Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: Serbia - Turpi i Evropës së shekullit XXI

| E enjte, 30.09.2021, 08:15 PM |


SERBIA - TURPI I EVROPËS SË SHEKULLIT XXI

- Gjeneralët e ushtrisë humbëse –

Nga Xhelal Zejneli

Si kundërpërgjigje ndaj masës së ndërsjelljes apo të reciprocitetit, Beogradi reagoi në mënyrë të turpshme. Përqendroi pranë kufijve të Kosovës forca ushtarake. Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi i dërgoi në kufi gjeneralët e ushtrisë humbëse. Janë gjeneralë të luftës së humbur, të luftës së viteve 1998 dhe 1999. Beogradi përqendroi pranë kufirit trupa ushtarakë, mjete të blinduara, tanke, artileri. Në hapësirën ajrore, mu pranë kufirit, fluturuan helikopterë dhe aeroplanë luftarakë. Ndaj Kosovës, Beogradi demonstroi forcë.

Ka kohë që Beogradi, ndaj Kosovës ndjek luftë psikologjike dhe luftë speciale.  Veprimet e sipërthëna të Beogradit dëshmojnë se Vuçiqi ndjek politikën e forcës. Demonstrimi i forcës nga Beogradi dëshmon se Serbia ka synime territoriale ndaj Kosovës. Armatosja e Serbisë në vitet e fundit, tregon se Beogradi ka synime territoriale edhe ndaj Kroacisë, ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës dhe ndaj Malit të Zi.

U pa se politika e Beogradit është në kundërshti të plotë me parimet e BE-së për mosndryshimin e kufijve. Politika e Beogradit është politikë e shekullit XIX, retrograde dhe anakronike. Beogradit fare nuk i interesojnë parimet dhe vlerat demokratike të BE-së. Gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re, d.m.th. që nga shekulli XIX deri më sot, Serbia ndjek në Ballkan politikë hegjemoniste, ekspansioniste, pushtuese, kolonialiste, dominuese. Serbët ia zënë për të madhe Millosheviqit, jo pse i filloi luftërat në ish-Jugosllavi, por pse nuk i fitoi ato.

Vuçiqi duhet ta dijë se politika bashkëkohore, kjo e shekullit XXI nuk mund të ndërtohet nën ndikimin e klerit fashist ortodoks serb. Vuçiqi duhet ta dijë se Serbia nuk mund të hyjë në BE, duke u bërë përçuese e interesit rus në rajon. Serbia s’ka për të hyrë në BE duke ndërtuar dhe duke ndjekur politikë, nën ndikimin e Rusisë dhe të Vlladimir Putinit.

Uashingtoni, Berlini dhe Londra duhet ta dinë se është Albin Kurti ai që ka qenë në burgjet famëkeqe të Serbisë dhe jo Vuçiqi në burgjet e Kosovës. Albin Kurti u dënua nga Serbia vetëm ngase synoi lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit të vet – Kosovës. Uashingtoni dhe Brukseli duhet ta dinë Albin Kurti është politikan pa hipotekë.

Përballë tij është një Vuçiq i cili në fillim të viteve ’90 të shekullit XX i ngjiste në muret e ndërtesave të Beogradit bilbordet e Vojisllav Sheshelit. Në vitin 1993 Vuçiqi u bë anëtar i Partisë Radikale Serbe të ekstremit të djathtë të Sheshelit i cili angazhohej për Serbi të Madhe. Në moshën 24-vjeçare, Vuçiqi u bë Sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe. Në mars të vitit 1998 Vuçiqi u emërua ministër i Informimit i qeverisë së kryeministrit Mirko Marjanoviq. Si ministër i Informimit , Vuçiqi i gjobonte gazetarët serbë të cilët e kritikonin kryetarin Sllobodan Millosheviqin. Ndaloi edhe disa kanale televizive të huaja. Gjatë mandatit ministror të tij, u akuzua nga të huajt për zbatimin e propagandës mediatike kundër shqiptarëve të Kosovës si dhe për nxitjen e urrejtjes etnike.

Politika e Vuçiqit është vazhdim i natyrshëm i politikës nacional-socialiste të Millosheviqit si dhe i politikës ultranacionaliste të radikalit Sheshel. Vuçiqi që është peng i klerit fashist ortodoks serb dhe peng i Moskës apo i Vlladimir Putinit. Rrjedhimisht, është turp për çdo lider të Perëndimit që takohet me Vuçiqin. Dyert e kancelarive të BE-së dhe të Uashingtonit duhet të jenë të mbyllura për të. Përqendrimi i forcave ushtarake pranë kufirit të Kosovës tregon se kryetarit të Serbisë, Vuçiqit, fare nuk i intereson i ashtuquajturi “Ballkan i hapur”.

Pavarësinë që e shpalli Kosova në vitin 2008 e njohën 117 vende të botës. Midis tyre edhe Uashingtoni, Berlini, Londra, Parisi, Roma, Vjena, Kanadaja, Japonia, Australia etj.

Përqendrimi i forcave ushtarake pranë kufirit dëshmon për synimet e Serbisë për ta cenuar tërësinë e tokave, sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Kryeqendrat e fuqive të mëdha të sipërthëna nuk do ta lejojnë këtë.

Përqendrimin e forcave ushtarake serbe pranë kufirit të Kosovës e dënuan të gjitha vendet e BE-së, e dënuan Uashingtoni dhe Brukseli.

Beogradi përqendroi forca ushtarake pranë kufirit të Kosovës në saje të mbështetjes së Moskës, përkatësisht të Vlladimir Putinit. Me politikën e vet destruktive dhe irracionale, Serbia sfidon dhe provokon Uashingtonin, NATO-n dhe Brukselin. Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Uashingtoni i doli zot Kosovës për arsye se ajo luftonte për liri, pavarësi dhe demokraci. Rusia ndërkaq, mbron sot një politikë serbe, që është pushtuese, ekspansioniste, hegjemoniste, kolonialiste, antidemokratike dhe antihistorike.

Vuçiqi thotë: “NATO-ja e sulmoi Serbinë në një kohë kur Rusia ishte e pakonsoliduar. Por sot, koha ka ndryshuar”. “Forcimi” i Rusisë i jep krah Beogradit.

Tragjedia e Serbisë sot, qëndron në faktin se pakicat e Kosovës, përfshi edhe atë serbe, i gëzojnë të gjitha të drejtat, sipas standardeve më të larta të BE-së, si në asnjë vend të Perëndimit. Fatkeqësisht, Beogradi s’do dot të drejta dhe demokraci për serbët e Kosovës. Atij nuk i interesojnë fare të drejtat e minoritetit serb të garantuara me ligjet e Kosovës. Minoriteti serb në Kosovë i intereson Beogradit vetëm për t’i instrumentalizuar për qëllime destabilizuese, në funksion të arritjes së synimeve territoriale.

Është turp për Serbinë të sjellë forca ushtarake pranë kufirit të fqinjit të vet. Është turp për Serbinë t’i kanoset ushtarakisht një populli liridashës dhe paqedashës, që s’i ka borxh askujt në gadishull, një populli, të cilit, borxh i kanë të tjerët - ata që ia zaptuan territoret, një populli që synon demokracinë dhe integrimet transatlantike. Është turp dhe e pakuptueshme t’u kanoset shqiptarëve dhe Kosovës ku eksporton mallra me vlerë mbi 400 milionë euro. Është turp për Serbinë të sjellë tanke dhe artileri në kufirin e një shteti ku ka kryer krime lufte dhe gjenocid. Serbi, a s’u ngope me krime?! Serbi, deri kur me krime?! Ku e ke inteligjencien, Serbi?! Ke rënë shumë poshtë, je degraduar. Të mungon mendimi kritik, mendimi tjetëror. Të mungon, ngase në ty sundon njëmendimi politik dhe ideologjik. Të mungon, ngase në ty mbizotëron politika autoritare, autokratike, tiranike, despotike, totalitare, bizantine, bolshevike dhe klerofashiste. Në këtë mënyrë Serbi, s’ke për të shkuar në Evropë! Të është thyer rrota e historisë Seri, prandaj ke ngecur në shekullin XIX.

*   *   *

Më 27 shtator të vitit në vazhdim, me t’u kthyer nga Nju-Jorku, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u ndal në Prishtinë. U prit nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Po atë ditë, Rama u takua edhe me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, me kryetarin e LDK-së, Lumiz Abdixhikun, me kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin, me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limën, me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn. Kur rrezikohen interesat jetike të kombit, shqiptarët janë të bashkuar.

*   *   *

Konfliktet e brendshme në botën shqiptare janë luks. Shqiptarëve u duhet paqe dhe qëndrueshmëri dhe jo zënka, konflikte, animozitete, mosmarrëveshje apo aleanca ndërpartiake joparimore. Mosmarrëveshjet ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës janë të panevojshme. Të kota janë edhe mosmarrëveshjet midis Ramës dhe kryetarit të Shqipërisë, Ilir Metës. Mosmarrëveshje s’duhet të ketë as midis Lulzim Bashës dhe ish-kryeministrit, Sali Berishës.

Mosmarrëveshje dhe animozitete s’duhet të ketë as midis udhëheqjeve politike të Shqipërisë dhe të Kosovës. Dihet armiku i shqiptarëve. Kjo është Serbia. Para këtij armiku të rrezikshëm, zënkat, konfliktet, mosmarrëveshjet dhe animozitetet ndër shqiptarë janë të pakuptimta, absurde dhe të dëmshme për kombin. Në vendet demokratike, përplasjet e ideve, të pikëpamjeve apo të koncepteve politike bëhet me mjete politike dhe në rrugën demokratike, pra jo me fyerje apo me ofendime triviale e banale.

Do të ishte mirë që ish-kryeministri Sali Berisha të largohet nga skena. Vendin e tij le ta zënë brezat e rinj. Për rolin dhe rëndësinë e tij në tri dekadat e fundit do të shkruajë historia. Historinë kombëtare shqiptare nuk e shkruajnë miliarderët majtistë globalë, as sekretarët e shteteve, qofshin ata të fuqive të mëdha. Bëmat e veta në periudhën e pluralizmit, Berisha mund t’i pasqyrojë në kujtimet e tij.

Amerika është aleate e përjetshme e shqiptarëve. Të rrethuar nga hienat, shqiptarët në Ballkan janë të rrezikuar. Amerika dhe vetëm ajo, mund t’u dalë zot.

Një Shqipëri e fortë, nënkupton shqiptari të fortë dhe vice versa. Shqipëri e dobët nënkupton shqiptari të dobët.

Para rrezikut serb, shqiptarët kanë nevojë për unitet. Asnjë interes personal, qoftë edhe dramë personale nuk është mbi interesin kombëtar. Asnjë interes partiak, nuk është mbi atë kombëtar. Shqiptarëve u duhet pajtim, ashtu siç i ka mësuar Anton Çeta.

Liderët politikë të Kosovës duhet të bashkëpunojnë me Tiranën zyrtare dhe jo të lidhin aleanca me kryetarë partish të Shqipërisë. Liderët e Shqipërisë duhet të bashkëpunojnë me Prishtinën zyrtare dhe jo të lidhin aleanca me kryetarë partish të Kosovës. Shqiptarët kudo që janë duhet të ndjekin politikë kombëtare dhe jo politikë individuale apo partiake. Politika e jashtme e Shqipërisë dhe politika e jashtme e Kosovës duhet të harmonizohen. Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë politikë të jashtme të harmonizuar dhe të përbashkët. Pikëpamja se Shqipëria ka politikë të jashtme të pavarur, është e diskutueshme. As Kosova s’duhet të ketë dot politikë të jashtme të pavarur. Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë politikë sigurie të harmonizuar dhe të përbashkët. Shqipëria dhe Kosova duhet t’i harmonizojnë edhe interesat në lëmin e ekonomisë. Shumë mallra dhe produkte që i importon Kosova nga vende të tjera, i prodhon edhe Shqipëria.

Shqipërinë dhe Kosovën mund ta udhëheqin dhe ta çojnë para vetëm politikanët idealistë, me integritet, me vlera etike dhe me njohuri intelektuale të theksuara.

*   *   *

Konfliktet brenda botës shqiptare janë pasojë drejtpërdrejtë të shkallës së ulët të zhvillimit ekonomik. Pa zhvillim ekonomik nuk ndërtohet sistemi demokratik. Pa ekonomi, nuk ndërtohet shteti ligjor. Zhvillimi ekonomik është kusht i zhvillimit të demokracisë, është kusht i ndërtimit të shtetit ligjor. Por, konfliktet brenda botës shqiptare janë edhe pasojë e mendësisë shqiptare.

Shteti me shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik nuk ndërtohet me deputete që hyjnë në kuvend me kostume që kushtojnë 20 mijë euro, me çanta që kushtojnë pesë mijë euro. Kostume kaq të shtrenjta s’ka asnjë deputete e Parlamentit Evropian. Nuk ndërtohet shteti me deputetë apo me ministra që kanë dosje me të kaluar të dyshimtë. Nuk ndërtohet shteti me djem që ngasin vetura të shtrenjta. Vetura luksoze, në një Shqipëri apo në një Kosovë jo mjaft të zhvilluar, për të mos thënë të pazhvilluar. Nuk ndërtohet shteti i varfër me femrat e estradës, që jetojnë në qiell dhe në yje, në botën e ëndrrave. Nuk ndërtohet shteti me programe reality, përplot pornografi, që kanë shikueshmëri marramendëse. Krejt kjo, në një botë shqiptare me shumë probleme ekonomike dhe sociale. Para bijve dhe bijave të etërve që me dekada rrotullohen dhe enden në skenë, nuk mund të vijnë në shprehje talentet e vërteta të kombit, të cilët nuk janë bijë dhe bija të dikujt. Të rinjve të talentuar që s’janë bijë dhe bija të dikujt s’u mbetet tjetër pos të shpërngulen drejt Perëndimit. Ka rrezik që këtu të mbeten mediokret e privilegjuar.

Shqipëria me dy dete, me potencial ujor të jashtëzakonshëm, me bukuri natyrore të rralla, me popull fisnik, bujar dhe mikpritës, e vizituar nga miliona turistë nga gjithë bota, nuk është e varfër dhe s’ka për të qenë e tillë. Po kështu edhe Kosova.

Nuk krijohet kombi me telenovela spanjolle, braziliane apo turke që vërshojnë nëpër ekranet e studiove televizive. Shqiptarët duhet ta dinë se jeta nuk është telenovelë dashuriçkash. Tirana dhe Prishtina nuk janë qytete me dhjetëra milionë banorë. Në botën shqiptare shohim skena si në veprat e Uiliam Thekerit, Balzakut apo të Dostojevskit.

Udhëheqësit politikë të Kosovës duhet të ndjekin politikë racionale. Asnjë veprim s’duhet ta ndërmarrin pa u këshilluar me Uashingtonin. Shqiptarët duhet ta dinë se Uashingtoni nuk do të mbështesë një Shqipëri apo një Kosovë që s’e lufton korrupsionin në nivelet më të larta të politikës, që nuk i zbaton reformat në gjyqësi, që zvarrit procesin e ndërtimit të shtetit ligjor, që nuk punon për zhvillimin e ekonomisë dhe krahas kësaj edhe të demokracisë. Shqiptarët duhet ta dinë se shteti nuk ndërtohet me mikrovlera, me mikrosisteme dhe duke vepruar në mikrolan. Politika kombëtare nuk është punë ceremonish dhe ritualesh fetare.

Përparimi i shqiptarëve vjen nga Perëndimi dhe jo nga Lindja apo Orienti. Vetëm kështu Serbia do të heqë dorë nga politika e saj e forcës.