| E enjte, 14.10.2021, 07:11 PM |
Pse nuk egziston LSH dhe pse është marrë godina e Lidhjes së Shkrimtarëve nga shteti?
Flasin
Hysen Sinani, Pirro Loli, Sazan Goliku, Behar Gjoka, Violeta Allmuçaj,
-Një
shtet pa Lidhje është si një shtëpi pa dritare, e errët, pa dritë
Nga
Albert Z. ZHOLI
Ka
më shumë se 14 vjet që Godina e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë
është marrë në mënyrë të padrejtë nga shteti. Shumë vite më parë në periudhën
që LSH ishte në gjyq me shtetin për pronësinë e godinës gazeta “Telegraf” ka
realizuar dhjetëra intervista me shkrimtarë dhe poetë. Aktualisht bashkë me
godinën edhe Lidhja duket pa jetë. Sot shkrimtarët shqiptarë janë të vetmit në
botë, pa një godinë të tyre dhe pa një shtyp të tyre. E famshmja gazeta “Drita”
ka po kaq vite që është mbyllur. Shkrimtarët shqiptarë, s’dinë ku të takohen,
ku të qajnë hallet dhe ku të gjejnë vetveten. Ngushëllimin e gjejnë vetëm tek
çantat e rënda në kurriz që mbartin brenda libra, projekte, skica letrare, të
cilat i hapin dhe i bëjnë prezent mes shokësh nëpër tavolinat e kafeneve të
panumërta të Tiranës.
Hysen
Sinani (Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve)
U
bënë mëse një dekadë që jemi në luftë me shtetin. “De facto” nuk ka LSH. Rrëmbimi
i godinës ishte veprimi më i shëmtuar. Ky veprim në një shtet demokratik është
një veprim banditesk. Këtë veprim se ka bërë as diktatori Enver Hoxha, pasi ai
e dinte mirë forcën e penës dhe lidhjet e shkrimtarëve me popullin. Të lësh pa
godinë shkrimtarët, këta paraprijës të mendimit të përparuar në çdo shoqëri
është një krim. Qeveria e re duhet ta vendosë në vend këtë padrejtësi që
u është bërë krijuesve të saj. Në regjimin e Hoxhës shkrimtarët kishin godinën
e tyre, gazetën e tyre, leje krijimtarie. Lidhjes së Shkrimtarëve i takon
një godinë sado e vogël dhe gazeta e saj. Mendoj se duhen vlerësuar për vetë
rëndësinë e punës së tyre.
Pirro
Loli, shkrimtar
Një
shtet pa Lidhje është si një shtëpi pa dritare, e errët, pa dritë.
Zakonisht zaptimet bëhen nga të huajt. Zaptimi i godinës sonë nga shteti
ynë ishte qëndrimi më ogurzi ndaj kulturës, artit dhe letërsisë
sonë kombëtare. Pas kësaj u duk një shpërfillje totale ndaj shkrimtarëve,
një burokraci agresive dhe indiferente njëkohësisht. Një godinë e disa zyra
mund të gjenden kudo, por një ministri kulture të lëvizi gjërat e letërsisë, të
organizojë e të përgjigjet për librin dhe artin, qenka e vështirë…Po të
mëdhenjtë tanë, bejlerët e letërsisë, pse nuk e mbrojtën godinën e tyre nga
zaptuesit, pse nuk kanë nxjerrë një fjalë nga goja për mungesën totale absolute
të çdo organizimi të shkrimtarëve – ata hoqën b… mënjanë dhe lundrojnë akoma me
famën e atij regjimi. Mendoj se sot, në emër të lirisë së fjalës, ata e kanë
frikë organizimin, klubin a shoqatën. Kur heshtin të mëdhenjtë e letrave, hesht
dhe shteti antiletrar. Mund të jemi nga vendet e rralla në botë që shkrimtarët
nuk ekzistojnë në asnjë organizim.
Violeta
Allmuça, shkrimtare
Pse
politika e sotme shqipe është larguar nga shkrimtarët, madje, u ka marrë
dhe godinën e Lidhjes? S’ka se si të ndodhë ndryshe. Shkrimtarët nuk bëjnë
kompromise, nuk janë servilë, nuk janë sahanlëpirës, nuk dinë të bëjnë
korrupsion. Ata janë paraprijës të mendimit njerëzor dhe qëndrojnë në pararojë
të çdo lëvizje qytetare. Marrja që i është bërë Godinës sonë është atentati më
shkatërrues për krijuesit tanë. Të gjithë llojet e sporteve, shoqatat, bizneset
kanë godinat dhe statuset e tyre, ne s’kemi asgjë. Mosegzistenca e LSHA
mbetet veprimi më i shëmtuar. Ndërsa më i shëmtuari i të gjithë kohërave
mbyllja e gazetës “Drita”. T’u marrësh shkrimtarëve godinën e tyre historike
dhe të mbyllësh gazetën më të vjetër dhe më të bukur letrare është vrasje që i
është bërë letërsisë shqiptare.
Behar
Gjoka, kritikë arti
Letërsia
ndodhet në një situatë që pakkush merr mundimin të ndajë vlerën nga jo
vlera, sepse çdo shenjë, çdo dëshmi na mundëson komunikimin real
gati të pamundur, sepse mungon një revistë letrare një gazetë e
mirëfilltë letrare apo kritike. Na mungon një lidhje e dikurshme shkrimtarësh
(letrare), e cila mirë apo keq i lidhte interesat e krijuesve pavarësisht
fushës , pavarësisë, apo llojit. Tani çdo gjë është një çorganizim i
organizuar dhe në këtë çorganizim të organizuar shyqyr që autorët përpiqen që
ta mbajnë letërsinë gjallë. Ajo godinë kur nuk duhej hequr nga
administrimi i krijuesve. Ajo ishte e shenjtë nga ku kanë dalë gjenerata të
tërë shkrimtarësh dhe poetësh që i kanë dhënë emër Shqipërisë në botë. Ka
dhe një problem tjetër….Botuesit shqiptarë, kanë një marrëdhënie absurde
me shkrimtarët saqë nuk e di deri, ku do të shkojë kjo marrëdhënie, pasi librin
e paguan autori. Pra jemi në një situatë, ku libri gati- gati po
shndërrohet në mall. Libri nuk është mall. Libri është simbol. Është pasqyrë
e një kohe të caktuar, e një rrethane të caktuar. Është një marrëdhënie, e cila
e kapërcen kohën. I kapërcen këto lloj sinorësh, të cilat në fund fare nuk ka
se si të na krijojnë mundësinë të komunikojmë realisht. Letërsia shqipe
tashmë gjendet tani diku në periferi, të mendjes së institucioneve shqiptare,
në periferi të vëmendjes së lexuesit shqiptar, vëmendjes së botuesve shqiptarë.
Është tek e fundit në nderin e atyre që marrin përsipër që kjo zonjë e rëndë
(siç është letërsia), të mos lihet të largohet (të përzihet) nga jeta e
përditshme, sepse, nesër jeta do të jetë pak më e shëmtuar se sa sot.
Sazan
Goliku, shkrimtar
Shteti
nuk duhet të arrinte deri aty sa ta harrojë LSHA. Nuk duhet ta bënin këtë punë.
Të mirë të këqij, ne jemi. Por jemi krijues. Jemi ndërgjegja e një kombi. Jemi
përcjellësit e mendimit qytetar, civilizimit, demokracisë. Jemi përçuesit e
mendimit progresist. Pa librat e shkrimtarëve nuk do të kishte histori,
Shqipëria, nuk do të kishte gjithë këto këngë, poezi, legjenda, portrete. Historia
do të ishte e zbrazët. Roli i shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve në
historinë e një vendi është determinant.