| E enjte, 21.10.2021, 07:48 PM |
E vërteta e vdekjes tragjike të kërkuesit shkencor Agron Lucaj
Nga
Gjekë Gjonaj
Më
19 shtator 2021 janë mbushur dyzet vjet nga vdekja tragjike e kërkuesit
të ri shkencor Agron Lucaj, në
moshën 32 vjeçare, i cili premtonte
shumë në fushën e shkencave të natyrës,
përkatësisht të fizikës atomike ( bërthamore) dhe molekulare. Agroni u lind në Triesh, në vitin 1949.
Ishte djali i njërit ndër mësuesit më të dalluar dhe të parë të
Malësisë së Madhe , Gjon Gjekë Lucaj, i cili kaliti dhe arsimoi shumë gjenerata
të cilat i detyrohen atij me respekt e mirënjohje, sepse ai detyrën në arsim
e përqafoi në rend të parë si obligim kombëtar ndaj popullit
të vet. Këtij Mësuesi të Malësisë, siç e quanin, malësorët, pas vdekjes Presidenca e Republikës së Shqipërisë, më 14
tetor 2019, Nr. dekretit 11311 i jep Medaljen : Kalorës i Urdhrit të
Skënderbeut me motivacionin: “ Për patriotizmin e treguar gjatë kryengritjeve
për pavarësinë e Shqipërisë së Veriut, mësues i nderuar dhe i përkushtuar i
gjuhës shqipe, historisë dhe ligjërues i devotshëm i saj, duke u bërë burim frymëzimi për brezat pasardhës”.
Të
kesh prindër një intelektual dhe atdhetar
me botëkuptim e vizion evropian,
siç ishte Gjon Gjeka i Trieshit, ishte një nder dhe privilegj
i jashtëzakonshëm sidomos për
familjarët e tij. Rrugën e tij të dijes e ndoqi dhe e vazhdoi me sukses
protagonisti i këtij shkrimi përkujtimor. I frymëzuar nga vlerat
e të atit, si njeri i etur për
dije fillon rrugën e arsimit të tij të rregullt në shkollën tetëvjeçare, në fshatin e tij të lindjes. Dhe, ishte
nxënës i shkëlqyeshëm. Shembullor në
sjellje dhe i shkëlqyeshëm në mësime
ishte edhe në shkollën normale në Prishtinë edhe në Universitetin e Shkencave
Natyrore-Matematikore - Dega e Fizikës, njërin prej fakulteteve më të vështira.
E
gjithë kjo dije e fituar gjatë shkollimit fillor, të mesëm dhe të lartë i
mundësoi atij vazhdimin e shkollimit pasuniversitar në Universitetin “ Rugjer
Boshkoviq”, në Zagreb – në Degën e fizikës atomike molekulare, të cilin e kreu me sukses
të lartë dhe merr titullin shkencor magjistër, në vitin 1979. Ka punuar disa
vite si asistent e profesor i rregullt dhe ka mbajtur leksione
e ushtrime laboratorike në Institutin e Fizikës dhe të Matematikës në
Prishtinë. Leksionet e tij u vlerësuan shumë nga studentët e Universitetit të Prishtinës dhe nga
personeli shkencor e akademik. Arritjet e larta shkencore të Agron Lucajt, në
fushën e fizikës molekulare, tema e magjistraturës dhe punimi i përgatitur i
doktoratës gjithashtu janë cilësuar e vlerësuar edhe nga personeli akademik dhe shkencor i
Universitetit të Zagrebit. Ai ishte pjesëmarrës i panelit në konferenca, tribuna e tryeza të rrumbullakëta ndërkombëtare ku
diskutohej për arritjet ne shkencën e fizikës.
Përveç
cilësive të tij si profesor
universiteti e kërkues (punonjës)
shkencor ai karakterizohej nga vlera morale, drejtësinë e tij, virtytet e tij
njerëzore dhe etike. Për këtë jam
dëshmitar edhe unë, i cili në takimin që
kam pasur një herë në Prishtinë, në kohën kur isha student, dhe dy herë
kur ai vizitonte vendlindjen dhe familjen, në kohën kur unë isha
mësimdhënës në SHF “ Gergj - Kastrioti-Skënderbeu” në Triesh. Jo vetëm unë, por
i gjithë kolektivi i shkollës, nxënësit dhe prindërit e tyre, me një fjalë të
gjithë trieshjanët mburreshim dhe madhëroheshim me thjeshtësinë, afërsinë, butësinë dhe mirësinë
e këtij të riu erudit., shkencëtari që premtonte shumë në
fushën e tij .
Magjistër
Agron Lucaj , edhe pse kishte një arsimim të lartë, ishte njeri
i thjesht e modest, nuanca
cilësore të kundërta me kryelartësinë,
mendjemadhësinë dhe krenarinë. Për shkak të thjeshtësisë dhe modestisë
së tij gëzonte autoritet në mesin e
shokëve dhe kolegëve. I ndihmonte studentët në çdo rast kur kërkonin nga ai. Veçmas i ndihmoi dhe i përkrahu
studentët nga Malësia, por jo vetëm, duke u dhënë këshilla nga përvoja e tij. Ai ishte autoriteti më i madh në Triesh. Frymëzues dhe shembull për të gjithë
rininë e Malësisë. Gëzonte respektin
dhe autoritetin më të madh të kohës. Por, jeta është shumë e çuditshme. Sa
është e gëzueshme, aq është edhe e trishtueshme. Ndonjëherë të jep shumë e të
merr pak, e ndonjëherë e kundërta. E
Agroni dha shumë për jetën. Ofroi dashuri, përqafime, buzëqeshje e në këmbim
mori një “asgjë” të madhe - vdekjen e papritur
në kryeqytetin e Zagrebit.
Po
si ndodhi kjo tragjedi e profesorit idhull të vërtetë ?
Fakte
të pathëna dhe të pasqyruara mirë deri më sot për vdekjen tragjike të profesorit të nderuar Agron Lucajt mësuam nga dëshmitari i gjallë i kësaj ngjarjeje të dhimbshme
që tronditi Trieshin, Malësinë e Madhe , Kosovën dhe botën akademike shqiptare, Zef Gjokaj, mik
shtëpie i familjes së Agron Lucajt. Ja rrëfimi i tij i plotë:
“Unë
do të fokusohem tek ditët e fundit të
jetës së tij. Dua të tregoj të vërtetën
e plotë për vdekjen e Agronit, me qëllim
që të mohoj e përgënjeshtroj shumë insinuata, trillime e deklarime sensacionale
të dëgjuara deri më sot për vdekjen e tij të cilat,
me ose pa qëllim të keq, kanë
shkaktuar paqartësi, huti dhe kanë
prekur edhe në dinjitetin njerëzor të familjes dhe të afërmve të tij.
Lajmi
i parë për aksidentin tragjik të mr.Agron Lucajt u kumtua në një rast vdekjeje në fshatin Luhar të
Malësisë. Njerëzit me pikëllim të lartë e pranuan këtë
informacion të trishtë . Zemra e vëllait
të Agronit, Nikollës i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni mortore, u copëtua nga dhembja. Iu afrova. E
shtrëngova fort, për ta ngushëlluar. U nisëm së bashku për në
Titograd ( tani Podgoricë) me qëllim që të mbërrijmë sa më parë në
Zagreb. Mundësia e vetme për të shkuar atje ishte me makinë. Po atë ditë, më datë 16.09.1981 u
nisëm drejt Zagrebit, në shoqërim të
mësuesit Gjon Tomë Berishaj dhe vajzës
së tij Leonorës, e fejuara e
Agronit. Pas gjashtëmbëdhjetë orë
udhëtimi mbërritëm në
Spitalin e Zagrebit - në Repartin e Traumatologjisë, ku ishte shtruar
për shërim Agroni. Punëtorët shëndetësorë të këtij spitali na pritën shumë
mirë. Na njoftuan hollësisht me
lëndimet e frakturave të trupit të tij.
Plagë më të rënda, siç na njoftuan
mjekët, kishte pësuar në kokë dhe informatat e para nuk ishin aspak
shpresëdhënëse. Në ambientet e spitalit
qëndruam tërë ditën. Aty erdhën
numër i madh studentësh nga Zagrebi e Lubjana. Në mbrëmje mbërrini vëllai i Agronit Zefi nga Gjermania dhe disa kolegë
të tij. Aty përjetuam një stres të paparë. Një ankth të madh i cili
na shtrëngonte gjoksin, sikur donte të
na plas. Nuk mund të gjenim qetësi. Ndërkohë që mjekët specialistë dhe
infermierët po e trajtonin në mënyrë profesionale dhe nuk kursenin asgjë për t’ia shpëtuar
jetën Agronit , i cili ishte në luftë të ashpër mes jetës dhe
vdekjes. Me dëshirë të mësojmë se si
ndodhi aksidenti, në të cilin Agroni
përjetoi lëndime të rënda trupore
shkuam në polici, e pastaj edhe në vendngjarje para ndërtesës së Komunës
së Zagrebit, ku komunikacioni rregullohej me
sinjalistikë moderne. Sipas
shpjegimeve zyrtare të Policisë Rrugore të qytetit të Zagrebit ( Kroaci) )
ngjarja tragjike ndodhi në ora 21:oo, teksa
Agroni po kthehej nga një kurs i
gjuhës angleze. Sigurisht i thelluar në mendime, kaloi
rrugën me dy semaforë me ngjyrë
jeshile, ndërsa semafori i tretë mbyllet
për këmbësorët për t’ia mundësuar kalimin tramvajit. Agroni, duke mos e vërejtur se ishte ndezur ngjyra e
kuqe e semaforit kishte tentuar të kalojë rrugën me shina, por në atë
moment u godit nga
tramvaji. Agroni, nuk arriti t’i
mbijetonte këtij aksidenti tragjik dhe ndërroi jetë në moshën 32 vjeçare, tri ditë pas
ngjarjes tragjike, ditën e premte
me datë
19.09.1981 nga plagët e marra në
përplasjen e fuqishme me tramvajin.
Vëllai i tij Zefi ishte i pranishëm në momentin kur personeli mjekësor i spitalit të Zagrebit po
e përgatiste trupin e pajetë të Agronit në arkivolin e blinduar për ta nisur për në vendlindje. Moment mjaft
rrëqethës ishte kur Zefi e përqafoi për herë të fundit të vëllain e vet para se
të mbyllej dera e arkivolit. O Zot, mos e përjetoftë kush?
Kjo , është e vërteta e këtij aksidenti
tragjik, i cili tronditi Trieshin, Malësinë, Kosovën, trevat tjera
shqiptare dhe diasporën. Çdo rrëfim tjetër
është i pavërtetë dhe gënjeshtër”, pohon Zef Gjokaj .
Lajmi
i hidhur për ndarjen e parakohshme nga
jeta të këtij intelektuali
të mirëfilltë u përhap si
rrufeja. Ky bir i shtrenjtë i Malësisë u
largua fizikisht prej nesh përgjithmonë
në kulmet e arritjeve shkencore , atëherë kur
atij prisnim t’i urojmë gradën e doktorit të shkencave të fizikës nukleare, dhe t’i urojmë martesën mbase ishte
i fejuar. Këto kënaqësi të jetës ia ndërpreu vdekja, duke e lënë në lot e dhimbje nënën, vëllezërit e
motrat, familjarët, të fejuarën,
farefisin, shokët e shoqet, studentët dhe kolegët e tij të fushës akademike.
Mes
dhimbjes dhe lotëve mr. Agron
Lucajt iu dha lamtumira e fundit me nderime të larta , si askujt
ndonjëherë më parë në Malësi, në
ceremoninë mortore që u zhvillua në fshatin Stjepoh. Atë ditë zie për të gjithë shqiptarët, mijëra qytetarë, personalitete të
shkencës e akademikë nga hapësira
mbarëshqiptare dhe diaspora i dhanë atij
nderimin e fundit, duke u dhënë forcë e kurajë më të dashurve të tij të zemrës, të cilët shpesh uleshin në
karrige, luteshin me duar, ngrinin shikimin lart në qiell dhe vajtonin pa
pushim për njeriun më të dashur.
Pas
varrimit të Agron Lucajt familjen e tij
e ngushëlluan kohë pas kohe kolegë e bashkëveprimtarë të shumtë nga shumë vende , të cilët prunë dhurata në shenjë respekti e nderimi për të .
Por dhurata më domethënëse ishte ajo nga
kolegët e Agronit nga Universiteti i Prishtinës, të cilët i dorëzuan nënës së tij
një shumë parash për ngritjen e një busti, i cili do të shërbente si një emblemë e
pavdekshmërisë.
Veprimtaria
e tij shkencore e lënë përgjysmë, puna organizative dhe
aktivitetet e tij publike i japin Agron Lucajt jetëgjatësinë dhe pavdekësinë,
duke na kujtuar “Fjalët e qiririt” të Naim Frashërit: “Kur më shihni se jam tretur,/Mos pandehni se
kam vdekur”!... Jam i gjallë e jam në jetë./ Si dritë e vërtetë”.