| E shtune, 23.10.2021, 03:59 PM |
Vendi im
Nga
Edison Ypi
Vendi
im është i tëri një makth tronditës pafundsisht i bukur. Është e mërkurë, por
të duket e premte. Pas së enjtes vjen e marta. E hëna zgjat tre javë. E shtuna
dhe e djela mungojn? me vite ose nuk vinë kurrë. Kodrat i bien flautit. Liqeret
luajnë në Harpë. Erërat në violinë. Lumi krrusur mbi piano. Interneti nuk është
shpikur. Selfie s'bëhen. Televizor s'ka. Qiellin e prek me dorë. Lushnja me
Elbasanin duke u puthur mbi një varkë në Liqerin e Belshit nën një muzg me dy
hëna. Italia prapa derës. Gjermania përtej gardhit. Amerika bën muhabet me ca
laçjanë. Elbasani po ha tavë dheje. Skrapari po ja lyp Kolonjës. Përmeti dhe
Tepelena po bëjnë dashuri rrëzë një gardhi. Shkodra me pantallona të shkurtra
dhe gjysmat e sisëve përjashta ta bën me dorë ta marrësh deri në Milot. Lezha
topless po lan Benzin me ujë pusi. Puka me flokët e zeza që ja merr era ka
ndalur anës rrugës se i është çpuar goma. Në qiell kullosin re si dele të
bardha. Kopenë e reve e ruan një çoban nga Roskoveci i lartë sa Shpiragu, me
kërrabë sa Tomorri, gunë sa Myzeqeja.