| E diele, 03.10.2021, 05:36 PM |
Një
intervistë e poetit të mirënjohur Sabit Rrustemi dhënur “Hejza” që e vlen ta
lexoni.
Publikohet
pranë jush me miratimin e poetit.
Timo
Mërkuri
ÇRREGULLIMI I TËRËSISHËM
I FUSHËS SË LETËRSISË
Sabit
Rrustemi, poet e prozator, autor i mbi 20 veprave, i përkthyer në shumë gjuhë,
fitues i shumë shpërblimeve, por edhe i burgosur (në vitin 1981) për shkak të
një tregimi, fatkeqësi kjo që ndikoi një kohë të gjatë t’i ndalohet e drejta e
botimit. Aktualisht drejton Ars Clubin “Beqir Musliu”, një asociacion
alternativ i shkrimtarëve në Kosovë, me seli në Gjilan, brenda të cilit
asociacion është dhe Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” si dhe revista letrare –
kulturore AGMIA.
HEJZA: A mjafton fakti
se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po
bëjmë letërsi?
RRUSTEMI:
Po t’i bija shkurt, do të thosha troç: JO. Por, kjo Jo-ja e kërkon dhe një
shpjegim pakëz më të gjerë.Dihet mirëfilli, së paku nga Antika e këndej, që
sasia nuk e garanton edhe cilësinë.Në Kosovë, fjala vjen, mund të merren me
shkrime edhe një milion veta, por s’do të thotë që do të jenë edhe një milionë
shkrimtarë. Epiteti i të qenit shkrimtar përcaktohet nga vlera letrare –
artistike e veprës së tij, e jo kurrë nga sasia e librave që ka shkruar. Në
Kosovën e pasluftës, njëjtë si pompat e benzinës, restorantet, motelet,
pishinat, autolarjet, parkingjet, marketet e supermarketet, qendrat tregtare,
objektet banesore… tash edhe “fabrikat” e “lagjet banesore” e, madje së fundi
edhe “ fshatrat turistike”, e “mbushëm” vendin edhe me “shkrimtarë”, të cilët,
siç thuhet, po “mbijnë” si kërpudhat pas shiut. Ku do të ishte ai fat që të
kishim njëmend kaq shumë shkrimtarë, pra kaq sa edhe po shkruajnë e po dalin me
libra në çdo dy e tre muaj, por në fakt, Kosova, sot ( nuk po shkoj më larg,
anise e njëjta gjendje afërsisht është edhe në Shqipëri e pjesët tjera ku
jetojnë den baba den shqiptarët) vuan për mungesën e shkrimtarëve të
mirëfilltë. Jo që nuk ka, po ata / ato, s’po duken, s’po shihen nga llumi i
madh i atyre që thjeshtë kanë hyrë në fushë të gabuar, ku më shumë rrënojnë se
sa krijojnë. E, në një këso anarkie, vështirë të thuhet se po bëjmë letërsi,
apo edhe më vështirë ta shoshitim e ta nxjerrim në pah atë vepër që vërtetë
përmbush kriteret artistike, si dhe ta ndajmë anash atë “vepër” a “ libër” që thjeshtë
e ka nxirë kot faqen e bardhë. Këtu ka shumë faktorë që e kanë sjellë një
gjendje të tillë, që nga “pluralizmi” i viteve të nëntëdhjeta të shekullit të
shkuar, ndërrimi i sistemeve e pushteteve, pastaj lufta, periudha kalimtare
deri te një gjendje normale që po zgjatë shumë, çrregullimi i tërësishëm i
fushës së letërsisë, para se gjithash, anarkia e krijuar në sistemin e botimit,
afirmimit të vlerave si dhe mungesa tejet e madhe e kritikës letrare. Derisa
mund të na falet dhjetëvjetëshi i fundit i shekullit të kaluar (vitet 1990 –
2000), kur si popull ishim përkushtuar thuaja tërësisht në çlirimin dhe
krijimin e Republikës së Kosovës, periudha më pas që i ka sjellë dhe dëmet më
të mëdha letërsisë, në rend të parë me mospërfilljen e kritereve letrare me
rastin e botimit si dhe shitjen apo blerjen e vlerësimeve fallso letrare, nuk
do të na falet asnjëherë. Kemi ardhur para një moment kyç, kur thjeshtë të vjen
turp t’i thuash dikujt se, edhe “unë shkruaj”, meqë, edhe çobani, bujku, ish
udbashi apo “sigurimsi”, zyrtari i thjeshtë lokal apo dhe një ish funksionar i
sistemit të deridjeshëm… po edhe një ish i burgosur politik a për kundërvajtje,
jo veç kanë marrë turr, po sot lavdërohen me dhjetëra tituj librash e
“dekoratash” dhe “mirënjohjesh” që i kanë marrë nga “qendra” të ndryshme
“kombëtare” e “ndërkombëtare”… Kur të ndalesh e të shikosh jashtë se cili prej
nesh ka kaluar me paraqitje a botime kufijve lokalë e kombëtarë, apo dhe ka
bërë emër apo është vlerësuar me çmime, ngelim thjeshtë në NJË emër apo më së
shumti edhe në dy apo tre emra të tjerë. E, qitja tash kalemin kësaj pune ….
dhe shihe se sa i “ndihmuam” letërsisë dhe e zhvilluam atë, përmes së cilës do
të na njihnin e do të na çmonin dhe më shumë të tjerët, tej nesh.
HEJZA: Pse sot nuk kemi
gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin
“epokën letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70
– 80 – 90 ! Ku qëndron problem, te shkëputja e kontaktit krijues – lexues, te
“heshtje krijuese” si pasojë r shkëputjes kohore e cila kërkon një hedhje të
hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës
letrare ?
RRUSTEMI:
Secili interesim Juaji këtu, është temë në vete dhe do të na shërbente për të
thelluar debatin e kësaj fushe deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme,
përmes së cilës do të dihej pastaj se çka është letërsi dhe çka duhet të mbetet
jashtë saj, si “material” që duhet larguar nga tavolinat tona, vitrinat, po
edhe nga bibliotekat tona, që prej atyre lokale e shkollore deri te Bibliotekat
Kombëtare, qofshin ato dhe veprat e mia. Por, t’i kthehem konkretisht pyetjes
dhe ta zbërthej atë në mundësitë e mia. Nga fundi i viteve pesëdhjeta të
shekullit të kaluar e këndej, deri në çlirimin e Kosovës, pjesa më e mirë e
shkrimtarëve të kësaj ane, ishin të angazhua, nëse mund ta quaj, në një
rezistencë letrare, ku me një poezi, tregim apo dhe me një shtjellim letrar,
sforcohej ideja për mëvetësim dhe krijimin e Republikës së Kosovës. Ky front i
rezistencës letrare, i nisur që në vitet gjashtëdhjeta, u konsolidua sidomos
pas vitit 1974 dhe, përkundër ndjekjeve e represalieve të pareshtura, nuk
pushoi së mbrumuri idenë dhe, rritur ndërgjegjen kombëtare për pavarësim. Kjo
letërsi që tash identifikohet me emrat si të Adem Demaçit, Ramadan Rexhepit,
Rexhep Elmazit, Xajë Nurës, Jusuf Gërvallës etj etj në prapavijë kishte
gjeneratën e viteve 70-ta, në krye me Teki Dervishin, Beqir Musliun, Ymer
Shkrelin, Musa Ramadanin, Zejnullah Rrahmanin etj… bashkë me një “elite
letrare”, të ndarë në “dysh”. Njëri krah “shtrihej” përmes emrit të Rexhep
Qosjes dhe krahu tjetër përmes emrit të Ibrahim Rugovës. Të dy “krahët” letrarë
i bashkonte një letërsi. Gjeneratat e mëpastajme, sado që u përpoqën t’i
shkrijnë këta “krahë”, realisht u zhvilluan dhe krijuan nën “hijet” e këtyre
“krahëve”, madje edhe sot. Të paktë janë ata shkrimtarë që kanë ruajtur njëfarë
asnjanësie. Tash, dy dekada pas lufte, shoh përpjekje për krijimin e një
“fryme” tjetër letrare. Por, prapë, “hija” e këtyre “krahëve” ende nuk është
tërhequr apo zhbërë.Nën ndikimin e këtyre “krahëve” ka ra thuaja dhe lexuesi, i
cili si dje, edhe sot është në kërkim.Në fakt, lexuesi përherë ka qenë në
kërkim dhe asnjëherë i larguar tërësisht nga libri, përkatësisht
shkrimtari.Por, rrjedhat e zhvillimeve të reja gjatë këtyre dyzet viteve (1981
– 2021) e kanë bërë të veten. Shkrimtari mbetet në kërkim të lexuesit
vazhdimisht, sepse atë e ka adresë të parë dhe, kudo që është ai, ky troket,
qoftë dhe në rrjete sociale, në portale dhe, në ato pak a hiç gazeta që kanë
mbetur. Megjithatë, një nga hendikepet në këtë afri më të madhe, që nuk është
sa duhet e si duhet funksionale ( pra lidhja shkrimtari – lexuesi), është
mungesa e një vlerësuesi të mirëfilltë letrar, ai i cili qartëson shtigjet dhe
heq mjegullat që bien mbi veprat letrare apo mbi emrat e shkrimtarëve. Kritikë
letrare të organizuar, siç ishte gjatë viteve të 70-ta e të 80-ta, tashmë nuk
kemi, andaj nuk kemi edhe letërsi të konsoliduar… e nuk kemi as vepra e as emra
që bëjnë bujë jashtë kufijve tanë, sado që “yshtjet personale” për të depërtuar
në qarqet ndërkombëtare letrare, nuk kanë kryer punë.Përkundrazi, kanë zbehur
edhe ato vlera të mirëfillta letrare që fatmirësisht i kemi edhe në këto
rrethana krijuese.
HEJZA: A mund të ketë
kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe
diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?
RRUSTEMI:
Kritikë letrare të mirëfilltë, madje dhe më të mirë se ajo e viteve 70-ta e
80-ta të shekullit të shkuar, do duhej të kishim, sepse e kishim një themel të
fortë të kësaj kritike që ishte krijuar me emrat e dy prijatarëve të saj,
Rexhep Qosjes e sidomos të Ibrahim Rugovës, duke mos i harruar dhe të tjerët si
Mensur Raifi, Anton Nikë Berisha, Sabri Hamiti, Bajram Krasniqi, Agim Vinca,
Ramadan Musliu, Kujtim Shala …por, mjerisht, kalimi nga një sistem monist, në
një sistem demokratik, jo që nuk krijoi kushte për letërsinë dhe kritikën
letrare, por as që e pa të udhës një gjë të tillë… dhe ja ku jemi tash! Sot,
nuk është që s’shkruhet për vepra e libra të ndryshëm që botohen në Kosovë e
gjetiu. Por, si shkruhet e vlerësohet libri sot, kjo është çështja… Në shumicën
e rasteve kemi të bëjmë me një vlerësim a kritikë letrare të sponsorizuar e që
fund e krye është afirmative dhe joprofesionale, madje dhe nga njerëz që kanë
tituj dhe kanë bërë emër në fushën e kritikës….Duket që çështja ekzistenciale,
kafshata e gojës e ka ngulfatur jo vetëm kritikën letrare po edhe letërsinë në
tërësi, gjithandej hapësirës etnike po dhe nëpër botë. Me një fjalë, kemi sharruar
në diletantizëm. Për një kritikë bashkëkohore dhe mbi të gjitha profesionale,
është e domosdoshme edhe përkujdesja institucionale – shtetërore, njëjtë siç
është e domosdoshme edhe në përkthimin dhe afirmimin e vlerave të mirëfillta
letrare edhe në qarqet ndërkombëtare letrare, qoftë përmes ministrive përkatëse
të kulturës po edhe të arsimit dhe, duke i ndihmuar dhe shtytur shtëpitë
botuese në këtë drejtim, përmes subvencionimit të librit, e më tepër në blerjen
e librit të mirë.
HEJZA: A shihni ndonjë
rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi
elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të
shteteve tona shqiptare?
RRUSTEMI:
Pavarësisht mëdyshjeve tek – tuk të ndonjë shkrimtari, sidomos të këtyre më në
moshë, rrjetet sociale dhe portalet e botës së internetit tashmë janë të
paevitueshme, sepse aty e kemi lexuesin. E, shkrimtari, gjithmonë është në
kërkim të lexuesit dhe lëviz kah është ai. Tjetra, nuk ka ndonjë arsye që t’iu
shmanget, sepse, sidomos shkrimtari i mirë, sepse atëherë hapësira aty iu lihet
të tjerëve, edhe atyre që mëtojnë të jenë shkrimtarë, e, edhe nuk ka nevojë t’i
anashkalojë lexuesit e internetit, të rrjeteve sociale e portaleve, sepse,
përmes këtyre rrjeteve, më shpejtë arrin edhe te lexuesi. Po, është edhe një
rast i jashtëzakonshëm për ta afirmuar vlerën artistike letrare si dhe për ta
ngritur shijen po edhe kërkesën e lexuesit, në raport me artin letrar.Mirëpo,
sidomos portalet, duhet të jenë të kujdesshme në publikimin e krijimeve. Jo
krejt çka iu përcillet ta hedhin në internet, por ajo që ia vlen. Pastaj, t’i
kushtojnë kujdes gjuhës, vlerës po edhe materialet që përzgjidhen për publikim,
të redaktohen, lekturohen po edhe ta kenë një përkujdesje artistike gjatë
plasimit, në mënyrë që ta tërheqin edhe më shumë lexuesin.E kjo, në shumicën e
portaleve tona, mungon. Shteti, përkatësisht Kosova e Shqipëria, këtu mund të
ndihmojnë, duke subvencionuar me mjete në përgatitjen profesionale e teknike të
teksteve që zgjidhen për publikim.
HEJZA: Librin
elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si
“vdekje të librit” apo si një proces të cilin detyrimisht duhet ta pranojmë dhe
të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i
shkrimit të pergameneve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në
lëkurë kafshësh, në shpat mali, në shpella!
RRUSTEMI:
Jo, nuk e shoh të tillë, sepse ky është trendi i botës së sotshme. Nuk po
thuhet kot: “po jetojmë në epokën e internetit”. Por, forma klasike e shtypjes
dhe botimit të librit kurrsesi nuk guxon të ndërpritet, sepse nëse kjo do ndodh
(uroj të mos ndodh), atëherë çka nëse na ndalet korrenti, na harxhohet bateria,
si të jemi me librin ?
HEJZA: A po e vuan
kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturore – letrare? Nga
ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e
strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuara ku mund të
japin kontribut të pamohueshëm…
RRUSTEMI:
Mungesa e gazetave ditore në këto dy – tri vitet e fundit është reflektuar
ndjeshëm edhe në fushën e kulturës, qoftë në përcjelljen e ngjarjeve kulturore,
qoftë edhe në afirmimin e librit. Gazetat serioze i kanë pasur enkas edhe
redaksitë e kulturës, shtojcat kulturore si dhe i kanë shpërblyer me honorare
krijimet po edhe vlerësimet letrare.Plus, kanë pasur dhe një rreth
bashkëpunëtorësh të cilët i kanë mbajtur afër përmes paushaleve e formave tjera
të kompensimit dhe kjo ka ndikuar me të madhe në krijimin e një klime letrare –
kulturore po edhe në afirmimin e librit e të shkrimtarit.Tash këto mungojnë
dhe, këtu ka zënë në thua kritika letrare, përkatësisht kritikët letrarë,
shumica e të cilëve, për shkaqe ekzistenciale apo për profite materiale, shumë
lehtë shkelin edhe kriteret profesionale. Dhe, me këtë mënyrë se si po ecin
punët, sidomos në këto dy dekada, më së paku po i ndihmohet letërsisë dhe vetë
shkrimtarit. Konsolidimi i mendimit kritik letrar dhe ndihmesa institucionale,
qoftë duke i subvencionuar shtëpitë botuese apo dhe vetë autorët, jo që është i
domosdoshëm por them, është edhe urgjent.