| E diele, 24.10.2021, 03:58 PM |
Mësuesi që la mbresa në
vite!
Nga
Ibrahim Kabili
Një
udhëtim i bukur në këmbë ! Një ngjitje në lartësi për në Vilëz në këtë ditë të
bukur vjeshte! Një udhëtim i këndshëm në këtë mëngjes të freskët që na kujton
vitet e bukura të rinisë dhe vizitat e mëpasme në Shkollën 9 Vjeçare Vilëz.
Bukurinë këtij rrugëtimi i'a shtonte
pamja piktoreske e zonës, vargmalet dhe kodrat përrreth, Liqeni i Bovillës,
ndërtesat e reja në formë vilash, rruga në sistemim e sipër e Vilzës dhe rruga
e asfaltuar që bashkon Qendrën me Rrugën e Arbërit. Parë nga "ballkoni" i Vilzës, bukuria
është edhe më e shtuar, më joshëse, më atraktive, më magjepëse! Data shënon 18
tetor 2021. Shkoj për të pirë një kafe dhe bërë një bisedë prej kolegu e miku
me mësuesin veteran Nuri Bumja. Tanimë ai është prej nëntë vitesh në pension.
Ora shënon 07.30 minuta. Nuriu të pret si gjithnjë me bujari e përzemërsi në
dhomë, së bashku me të edhe pjestarët të tjerë të familjes. Pasi u përshëndetëm
dhe kryem ata "adetet" e mëngjesit i them qëllimin e vizitës. Ai e
mirëpret atë, më falenderon dhe zhvilluam një bisedë që zgjati rreth dy orë dhe
qe ishte shumë e çiltër dhe miqësore... Nuri Qazim Bumja lindi në Vilëz
më 25.02.1948 në një familje të madhe, të njohur në krahinë dhe me tradita. Ai
qe fëmijë i shkathët dhe shumë i dhënë pas shkollës. SHkollën fillore e bëri në
Vilëz, në Kodër Mbulesë, me nota shumë të mira. Në klasën e parë pati mësues
Bahir Zekën ndërsa në klasat e tjera
mësuesin vendas Tahir Jamaku. Klasën e 5-të e bën në Zall-Bastar, në vendin e
quajtur Nën Kisha, me mësues Seit Mansaku. Klasat e tjera të arsimit 7-të
vjeçar i kryen në Zall-Mëner ku del me nota shumë të mira. Pati disa mësues,
si: Naim Sula, Masar Korçari, Halil dhe Feti Skendaj, etj. Meqenëse qe nxënës shumë i mirë, Nuriu fiton të drejtën e studimit në shkollën e mesme me bursë
nga shteti. Fillon Shkollën e Mesme Pedagogjike "Jani Minga" në
vitin1965 dhe kryen dy vite shkolle aty. -"Ai kujton me shumë nostalgji
ndër të tjerë, dy nga mësuesit e kësaj shkolle, Dhimitër Llogari dhe Thoma Miçolliu. Këto ishin mësues elitar
dhe që tregonin shumë kujdes për nxënësit e shkollës dhe konviktorët. Ata qenë
prindër dhe kaluar prindërit për ne në shkollë". Dy vitet e tjera të
shkollës së mesme Nuriu i përfundon në Shkollën e Mesme Pedagogjike "Petro
Nini Luarasi" në Korçë. Kjo shkollë, - citon Nuriu: " Qe një shkollë
mjaft e kompletuar. Pati një staf pedagogjik mjaft të përgatitur, metodista të
shkëlqyer ku na dhanë mjaft njohuri e na përgatitën si mësues të ardhshëm. Atje
mësova ti bie fizarmonikës e cila më pas u bë pjesë e jetës time dhe nuk mu
"nda", më kurrë".
Në vitet 1969 -1970 kryen
shërbimin ushtarak në Sazan, Vlorë si ndërlidhës. -"Rregulli, disiplina,
njohuritë teorike dhe ushrarake, veprimtaritë e ndryshme, ndikuan shumë në
formimin e mëtejshëm të karakterit e personalitetit tim", përfundon
Nuriu. Pas mbarimit të
ushtrisë më 1 shtator 1971 ai fillon punë si mësues në shkollën fillore në
lagjen Maricaj, Zall-Bastar. Nuriu, pasi kishte mbaruar shkollën dhe ushtrinë,
kishte fituar pak përvojë dhe filloi punën me përkushtim si mësues i ri me nxënësit. Punë kjo, që la
mbresa në vite tek nxënësit dhe komuniteti ku ai punoi. Në vitet 1972-1974
punon si mësues i CU-së në Vilëz dhe Mal-Vilëz. Në vitin 1975 deri në vitin 1979
punon si udhëheqës artistik, i Grupit Artistik pranë Shtëpisë së Kulturës
Zall-Bastar. -"Këto vite qenë vitet më të bukura me kulturën. U krijua një
grup artistik me instrumentistë, këngëtar, valltar e valltare të talentuar.
Kemi dhënë shfaqje në fshatra, rreth etj. dhe kemi konkuruar edhe në Dekadat e
Majit dhe F.F.K. Gjirokastër. Grupi përdorte instrumentat e çiftelisë, fyellit,
cigonës, daulles, lahutës me Sali Salën, më pas u fut edhe fizarmonika,
klarineta, xhezi, dairja etj. Grupi qe shumë i madh, me shumë talenta, por unë
do të veçoja të paarritshmit e tij, Hysen Hyra dhe Sali Sala", rikujton
Nuriu.
Në vitin 1980 ai rikthehet në arsim në Shkollën 8 Vjeçare Vilëz dhe
punon këtu deri më 25 shkurt 2012, vit kur mbush moshën e pensionit. Gjatë
kësaj periudhe kohore në arsim në këtë shkollë ai ka dhënë mësim në ciklin e
lartë dhe në cikilin e ulët të kësaj shkolle sipas nevojave të saj. Gjatë kësaj
periudhe mbi 40 vjeçare në arsim, ai është karakterizuar nga serioziteti në
punë, korrektësia me nxënësit, respekti dhe toleranca me kolegët, afrimiteti me
komunitetin. Duke kujtuar vitet e arsimit në këtë shkollë Nuriu kujton:
"Kalova një jetë të tërë në këtë shkollë. E kam vlerësuar shumë punën e
mësuesit. I kam dashur shumë fëmijët dhe kam punuar me ndërgjegje e përkushtim
me ta. Kështu të paktën e vlerësoj unë. Besoj se e kam përmbyll me fitore këtë
betejë të gjatë dhe të vështirë. Vlerësimin e bëjnë të tjerët të cilëve unë u
jam shumë mirnjohës për mbështetjen në vite dhe ndihmën e dhënë", -
përfundon modestisht Nuriu. E natyrisht kur mësuesi punon me përkushtim me
nxënësit merr vlerësime pozitive prej tyre... Kështu ka ndodhur edhe me Nuriun
si mësues dhe edukator me qindra e qindra nxënësit e tij. Ish nxënësit flasin
me shumë respekt dhe dashuri për Të... Nuriu ka dhënë një
kontribut të madh në kohë edhe në organizimin e veprimtarive kulturore dhe
artistike me grupin e shkollës. Grupi artistik i shkollës Vilëz, falë edhe e
punës së kualifikuar të Nuriut, ka zënë edhe vende të para në konkurim me
shkollat e tjera. Nuriu ka
qenë i përkushtuar edhe në punën me komunitetin ku jetonte. Ai ka fituar edhe
respektin e tyre. Eshtë zgjedhur dhe ka kryer detyrën e kryeplakut dhe
kryetarit të fshatit Vilëz, për vitet
1993 deri 200. Arritja më e madhe gjatë kësaj periudhe qe rikonstruksioni i
rrugës Vilëz - Zall-Bastar me parametra të mirë për atë kohë. Ai në këtë detyrë
qe i palodhur dhe ndihmoi sa pati mundësi bashkëfshatarët e tij. Siç e
cekëm edhe më lart, vjen një ditë e padëshirueshme por objektivisht e
pranueshme dhe largohesh nga shkolla,
nxënësit, kolektivi. Pensionohesh... -"Ka edhe më keq", thotë me
shaka Nuriu... -"Ke kohë", i them unë me të qeshur, pasi kohët e
fundit je privuar edhe nga "uji i bekuar", ndaj mos e merr me
frikë... Duhet respektuar mjeku - shton më tej Nuriu... Që
nga pensionimi më 2012 e deri tani Nuriu është shumë aktiv. Ai shkon shpesh në
shkollë, gjendet përsëri në mesin e kolektivit për çdo eveniment në shkollë e
gëzim familiar të kolegëve. Eshtë mjaft aktiv në jetën e përditshme. Ka një
bibliotekë të pasur me libra të ndryshme dhe vazhdon të lexoj rregullisht. Në aspektin familiar ai është martuar me
Sabrien në vitin 1976, bijë nga fisi me emër, Kanina. Ata kanë pesë fëmjjë të
cilët kanë krijuar tanimë familjet e tyre. Nuriu i don shumë nipërit dhe mbesat
dhe kujdeset çdo ditë për mirëshkollimin e tyre.Jeta ka kuptim kur ruhet
vijimësia dhe gëzon bashkë me pasardhësit!
Ibrahim Kabili
Tiranë më 20.10. 2021