| E merkure, 03.11.2021, 07:40 PM |
MESAZHE FISHTIANE
(Fletëza
fishtiane), 5
- Në përvjetorët e lindjes së At Gjergj Fishtës
–
Nga
Prend BUZHALA
At
Gjergj Fishta është njëra ndër figurat epiqendrore të gjithë historisë sonë të
kulturës, letërsisë dhe mendimit shqiptar. Duke e arritur madhështinë e tij si
POET KOMBËTAR, për të gjallë të tij, duke qenë figura më madhështore për një
gjysmë shekulli në gjysmën e parë të shekullit XX; ai këtë madhështi e ka
ruajtur edhe në të gjitha kohët dhe hapësirat edhe pas vdekjes së tij. I
anatemuar nga regjimet pushtuese në Kosovë dhe nga regjimi diktatorial në
Shqipëri, edhe vepra e tij ka pasur një fat të veçantë: vepra e tij, për afro
një gjysmë shekulli është lexuar fshehurazi, mësohej përmendësh, kurse shumë
vargje të tij janë përvetësuar në lahutë apo në tinguj të çiftelisë. Famën e
tij e ka shtuar kryevepra “Lahuta e Malcis” dhe përkthimet e saj në disa gjuhë
evropiane. Mirëpo, mbi të gjitha, si do të shprehej Eqrem Çabej, emri i Fishtës
është i popullarizuar, se është bir i vërtetë i popullit të tij. Dhe
paradoksalisht, si do të shpreheshin edhe shumë studiues shqiptarë e
ndërkombëtarë: aq sa ishte popullor, ai ishte edhe elitar me frymë
enciklopedike të jashtëzakonshme.
Mirëpo,
Gjergj Fishta zë t’i rikthehet botës shqiptare pas viteve ’90 e këndej, në
arsim, në veprimtarinë botuese, përgjithësisht në kulturën dhe në institucionin
shqiptar të jetës, sepse ai vetë ishte një institucion e univers shqiptar më
vete. Ai ka ndikuar mbi gjithë zhvillimin e shoqërisë shqiptare të kohës dhe
për këtë arsye e kanë quajtur edhe “prijës intelektual”, siç e ka cilësuar Faik
Konica, dhe sepse ai “ishte intelektual i kërkesave tona historike” (Engjëll
Sedaj). Zef Valentini, një italian që ka shkruar shqip me dhjetëra vepra
shkencore, historike, diturore, teologjike etj. për Fishtën shprehet se “është
njëri nga më të mëdhenjtë në botë”. At Gjergj Fishta ishte i njohur edhe nga
bota akademike evropiane, sepse ai nuk u bë akademik brenda një viti (siç duan
ta cilësojnë me denigrim regjimet diktatoriale), por është produkt i një
veprimtarie të gjatë të pasur e cilësore. Nëse nga qarqet komuniste ai është
cilësuar si anëtar i Akademisë fashiste të Shkencave të Italisë, e vërteta
historike është e kundërt, sepse ai e kishte refuzuar dhe e kishte kthyer
mbrapa dekoratën e qeverisë fashiste italiane, madje, kur në ato çaste tashmë
ai gjendej në shtratin e vdekjes. Koniunkturat politike pro apo kundër Fishtës
janë të përkohshme, kurse krijimtaria e tij e shumanshme e shumëdimensionale,
mbetet dëshmi e pasur kombëtare.
“Ndigjoni,
o vllazën e bi të mi. Unë nuk kam ndërrue, por jam ai pater Gjergji që kam qenë
gjithmonë. Kaq gja e kanë kuptua edhe fashistat vetë. Mos mendoni se këtë
titull ma kanë dhanë për me më nderue. Ma kanë dhanë për me më
internue....njashtu siç po internojnë shumë shqiptarë të tjerë. Unë sot jam i
mplakun, sëmundja e zemrës më asht randue. Ato mësimet që ju kam dhanë dikur,
kisha dashtë që ju sot t’i shtini në veprim, ndërsa unë nuk jam i zoti me prbalkue
as burgun, as internimin, as arratinë” (kujton ish nxënësi i tij, po ashtu
gjenial i përmasave fishtiane, At Zef Pllumi).
I
quajtur edhe mbret i polemikës shqiptare (Jorgji Meksi), ai gjithmonë ka qenë
në vijën e parë të frontit që kritikonte mentalitetet e vjetra dhe debatet e
tij ishin të pandërprera për triumfin e së resë. Ai është edhe krijues i
shtypit shkencor, “Hyllin e Dritës”, që më 1913, me të cilën vuri në lëvizje,
deri në vdekje, mendimin shkencor të kohës. Madje një intelektual i jashtëm, dr.
Ervin Stranik, deklaron se revista “Hylli i Dritës” e Fishtës mund të
konkurrojë me çdo revistë të përkohshme letrare evropiane.
1.
Atë
Gjergj Fishta, i njohur si autor i veprës madhore epike “Lahuta e Malcis”, (i
njohur me cilësimin “Homer shqiptar”), i njohur si dramaturg, poet, satirist
dhe publicist, si përkthyes dhe teolog, si analist dhe komentues e kronikan
ngjarjesh, madje, i njohur edhe si veprimtar i lëvizjeve politike, deputet i
parlamentit shqiptar, politikan, poliglot e intelektual me përkushtim të madh,
teolog e pedagog, patriot i pashoq dhe kontribuues energjik i çështjes
kombëtare, mendimtar dhe humanist ndër më të mëdhenjtë, etj.; ai ka qenë edhe
protagonist i shumë ngjarjeve dhe kthesave historike gjatë gjysmës së parë të
shekullit XX, si Kongresi i Manastirit (1908), Kryengritja e Përgjithshme për
Pavarësi Kombëtare (1910-1912), Rrethimi i Shkodrës (1912-1913), Lufta e Parë
Botërore (1914-1918), Konferenca e Paqes në Paris (1919-1920), Parlamenti i
Parë Shqiptar (1921-1924), Revolucioni Demokratik Borgjez (1924) etj. Gjergj
Fishta e kishte një cilësi tepër të rrallë për kohën, siç ishin krijimi i
lidhjeve të shumta bashkëpunimi me albanologë të njohur evropianë, duke
organizuar debate, tryeza e forma të ndryshme bashkëpunimi për tema të ndryshme
mbi Shqipërinë, mbi gjuhën shqipe, mbi visaret e kombit, mbi traditën
shqiptare, mbi letërsinë shqipe dhe, ndër të tjera, edhe për krishterimin e
hershëm shqiptar.
"Shqipnia
pat nji fat t' madh e t'jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjer, veçse
mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi
t'gjith, atë, qi u pshtet në popull t'vetin e n' gjuhen e tij e qi me vjersha
t'veta ndezi flak zemrat n'popull, pat zhenin poetike t'At Gjergj
Fishtes".
Kështu
shprehej albanologu i njohur e dijetari i "Austrisë së Vjetër",
Maximilian Lambertz (Vjenë 1882 - Lajpcig 1963), i cili kishte botuar më 1949
studimin monografik “Gjergj Fishta dhe epi heroik shqiptar Lahuta e Malcís”.
Dhe jo vetëm në këtë fushë. Këso konsideratash për të shprehen edhe në lëmin e
arsimit, sepse ai kishte një përgatitje të shkallëve të larta. Fishta ishte
edhe edukator i rinisë, autor i shumë teksteve shkollore të kohës, me shpirt
novatori, me futjen e risive të reja në mësim, me ndërthurjen e dijeve shkencore
me ndjesitë e thella kombëtare etj. Ishte drejtues shkollash qe në vitet e para
të pavarësisë së Shqipërisë, betejë që e fitoi me shumë armiq e kundërshtarë. Ndërsa poezitë e Fishtës janë
to që janë mësuar me entuziazëm nëpër shkolla për një shekull rresht.
2.
Ashtu
sikundër dihet, Gjergj Fishta, në bashkëpunim me imzot Prend Doçin, në janar të
vitit 1899 ka themeluar Shoqninë Letrare dhe Kulturore "Bashkimi".
Kjo shoqëri kishte alfabetin e saj. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës
françeskane në Shkodër, ku e futi menjëherë gjuhën shqipe si gjuhë mësimi dhe e
cila shkollë deri në ato çaste drejtohej nga klerikë të huaj. Më 1908 ai mori
pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë
"Bashkimi". U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e
Komisionit të Alfabetit. Do theksuar edhe botimin e revistës "Hylli i
Dritës”, gazetën "Posta e Shypnisë" (1916-1917), më 1916 themelon,
bashkë me Luigj Gurakuqin, Komisinë letrare që kishte për qëllim krijimin e
gjuhës letrare kombëtare. Ishin këto kohë kur Fishta po formohej si
personalitet i plotë, si poet, si intelektual, si politikan e atdhetar. Ai hapi
Shtypshkronjën Françeskane, nga ku nisën të dalin rregullisht periodikë të
shtypit dhe vepra letrare, publicistike, teologjike etj., e ndër to do
përmendur faktin që u botuan 32 vepra shkencore, albanologjike, arsimore etj.
Por ndër veprat më të mira në fushën e gjuhës shqipe mbetet fjalori i
titulluar: "Fjaluer i ri i shqypes përbaam prei Shoqniiet
t'Bashkimit", që së bashku me shtesat përmbledh 13798 fjalë dhe botohej
vetëm nëntë vjet pas krijimit të shoqërisë "Bashkimi", më 1908. Vepra
mund të konsiderohet vepër e përbashkët, mbasi aty kanë dhënë kontribut disa
studiues e njerëz të letrave. Studiuesit konstatojnë se edhe Fishta duhet të
ketë kontribuar në këtë fjalor, mbasi një burim i mirë për autorët e fjalorit
ka qenë edhe vepra e poetit të "Lahutë”, me botimet që kishte realizuar më
1905 dhe 1907, me "Anzat e Parnasit", si dhe në shkrimet e botuara në
shtypin e kohës.
Sado
që ai ka qenë klerik katolik, te vepra e tij islamizmi e krishterimi shikohen
me thellësinë e konstruktorit të shpirtit shqiptar. Kështu, te “Lahuta e
Malcis”, pranë personazhit të Marash Ucit, “një katolik që mishëron mençurinë
shqiptare të përpunuar nga pasuria e çmueshme e përvojës shumë të hershme të
racës, ai krijon figurën e myslimanit Oso Kuka, një hero nga natyra, i cili ka
dashuri të veçantë për atdheun dhe ndjenjën e vëllazërimit, të ndriçuar nga
koncepti i nderit individual dhe kolektiv”. (Ndriçim Kulla). Ndërkaq,
personazhi i Gjonit, prift shqiptar, që i nxiti kelmendasit e krishterë për
t’iu shkuar në ndihmë vëllezërve mysliamnë, që po luftonin kundër Malit të Zi,
paraqitet tek fjalët e personazhit Mark Milani:
Veç se i gja deshta me
t’pvetë,
N’kjoftë se hatri s’ka
me t’mbetë:
Si kjo punë mundet me
kenë,
Me kryq në dorë e me
kryq në ballë,
Turkut n’ndihmë ti me i
dalë?
Por
aty Fishta jep përgjigjen e bukur te goja e personazhit Patër Gjoni:
Unë, zotni, n’ushtri kam
dalë,
Jo me turq, por me
shqiptarë,
turq a t’kshtenë që janë
gjithë t’mbarë
pse si t’kshtenë si
mua’medanë
Shqipninë s’bashkut
gjith e kanë
E prandej t’gjithë do
t’qëndrojmë
do do t’qëndrojmë e do t’luftojmë
Do të bahemi
kortarë-kortarë.
Edhe
skenat e kuvendeve e të mbledhjeve për shkak të rreziqeve pushtuese të
fqinjëve, jepen me shqiptarë krahinash e besimesh të ndryshme:
T’rrahim benë si t’na
api feja
Kush e theftë atë e
vraftë beja...
Në
të gjitha shkrimet e tij ai lartëson mitin shqiptar të bashkësisë së gjakut dhe
të gjuhës amtare ndërmjet shqiptare, ashtu sikundër ai i jep fuqi kudo shpirtit
të gjerë e tolerant të popullit shqiptar. Dhe, kur e kërkonte nevoja që të
tregohej i guximshëm, mu në çastet delikate historike, ai e merr penën e tij
dhe me zemërim i demaskonte edhe qarqet ndërkombëtare, sikundër janë dhjetëra
artikuj, si ky “Nji komedi e pandershme e shekullit XX”:
“Gjaku
i shqiptarit derdhet rrëkajë, gja a e shqiptarit humb ndër thoj të ma të
fortit, e Mëkëmbësit e Evropës, kur të mos ken]ë me zhgatërrue ndonji
pshtjellim policash e faturash së veta, pa farë kujdesi rrinë, a tue rrshitë me
rraketa, nëpër lame çimentejet a tue luejtë dojkë e topash.”...
Ai
për më shumë se një gjysmëshekulli, u mor me publicistikë aktive për një
Shqipëri të re, të njohur politikisht e të pranuar kulturalisht, të një
Shqipërie evropiane e të bazuar natyrshëm mbi themelet e qytetërimit
perëndimor. Në shkrimet e tij ai fuksoi apologjinë shqiptare përballë botës, në
dhjetëra e qindra analiza, komente, kronika e artikuj, me stuhi polemizuese: “dëshmon
që Europa nuk ka nder e burrni; dishmon që shoqnija njerëzore n’Europë asht
teper e rame dhe e poshtnueme e se diplomacia evropiane asht vetë faqja e zezë
e marrja e turpi i t’gjithë njerëzimit.” (te shkrimet në prag të Luftës së Parë
Botërore). Ai përdor citate të njerëzve të mëdhenj si Mayer, Skiroi, Ovisi,
Virgjili, Shën Augustini, Platoni, Ciceroni, Seneka, Kolombo, Alkeksandri i
MadhDemosteni, papa Klementi XI Albani, Ariosto e të qindra të tjerëve, me
prova të një erudicioni të rrallë, të një intelekti të thellë, të një sistemi e
metodologjie të përpunuar. Por kur është puna tek shqiptarët përballë vetvetes,
ai merret me qëndrimin e tij të njohur kritik dhe me vizionin e tij të qartë
shoqëror e historik:
“Edhe,
sod po ka Shqipni. Mirë po, kishte me u dashtë me dijtë, a ka shqiptarë që me e
mbajtë Shqinin në kambë si shtet? 'Shteti asht gja e kombit. Por, kombi nuk
asht çdo çetë njerëzish mbledhu sido, por çetë populli, shoqnue me tagre,
detyrë e interse të përbashkëta." (Ciceron). Prej ktyne fjalve, merret
vesh, se për me kenë Shqipnija shtet përnjimend i pamvarshëm e me u mbajtë në
kambë si shtet e me përparue, nuk asht mjaft që shqiptari të jetë shqiptar
vetëm me fis - me trup, por duhet që të jetë shqiptar me shpirt: asi shqiptari,
që të përbajë kombin e jo vetëm popullin. Me u shoqnue mund të shoqnohen edhe
hajnat, por nuk përbajnë as "komb" as "shtet". Po deshëm,
pra, që kjo Shqipni e jona të mbahet shtet në kambë e të përparojë, duhet,
domosdo, që të dihet këta shqiptarë të Shqipnis a janë shqiptarë, edhe me
shpirt, a por vetëm me trup - me gjak e me gjuhë. Çashtja ka nji randësi
kryesore për ne, prandej do zhvuillue der n'palcë e - pa dorca. Asht kot që të
rrejmë vedin, herë me fjalë të mëdha dykiptimçe, herë me gjysa fjalësh të pa
farë kuptimi. (...) A jemi pra, sod më sod, na shqiptarët, mji element i
shëndoshë e nji faktor mjaft i fortë, për të mbajtë Shqipninë n'kambë e p për
t'i dhanë përparim e lulzim për me mujtë me i vjeftë shtetit - Atdheut, ma parë
me dalë duhet me dijtë se çka asht Atdheu e mandej këtë Atdhe me e dashtë mne
gjithë zemër?”
(...)
Kshtu
janë elementat e ndryshëm n'Shqipni.. Të damë me lagje e sokaqe, me katunde e
me barajqe, nuk janë bashkë në kumbari, në ortaki, në fjalën, në doket, në
punën, në tregun e rrinë larg njani-tjetrit, porsi t'ishin kombesh të ndryshme.
Me pasë për t'ardhë nji muhamedan prej qendrës s' Afrikës, muhamedani shqiptar
ma parë zen bisedë me te e kuptohet ma shpejt me te se me me nji kristjan
shqiptar. Kshtu, me pasë për t'ardhë në Shqipni nji protestant edhe prej
Skandinavjet - s'po tham ortodoks as katolik - katoliku a ortodoksi shqiptar ma
parë rri me te e kuptohet me te, se me
nji muhamedan shqiptar. E kaq i kthellët e i theksuem asht ky inkompaltibilitet
i elementave të ndryshëm ketu ndër ne, saqë edhe për ato parime morale e
shoqnore që mund t'i kenë së bashku, mendojnë, se nuk e detyrojnë nierin ndaj
gjithkendit, veç se ndaj ata që janë nji elementi me të.”
(Ât
Gjergj Fishta – Proza Vëllimi i dytë 1923- 1940, 2,- Përgatitur nga Persida
Asllani, Botime françeskane, Shkodër, 2006, ; marrë nga shkrimi
""Tash, që asht ba Shqipnja, duhen përba shqiptarët" fq.
232-239; shkruar më 1930 te "Hylli i Dritës" nr. 4)
Prishja
e varrit të tij, pas Luftës së Dytë Botërore, ishte manifestimi më i rëndë që
iu bë Fishtës, së bashku me hedhjen e eshtrave në Dri, ani pse tradita
shqiptare nuk lejon dhunimin e varrit apo të kufomës. Por “varri i tij u bë
faltore e vërtetë për shqiptarët”, do të deklarojë një tjetër intelektual i
shquar nga jugu i Shqipërisë, Kostaq Cipo.
(27 tetor 2011, Klinë)