| E marte, 19.10.2021, 06:33 PM |
Lamtumirë Liri Lubonja!
Nga
Sonila Meço
Kjo
është një foto ekskluzive e familjes Lubonja për programin tim Kontrata të
marsit 2015.
Fatos
Lubonja në prehrin e së ëmës Liri dhe vëllai Agim në prehrin e të atit Todi.
Për
disa javë më është dashur t’i bëj vend në hapësirat e mia cerebrale dhe lëngun
emotiv rrëfimeve të jashtëzakonshme e drithëruese, me një talent të rrallë
shkrimtarije të zonjës Liri Lubonja.
T’ju
them se është ndër rrëfyeset, shkrimtaret dhe mjeshtret më të nënvlerësuara të
fjalës ngjan ende e mangët, sepse librat e saj janë domosdoshmëri leximi dhe
visare letrare.
Historia
e trishtë e një gruaje që në periudhën e regjimit komunist, nga gazetare e
historiane në Institutin e Historisë për 17 vite jetoi në internim, me
bashkëshortin e djalin në burg është vetëm sfondi i një mbijetese epike dhe
rezistence të paimagjinueshme të një gruaje, nëne, gjysheje, intelektualeje.
Unë
vendosa në program, që rrugëtimin e jetës së Tosit, ta përshkoja me rrëfimin e
mamasë së tij në librin “Larg dhe mes njerëzve”, një galeri kujtimesh të
gjalluara nga një mendje e kthjellët dhe frazë e kulluar. Jam përlotur, jam
mbledhur kruspull, jam revoltuar, kam kapërcyer vakte prej angushtisë në
stomak, e kam përqafuar së largu, e kam thirrur, i jam falënderuar si grua
gruas, si nënë nënës për shkundjen e fortë që më shkaktoi ai libër. Pamjet që e
vetëdijshmja dhe pavetëdishmja do t’ju krijojnë nëpërmjet përftimit të rrëfimit
të Liri Lubonjës janë një Oscar i sigurt i munguar.
Zonja
Liri u shua dje në moshën 95 vjeçare, jetoi triumfet e një sistemi, rënien nga
postet, plandosjen prej të njëjtit regjim, zgëqe dhe sërish lirinë pas maktheve
17 vjeçare; përjetoi burgosjen 15 vjeçare të bashkëshortit Todi për futje të
ndikimeve dekadente në Festivalin e 11-të të Këngës, burgosjen e djalit për
"agjitacion dhe propagandë” në burgun e Spaçit, ridënimin me 16 vite të
tjera burgim, me akuzën si pjesëtar i një organizate kundër revolucionare, duke
përjetuar ndërkohë e vetme me Agimin, djalin, ferrin e një jete në internim,
vuajtjen e tre brezave, përfshi foshnje një muajshe, sepse nuk pranoi ndarjen
prej të shoqit.
Në
linkun e mëposhtën nga minutazhi 1:28:00 e në vijim gjeni pasazhet e një
rrëfimi në vetë të parë, që nuk duhet humbur (u përpoqa gjatë ta kisha në
program, por i mirkuptova nevojën e qëndrimit larg kameras). Inskenuam një
pjesë rrëfimi dhe sot, në shuarjen kësaj bote të Liri Lubonjës, po e postoj (në
youtube gjenden edhe pjesët e tjera të programit) si një monument të çdokohshëm
kujtese.
Dhe
kompensim të një vendi, që nuk iu dha shkrimtares Liri as në liri, një gruaje
që e kaluara nuk e mbajti peng, që dëshmoi kohën që jetoi në disa libra të vyer
duke bërë një udhëtim tragjik drejt kuptimit të vetes e duke na e bërë të lehtë
kësisoj të nxënin e raportit me të shkuarën. Edhe si proces vetjak, edhe si
proces shoqëror.
T’lehtë
fluturimin e shpirtit Liri Lubonja!
https://youtu.be/tJdptRydrYY
https://www.facebook.com/sonilamecoA