| E enjte, 21.10.2021, 07:16 PM |
Enver Bytyçi:
Nesër
mbahet foltorja e Beratit. Eshtë e 11-ta foltore në radhë. Mbetet vetëm qarku i
Lezhës. Foltoret që pamë nuk janë fusha-gladiatorësh. Aq më pak fushë-beteja
ushtrish. Madje as demonstrime militantësh.
Foltoret
janë kuvendi i të munguarve. I atyre që për tetë vite nuk kanë patur rastin të
flasin e të dëgjohen. Në një farë mënyre foltorja është rikthimi në betejë e të
heshturve dhe atyre që ua ndaluan jo vetëm pjesmarrjen në PD, por edhe fjalën
dhe votën e tyre për PD-në. E këta ishin aksionerët e parë dhe të kohëve më të
vështira të kësaj partie.
Ata
heshtën edhe për shkak të Doktorit. Prandaj nuk ia përtojnë t'ia thonë këtë me
zë të lartë në foltore. Por nuk u ndjenë në tetë vite. Këta që nuk e duan
regjimin e Edi Ramës, duket se u ndëshkuan pikërisht për këtë arsye. Një nga
drejtuesit e Partisë Demokratike më pati thënë pak ditë pas 25 prillit se
"Ti po prish punë me kritikat ndaj Ramës"! Kur i them pse, ai më
thotë se "Kështu po thonë shefat tanë"!
Një
metodë e tillë censure konjuktuale ka bërë që në tetë vite të largohen së paku
gjysma e anëtarëve të devotshëm të Partisë Demokratike, të pakësohen
përkrahësit e saj, ndërkohë që shumica e atyre që ishin aty, e votonin Lulzim
Bashën, sepse e asocuan atë me Sali Berishën. Ia kam thënë zotit Basha në janar
të vitit 2018 në zyrën e tij këtë defekt të punës së tij. I kam thënë asokohe
se "Nuk ka Parti Demokratike, nëse ju nuk do të mundësoni t'i mbani në
lidhje të gjithë anëtarët e PD-së të të gjitha kohëve"!
Foltorja
sot po dëshmon se PD-ja e vërtetë paska qenë në heshtje! PD-ja e vërtetë paska
toleruar Lulzim Bashën për hatër të Sali Berishës! Dhe ky është një gabim,
është një faj. Lulzim Basha duhet të shkojë në foltoret e Doktorit ose në të
vetat e t'u shpjegojë demokratëve se pse e krijoi këtë hendek midis atyre që ia
kanë përkushtuar jetën kësaj partie dhe atyre që u katapultuan në parti?! Pse?!