| E enjte, 21.10.2021, 07:11 PM |
Një libër mirë, i shkruar me ndjenjë, përkushtim, përgjegjësi intelektuale e qytetare, është si pëllumb i bardhë lajmëtar. Atëherë librin me cilësi dhe vlera, nuk të bëhet ta heqësh prej dore, por e mban pranë, mbi komodinë. - Kristaq Turtulli
KULLAT
E SAHATIT NË SHQIPËRI, VLERA QYTETËRIMI
Punim shkencor nga Dritan Çoku
Nga Kadri Tarelli
Një
libër i veçantë në llojin e tij: “Kullat e sahatit në Shqipëri”, e studiuesit
arkeolog Dritan Çoku, Një vepër shkencore me peshë jo vetëm nga përmasat, por
më shumë nga përmbajtja, që unë me bindje e quaj simbol dhe vlerë qytetërimi
mbarë shqiptar, sepse bën fjalë për këto vepra arti ndërtimor, të përbashkëta
në përditshmëri të qyteteve, për të matur e treguar kohën, por të veçanta e të
dallueshme nga njëra tjetra, si pjesë e trashëgimisë qytetare dhe pasuri e
kulturës kombëtare.
Në parathënie, thuhet se për këtë vepër
madhore autori punoi rreth 14 vjet. Vetëm kaq. A thua se janë 14 dit pushimi në
Durrës, Ulqin apo Pogradec. Pyesni Dritanin, dhe do t’u thotë ç’ ka hequr, për gjatë
katërmbëdhjetë viteve punë e studim të hollë, shtruar e gatuar si brumë në
magje, për të bërë një libër të tillë, pa u kujtuar fare për andrallat e
botimit. Çdo lexues bindet mjaftueshëm për punën, po t’i hedhë një sy të shpejtë
vetëm bibliografisë, që përmban afërsisht 170 referenca shkencore e studimore.
Besoj, nuk janë pak, kur një pjesë e tyre duhet të përkthehet në shqip.
Para do kohësh, duke folur për dy historianët
dhe arkeologët durrsak, Hava dhe Sali Hidri, kam shkruar: “Janë treguar “kokëkrisur”, kur kanë
vendosur dhe nisur të shkruajnë histori, pasi ata dhe vetëm ata e dinë se ç’
heq një historian, kur ulet të shkruajë”. Kadri Tarelli. Libri
“Kur lexoj një liber”. F. 72.
Fjalë që i shkojnë përshtat edhe Dritanit tonë.
Kështu, mund të them pa frikë, se fatmirësisht që historianët i kemi
mes nesh. Atyre u skuqen sytë duke lexuar lloj-lloj shkrimi, i kërruset shpina mbi
tavolinë, mbi libra e letra të vjetra të mbuluara nga pluhuri dhe myku, i zbehet
fytyra duke qëndruar me orë, ditë dhe muaj në mjedise të mbyllura të arkivave
dhe bibliotekave, ku ndonjëherë lëvizin lirisht edhe minjtë, që shohin me habi
mikun e pa ftuar. Në fund ballafaqohet me kritikën që nuk të fal, shpesh jo
profesionale. Poetit mund t’i thonë: të mungon frymëzimi dhe talenti, ndërsa
historianit i drejtohen pa frikë: Je lodhur kot, sepse nuk ke parë edhe një
dokument tjetër, apo nuk je i saktë se nuk më pyete edhe mua për mëhallën apo
fshatin tim, dhe më keq akoma: i ke parë ngjarjet me syrin politik, etj, etj.
Unë e përgëzoj autorin, sepse na ka
sjellë një libër-Monument për
“Kullat e sahatit në Shqipëri”, për ta pasur në tavolinë, në bibliotekë, apo
mbi oxhak në dhomën e pritjes, për ta shikuar e lexuar trashëgiminë e qytetit
tim, qytetit tënd dhe qytetet e gjithë shqiptarisë, kudo në trojet ku flitet
shqip dhe jetojnë shqiptarë. Besoj se çdo njëri nga ne, në heshtje do të shprehet:
“Të lumtë mendja dhe pena i nderuar
Dritan, sepse i bëre “Kullat e sahatit”, t’i flasin historisë edhe me heshtjen
e tyre. Mirënjohje, sepse i solle historiografisë shqiptare një gur xhevahiri në
thesarin e saj”.
Diku në fund të kapitujve, madje në fund
të rreshtave, si pa u ndjerë, autori ka shkruar pak fjalë, që tregojnë vuajtjen
e tij, por që ngacmojnë edhe dhimbjen tonë: - I kërkon instancave shtetërore që
të kujdesen, të mirëmbajnë dhe të restaurojnë “Kullat e sahatit”, si monumente
kulture, unike në llojin e tyre, që nesër mos të pendohemi. Unë me zërin e
shakasë, po lus zotin, që ta dëgjojnë zërin tënd, sepse nuk po kërkon shtëpi e
saraje për vete, por për kulturën tonë, që mos ta humbasim edhe këtë trashëgimi
që na ka mbetur. Boll kemi humbur nga kapriçot shkatërrimtare të natyrës,
viteve dhe shekujve, si tërmete apo erozione, përfshi edhe luftërat që në
trojet tona kanë qenë të vazhdueshme.
Në këtë libër me dhimbje mësojmë, sa shumë
dëmtime kemi pasur nga mos kujdesi i drejtuesve vendor, vite të shkuar, jo
vetëm në ditë e sotme. Libri na flet: objektet publike të lëna pa zot, në mëshirë të fatit, dëmtuar shpesh edhe nga marria individuale dhe marrëzia kolektive,
siç ndodhi në vite 1966-67. Lexojeni me kujdes dhe do të gjeni të pasqyruar
veprime që nuk na nderojnë si qytetarë të këtij vendi, aq sa do t’u bjerë libri
nga dora, jo nga zemërim por më shumë nga turpi. Autori i shmanget komenti, duke
na lënë që, secili të mund të gjykojë vetë atë çka përjeton.
Nuk kam ndërmend të përshkruaj
përmbajtjen, është e pa dobishme për lexuesin kureshtar dhe të pasionuar, veç
dua të theksoj se i gjithë studimi është punuar hollë. Ai ka sjell plot kuriozitete
të kohëve dhe shekujve, mbi përpjekjet e shoqërisë për të matur e treguar kohën.
Ne shqiptarët kemi të drejtë të krenohemi për kulturën qytetare të zhvilluar në
kushtet e mesjetës, sepse jemi të parët që brenda jetës qytetare të Perandorisë
Osmane, ndërtuam “Kullat e Sahateve”, në qytetet tona, përmend, qytetin
shqiptar të Shkupit (1566-1574). “Pra,
duket qartësisht dhe bindshëm, se ndërtimi i kullave të sahatit në trojet
shqiptare, është një veçori dhe diçka e rrallë për qendrat e tjera turke, në
periudhën osmane”, - thekson autori që në hyrje te librit.
Në vazhdimësi, ajo që të nxit ta lexosh
deri në fund këtë libër, është, se do të ndeshesh me historinë e 21 kullave të sahati,
të veçuara e të përzgjedhura nga 52 të tilla në mbarë vendin, duke filluar me
Kullën e Sahatit në kalanë e Krujës, për ta mbyllur me sahatin mbi godinën e
Komunës në Librazhd.
Nuk po them gjë të re, kur po dua të
shpreh një mendim, që besoj i bashkohet edhe dëshirës së autorit: - Se ky libër
meriton të përurohet në të gjitha qytete shqiptare, si mesazh diturie, urtësie,
vlere dhe krenarie. Është në interes të çdo qytetari, të njohë e të nderojë
historinë e qytetit të vet. Kështu do të duam më shumë vendlindjen, qytetin dhe
mëmëdheun. Për nostalgji të viteve, po shtoj pak mbresa të mbetura heshtur: Janë
jo pak njerëz, bie fjalë në Durrës apo qytete te tjerë, që deri vonë kanë dëgjuar
tingullin e kambanës, që lajmëronte pjesët dhe orën e plotë. Tingulli i orës
ishte një zë që thërriste e kujtonte banorët, se qyteti jeton dhe punon. Çdo
kush mund të bëjë pyetjen pa përgjigje: Pse sot heshtin, ç’ punë prishin, kë
ngarkojnë, kë shqetësojnë dhe sa shpenzojnë?
Urime Dritan Çoku! Siç ke premtuar, vazhdo
me sukses, studimin dhe pasqyrimin e të gjithë “Kullave të sahatit”, në mbarë
trevat shqiptare të Ballkanit.
Është pasuri kombëtare që nuk duhet të
tretet e të humbasë.
Mirënjohje për këtë
vepër shkencore!
Kadri Tarelli
Vjeshta e parë,
2021.