| E hene, 18.10.2021, 07:56 PM |
NJË DIPLOMAT AMERIKAN QË NUK HESHTI KUR DUHEJ TË FLISTE
Nga
Frank Shkreli
Ndonëse,
teknikisht, jemi ende brenda 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve midis
Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Republikës së Shqipërisë si dhe
hapjes, zyrtarisht, të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë me 1 tetor, 1991 – nga Z.
Christopher Hill, i Ngarkuar me Punë ad interim --Frank SHKRELI/ Kris Hill diplomati që hapi Ambasadën e parë Amerikane në Tiranë | Gazeta Telegraf
-- i cili u pasua nga Ambasadori i parë amerikan në Tiranë në 52-vite, Z.
William Edwin Ryerson – deshta të kujtoj me këtë rast, Kryetarin e Delegacionit
të parë të Departmentit të Shtetit në Shqipëri, 20 mars, ’91, Z. David Haywood Swartz --Një ngjarje në historinë e mardhënieve Amerikano-Shqiptare që shpesh anashkalohet | Gazeta Telegraf
-- njëherazi duke mbyllur këtë seri shkrimesh, lidhur me këtë përvjetor.
Dua ta kujtoj Z.
Swartz si një diplomat parimor. Të bardhës i thonte e bardhë dhe të zezës, e
zezë. Për aq pak kohë që e njoha -- përpara, gjatë vizitës në Shqipëri për tre
javë dhe pas këthimit në Washington -- pak kam njohur diplomatë që i thonin
gjërat ashtu siç i shihnin, troç, drejt për drejt dhe pa frikë. David Swartz,
një ekspert për ish-Bashkimin Sovjetik dhe për Evropën Lindore/Qendrore, para
se të emërohej në krye të delegacionit të parë amerikan në Shqipëri, mars/prill
1991, ka pasur detyra të larta në Washington dhe ka shërbyer në Poloni, Zvicër
dhe Kanada. Për Shqipërinë dinte aq sa
kishte lexuar, si një shtet i mbyllur komunist, ndër regjimet më të egra
komuniste, me kampe përqendrimi dhe burgje për kundërshtarët pro-perendimorë të
regjimit komunist, deri në ditën e fundit të ndryshimit të sistemeve.
Ambasadori Swartz ishte anti-komunist i bindur, ndoshta nga përvoja e tij
diplomatike në Varshavë, gjatë luftës së ftohtë.
Para se të
niseshim nga Washingtoni për në Shqipëri, me 20 prill, 1991 përflitej se Z.
Swartz, në të vërtetë, ishte emërua ambasadori i parë amerikan në Tiranë – por
ai vet nuk e përmendte fare këtë mundësi, pasi ishte i njohur me procesin e
gjatë të emërimit dhe miratimit të ambasadorëve nga Shtëpia e Bardhë dhe nga
Senati amerikan. Arsyeja se pse më në
fund Z. Swartz nuk përfundoi të ishte ambasadori i parë në Shqipëri, u bë shkak
vizita e Sekretarit James Baker me 22 qershor, 1991 në Tiranë. Sipas burimeve
të sigurta në Washington në atë kohë, pas pritjes madhështore që iu bë Z.
Bejker në Tiranë, me të këthyer në Washington, Sekretari Bejker kishte mbetur
aq kënaqur me vizitën, sa që kishte vendosur të emëronte Bill Ryersonin (i cili
gjatë asaj kohe ishte vetëm përkohësisht në Tiranë në pritje të ambasadorit të
ri që duhej të ishte qenë David Swartz), si ambasador i parë. Thuhej, në atë
kohë, se Sekretari Bejker i kishte dhenë kredi Z. Bill Ryerson për turmën e
madhe në sheshin Skenderbeu,për të pritur kryediplomatin amerikan -- i bindur
se ishte ai, (Z. Ryerson) që kishte organizuar një pritje të tillë, aq
madhështore, për Z. Bejker, e si i tillë meritonte të të emërohej ambasadori i
parë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Ambasadori Ryerson, ndonëse në rrethana
shumë të vështira veprimtarie, në atë kohë, përball një trashëgimie komuniste
që i kishte rrenjët thellë në shoqërinë dhe politikën shqiptare, në mendimin
tim, ka shërbyer me dinjitet dhe përkushtim. Ambasadori Ryerson edhe sot mbetet
shumë i dashur dhe mjaft i respektuar për shumicën e shqiptarëve në Shqipëri
por edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, përfshir autorin e këtyre
rreshtave, për të cilin ruaj vetëm kujtime të shkëlqyera.
Kështuqë, si
përfundim, Z. Ryerson emërohet ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara në
Shqipëri, ndërsa diplomati i parë amerikan që shkeli në tokën shqiptare 52 vite
pasi Enver Hoxha kishte mbyllur ambasadën amerikane në Tiranë, Z. David Swartz,
emërohej nga Presidenti Xhorxh Bush i vjetër, ambasadori i parë amerikan në
Bjellorusi, një vend i ish-Bashkimit Sovjetik që posa kishte shpallur
pavarësinë nga Moska. Por punët nuk shkuan aq mirë për ambasadorin e parë
amerikan në Bjellorusi. Siç thashë edhe më lartë, David Swartz ishte parimor
dhe fliste troç, vinte nga një rajon i Amerikës që quhet “Heartland of America)
nga zemra e Amerikës, banorët e atjeshëm njihen për sinqeritetin e tyre,
ndryshe nga të tjerët që jetojnë në zonat urbane dhe industriale të Amerikës.
Ndërkaq, në Janar
të vitit 1993, në Washington fillon punën një administratë e re, administrata e
Presidentit demokrat, Z. Bill Clinton.
Bjellorusia kishte shpallur
pavarësinë e saj
nga Bashkimi Sovjetik, siç kishin bërë dhe shumica e republikave
sovjetike. Presidenti Aleksandër
Lukashenko, si një apartaçik komunist që ishte – drejtor i një koperative
bujqësore – ç’prej fillimit kishte treguar prirje për një
qeverisje shtypëse
dhe i ashpër ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Analisti amerikan i njohur në atë kohë,
Robert Novak e ka cilësuar reagimin e qeverisë së Presidentit Clinton ndaj
sjelljeve të diktatorit Lukashenko si “një heshtje e turpshme”, duke cituar
ish-ambasadorin David Swartz se, qeveria e atëherëshme e Lukashenkos nuk kishte
ndër mend të toleronte as të akomodonte opozitën dhe si përfundim, duke
shprehur mos-pajtimin e tij me politikën e qeverisë amerikane ndaj politikave
shtypëse të Lukashenkos, Ambasadori David Swartz kishte vendosur të jepte
dorëheqjen në protestë ndaj regjimit të Lukashenkos dhe ndaj heshtjes së
administratës së Presidentit Clinton të cilën ai e përfaqësonte në Minsk. Ishte
ky njç vendim i një diplomati të guximshëm amerikan -- ndërkohë që me dorëheqjen e tij, tërhoqi
vëmendjen e Kongresit amerikan dhe të botës për ato që po ndodhnin në
Bjellorusi nën regjimin e Lukashenkos në fillim të 1990-ave, që edhe sot pas
30-vitesh është ende në fuqi – i njëjti diktator dhe i vetmi i tillë në Evropë,
siç cilësohet nga media evropiane. Sidoqoftë, qëllimi i këtyre rreshtave nuk
është diktatori Lukashenko, por parimet dhe guximi personal dhe profesional i
një diplomati amerikan, siç ishte David Swartz, që po të vijë puna tek mbështetja
e të vërtetës – dhe kur janë në pyetje të drejtat dhe liritë e një kombi –
atëherë ia vlen edhe dorëheqja -- si protestë -- nga një detyrë e lartë, qoftë
edhe si ambasador – për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj një politike
autoritare, çnjerzore, pikërisht, siç ka berë edhe një diplomat tjetër amerikan
në fillim të shekullit të kaluar, duke dhenë dorëheqjen në protestë – asaj
radhe për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj gjendjes së mjerueshme të
shqipatrëve, në atë kohë -- Frank Shkreli: Ambasadori amerikan që ka dhënë dorëheqjen për të shpëtuar Shqipërinë | Gazeta Telegraf
–
Sa herë në ditët e
sotëme ndeshemi me fenomenin e hipokrizisë në fushën politike dhe diplomatike. Gazetari politik amerikan Michael Gerson
është shprehur se hipokrizia politike është “përdorimi i qëllimshëm i një maske
për të gënjyer publikun me qëllim përfitimi politik”. David Swartz nuk ishte diplomat hipokrit,
sepse hipokrizia është për ata që tremben nga e vërteta dhe si përfundim
distancohen nga e verteta. Ai nuk kishte
drojë nga e vervet. Ai raportonte të
vërtetën mbi shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut nga Lukashenko dhe
regjimi i tij diktatorial. Ai nuk e
shikonte heshtjen ndaj së keqes që ishte Lukashenko, si një virtyt, as si një
vlerë diplomatike ose politike. Po të merreshin në konsideratë shqetësimet e Ambasadorit David Swartz, në
atë kohë, a thua nuk do ishte Bjellorusia një vend ndryshe sot, e Lukashenko
ndoshta do kishte përfunduar në koshin e plehrave të komunizmit?! Për fata të
mirë Amerika ka pasur edhe të tjerë
diplomatë dhe zyrtarë të lartë të Departmentit Amerikan të Shtetit që gjatë
historisë -- kanë dhenë dorëheqjen nga detyra të larta, në mos-pajtim me politika
specifike të qeverisë së tyre ndaj një vendi të huaj ose një çeshtjeje politike
kombëtare ose ndërkombëtare. Si
shembull, kujtoj se gjatë luftërave ballkanike të shekullit
të kaluar -- një numër zyrtarësh të lartë, specialistë të rajonit, disa prej të
cilëve i kam njohur -- kanë dhenë dorëheqjen si përfundim i mos miratimit të
politikës së administratës së Presidentit Clinton në Bosnje, në fillim të
viteve 1990-ave.
Po mendoja se ç’do të ndodhte sot nëse një ambasador perëndimor në Tiranë, ose në cilindo vend fqinj, do të jepte dorëheqjen në protestë ndaj ndonjë politike -- për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët -- kësaj radhe nga vetvetja, më shumë se nga të të huajt -- ashtu siç bëri në vitin 1914, George Fred Williams, ish-diplomat, ish anëtar i Kongresit dhe ish ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi, i emëruar nga Presidenti Woodrow Wilson. Frank Shkreli: Ambasadori amerikan që ka dhënë dorëheqjen për të shpëtuar Shqipërinë | Gazeta Telegraf – A po siç bëri, pothuaj një shekull më vonë, kur David Swartz, ish-Kryetari i delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri, në mars/prill, 1991, u dorëhoq nga detyra e ambasadorit të SHBA-ve në Bjellorusi, në përpjekje për të shpëtuar një popull nga një diktator duke protestuar politikën e administratës së Presidentit Clinton ndaj regjimit të Lukashenkos, i cili edhe sot e kësaj dite mbetet i gjithë-pushtetshëm në vendin e tij, si diktatori i fundit në Evropë. Nëse do të ishte dëgjuar zëri protestues i ambasadorit Swartz në lidhje me situatën e atëherëshme në Bjellorusi, ndoshta Evropa nuk do të përballej sot me “problemin” Lukashenko. Një mësim për të gjithë diplomatët kudo qofshin: mos heshtni kur duhet të flisni! Hapni sytë të shikoni, e veshët të dëgjoni dhe hapni gojën e flisni të vërtetën, publikisht, për ato që po ndodhin rreth e përqark jush. Mos heshtni kur duhet të flisni, se duke folur mund të kurseni një popull nga ndonjë fat i keq e ndoshta duke mbrojtur të vërtetën, mund të shpëtoni sado pak demokracinë e brishtë në ato anë.
Ish-Ambasadori
David Swartz, Kryetari i Delegacionit të Departmentit të Shtetit që për herë të
parë (ç’prej vitit 1946) shkeli në tokën shqiptare, Mars/Prill, 1991, menjëherë
pas nënshkrimit në Washington të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve
diplomatike SHBA-Shqipëri dhe ish-Ambasador i Shteteve të Bashkuara në
Bjellorusi (Shtator 9, 1991-Janar 21, 1994) i cili ka dhënë dorëheqjen nga ai
post për të protestuar politikën e qeverisë së administratës Clinton ndaj
diktatorit Lukashenko – i cili për 30-vjet tani, “fiton” zgjedhje pas
zgjedhjesh dhe ashtu si 30 vjetë më parë vazhdon të shtyp opozitën, liritë bazë
dhe të drejtat e njeriut të popullit bjellorus.