim
mbrojtjen e qytetarëve të saj nga sulmet e ndryshme që ndodhën në këto anë,
“propter vessationes que sunt in illis partibus”. Konsulli i Prishtinës i
shoqëruar nga dy gjyqtarë u detyrua të interesohej për të shpëtuar pasurinë jo
vetëm të qytetarëve të Raguzës!