Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Loti si rruzull drite

| E merkure, 27.10.2021, 03:25 PM |


3 foto në një: 1. Albert Habazaj me matematikanin, informaticienin dhe shkrimtarin Avdurraman Meçe; 2. Prof. Avdurraman Meçe në një veprimtari letrare në Bibliotekën e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë; 3. Me miqtë më të ngushtë: prof. Spiro Caushi, Albert Habazaj Astrit Xhaferi, Nestor Jonuzi, Ilmi Bani, Vangjel Pici

Loti si rruzull drite

-Elegji për yllin e Vlorës, Avdurraman Meçe -

Nga Albert Habazaj

Tek shket, loti më bëhet rruzull drite

Për Duron tonë, që iku burrërisht,

Profili ballë Dinjitetit i ndritet

Dhe dy metër vend mori aq qetësisht.

Fisnik i qeshur ishte. Dhe mal. Dhe det.

Vlorës, tjetër si ai - zor t’i vijë,

Ç’bujar mirësie qe në jetë

Dhe i bukur sa dituria e tij.

I sejtë qe ai njeri i ylltë?!

Kur dhe shkëmbenjtë ballë dallgësh treten,

Asnjë rrufe s’ia qorroi dot sytë,

Ai kishte bërë betim me veten…

Fatkeq për veten, fatmir për të tjerë,

S’pati motër, as vëlla, familje s’ krijoi,

Gjer në amshim - me nënën e mjerë,

Ndoshta Duron Diogjeni kërkoi…

Avdurraman Meçe qe prill me borë

Ku përsosmëria gjet’ standard të ri,

Në tri principata - princ me kurorë:

N’ matematikë, informatikë, letërsi.

Në tjetër botë hynim, kur flisnim

Me një teke përpara për poezinë,

Po t’i shaje Dritëroin, sytë i nxinin

Dhe furtunë tjetër pasonte stuhinë…

Si ai, poet e shkrimtar shkrimartë

Nuk kam takuar shumë, sinqerisht!

Që e patëm në Vlorë, për ne qe fat,

Që na iku… Oh, sa jam ndier ligsht.

Babicë, Vlorë, e premte, 15 tetor 2021