| E hene, 18.10.2021, 05:55 PM |
Gabimet në përkthim dhe pasojat e tyre
Nga
Prof. dr. Eshref Ymeri
Si shkak për
hedhjen në kompjuter të shënimeve në vijim, u bë përkthimi i një fjalie, të
shkëputur nga reagimi i zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të
Rusisë, Maria Zaharova, ndaj deklaratës së Kryeministrit Rama për bashkimin e
Kosovës me Shqipërinë. Reagimi i saj ishte botuar në disa portale.
Ja cila është
fjalia:
“Ne presim një reagim të përshtatshëm nga mentorët
perëndimorë të projektit të shtetndërtimit të Kosovës ndaj këtij provokimi të
pacipë” (Citohet sipas: Zaharova: “Deklarata e Ramës për bashkimin e
Kosovës dhe Shqipërisë e papranueshme për Rusinë”. Faqja e internetit “Teuta”.
11 tetor 2021).
Ky përkthim haset po në faqen e internetit “gazetaexpress”
të po kësaj date. Po i njëjti përkthim përcillet edhe në Platformën
mediatike analitike në youtube “Pamflet” të së njëjtës datë.
Më bëri përshtypje shumë të keqe dhe madje më revoltoi
togfjalëshi “provokim i pacipë”, prandaj thashë me vete:
“Kryeministri Rama ka plotësisht të drejtë që ministrinë
ruse të punëve të jashtme ta paditë në një gjykatë evropiane për fyerje
publike, sepse deklarata e tij për bashkimin e dy shteteve shqiptare nuk përbën
absolutisht “provokim të pacipë”.
Mbiemri “i pacipë”, sipas Fjalorit të gjuhës
shqipe të vitit 2006, do të thotë: “që nuk ka fare turp”.
Megjithatë, më lindi një hije dyshimi për saktësinë e
përkthimit të këtij togfjalëshi. Prandaj vendosa “të shtegtoj” nëpër portale të
tjera, ku hasa në një tjetër variant përkthimi, si ky në vazhdim:
“Presim reagimin e duhur nga kujdestarët perëndimorë
rreth projektit për ndërtimin e kombit të Kosovës, që është një provokim i
pastër” (Citohet sipas: “Deklarata e Ramës për bashkimin e Kosovës me
Shqipërinë, reagon Rusia”. Faqja e internetit “alsat”. 11 tetor
2021).
Gjithsesi, për t’u bindur përfundimisht për dyshimin që
më lindi, duhej bërë krahasimi me fjalinë e tekstit origjinal të deklaratës së
Maria Zaharovës. Ja fjalia, e nxjerrë nga teksti origjinal.
“???????????? ?? ?????????? ???????
???????? ???????? ??????? ????????? “?????????????????” ?? ??? ???????????
?????????? (Citohet sipas: “Koment i zëdhënëses
së MPJ të Rusisë M.V. Zaharova lidhur me deklaratën e kryeministrit të
Shqipërisë E. Rama”. Faqja e
internetit e MPJ të Rusisë “mid.ru”. 10 tetor 2021).
Dyshimi im paskej qenë me vend. Togfjalëshi i gjuhës ruse
“??????????? ??????????”, në
përkthimin fjalë për fjalë, do të thotë “provokim i hapur”. Në portalin “alsat”
është përthyer shumë bukur - “provokim i pastër”. Atëherë lind pyetja:
po portalet “Teuta”, “gazetaexpress” dhe “Pamflet” nga e shpikën
mbiemrin “i pacipë”, nga ç’gjuhë e kanë përkthyer? Cili ka qenë ai
përkthyes i papërgjegjshëm, i cili “i ka thënë këmbës dorë”? Sepse me
mbiemrin “i pacipë”, për mungesë të theksuar etike, akuzohet rëndë
padrejtësisht ministria ruse e punëve të jashtme dhe, po padrejtësisht, fyhet
keq Kryeministri Rama.
Në përkthimin e fjalisë së sipërcituar, ka edhe pasaktësi të tjera. Në fjalinë e përkthyer në
të katër portalet e mësipërme, është shmangur qëndrimi i njohur antishqiptar i
politikës ruse kundër Kosovës, si shtet i pavarur. Në të tre portalet e para,
fjala e origjinalit në gjuhën ruse “?????????????????”,
është përkthyer “shtetndërtim”, kurse në
portalin “alsat” - “ndërtimi i kombit të Kosovës”.
Së pari, fjalën
“?????????????????”, që
do të thotë “organizim shtetëror” (le ta pranojmë si variant përkthimi
edhe kompozitën e shqipes “shtetndërtim”), zëdhënësja e ministrisë ruse
të punëve të jashtme e ka vënë në thonjëza, çka do të thotë se Moska shprehet
ironikisht për organizimin shtetëror të Kosovës, sepse ajo nuk e njeh Kosovën
si shtet të pavarur, duke e konsideruar si pjesë të Serbisë. Prandaj kompozita shtetndërtim
duhej dhënë në thonjëza.
Së dyti, me
shprehjen “ndërtimi i kombit të Kosovës”, përkthyesi i ka lejuar
vetes tri gafa:
a. shprehjen duhej ta jepte në thonjëza.
b. fjalën “?????????????????”
duhej ta përkthente “organizim shtetëror”, jo “ndërtimi
i kombit”.
c. fjalën “komb” e ka shpikur nga xhepi, duke
sajuar një “komb kosovar” të paqenë, çka është në përputhje me
falsifikimet historike të serbosllavizmit dhe të mercenarëve në shërbim të tij
në Prishtinë, si Profesor Nexhmedin Spahiu e disa të tjerë, sipas të cilëve
banorët rrënjës të Kosovës “janë komb më vete” që “nuk kanë lidhje” me kombin
shqiptar.
Këto tri gafa dëshmojnë për mungesë të theksuar të
formimit profesional të përkthyesit dhe për horizontin e tij kulturor gjysmak.
Në këndvështrimin
tim, varianti më i goditur i përkthimit të fjalisë, që është nxjerrë nga
një tekst i natyrës politike nga fusha e diplomacisë, do të ishte ky në vijim:
“Jemi në pritje të reagimit të duhur nga ana e kujdestarëve
perëndimorë, që ndjekin nga afër zbatimin e projektit për “organizimin
shtetëror” të Kosovës, ndaj këtij provokimi të pastër”.
Portalet që përkthejnë materiale nga gjuhë të tjera,
duhet të punësojnë përkthyes të talentuar, të cilët e zotërojnë gjuhën e huaj
në mënyrë të përsosur. Në të kundërt, do t’i lejojnë vetes t’u shpëtojnë gafa
të rënda, si ato që përmenda më lart, çka do të thotë se përkthyesi, sipas asaj
fjalës së urtë, “është marrë nga dhitë dhe është vënë zabit”.
Në të njëjtën kohë, portalet duhet të kenë edhe redaktorë
të talentuar, të cilët duhet të jenë jo vetëm të formuar nga ana profesionale,
por edhe të pajisur me një horizont të gjerë kulturor. Por, me sa duket,
portalet, fatkeqësisht, nuk kanë fare redaktorë, prandaj edhe u kanë shpëtuar
gafat që përmenda më lart.
Herë tjetër, lexuesit e nderuar do t’i njoh me gabime në
përkthim në praktikën botërore të komunikimit, gabime që kanë shërbyer edhe si
skena humori, edhe si arsye për ndonjë ndëshkim të rëndë, edhe si shkak për
pasoja tragjike të përmasave të mëdha.
San Diego, Kaliforni
18 tetor 2021