| E merkure, 20.10.2021, 06:11 PM |
NJË STUDIM VLERASH TË SHUMTA PËR VEPRËN LETRARE TË MARTIN CAMAJT
“Ka
libra që lexohen, ka libra që të vënë në mendime, ka libra që ruhen në zemrën e
kombit”. (Leonid Leonov)
Nga
Ajete Zogaj
Viti 2020 shënoi 95
vjetorin e lindjes së shkrimtarit, gjuhëtarit dhe atdhetarit të shquar, Martin
Camaj. Këtë përvjetor të veçantë Sh. B. “Beqir Musli” e Gjilanit e shënoi me
botimin e librit “Vepra letrare e Martin Camajt” të autorit Anton Nikë Berisha,
një studim monumental për veprën e Martinit.
Interesimi i profesor
Berishës për veprën e Camajt është i hershëm, që nga viti 1978,
qysh gjatë qëndrimit të tij studimor në Göttingen të Gjermanisë. Ai zgjati vite
me radhë dhe rezultoi me studimin e thelluar dhe më të plotin e më shkencorin
që kemi deri më tani për veprën letrare të këtij shkrimtari.
Studiuesi Anton Nikë
Berisha i është kthyer disa herë leximit e studimit të veprës letrare të Camajt
dhe secilën herë ka gjetur diçka të veçantë në veprat e tij.
Duke u nisur nga
teksti poetik, nga shtjellimi i veçantë i tij në një varg veprash të Camajt,
qysh në Parathënien e vitit 1991 Berisha do të shkruajë: “E shoh të
nevojshme të përmend këtu se koha e jetës dhe receptimit intensiv të veprës
letrare të Camajt në rrafshin gjithëkombëtar duhet të fillojë”(f. 10).
Gjatë leximit dhe
rileximit të veprës letrare të Camajt, Berisha u mishërua me të, prandaj veprave
të veçanta të tij, qofshin në poezi, në prozë, qofshin në dramë, u bëri një
interpretim të menduar mirë, profesionalisht të ngritur, përmes të cilit i
ndriçoi disa nga vlerat më kryesore të tyre. Siç do të shprehej Zh. La Bryjer:
“Kur leximi ju lartëson shpirtin dhe ju ngjall ndjenja fisnike e burrërore, mos
kërkoni arsye të tjera për të çmuar atë vepër, ajo është e mirë dhe e ka
shkruar një mjeshtër”.
Studimi “Vepra
letrare e Martin Camajt” e profesor Anton Nikë Berishës, botuar nga Sh. b.
“Beqir Musliu”, u shtua dhe u rishikua; u saktësuan mendime, u shtuan
vlerësime; u pasurua këndvështrimi, u bën shtesa. Është me vlerë sidomos pjesa
për veprën letrare të Martinit, të vështruar pas njëzet vitesh më vonë, për të
cilësuar përsëri si vepër letrare sa të mëvetësishme, aq dhe të rëndësishme, me
një shtjellim gjuhësor shprehës të veçantë, të krijuar nga mendja e një
mjeshtri të madh të artit të fjalës së shkruar.
Në fillim të studimit
Berisha i sjell të tri shënimet përcjellëse për të tri botimet e mëparshme të
studimit për veprën letrare të Martin Camajt, të botuara në Kozencë e Tiranë në
intervale të ndryshme kohore e të plotësuara, sikurse jep edhe një shënim
shtesë për botimin e vitit 2020 të bërë
në Gjilan.
Libri i Anton Nikë
Berishës, “Vepra letrare e Martin Camajt” shtjellohet në tre kapituj, përmes të
cilëve në mënyrë të thelluar trajtohen çështjet e poetikës së veprës letrare të
këtij shkrimtari: Camaj poet, Camaj prozator dhe Camaj dramaturg.
Profesor Berisha me
të drejtë thekson: “Vepra e tij poetike është, para së gjithash, fryt, me një
anë i aftësisë krijuese e përfytyruese (imagjinatave) dhe, me anë tjetër, i
përkushtimit të madh krijues. [...] Vepra e Martin Camajt u krijua në
vazhdimësi në një periudhë mbi dyzetvjeçare dhe në kushte dhe në rrethana të
veçanta e në vende të ndryshme, prandaj përcaktimi i tipareve të saj, i
periudhave të krijimtarisë dhe i shkallë-shkallëshmërisë dhe i natyrshmërisë së
evoluimit dhe i ngritjes së cilësisë artistike të saj, kërkon shumë më tepër
aftësi e flijim mendor e profesional sesa mendohet në të parë” (f. 20).
Sipas Berishës,
Martin Camaj fillet krijuese artistike i pati me poezi, ku më 1951 në revistën
letrare “Jeta e re” të Prishtinës botoi poezinë “Mësuesi i ri” (nr. 5) dhe
“Mullini i ujit” (nr. 6), ndërkaq në vitin 1953 ndërmarrja botuese “Mustafa
Bakija” e Prishtinës, ia botoi përmbledhjen tashmë klasike “Nji fyell ndër
male” dhe më 1954 “Kanga e vërrinit”.
Pas analizës që i bën
krijimtarisë letrare të Camajt, ngritjes dhe pasurimit të saj, profesor Berisha
veçon tri periudha, që meritojnë shqyrtim të veçantë:
Periudha
e parë: 1953 – 1967
Periudha
e dytë: 1967- 1978 dhe
Periudha
e tretë: 1978- 1992.
Në procesin e
ndriçimit të vlerave poetike të poezisë së Camajt, sidomos mënyrën se si autori
u qaset dhe i shqipton dukuritë përmes gjuhës, përmes tekstit, në veprat e
botuara në vitet 1967-1978, Berisha
thekson: “[...] nëpërmjet artit të fjalës, poezisë, Camaj vë dialog me gjithë
atë që i duket e rëndësishme dhe e nevojshme për njeriun në rrjedhën jetësore,
për pasurimin dhe vetëdijesimin e tij. Camaj nuk krijoi poezinë (kjo ndodhë
edhe me veprat e tij në prozë e në dramë) për hir vetëm të artit, për hir të
dëshmimit të prirjes dhe imagjinatës krijuese poetike të tij, të vetëkënaqësisë
artistike, por për domosdonë e komunikimit artistik e të ndikimit estetik të
veprës së tij me marrësin – receptuesin e saj.” (f. 41- 42).
Në interpretimin që i
bën përmbledhjes “Njeriu me vete e me të tjerët”, e botuar në München më 1978,
Berisha thekson se ajo hyn në radhën më të ngushtë të vëllimeve më artistike
dhe më të rëndësishme të poezisë gjithëshqiptare deri më sot; nga struktura
tekstore poetike e krijuar rrezatojnë mendime që rrahin larg. (f. 50).
Edhe poezitë e
periudhës së tretë, janë trajtuar nga rrafshe të ndryshme, ku autori ndalet
sidomos tek libri Palimpsest, që është i fundit i shkruar nga Martin
Camaj dhe përmbyll krijimtarinë e tij në këtë fushë.
Studiuesi Berisha
merret sidomos me mënyrën si Camaj i shpreh dukuritë, përkatësisht si e
shtjellon tekstin poetik, të hartuar në periudhën e tretë, ku dëshmohet një art
i madh: “ Poezia e periudhës së tretë të Camajt, për t’u receptura kërkon një
lexim të përkujdesshëm, një njohje të natyrës së artit të fjalës e të fuqisë së
tij magjike, një përafri dhe bashkafrim kohësisht më të gjatë. Ajo nuk të
përvetëson fillimisht dhe me lexim të parë; kërkon më tepër për arsye se është
krijuar për atë qëllim: që të pushtohet me mundim e me përpjekje më të mëdha
[...] së këndejmi, mund të themi me gjithë mend se kjo poezi e Camajt është
shembull dhe dëshmi e njëmendët se sa njeriu mund të pasurohet e të
fisnikërohet shpirtërisht nga vlera kulminante të artit letrar” (f. 72-73).
Me përkushtim Berisha
e ka studiuar edhe Camajn prozator. “Në
fushën e prozës Martin Camaj u dëshmua romansier dhe novelist dhe në dy këto
forma tregoi aftësinë dhe imagjinatën e krijuesit të madh” (f. 77).
Autori merret sidomos
me veprën “Dranja”, njëra nga krijesat më të veçanta e më me vlerë të Camajt,
po dhe të letërsisë shqipe në përgjithësi. Po ashtu Berisha i bën një
interpretim të thelluar dhe romanit “Karpa”;
ngjarjet ndodhin në një të ardhme të përfytyruar, ku Camaj gërmon në
shpirtin e personazheve e të zbulimit të prejardhjes së tyre.
Aftësi të
jashtëzakonshme krijuese Camaj tregoi edhe në lërimin e veprave dramatike, si,
fjala vjen: “Loja e mbasdrekës” (1981) dhe “Kandili i argjendit” (1993).
Dy shtojca:” Të
tjerët për veprën e Martin Camajt” dhe “Njëzet letra të Martin Camajt” janë
pjesë e rëndësishme e këtij studimi.
Derisa në shtojcën e
parë kemi mundësinë të lexojmë vlerësime meritore për krijimtarinë letrare të
Martin Camajt nga njohës të veprës së tij, shtojca e dytë është me interes të
veçantë për lexuesit dhe studiuesit: Camaj sjell të dhëna të rëndësishme për
mënyrën e krijimit të veprave të tij dhe të përkushtimit krijues. Ato sjellin
të dhëna për njohjen e profesor Anton Nikë Berishës me Martin Camajn si dhe
kujdesin e jashtëzakonshëm për t’i ruajtur e për t’i botuar ato. Letrat
shpërfaqin kulturën e dy intelektualëve meritor, dijen dhe njohjet e thella për fusha të ndryshme të dijes e të artit,
por edhe për çështje madhore të kombit.
Në to shfaqet
konsiderata dhe vlerësimi i lartë që Martini ka për profesor Berishën dhe për
Kosovën: “Letra jote vë në dukje disa pika që i harroj: relacioni im me ju. Gja
që më ka ngurrue në shumë (pikëpyetje). Pa çue gjatë: në zemër (innerlich”) nuk
ka asnjë grup kulturor shqiptar jashtë e brenda që e ndiej ma afër se
ju.”(Lenggries, 6. 5. 1984)
Studimi për veprën
letrare të Martin Camajt dëshmon për një punë të mirëfilltë, për një përkushtim
dhe dije të madhe të profesor Anton Nikë Berishës në fushën e studimit dhe të
interpretimit të veprave letrare për arsye se vepra letrare e Camajt e vë
secilin studiues para vështirësive të ndryshme, të cilën gjë e përmend dhe
Berisha.
Mendimi i filozofit anglez, Francis Bacon: “Leximi e
kompleton njeriun; biseda e bën të shkathët, të shkruarit e bën të saktë”,
sikur ndërlidhet bukur me leximin, me rileximin dhe me studimin që profesor
Berisha i bën veprës së Camajt, përmes
të cilit ndriçohen disa nga vlerat kryesore të kësaj vepre me interes të
shumëfishtë. Edhe vetë Berisha thekson se këtë studim duhet marrë vetëm si një
mundësi të qasjes dhe të interpretimit të veprave poetike të Camajt: “Vepra e Camajt ka vlera
të mëdha dhe ofron mundësi të pashterueshme për studime e vlerësime sa herë që
t’i qasemi, ta lexojmë dhe të merremi me përkushtim me të” (f. 162).
Prishtinë, shtator 2021