| E hene, 04.10.2021, 05:56 PM |
Kujtimet e ish-mësuesit dhe shkrimtarit Fejzi Murati, “ Nderi i qytetit ” të Kuçovës:
-Alterteksti u
“shpik” si gjoja novacion, por solli vetëm fitime për grupet klanore pranë
qeverisë
-Mësuesi
i ka duart të lidhura për të marrë masa ndaj një nxënësi
Nga
Albert Z. ZHOLI
Një mësues që gjithmonë ka qenë në
kontakt me zhvillimet letrare pasi prej shumë vitesh ka dhënë
lëndën e gjuhës dhe letërsisë në gjimnaz. Sipas tij “ajo çka po përpiqemi të zbatojmë në
këta 30 vjet nuk ka dhënë atë ç’ka pritej. Ka shumë dobësi, të cilat dalin kur
nxënësit shkojnë në shkollat e larta”.
- Tashmë ka disa ditë që ka
filluar viti i ri mësimor 2021-2022. Duke qenë se jemi në situatë Pandemie
mendoni se ka probleme me mësimdhënien, me kualifikimin e mësuesve?
- Sigurisht që ka.
Aq më tepër në këtë situatë. Mësimdhënia është një problem kompleks, ku
ndërthuren kushtet për bazë materiale, laboratoret, kualifikimi i mësuesve etj.
Mendoj se në të gjitha ka mangësi. Kualifikimi i mësuesve, mendoj se këto vite
bëhet më shumë për të qenë brenda me urdhëzimet se sa për të siguruar vërtet
nivel cilësor. Po të shohim statistikat, të gjithë ata që futen në provime
kualifikuese për master, i marrin ato lehtësisht, sepse të drejtën për mastel e
kanë të gjitha universitetet pa përjashtim. Vetvetiu del se formalizmi zotëron
edhe këtu. Nga ana tjetër, po këta mësues të kualifikuar me “
master”, zhvillojnë mësimdhënie jo me në qendër nxënësin, por më shumë dominon
niveli didaskalik, çka nënkupton një të mësuar të përciptë dhe përmendsh. Për
mendimin tim, mësuesit para se të fitojnë të drejtën për mësimdhënie, të
kalojnë në filtra kualifikimi shumë të rreptë. Të gjitha këto kanë sjellë dhe
rënien e kërkesës së llogarisë. Gjithmonë mësuesit janë nën
presionin e vazhdueshëm të komunitetit të nxënësve dhe prindërve për notë të
lartë dhe fiktive, e cila siguron mesataren dhe pikët për të fituar një të
drejtë studimi që dëshirojnë. Veç kësaj, mësuesit janë edhe nën presionin e
mbylljes së klasave po të bjerë numri i nxënësve dhe automatikisht, u
rrezikohet vendi i punës. Problem jetik për çdo mësues. Ndikon këtu edhe zona,
treva, pasi nuk është njësoj cilësia e nxënësve në qytete dhe fshatra. Nuk
është njësoj në qendrat e zhvilluara urbane dhe ato më pak të zhvilluara. Të
jemi realistë; diferencat janë shumë të mëdha. Vetvetiu bije edhe kërkesa e mësuesve
ndaj nxënësve. Teorikisht kjo nuk duhet të ndodhë, por në fakt është realitet.
- Disiplina në shkolla është kusht për mbarëvajtjen, por si
theksohet shpesh nga shtypi nëpër shkolla ka një rënie të theksuar
në këto vite?
- Kjo është e
vërtetë. Të gjithë i shohim se çbëhet në shkolla. Për disiplinën ndikojnë shumë
faktorë, por më kryesori ka të bëjë me edukimin e nxënësve nga
familja. Shumë fëmijë po rriten në mungesë të babait, i cili mund të jetë
jashtë vendit si refugjat ekonomik. Disa prindër, të ndodhur nën gjendjen e
keqe ekonomike, nuk ia kanë kohën të merren me edukimin e fëmijëve. Disa janë
vetë me nivel të ulët kulturor… Po të bëhet një studim, do të dalë se prindërit
e arsimuar dhe të kulturuar, kanë edhe fëmijët më të përparuar në mësime. Këta
fëmijë janë edhe më të disiplinuar, më të sjellshëm dhe më kërkues ndaj vetes,
madje edhe ndaj mësuesve. Por edhe programet televizive me filma
horror, me dhunë, me porno, pa asnjë lloj kontrolli e censure ditë-natë, kanë
ndikimin e vet shumë negativ dhe konkluzioni del vetvetiu, pse ka rënie të
disiplinës nëpër shkolla.
- Shqipëria numëron mbi 44 mijë
analfabetë në të gjithë vendin që nuk dinë as shkrim dhe as këndim sipas të
dhënave të publikuara nga Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve
të Bashkuara (UNESCO) që i takojnë vitit 2018. Si e komentoni këtë fakt?
- Të gjitha
qeveritë në këta 30 vjetë e dinë shkakun, por nuk duan ta shohin në sy. Dy janë
faktorët: Ngujimi për gjakmarrje dhe mjerimi ekonomik. Femijët lenë shkollën
për të bërë shitësin, lypësin, punën e krahut. Mjafton të rikujtojmë Gërdecin
ku punonin dhe madje u vranë fëmijë 7, 8 apo 10 vjeçarë…Edhe kërkesa nga ana e
pushtetit për zbatimin e ligjit për arsimin e detyrueshëm nëntëvjeçar nuk është
në lartësinë e duhur.
- Si do ta komentonit fenomenin e mitmarrjes nga disa
mësues nëpër shkollat e mesme dhe sidomos në shkollat e larta?
- Mitmarrja është
pjesë e korrupsionit tërësor tek ne. Presioni për
rritjen fiktive të notës e nxit dhe u krijon kushte mësuesve që
ndoshta nuk e meritojnë emrin mësues , të marrin lekë. Në shkollat e larta ai
është rrjedhojë e dobësive në arsimin parauniversitar. Një
student që ka patur mesatare të merituar në shkollën e
mesme , nuk i shkon kurrë në mendje të japë lekë, euro apo dollarë për një
notë. As pedagogu nuk guxon t’i bëjë presion.Të gjithë e dimë këtë. Ka edhe pedagogë që bëjnë presion me notë për përfitime.
Ligji për të gjithë mësimdhënësit duhet të jetë tepër i rreptë.
Heqja e të drejtës së mësimdhënies. Ashtu si për mjekun, për nëpunësin e kudo.
- A ka dhënë rezultate në
interes të shkollave, arsimit dhe nxënësve, alterteksti apo
ishte një zgjidhje që ka interesa komerciale?
- Alterteksti në këta vitet e fundit,
kur u “shpik” si gjoja novacion, ka sjellë vetëm fitime për grupet klanore
pranë qeverisë, se sa për cilësi dhe alternativa, nuk ka ndikuar fare.
Përkundrazi, krijon një kakofoni të panevojshme dhe shumë formale. Mësuesit
lëndorë nëpër shkolla, bëjnë sikur i studiojnë tekstet dhe miratojnë herë hapur
e herë jo, ato botime që janë më pranë Ministrit apo dikujt që ka pushtet , të
rekomanduar nën zë nga shefat… Lënda mësimore ngelet po ajo. Një
ligj në fizikë nuk mund të ndryshohet, atëherë përse duhet të punojnë dhjetë
grupe autorësh nga dhjetë shtëpi botuese dhe të na servirin dhjetë tekste gati
të njëllojta, por vetëm me ndryshime formale? Kam mendimin se tekstet
mësimore duhet të jenë të unifikuar. Të hartohen nga specialistët më të mirë
dhe nën kontrollin e rreptë të Akademisë apo të Ministrisë së Arsimit. Mbi këtë
bazë hartohen edhe testet kombëtare për maturat shtetërore. Ka ardhur koha që
për këtë problem qeveria të angazhihet seriozisht.
- A tregojnë interes për të studiuar sistematikisht nxënësit e shkollave të
mesme, apo luftojnë thjesht për mesatare fiktive?
- Padyshim ka shumë nxënës që janë
seriozë dhe punojnë shumë , duke e merituar notën e lartë. Por këta janë vetëm
30 deri 40% e të tërë nxënësve të shkollave parauniversitare. Të
tjerët vijnë në shkolla dhe shtyhen me një notë 5 të mjerueshme. Janë pikërisht
këta që bëjnë presion për fiktivitet note. Negativisht ndikojnë edhe hapja pa
kriter e shkollave të larta private, padyshim me interes fitimin, që mbledhin
të gjithë nxënësit e dobët. Përfundojnë maturën çdo vit 40 mijë nxënës dhe
futen në shkolla të larta po kaq. Nuk ka seleksion, nuk ka cilësi, nuk ka të ardhme. Jam i mendimit që sistemi ynë i vlerësimit me notë nuk
funksionon mirë. Notat e përdorshme janë vetëm 7 nga 10 që thuhet se janë pasi
nota 1, 2 dhe 3 nuk vihen kurrë në regjistra. Mund të vendoset kriteri me 20 nota si
në Francë e gjetkë. Mësuesi ka diapazon për të bërë diferencë më të mirë mes
nxënësve. Por të ketë edhe një kriter tjetër. Nxënësit që nuk arrijnë notën 10
të mos lejohen të aplikojnë në shkolla të larta. Të mos u lejohet as universiteteve private të mbledhin
ngelësat, siç po ndodh aktualisht.
- Cilat janë problemet e shkollës
shqiptare sot, parë nga këndvështrimi juaj si mësues?
- Ka shumë problem, por do veçoja si
shqetësues një çorientim të përgjithshëm të nxënësve me gjithfarë formularësh
që nuk ka zot t’i zbërthejë e t’i plotësojë, eksperimentet me të famshmet klasa
të profilit shkencor e shoqëror, një kakofoni shumëzimesh me pikë për notë
mesatare e lëndore, futja e lëndëve me zgjedhje dhe altertekstet, mungesa e
theksuar e disiplinës si jashtë orës së mësimit, edhe brenda saj. Mësuesi i ka
duart të lidhura për të marrë masa ndaj një nxënësi që prish me ose padashje
mësimin. Para disa vitesh u dhanë udhëzime për përdorimin e një kartoni të
verdhë (si në ndeshje futbolli), për t’u përdorur ndaj nxënësve të
padisiplinuar. Ishte një gjetje gati e pazbatueshme dhe që asnjëherë nuk mund e
nuk u përdor nga mësuesit. Këtë karton të verdhë ( mungonte kartoni i kuq !!!)
mësuesit e kanë edhe sot nëpër dosjet e tyre.
- Mund të bëni një
krahasim mes arsimimit para dhe pas viteve ’90?
- Arsimi në vitet e diktaturës ishte
një nga levat e partisë dhe mbizotëronte metoda skolastike e lindjes, të
mësuarit përmendësh, edukimi me frymën e partisë. Sot tentohen
metodat perëndimore, të mësuarit krijues dhe mbi të gjitha larg
politizimit të fëmijëve. Por në fakt jemi ende larg. Flitet shumë, por nuk
bëhet asgjë për të krijuar kushtet e një të mësuari të tillë. Në shumicën e
shkollave mungon baza mësimore, praktika, laboratoret, investimet. Ka më shumë eufori,
fasadë, lavdërime e vetlavdërime, por arritjet lenë për të dëshiruar. Koha nuk
e pranon termin ” ecje prapa”, por në fakt, po nuk ece përpara,
detyrimisht ke bërë pas.
-A ishin të respektuar mësuesit në
ato vite dhe një paralele me sot?
- Ka një ndryshim të dukshëm. Në ato
vite mësuesin e vlerësonte së pari prindi dhe ia përcillte këtë edhe fëmijës.
Sot, shumë prindër as duan t’ia dinë për rolin e mësuesit, gjë që ndikon edhe
te fëmijët. Shumë prindër mendojnë se mësuesi duhet ta mësojë fëmijën që në
orët brenda shkollës. Por kjo nuk mund të bëhet në shkollat tona që nuk kanë as
energji elektrike, as ngrohje, as ujë, as banka dhe as kushte për të vijuar
edhe studimin pasdite. Formalisht u ngritën disa të ashtuquajtur “ Borde” , në
thelb interesante, por që kurrë nuk kanë funksionuar dhe nuk mund të
funksionojnë në kushtet ekonomike të prindërve shqiptarë. Në fakt, trinomi
mësues – prind - nxënës , mund dhe duhet ta krijojë suksesin në arsim.
Faktikisht ky trinom nuk funksionon veçse formalisht në letër.
-Cili nga Ministrat e Arsimit që keni
njohur ju ka qene më i suksesshëm në drejtim të reformave në arsim, para dhe
pas viteve ’90?
-Para viteve ’90 arsimi ka qene në
kushte të tjera dhe nuk dallohej shumë roli i Ministrit, pasi ishte vija e
partisë që bënte politikat arsimore. Ndërsa pas instalimit të demokracisë,
gjithçka është ndryshe. Por unë mendoj se në 30 vjet tranzicion, çdo ministër
që ka drejtuar arsimin, ka patur tendencën të eksperimentojë, më shumë për t’u
dukur si reformator se sa për të arritur diçka vërtet dinjitoze. Është
eksperimentuar me arsimin dhe e gjitha ka rënë mbi procesin e mësimdhënies dhe
të mësimnxënies. Si mund të quhet i suksesshëm një Ministër kur regjistrat, (
tepër të rëndësishëm për orën mësimore), i vijnë shkollës në muajin dhjetor siç
ndodhi në vitin shkollor 2011-2012? Ose i famshmi “Altertekst” që
veç interesit të tenderfituesve, asgjë nuk i ka dhënë arsimit?!
-Ju jeni edhe gazetar edhe shkrimtar;
ç’mendim keni për këtë bum botimesh të këtyre viteve të fundit?
- Një nga shkrimtarët e suksesshëm të
këtyre viteve, Vasil Premçi , me të qeshur ka thënë se tashmë cilido mund të
botojë edhe kujtimet e tij për hapjen e një kanali tre metrash , mjafton ta
paguajë mirë botuesin që nuk ka asnjë interes për cilësinë e veprës, veç atij
komercial. Por nuk duhet as të mohojmë se ky bum botimesh, doemos do nxjerrë
edhe të talentuarit, të cilët me kohë do të evidentohen dhe nesër do të
renditen në krenarinë e krijuesve shqiptare. Talente ka shumë edhe pse hë për
hë mbyten nga proliksiteti krijues i momentit. Vitrinat e librarive dhe koha e
bëjnë vetvetiu seleksionin.
-Cili është mendimi juaj lidhur më
mungesën e përkrahjes së krijuesve nga shteti, sidomos të shkrimtarëve, por jo
vetëm?
-Mendoj se ka mungesë totale të
interesit të shtetit në vitet e demokracisë për letërsinë në veçanti dhe për
nxitjen e krijimtarisë artistike në përgjithësi. Mjafton të
përmendim një fakt të dhimbshëm: Ka patur një gazetë letrare me titullin
simbolik “ Drita”, e cila lindi shumë vite më përpara se të themelohej shteti i
parë shqiptar. Kjo gazetë u bë organi që promovoi qindra e mijra shkrimtarë e
poetë, me të cilët krenohet letërsia jonë edhe sot e kësaj ditë. Po ç’ndodhi me
të? U mbyll për një subvencionim simbolik nga ana e shtetit duke e lënë në harresë
si një gjë pa vlerë.
-Për kuriozitet, cili është shkrimtari
juaj i preferuar?
- Nuk mund të them një emër konkret,
pasi shkrimtarët janë krejtësisht të veçantë në krijimtarinë e tyre dhe unë do
i krahasoja me frutat, secili frut ka shijen e vet. Ajo që mund të them me
siguri është se jam adhurues i letërsisë që tradicionalisht vlerësohet
botërisht, që nga klasikët francezë, rusë, anglezë apo amerikanë e deri te
letërisa modere bashkëkohore. Nga shkrimtarët shqiptarë vlerësoj shumë Migjenin
e paarritshëm, por edhe Kadarenë, Agollin , Spahiun dhe të mrekullueshmin Petro
Marko.