| E marte, 02.11.2021, 08:39 PM |
FISHTA, SHKRIMI SATIRIK
(Fletëza
fishtiane), 4
Teksti dramatik “Nën hajat të Parrizit”
Nga
Prend BUZHALA
Të shprehesh me anë të satirës politike dhe të
ndjesh dhembje të pafund, në pas-skenën e kësaj satire - në lëmshin e madh të
kontradiktave të kohës, kur po ndodhte Lufta e Parë Botërore dhe po vendoseshin
edhe fatet e Shqipërisë,- përbënte një mision titanik fishtian.
Padyshim, satira gjithnjë ka trajtuar tema e
probleme shoqërore e nacionale që kanë peshë aktuale, pikërisht pse fryma
aktuale i jep forcë shkrimit satirik.
Pas cipës së një morali hipokrit, shkrimtari i
satirës zbulon edhe padrejtësitë shoqërore, kurse tek një tip satirik ai
zbërthen dhe, madje, spikat veçori tragjikomike.
1.
Është
vizioni satirik ai që i zbulon e i sulmon anët e errëta e të shëmtuara të jetës
e të situatës së saj; që ua zbulon rrënjën e sëmurë pasioneve të ulëta e të
ndyta; që e drejton shigjetën e logosit të fjalës artistike e të frymës së
dyshimit kah vargu i ligësive që e shumëzojnë të keqen. Po ky vizion satirik
edhe i afirmon vlerat njerëzore, njatë atributin artistik të lirisë e të
urtisë.
Kur
Fishta shkruante satirat e tij "Anzat e Parnasit" (1907) dhe kur po
botonte tekstin dramatik-satirik “Nën hajat të Parrizit” (1914), në të njëjtën
kohë ai angazhohej edhe në format tjera të veprimtarisë së tij atdhetare,
angazhohej edhe me format e shkrimit diskursiv, për t’i trajtuar të njëjtat
probleme e çështje.
Nëse
zhanret letrare e kanë esencën e tyre dhe kufijtë e tyre, të drejtat dhe
privilegjet e tyre (siç do të thoshte Brunetiere), krijuesi ynë i shquar do t’i
shtrëngojë studiuesit e letërsisë të gërmojnë edhe përtej problemeve të
zhanrit, t’i shohin, mandej, lidhjet teleologjike të këtyre zhanreve; në këtë
rast, për t’i parë lidhjet tematike, estetike e poetologjike mes epikës,
lirikës e dramatikes nga njëra anë, si dhe të shkrimit të tij diskursiv, tejet
të pasur, nga ana tjetër.
Te
e fundit, te shkrimi fishtian, vetë historia paraqitet si një proces dinamik. Sado
që vetë autori i kishte përkufizuar këto shkrime diskurseve si sociologji,
polemika, ligjërata dhe miscellanea (kjo e fundit nënkupton vëllimet me shkrime
mikste, të ndryshme, shumëllojshmëri shkrimesh a zhanresh të përziera, dhe, pse
jo, edhe të gërshetuara); megjithatë, këto vëllime ngërthejnë një pasuri
shkrimesh që përmbledhin si kronikën e kronologjinë e ngjarjeve (me titujt e
përbashkët “Lajme rrokull, Shqipnis e rrokull botës”), që Fishta i botonte herë
pas here, ashtu edhe portretet për personalitete të shquara të botës shqiptare
e të asaj ndërkombëtare; si reportazhin e mirëfilltë, ashtu dhe artikullin,
komentin, analizën shoqërore e politike; si trajtën e esesë
meditative-publicistike, ku vë në plan të parë ndodhinë, faktin, protagonistin
e kohës, kujtesën, ashtu edhe shkrime që ngërthejnë revoltën e ironinë ndaj
situatave paradoksale të kohës, me ligatinat, deformitetet e zvetënimet që e
përcjellin. Ky shkrim i polifonisë së zhanreve diskursive, ndërthur edhe
shkrimet me lëndë estetike, kritiko-letrare e teorike-letrare, ashtu sikundër
dhe lëndë me tematikë filozofike, politikologjike, kulturologjike, madje dhe
pedagogjike, arsimore, gjuhësore etj. Shkrimi i tillë satirik, po edhe ai
eseistik e diskursiv, nga ky këndvështrim, është zhanër i situatave të krizës.
Kurse
këto situata të turbullta, të errëta, shkrimtari i ndriçon me stilin e tij epik
e homerik, me zemërimin e tij dramatik e satirik dhe me urtinë e tij të shquar
e vazhdimisht kryengritëse. POLEMOSI FISHTIAN përbën një kapitull më vete
kundruall përbuzjes e shpifjes së qarqeve evropiane të kohës (sikundër është
shkrimi “A janë të zot shqiptarët me u mbajtë shtet më vedi” për të dëshmuar
aftësinë e vetëqeverisjes e të shtetbërjes). Fishta spikatet dhe në shkrime të
tjera, kaq të njohura për kohën, si “Shqiptarët dhe të drejtat e tyre”, kurse
një qerthull të pasur temash, nga problematika e tillë, janë shkrimet që
Persida Asllani i përkufizon me shprehjen “Shqiptarët përballë vetvetes”, me
theksimin se Fishta kishte dhënë formulimin aq depërtues e proverbial me
shprehjen “Tash që asht ba Shqipnia, duhen ba shqiptarët”, formulë kaq aktuale
edhe sot e kësaj dite.
Formula
e tillë spikatet në çastet e krizës a të lëkundjes së identitetit nacional e
qytetar.
Në
këtë mënyrë, tekstin dramatik-satirik “NEN HAJAT TË PARRIZIT” do lexuar jo
vetëm në kuadrin e dramatikës së tij e të satirave tij; "Anzat e Parnasit”
(1907), por në botimet e mëvonshme do të përfshihet edhe ky tekst në lexim, apo
dhe “Gomari i Babatasit”; ashtu sikundër do të përfshihen edhe në kuadrin e
universit të shkrimit fishtian.
Dhe
çka do të thoshte, po ashtu, në këtë kontekst historiko-letrar e kohor
kataklizmash të luftërave botërore e ballkanike, të përtalleshe me Evropën dhe
me shoqërinë shqiptare dhe, njëkohësisht, aty ta sugjerosh shpresën për
përmbysjen e vlerave të tilla?
Fishta
vë tekstin e tij përballë shoqërisë shqiptare, “të dehur” nga dalja prej një
perandorie, të gatshme të bëjë pazare me të huajt në kurriz të atdheut, një
shoqërie të dhënë pas vesesh e lakmish, shoqëri e papërkushtuar për zgjidhjen e
problemeve të veta etnike, indiferente ndaj copëtimit të trojeve etnike dhe
kundruall një shoqërie që prijësin e
tyre Skënderbeun nuk e kanë në zemër; dhe, nga ana tjetër, kundruall një
shoqërie të fuqishme evropiane që luante me trojet shqiptare si të donte vetë.
Por ky kontekst shkrim-leximi na sugjeron edhe për diçka tjetër: jo vetëm për
shpirtin satirik të Fishtës, por edhe për shpirtin e tij demokratik kundruall
këtyre krimeve e despotizmave të kohës.
Satira
dhe demokracia janë të ndërlidhura.
Dhe,
a nuk është pikërisht satira fishtiane ajo që nuk i përfill pushtetet e
regjimet?
2.
Edhe
për disa male janë krijuar mitologjitë për to. Te shqiptarët një mitologji e
tërë është ngritur për Malin e Tomorit, ndërkohë që ka mjaft legjenda dhe për
bjeshkët të tjera (bjeshkët e Nemuna, Mali i Shenjtë, Sharri, Pashtriku etj
etj). Në këto mite hyn edhe Bjeshka e Parnasit në Greqi, si vendstrehim i
muzave. Ndërkaq, Fishta, duke qenë në kontakt me rrymat letrare të kohës, duke
njohur dhe gjuhë të huaja e letërsitë e njohura evropiane, e rimerr parnasin
edhe në kuptimin e lëvizjeve letrare të kohës: ishte parnasizmi në Francë që
erdhi si lëvizje kundruall romantizmit; ishte Fishta që, pos kundrimit romantik
e epik të betejave shqiptare të shek. XIX, tashmë në Shqipërinë e çliruar, do
të përdore realizmin e fortë, realizmin satirik... Në fakt, ai dëshironte që
parnasizmit të "artit për art", të sillte thumbimin, anëzat, arëzat.
Në Parnas nuk janë vetëm zanat shqiptare të “Lahutës...”, as vetëm muzat e
Helikonit homerik, apo pëllumbat e Anakreontit deradian, apo engjëjt e mirësisë
naimiane, po edhe anëzat aristofaniane!
Të
gërshetosh parnasin me anzat?
Të
vësh në gërshet satirën me tragjiken?
Këtë,
me kaq harmoni, estetikisht e artistikisht, mund ta bënte vetëm Fishta.
Edhe
kur Evropa, e personifikuar te Djalli që takohet me Skënderbeun, thotë që shqiptarët
janë "si i don anmiku", ka një qortim të shumëfishtë. Le ta kemi
parasysh zemërimin fishtian kundër Evropës si "kurvë e motit" te
"Lahuta e Malcis që po i copëtonte trojet shqiptare. Le ta kemi po ashtu
parasysh edhe zemëratën e Fishtës për shqiptarët që kërkonin prapakthimin
historik, që jepeshin pas ligësive, përçarjeve etj. etj. Në këtë rast dialogu
mes Skënderbeut, Djallit dhe Shën Pjetrit, zhvillohet në një zonë supreme, që
quhet Hajat i Parrizit. Parizi nuk është vetëm parajsa, por është edhe asociacion
i qendrës së atëhershme botërore, Parisit të Francës, ku vendoseshin më se
njëherë fatet e kombeve.
Kësisoj,
Fishta kishte prirjen që aq qartë e aq thellueshëm, ta ngarkonte semantikisht
fjalën, kryefjalën tematike. Kështu në Parriz gjendet edhe djalli! Më
saktësisht, “ngjarja” (asociativisht: edhe historia) po ndodhte diku në
korridoret e diplomacisë (vajzës së Djallit), diku në Evropë (nënës së
diplomacisë a gruas së djallit)! Polemosi fishtian i publicistikës, në satirën
letrare merr përmasa të një intelekti të rrallë krijues. Ai di ta gërshetojë
zhanrin e satirës me bisedën, poezinë me tekstin dramatik. Dhe të duket sikur
na shfaqet një pararendës i alkimisë së zhanrit letrar që shfaqet pas viteve
‘80 në letërsinë tonë!
Djalli
(Evropa), sikundër është thënë me të drejtë, personifikon edhe realizmin,
thënien e drejtpërdrejtë, të vërtetat e kohës, pa shibla në gjuhë. Në
strukturën e këtij teksti dramatik satirik (dikush e quan poezi satirike,
dikush poemë etj.), tri personifikimet e mëdha të Fishtës shqiptohen te Shën
Pjetri: vlerat shpirtërore, brenga dhe shpresa, Fishta si meshtar, te
Skënderbeu: arketipi i idealeve etnike shqiptare dhe te Djalli: armiku, po edhe
diplomacia, politika, dredhia, e vërteta...
3.
Gjergj
Fishta mund të konsiderohet i pari autor që shkruan një tekst dramatik për
Skënderbeun sipas modelit kritik e dyshues, ku heroi përfaqëson vetëdijen
kritike e ku shfaqen ballafaqimet në mes idealistit dhe pamjes së realitetit.
Të mos harrojmë, se te shumë shkrime letrare dhe diskurisve të Fishtës,
Skënderbeu është edhe hero etnik, hero i mbrojtjes së vlerave etnike e
identitare.
Nuk
është e rastit pse satiristët kanë rëndësi të madhe për kulturën e një kombi,
ashtu sikundër janë të rëndësishëm emrat e Servantesit, Rablesë, Erazmit të Roterdamit,
Suiftit, Didërosë, Volterit apo Bokaços për letërsinë evropiane; dhe ashtu
sikundër janë të rëndësishëm për letërsinë shqipe emrat e Çajupit me komeditë e
tij e me poezinë e tij satirike, i Gjergj Fishtës me poemat e tij satirike, i
Faik Konciës me “Doktor Gjilpërën...”, i Kristo Floqit me komeditë e tij
satirike, Dritëro Agollit me romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, apo i
Kolë Jakovës me romanin “Fshati midis ujërave” e deri te Qamil Buxheli me
romanet e tij, apo i Ramiz Kelmendit me veprat e tij satirike...