| E hene, 04.10.2021, 06:54 PM |
Intervistë me publicistin dhe veprimtarin, Idriz Zeqiraj
Kurti
trashëgoi ‘tokën e djegur’, komandantët e cubat ua bllokuan armët dhe paratë
Ademit dhe Hamzës
Kryeministri
Kurti dëshiron që Kosova të jetë e barabartë në dialog me Serbinë
Nga
Hava Orana Xhukolli
Idriz Zeqiraj publicist dhe veprimtar
në Gjermani, në një intervistë për ‘Bota sot’, ka folur rreth qeverisjen
aktuale në vend. Ai ka thënë se Kryeministri Albin Kurti ka trashëguar ‘tokën e
djegur’. Zeqiraj ka folur po ashtu për qëndrimet e kryeministrit Kurti karshi
dialogut dhe Serbisë.
Ai thotë se derisa Serbia dhe zyrtarët
e saj e kishin të lehtë të dialogonin me Hashim Tha?in dhe ekipin e tij, me Kurtin ky dialog është më i
vështirë.
Zeqiraj
është pyetur edhe për pozitën e ambasadorit në Shqipëri që i është ofruar dhe
ai ka përmendur edhe pozitat e tjera që i janë ofruar më parë nga Presidenti
historik, Ibrahim Rugova dhe më pas edhe shteti gjerman.
Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti për
menaxhimin e pandemisë, duke thënë se kjo ka ndikuar në zbehjen e ‘shkëlqimit’
të kësaj partie e që rezultatet mund të shfaqen edhe në zgjedhjet lokale që do
të mbahen së shpejti.
“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen aktuale të Qeverisë
Kurti?
Idriz Zeqiraj: Qeveria
Kurti erdhi në pushtet, si domosdo e ndryshimit. Opozitarizmi ishte i dhunshëm,
hiç i natyrshëm, në kushtet e një demokracie liberale. Por, koha e dëshmoi se
kërkesat e LVV ishin të drejta, madje, justifikuan bindshëm dhunën e përdorur
nga ajo. Shkurt, LVV ishte e vetme në mbrojtje të Republikës. Qeveria Kurti
trashëgoi "tokën e djegur". "Komandantët" cuba kishin
abuzuar e keqpërdorur pasuritë e brezave shqiptarë, jo vetëm kur ishin në krye
të pushtetit, por edhe duke qenë në opozitë. Forca e tyre ishin bandat, të
krijuara gjatë luftës dhe shumë aktive edhe pas luftës. Qeverisë Kurti,
aktualisht, po i mungon ai "ritmi i rrugës", i manifestuar në
opozitarizmin e saj. Në shumësinë e 400 mijë votuesve, gjithsesi, do të
sigurohej një ekip prej një duzinë kuadrosh. Megjithatë, pushteti është
përqendruar tek kuadrot, relativisht, rinorë, me vullnetin e mirë për punë,
por, pa përvojën e nevojshme drejtuese. "Çinovnikët", aparatçikët
burokratë, jo rrallë, kanë përtokur edhe Rusinë e madhe. "Kuadrot" e
marrë nga rruga, me nepotizëm e korrupsion, me diploma të blera, por, të
punësuar dhe të koracuar me vendime zyrtare, në rrethanat e një drejtësie të
rrënuar e të kapur rrast, nga ish-pushtetarët kriminelë e hajna, kanë pykuar
spastrimin e një administrate korruptive e sabotuese të reformave, të
ndryshimit. Rrjedhimisht, me gjithë angazhimin përkushtues, Qeveria Kurti duhet
të lirohet nga disa ligje të trashëguara, të cilat edhe pa komunizmin, në
praktikë, e mbrojnë atë. Për këtë e favorizojnë numrat vendim-marrëse, për ta
bërë ndryshimin e mirëfilltë.
“Bota sot”: Si po e menaxhon pandeminë kjo qeveri?
Idriz Zeqiraj: Pandemia,
kjo e keqe e përbotshme, e ka vënë në sprovë Qeverinë Kurti 2. Ministri i
Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili kishte shkëlqyer në menaxhimin e Drejtorisë
përkatëse në komunën e Prishtinës, në Qeverinë Kurti 1, duke ditur hallet,
mundësitë e kufizuara të Kosovës, për vaksinim e trajtim kurativ, vuri masa të
rrepta profilaktike, parandaluese të përhapjes së pandemisë. Opozita e re, e
frustruar nga humbja e pushtetit, e çoi Qeverinë Kurti në Gjykatën Kushtetuese.
Dhe, ajo, duke qenë e kapur nga presidenti kontravers e lavir, Thaçi, e
ndëshkoi me "shkelje të Kushtetutës", kinse, "për shkelje të
drejtave të qytetarëve"! Kështu, frenoi shumë nga masat mbrojtëse. Madje,
edhe dënimet e dhëna, për shkelje të rregullave mbrojtëse pandemike, tashmë,
opozita, en bloc, zhurmoi skajshëm, për t`i falur qytetarët e gjobitur, për
mospërfillje të udhëzimeve zyrtare. Dhe, pasoi virusi "Delta", me përhapje
rapide, pikërisht, në pikun e verës, me praninë enorme të mërgimtarëve. Të
mësuar me falje, profilaksia mbrojtëse, u shpërfill nga qytetarët dhe
infeksioni masiv shpërtheu pakontrollueshëm, tashmë, pavarësisht moshave,
viktimat u shumëfishuan, në krahasim me infeksionin e parë. Pastaj, herë
mungesa e vaksinave, herë hezitimi i qytetarëve për vaksinim, nuk u realizua
norma e parashikuar vaksinuese. Por, ajo që nuk justifikohet, është skadenca e
pakontrolluar e 134 mijë vaksinave - Astra Zeneca. Lënë për të dyshuar
administrimi shpërndarës i vaksinave, nga zyrtarë të papërgjegjshëm, në mos
edhe sabotues të qëllimshëm! Gjithsesi, për menaxhimin e tërësishëm,
përgjegjësia bie mbi krerët drejtues ministrorë.
“Bota sot”: Së fundi, ka ndodhur një vrasje politike në
Pejë, a ka ende rrezik për vrasje politike?
Idriz Zeqiraj: Vërtet, vrasja e dyfishtë në Pejë, ishte domethënëse,
sepse bëhej fjalë për dy zyrtarë, madje, njëri kandidat për kryetar të komunës
së Pejës, tjetri ish-kandidat për komunën e Deçanit. Këta i përkisnin
partisë-bandë të krimit, PDK-së, por, të dy klaneve mafioze brenda saj: i pari,
klanit të Hashimit, i përfaqësuar nga Xhavit Haliti, tjetri i Veselit. Punë,
paksa e ngatërruar me SHIK dhe pazare të dyshimta. Edhe pse bandat duken se
janë pasivizuar, në një masë, megjithatë, PAN-i është përkujdesur ta ruajë këtë
infrastrukturë, si emergjencë të krimeve. Dhe, me urdhër, mund të aktivizohen
në çdo kohë, sepse krimi i pandëshkuar mund të përsëritet.
“Bota sot”: Është përmendur se jeni emëruar Ambasador në
Shqipëri, cila është e vërteta në këtë?
Idriz Zeqiraj: Pas
një veprimtarie kombëtare, tej gjysmë-shekullore, është menduar, më në fund, të
shpërblehem me postin e ambasadorit. Megjithatë, ne, brezi i ilegales të viteve
`60-a, konsiderohet si - brezi i idealeve -, që ka aspiruar vetëm lirinë dhe
kurrë postet. Si shtetas shqiptar, më 1992, Partia Demokratike Shqiptare më
ofroi kandidimin për deputet dhe fitorja ishte, pothuajse, e garantuar. Katër
kandidatura kosovarësh, të gjithë fituan. Atmosfera ishte e tillë. Nuk e
pranova. Më 1993 më ofruan postin e Konsullit në Gjermani. Nuk e pranova, sepse
në ato vite kishin punë më të vlefshme për Kosovën. Pala gjermane më punësoi
përgjegjës në Bibliotekën e Qytetit. Një nëpunësi e preferuar. Por, fund-javët
ishin ditë pune. Ndërkohë që ne kishim shumë punë për mbijetesën e Kosovës,
begatimin e Fondeve. Braktisja e punës, rezultoi që sot të kem një pension
modest, prej 260 euro mujore. Në vitin 2003, personalisht, Presidenti Rugova,
më ofroi postin e zëvendës-ministrit të Arsimit. Duke e falënderuar për
përkujtesën fisnike, e falënderova, duke shtuar se nuk kam ambicie për çfarëdo
pozite qoftë. I gëzohem lirisë së Kosovës. Dhe, kjo është hyjnore. Mbetem në
profesionin e gazetarit, për të këshilluar gratis. Dhe, gjithherë, i
drejtpërdrejt e faktueshëm, pa u merakosur për opinionin e atyre, të cilët
reagojnë me porosi të shefave të tyre. Ajo që bëri përshtypje ishte aprovimi
masiv nga opinioni, për kandidaturën time diplomatike dhe kundërshtia e thekshme
e gazetarëve dhe analistëve PAN-istë në Prishtinë dhe e social-komunistëve në
Tiranë. Ishte një sinkronizim zërash dy palëshe. Gërmuan e rëmuan publicistikën
time të begatë, duke e komentuar atë, sipas interesave të tyre në Kosovë dhe
Shqipëri: "Idriz Zeqiraj, në shkrimet e tij tendencioze, ka atakuar e
sulmuar komandantët kryesorë të UÇK-së, që është sulm edhe ndaj vet
UÇK-së"; "ndarjen e Hamzës nga Ademi e konsideron të qëllimshme e
politike, gjë që është e turpshme dhe kriminale"; "emërtimi i
Aeroportit me emrin "Ademi Jashari", është i panatyrshëm, ngaqë nuk
ka pasur qasje në atë". Dhe, vazhdojnë: "Ka sulmuar, në vijimësi,
kryeministrin Edvin Rama, me shokë. Kush kritikon e shanë Ramën, ka sharë
Shqipërinë"; " zoti Zeqiraj ka akuzuar partinë CSU në Republikën e
Bavarisë gjermane, për miqësi me Serbinë, e cila është e vetmja Republikë
gjermane, që kushtëzon heqjen e shtetësisë serbe, për ta marrë shtetësinë
vendore". Realisht, më shumë se sa për mua, hallin e kanë ke ministrja
Gërvalla dhe këtë nuk e fshehin dot, kur thonë se "po emëron ambasadorë
bashkëmendimtarët e saj, si kamikazë në shtetet tjera"! Veprimtarja më e
shquar shqiptare, në mbrojtje të luftës së drejtë të shqiptarëve të Kosovës dhe
të UÇK-së, Donikë Gërvalla, ishte ajo që pykoi, në debatet televizive
prestigjioze të Evropës, kryeministrat dhe gjeneralët e Millosheviçit, i njeh,
"si parën e kuqe" komandantët, në përgjithësi, dhe ata të
"Rognerit", në veçanti. Është e vetma zyrtare e lartë, e cila me kohë
"ka vënë pikën mbi -i-" dhe profecia ka rezultuar e saktë, faktike. E
vërteta i tmerron ata që e kanë "mizën pas veshit" dhe mbrojtësit e
tyre, pjesë e krimit. Disa nga "komandantët" horrakë, kanë abuzuar me
Jasharët. Ademin dhe Hamzën i quanin cuba, bashibuzukë. Atyre ua bllokuan armët
dhe paratë, të dërguara nga Mërgata. Padyshim, është e qëllimshme dhe
thellësisht politike ndarja e Hamzës nga Ademi. Ata ishin vëllezër lindak,
shokë armësh, madje, në të gjitha aksionet guerile. Asnjë "pushkë nuk ka
shkrepur" Ademi më shumë se sa Hamza. Atëherë pse të ndahen në emërtesa
institucionesh, rrugësh, sheshe, shtatore, libra, këngë?! Familja e nderuar
Jashari i njeh "komandantët" hileqarë rogneristë, raportet LDK-LPK.
Andaj, fajet, tashmë, të bëra qëllimshëm, duhet t`i sheshojë dhe t`i ndreqë,
për aq sa është e mundur. Emërtesat komandant, kryekomandant, nuk i bëjnë asnjë
nder Adem Jasharit. Sepse ai ishte kryeçetanik në Drenicë. Dhe, kjo është e
mjaftueshme, në kushtet e një pushtimi të egër, të një shteti fort të
organizuar policor. Kjo emërtesë është lëndore, adekuate, tejet domethënëse dhe
tejkalon titujt tjerë, në luftën e hapur, legale. Hamza dhe Ademi janë vrarë
para krijimit të Batalioneve dhe Brigadave. Rrjedhimisht, nuk mund të kishte
komandantë, por, vetëm kryeqetanikë, të çetave, tashmë, të krijuara dhe aktive.
“Bota sot”: Sipas juve, si mund të jetë rezultati i
zgjedhjeve lokale?
Idriz Zeqiraj: Mbizotëron opinioni se shkëlqimi i LVV, është
zbehur, krahasuar me zgjedhjet qendrore të 14 shkurtit të këtij moti. Arsyeja
është premtimi i madh dhe pritshmëria e madhe nga Vetëvendosje. Mërgata,
bastion i LVV dikur, kësaj radhe regjistrimet e votimit me postë, kanë pësuar
rënie shumëfishore. Diçka ka ndodhur. Një ogur i keq për partinë rinore. Pritej
që Qeveria Kurti të jetë eksplicite, e shpejtë, duke pezulluar ngutjen e
përmbylljen e disa makro gjykimeve të dyshimta, që ishin grupore penalizuese,
me zyrtarë të PAN-it. Por, heshti edhe përgjatë qeverisjes së parë, Kurti 1,
edhe tanimë, në qeverisjen Kurti 2. Për shembull, afera
"Pronto", me incizime të gatshme; falsifikimin e "Dëshmive të
Veteranëve", nga 12.700 të vërtetë, në pritje për ta kapur shifrën 60 mijë
veteranë, me shumësi abolute të rrejshëm. Arrestohen bujshëm zyrtarë lokalë e
qendrorë dhe lirohen në hetim të lirë! Zhgënjyese e dështuese. Subjektet tjera
politike, presin kthimin e elektoratit të humbur, në zgjedhjet paraprake. LDK-e
bëri hapa para drejt ndryshimit. Si duket ka vendosur të lirohet nga shantazhi
i PDK-së, me dosjet e SHIK-ut të saj. Megjithatë, ka rezistencë të brendshme,
sepse klani Mustafa, i anashkaluar, nuk pranon dorëzimin. Kjo u pa nga treshja
e deputetëve, që refuzoi zgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani. Një marrëveshje
e heshtur -Lista GUXO-LDK-, për të mos organizuar partinë e re, funksionoi në
heshtje. Vjosa dhe Donika duket se kanë burrërinë e bollshme, edhe pa mustaqe.
Edhe PDK-ja po mundohet të shkëputet nga "komandantët", fort të
deskridituar me krime e hajni zyrtare. Partitë familjare, AAK dhe Nisma, janë
zgjyrosur fort, me aferat e shpronësimeve dhe të falsifikimit të "Dëshmive
të Veteranëve". Ndërkohë që subjektet politike të opozitës, pretendojnë
ruajtjen e komunave, të cilat kanë qeverisur, LVV lufton për të marrë
disa nga komunat e mëdha dhe të mesme. Sidoqoftë, priten ndryshime, qoftë edhe
kozmetike, sepse zgjedhjet lokale, në një masë, ndryshojnë nga ato qendrore.
“Bota sot”: U përmend mundësia e shtyrjes të zgjedhjeve
dhe pati propozim për shkurtim të fushatës. Sipas jush cili do të ishte opsioni
më i duhur?
Idriz Zeqiraj: Si
duket LVV nuk ishte e gatshme për zgjedhje, në pritje të përmirësimit të
imazhit të dëmtuar, nga trajtimi i lënduar i pandemisë. Por, opozita e
bashkuar, do ta shfrytëzojë, pikërisht, këtë përfolje për menaxhim të
ngadalshëm, të vonuar. Takimi i presidentes Vjosë Osmani, i bërë me përfaqësues
të partive politike, përjashtoi mundësinë e shtyrjes të zgjedhjeve. Presidentja
nuk besoj ta shfrytëzojë ndonjërën nga klauzolat, që ia mundëson vendim-marrjen
personale. Ajo po shkëlqen në kryerjen e detyrës fisnike, në krye të shtetit,
duke demantuar bindshëm panexhirikun e Hashimit, Enver Hoxhajn, se "Vjosa
nuk është e denjë për presidente!" Rrenë doli. Në organizimin e
zgjedhjeve, Kosova, pavarësisht nga subjektet politike në pushtet, ka krijuar rregull,
traditë të mirë të procesit zgjedhor. Kryesisht, djem e vajza, të kursuar për
procesin zgjedhor, kanë përkushtimin e duhur, për kryerjen e detyrës së
ngarkuar. Që nga hyrja në objektin votues, deri në votim dhe largim, nuk ka
asnjë grumbullim apo rrëmujë. Edhe familjarët votojnë, duke respektuar
distancën, largësinë e duhur. Përdorimi i maskës, shmangia e dhënies së dorës,
është siguri, relativisht, e mjaftueshme. Pas virusit "Delta", në
prag virusi "MU". Pra, nuk ka siguri, nëse do të këtë përmirësim
apo përkeqësim pandemik. Ndërkohë, opozita humbëse e madhe meritore, për
batakçillëqet e saj, kërkon revansh. Lë ta provojë. Propozimi i shkurtimit të
fushatës është i mirëpritur. Vërtet, partitë e PAN-it, për ndryshim nga LDK-ja
dhe LVV, e kanë filluar fushatën menjëherë pas humbjes, pra, pas zgjedhjeve të
14 shkurtit! Mendoj se opsioni më i duhur, do të ishte - asnjë ditë fushatë-.
Shqiptarët janë të padisiplinuar dhe kurrë nuk zbatojnë udhëzimet zyrtare, për
numrin e lejueshëm të njerëzve në grumbullim. Aq më pak, kur masa ndëshkuese ka
degraduar, deri në degjenerim, nga kërkesat e opozitës për faljen e dënimeve.
Rrjedhimisht, mjetet digjitale masive, janë të bollshme e mjaftuese, për të
shpalosur programet zhvillimore të partive politike.
“Bota sot”: Sa punon diplomacia e Kosovës, për arritjen e
njohjeve të reja?
Idriz Zeqiraj: Ministria
e Punëve të Jashtme, edhe pse duhej të ishte më së paku e politizuar, në fakt,
ajo ishte politizuar skajshëm. Kulmi arriti kur vota shitej me postin e
diplomatit. Në këtë gjendje e gjeti Ministrinë e Jashtme Donikë Gërvalla. Ishin
shkelur të gjitha normat morale e ligjore, në përzgjedhjen e diplomatëve. Kuota
partiake përkatëse ishte rritur nga 50%, në 70%. Dështonte të bëhej deputet,
shpërblehej me postin e diplomatit! PDK dhe AAK dominonin me punësim në
diplomaci. Nisma për të vënë rregull dhe ligj, nga ministrja Gërvalla,
hasi në kundërshti të hapur. Pati ndonjë ambasador që sfidoi shkarkimin:
"Nuk e lëshoj zyrën time"! Ministrja Gërvalla, në dy takimet e para
ndërkombëtare virtuale, shkëlqeu, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në
sinqeritet, si nxënëse e Shkollës gjermane. "Po luftojmë krimin dhe
korrupsioni në vendin tonë", - deklaroi ministrja Gërvalla. Opozita-koti
PAN-iste, shpërtheu në akuza: "Pse i tregon botës se ne jemi kriminelë e
hajna?!" Sikur bota nuk e ditka këtë, e cila bashkëjeton prej 20 vitësh me
ne, në Kosovë! Po kaq e sinqertë dhe dinjitoze ishte ministrja Donikë Gërvalla,
kur para ministrave homologë të Evropës, deklaroi se nuk është fajtore Evropa,
për mos liberalizimin e vizave për Kosovën, por, ne që nuk i kemi kryer detyrat
e shtëpisë, nuk i kemi plotësuar kushtet e parashtruara nga BE-ja, siç janë ato
bazike: luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin galopant. PAN-istët,
të mësuar me krime e hajni zyrtare, me gënjeshtra e dallavere, shpërthyen me
akuza ndaj ministres Gërvalla, deri në kërkim të shkarkimit të saj! E vërteta
është se ajo kishte kritikuar disa komandantë, të cilët hiqen si themelues e
drejtues të UÇK-së, por, realisht, nuk janë as themelues dhe as drejtues të
saj. Përkundrazi, ata akuzohen për krime politike e hajni zyrtare, për sabotim
të luftës. Rrjedhimisht, me gjithë angazhimin enorme të ministres së Jashtme
Gërvalla, kryeministrit Kurti, të presidentes Osmani, procesi i njohjeve të
reja ka stagnuar. Serbia, e mbështetur fort nga simotra e saj Rusia, vazhdojnë
të lobojnë kundër Kosovës dhe njohjeve të reja për atë. Arrestimet e zyrtarëve
më të lartë të Kosovës, nën akuzën e rëndë të krimeve të luftës, ka përtokur
imazhin e Kosovës. Megjithatë, së fundit, janë dhënë disa shenja pozitive, se
mund të pritën njohje nga disa vende të Evropës, të cilat, deri tani, kanë
hezituar ta bëjnë këtë, për arsye që, tashmë, dihen.
“Bota sot”: Si e vlerësoni qëndrimin e kryeministrit Kurti
karshi Serbisë në dialog?
Idriz Zeqiraj: Dialogu me Serbinë, i filluar tej 10 vitësh më parë,
kishte degraduar, me epërsinë absolute serbe. Të paktën, katër zyrtarët e parë
të Serbisë, Vuçiq, Bërnabiç, Daçiq, Vulin, e kanë pranuar se e ndjejnë mungesën
e Hashim Thaçit dhe të ekipit të tij. "Me Kurtin nuk po arrijmë të merremi
vesh, ndërsa me Thaçin ishte i lehtë dialogu",- tha kryeministrja
Bërnabiç. Albin Kurti ka një qasje tjetër në dialogun me Serbinë. Ai kërkon për
të qenë të barabartë, si dy shtete të pavarura. Përndryshe, nuk mund të këtë as
dialog të mirëfilltë. Në takimet e bëra, Kurti ka qenë i përgatitur, me
kërkesat e qarta, të renditura në pika, në numra. Dhe, në përgjithësi, kërkesat
e Albinit, janë pëlqyer edhe nga zyrtarët evropianë, të ngarkuar për dialogun
dhe më gjerë. Akuzat e opozitës se gjoja Albin Kurti, në takimin e parë,
"nuk kërkoi njohjen nga Serbia", nuk qëndrojnë. Madje, këtë akuzë ia
bëri edhe shefja e dialogut Edita Tahiri, e cila ka mashtruar e gënjyer
shqiptarët, së bashku me Hashim dallaveren, për 10 vjetë radhazi, se, kinse, po
bëjnë "vetëm dialog teknik dhe kurrë politik"! Ndërkohë, dihet
botërisht se takimi ka filluar me pyetjen e përsëritur të kryeministrit Kurti:
"Kur do ta njohësh Kosovën?" Përgjigja e Vuçiqit ka qenë: "Kurrë",
e përsëritur, gjithashtu. Çuditërisht, shpifjen e eksponentes së PDK-së, Editë
Tahiri, e kanë përsëritur opozita, madje, në grup. Ndërkohë, ekipi i Qeverisë
Kurti ka qenë korrekt e transparent, në ato pak takime të bëra. Serbët nuk e
fshehin se "nuk jemi të barabartë"! Dhe kryeministrja Bërnabiç, në
bisedë me Kurtin, në një takim ballkanik, e shprehu këtë epërsi dhe, natyrshëm,
mori përgjigjen e prerë nga kryeministri Kurti se "ka perënduar koha e
patronazhit të Serbisë mbi Kosovën. Tani e prapa mund të takohemi dhe të
dialogojmë vetëm si shtete të barabarta". Reciprociteti është bazë e
dialogimit dhe të veprimit.
“Bota sot”: As këtë muaj nuk do të ketë takim në mes
Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, deri sa është thënë se nuk ka përparim. Si e
vlerësoni këtë dhe sa ndikon kjo që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje
finale?
Idriz Zeqiraj: Dialogu 10 vjeçarë, Kosovë-Serbi, ka qenë blerje kohe nga
Serbia. Është fakt që janë arritur disa marrëveshje, por, pala serbe ka zbatuar
vetëm ato që kanë qenë në favor të saj. Kurse shumë marrëveshje kanë mbetur
vetëm në letër. Prandaj, Albin Kurti ngulmon në rishikimin e marrëveshjeve
paraprake, për të vazhduar me marrëveshjet e reja. Dhe, kjo është e drejtë dhe
korrekte, pasi dialogu është bërë me njeriun e shantazhuar, me dosje nga
Serbia. Duket se Serbia dëshiron të vazhdojë një dialog, pa vendime serioze.
Thjeshtë, për të fituar kohë, ashtu siç ka bërë përgjatë dekadës së shkuar.
Andaj, edhe dialogu nuk ka pasur përparim. Por, Qeveria Kurti, për ndryshim nga
Thaçi, me shokë, është i pashantazhueshëm dhe nuk pranon të mbahet peng nga
pala serbe, siç kanë bërë me dialoguesit paraprakë. Albin Kurti synon,
gjithsesi, një marrëveshje finale, me njohjen reciproke. Dhe, kjo marrëveshje
do ta zgjidhte "nyjën gordiane", që ka pykuar marrëdhëniet
fqinjësore, në mes të dy shteteve, me barabarësi të plotë, në të gjitha fushat.
Reciprociteti me Serbinë, i paralajmëruar nga Kurti, është një praktikë
ndërkombëtare, ku shtetet ndjehen të barabarta, në të gjitha marrëdhëniet në mes
tyre. Në takimin e fundit, Kurti-Laiçak, ia bëri të qartë zyrtarit evropian se
"Kosova është palë e barabartë me Serbinë e kurrësesi temë". Kjo
devizë pritet ta përshkojë të gjithë dialogun Kosovë-Serbi. Megjithatë,
përmbylla e dialogut me një marrëveshje finale, në mes të Kosovës dhe Serbisë,
nuk pritet të jetë e afërt. Në vitet `90-a, kur Dr. Rugova krijoi institucionet
paralele, përfshi edhe Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës, (FARK) dhe
Shërbimin Informativ të Kosovës, dërgoi djemtë e Kosovës, për ushtrime
ushtarake në Shqipëri. Tre syrësh: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, do
të organizonin celulat e rezistencës, përkatësisht, në Dukagjin, Drenicë e
Llap. Për rrjedhojë, pushtuesi serbo-sllav, do të arrestonte dhe dënonte
ushtarakët dhe kuadrot tjerë. Ndërkohë, Dr. Rugovës i vjen një porosi e prerë,
nga SHBA dhe shtetet e Quintit: "Luftën me Serbinë nuk duhet ta fillojë
Kosova. Atë lë ta bëjë Serbia. Përndryshe, rrugë e mbarë pa ne"! Për çudë,
disa matrapazë e halabakë të PAN-it, edhe sot e akuzojnë Rugovën se nuk e donte
luftën! Në këtë rrjedhë të ngjarjeve politike, një porosi e madhe vlen edhe për
Qeverinë Kurti, me shokë: Kurrë mos i thoni jo dialogut me Serbinë. Kosova nuk
guxon të fajësohet për bllokimin e dialogut, pavarësisht provokimeve, në
vijimësi, të saj, sepse këtë e dëshiron Serbia. Miqtë tanë ndërkombëtarë,
presin konstruktivitet nga udhëheqja e Kosovës dhe assesi bojkot të dialogut.
Qeveria Kurti dhe krerët shtetërorë e kuvendorë, janë të dëlirë dhe të
lirë, qoftë nga shantazhi i Serbisë apo i SHIK-ut. Mençurinë dhe guximin e kanë
të bollshëm. Ata do të dinë ta mbrojnë tërësinë territoriale të Kosovës tonë.
Fillimi është i mbarë. Lë të urojmë për më të mirën!