Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Nikollë Lesi: Si i njoha Nanon dhe Berishën (Nano VI)

| E diele, 07.12.2008, 03:31 AM |


Nikollë Lesi

Si i njoha Nanon dhe Berishën

 

Kapitulli i parë - Fatos Nano


25 shtator 2004 fillon dueli i madh

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me 25 shtator 2004 vendosi që ti kërkojë Parlamentit “Autorizim për procedim penal ndaj deputetit Nikollë Lesi” që nënkuptonte heqjen e imunitetit tim parlamentar. Padia ishte bërë nga Xhoana Nano. Sipas padisë së saj gazeta “Koha Jonë” dhe unë kishim shpifur dhe fyer kundrejt saj. Por dy ditë para se jepej vendimi i Kolegjit Penal kryeministri Nano bashkë me gruan e tij të dytë , Xhoanën , kishin fluturuar nga Pekini në Nju York. Ora e Nju Yorkut është 6 orë pas asaj të Tiranës. Ditën e dhënies së vendimit të Gjykatës së Lartë, aty nga ora 10.30 , me merr në celular Gramoz Ruci, sekretar i Përgjithshëm i PS.

-Nuk ta japim atë kenaqësi zoti Lesi që të të heqim imunitetin sot !- më foli, duke me lenë të kuptoja se nuk do bëhej gafë për të hequr imunitetin

-Spektakël do t’ju bëj nëse e hiqni !- ia ktheva me të njëjtën monedhë.

-Harroje atë deshirë që të na fusesh në kurth PS dhe qeverinë !- insistoi Ruçi dhe me tha se pasdite takohemi për një kafe në parlament.

Nuk vonoi shumë dhe vendimi doli ku i kërkohej parlamantit për të më hequr imunitetin. Gramoz Ruci kishte dështuar. Një ditë më parë vendimit ishin mbledhur fshehurazi në zyrën e kryetarit të Parlamentit z. Pellumbi; Ruçi , Thimio Kondi, kryetar i Gjykatë së Lartë dhe natyrisht Serveti. Informacionet nga njërëz përreth të treve më kishin deklaruar se ata kanë rënë dakort që të mos vendosej për të kërkuar heqjen e imunitetit , pasi ishte gafë e madhe dhe konsumim forcash për PS në prag të zgjedhjeve parlamentare, aq me tepër me njeri të medias së pavarur që kishte kontribuar për ardhjen e PS në pushtet në vitin 1997. Por Ruçi, Pellumbi dhe Kondi kishin harruar se një njeri nuk flinte në atë orë të natës në Nju York. Ai ishte Fatos Nano. Në ora 11. 00 të ditës së dhënies së vendimit të Gjykatës së Lartë kishte rënë nga Nju Yorku telefoni i kryeministrit . Ishte ora 5 e mengjezit në Nju York dhe familja Nano nuk kishte bërë gjumë pa marrë vesh vendimin në Tiranë. Një prej anëtarëve të trupit gjykues të Kolegjit Penal, emrin e të cilit nuk po e përmend për arësye se ma kërkoi mos përdorimin e emrit të tij, më tha një ditë në Sheraton Hotel, duke pirë një kafe, se ora 11.00 e datës 25 shtator ishte fatale për ty.

-Pse ?- pyeta

-Të gjithë kujtuam se Nano ishte në gjumë në orë të Nju Yorkut dhe nxituam ta shpallnim vendimin në favorin tend. Por, siç duket dikush prej nesh e lajmëroi apo ai vetë nuk kishte fjetur në atë orë të Nju Yorkut dhe gjithçka është përmbysur. Na mori në telefon pothuaj të pestëve të Gjykatës së lartë. Na kërcënoi . U mblodhëm prapë. Median e lajmëruam se vendimin do ta jepnim më vonë. Ndryshuam vendimin në favor të Xhoanës.

Pasditen e asaj dite shkova në parlament. Gazetarët nuk më lanë rehat që në hyrje. Edicionet e lajmeve kishin lajm të parë çeshtjen e imunitetit tim.

-Ç’kemi Gramoz ? – e pyes jo pa shpoti.

-Epo këto punë nganjëherë vendosen edhe në krevat, në Nju York !- u duk se i shpëtoi kritikës time.

Vajta në shtëpi. Natalia rrinte e mërzitur përballë lajmeve të televizorit që jepnin lajm të parë vendimin e Gjykatës së lartë. Një shoqe e saj e kishte marrë në telefon.” Nikollën do ta arrestojnë. Më ka thënë një njeri i afërm në Prokurori !”-kishte fjalosur shoqja e saj . Dy djemtë Elvisi, në klasën e shtatë dhe Juli në klasën e katërt me shikonin në sy dhe nuk flisnin. Me sa duket kalamajtë e pallatit duhej t’iu kishin thënë ndonjë gjë të mërzitshme për babain.

-Si është arrestimi babi ? – më pyeti djali i vogël Juliani ose Juli siç i thërrasim për shkurt.

-Po ja si ta them, shkon me pushime për ca muaj !- iu përgjigja duke mos e ditur që ai donte të vazhdonte.

-Pse nuk me merr edhe mua atje ?- bërtiti Juli

Jo, se është larg !

-A ka televizor në dhomë ai arrestimi ?- prapë pyeste Juli. Ai e mendonte “arrestimin” si diçka si në formë shetitje buzë detit. Por të nesermen kur erdhi nga shkolla plot tërsellem mendova se duhej ta kishin ngacmuar shokët e klasës.

- Pse më ke gënjyer babi? Ty Nano do të fusi në burg. Ma thanë shokët sot !- ulërinte djali- Por unë do ta vras Nanon !- nuk pushonte djali. Kështu vazhduan ditët e javët në shtëpi pas vendimit të Gjykatës së Lartë për ti kërkuar parlamentit heqjen e imunitetit tim dhe më pas procedimin penal që edhe mund shkonte, sipas deshirës së familjes Nano, deri në burgim. Tensioni brenda meje rritej çdo ditë e më shumë. Berisha, duke e shfrytëzuar politikisht këtë rast me merrte pesë herë në ditë në telefon. Me ftonte për kafe dhe me thoshte “ Mos u tërhiq edhe nëse të bëjnë oferta. Do të fitojmë. Do të jesh ministri më i rëndësishëm i qeverisë time”- thoshte Saliu. Në një moment iu përgjigja ftohtë Saliut

-Lëre punën e ministrit, por duhet të fitoj në këtë duel me kryeministrin. Është treguar i poshtër. Me hoqi të gjithë njërëzit nga puna. Kontrolloi gjithë aktivitetin e gazetës për të më futur në burg. Dështoi. Më bllokoi gjithë aktivitetin e gazetës. Me hodhi në gjyq. Tani don edhe të më fusë në burg për fjalën e lirë!- flisja me inat përballë Saliut.

-Jo , jo ! Je hero i opozitës !- fliste dhe më vinte dorën në sup Berisha sa herë e takoja .

Me datë 8 nentor 2004 ishte caktuar dita e debatit për heqjen e imunitetit tim dhe votimi. Isha mbushur brenda vetes me një qetësi të frikshme për Nanon. Jashtë natyrës time impulsive isha ulur në kompjuter, duke përpunuar një strategji përfekte të cilën kryeministri nuk e priste.

Votimi për Xhoanën – votim politik i PS!

Të shokuar deputetët e PS më takonin sa në kafen e parlamentit aq dhe ne Sheraton Hotel e Grand Hotel në Tiranë. Petro Koçi kishte deklaruar hapur votën kundër heqjes së imunitetit tim parlamentar, duke e acaruar kryeministrin në mënyrë të skajshme. Po keshtu ministri Ben Blushi kishte lenë të kuptonte kur pyetej nga media se nuk do të votonte pro Xhoanës. Ditët kalonin nën një tension maksimal për të dy kampet. Po afrohej data 8 nentor 2004, dita kur ishte caktuar debati për imunitetin dhe votimi i fshehtë. Nano i bindur në një fitore historike kundër meje, pasi kishte blerë disa deputetë të opozitës, kurse unë i qetë në humbjen time në votim. Berisha ishte bërë aktiv në këtë çeshtje imuniteti , pasi përvec bindjes se ishte një gjë e padrejtë ai donte të testonte votat në parlament dhe ta përdorte punën time për të rrëzuar Nanon. Kishte që në vitin 1997 që opozita nuk kishte fituar asnjëherë në votime në parlament. Ishte testi më i fortë për opozitën , ndonëse kryeministri kishte blerë dy vota tek PD nëpërmjet një biznesmeni që është demokrat, por që falej tek vila kryeministrore natën. Ishin blerë afërsisht 7 vota në kampin e opozitës. Pra llogaria e Nanos ishte që në duelin e 8 nentorit ai arrinte dy qëllime: me hiqte mua imunitetin dhe në anën tjetër i tregonte opinionit vendas dhe ndërkombëtar që kishte shumicën në parlament, ndonëse Meta ishte larguar me grupin e tij.

Por kryeministri nuk dinte se kishte harruar grupin e tij parlamentar duke u marrë me disa deputetë të opozitës. Kisha informacionet e duhura që Nano ishte i qetë në numrat e votimit pro tij ndaj e ktheu votimin për kerkesën e Xhoanës si votim politik, çka do të thoshte se ai kishte shumicën nëse fitonte, që ishte i bindur se shkonte tek 80 vota . Megjithatë Servet Pellumbi, kryetar i parlamentit, me kishte thënë se e kishte vonuar kastile disa javë futjen e votimit në parlament në mënyrë që Nano të qetësohej nga inati hakmarrës që e kishte uzurpuar e të hiqte dorë.

-Votën time e keni pro teje Lesi !- me tha Servet Pellumbi- Tani jam duke dalë në pension dhe nuk dua të turpërohem në këtë çeshtje që nuk ka të fituar.

-Një votë kam dhe do ta jap për ty !-më kapi ministri Majko një ditë në koridorin e parlamentit.

-Janë disa ministra që do të votojnë kundër Nanos- më qetësonte ministri Blushi tek Grand Hotel. Beni ishte njeriu udhërrëfyes për shumë deputetë e ministra të PS në këtë duel mes meje e Nanos. Ishte i bindur se nuk duhej të vinte puna gjer në heqje imuniteti. Kishte insistuar disa herë pranë kryeministrit që të mos vinte puna në parlament, pasi sejcili kokën e ka të varur në qafën e tij .

-Të gjithë deputetët e PD-së janë pro teje- më thoshte Berisha sa herë e takoja, ndonëse ai nuk e dinte që një deputet i PD-së ishte parablerë, pa harruar edhe 6 të tjerë nga segmentet e opozitës së vogël. Gjinushi dilte në media si mbrojtës i medias së lirë, por përveç Gaqo Apostolit asnjëri prej grupit të tij nuk votoi pro meje. Ndërsa nga grupi i deputetëve të partisë së Drejtave të Njeriut votat hapur i kishin deklaruar vetëm Kristo Goxhi dhe Ligoraq Karamelo. Neritan Ceka ishte me pranë familjes kryeministrore, si përherë. Lufter Xhuveli më kishte thënë se “ do të votoj proNanos se ai ka të drejtë”.

-Votën e di se ku duhet hedhur zoti Lesi !- më tha Erion Braçe deputet dhe kryeredaktor i ZP, pasi kishte pirë kafenë në Ben Blushin.

-Pesë deputetë të PS janë pro teje – ishte Edi Rama që po punonte edhe për ti dhënë një goditje politike kryeministri, i cili ishte forcuar deri në rrezik edhe për të tijtë në PS.

-Nuk votoj për Xhoanën ore Lesi !- fliste Luan Rama dhe dinte shumë gjera për atë familje kryeministrore. Nuk po kuptoja se ç’po ndodhte tamam. Në media dilte se kryesia e PS dhe grupi parlamentar i saj kishin vendosur për votim politik kundër meje. Ndërsa veçmas afro 15 prej tyre më thonin se do të votonin kundër Nanos. Ç’të kuptoja!

Nano hante darkë me shumë prej deputetëve të mazhorancës, të cilët kishte vite pa i pritur apo takuar. Tani ishte bërë dashamirës me ta ! I priste në zyrë , në vilë, qeshte dhe “qante” hallet e mazhorancës me ata. I pyeste se çfarë hallesh kishin dhe ua zgjidhte në çast.

-Edhe votën time e ke për ty !-foli mu para seancës deputeti Albert Çaçi, i bindur se po gabohej në gjithë këtë sulm ndaj meje.- Nuk është kërkuar heqje imuniteti për ministra apo ish-ministra që vetë i ka akuzuar për korrupsion dhe vjen e të turret ty për tre shkrime në gazetë ! Nuk bëhem viktimë- nxitoi Albert Çaçi, duke më thënë në vesh se janë shumë deputetë pro teje, por që nuk dalin hapur se kanë frikë nga hakmarrja e kryeministrit.

-Një votë kam Niko ! Është e jotja !- foli duke qeshur Ilir Gjoni pa e çarë kokën se e degjuan nja dy deputetë spiuna të kryeministrit . Më pas ishte Stefan Çipa që nuk do të votonte pro Nanos. Të paktën kështu më tha. Më e veçanta ishte ardhja e ministrit të Ekonomisë Anastas Angjeli. Pasi shikoi se nuk kishte asnjeri rrotull në koridorin e djathtë, sapo hynë në parlament vjen e më thotë me vrap:

-Nuk votoj për atë kurvën…… ! Jam me ty !- dhe iku me një hap gjigand për gjatësinë e kembeve të tij. Qesha. Natyrisht që duhej çdo votë. Në kuti vota nuk ka ngjyrë apo erë.!