| E merkure, 29.09.2021, 06:18 PM |
Rezistenca aktive paqësore e përmasave vetëflijuese!
Shkruan:
Florim Zeqa
Pas
suprimimit të autonomisë së Kosovës në 23 marsin e vitit 1989, në Kuvendin e
atëhershëm të Kosovës u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 e ish Federatës
Jugosllave, e cila Kosovën e përafronte në masë të madhe me republikat e tjera,
duke e lënë Kosovën pjesë përbërëse të Serbisë. Suprimi i autonomisë së Kosovës
u pasua me pushtimin e Kosovës me mijëra policë dhe ushtarë serbë, duke
ushtruar masa represive dhe dhunë sistematike ndaj popullatës shumicë
shqiptare, e cila më pas i mori përmasat e një aparteidi të vërtetë.
LDK bartëse e
rezistencës aktive paqësore
Krijimi
i situatës së rënduar pas suprimimit të autonomisë, e kishte shtruar nevojën
imediate të organizimit të shqiptarëve të Kosovës. Një grup intelektualësh të
shquar shqiptarë e formojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) nën udhëheqjen
e Dr. Ibrahim Rugovës, subjektin e parë politik i cili e shënon edhe hapjen e
proceseve demokratike në Ballkan dhe këtë pjesë të Evropës në përgjithësi.
Kësisoji,
LDK brenda vetëm pak muajve i arrinë përmasat e një levizje demokratike, e
cila, duke e bërë shkëputjen nga sistemi politik i kohës, u rritë dhe u
homogjenizua, u shndërru në bartëse të rezistencës aktive paqësore dhe promotor
i të gjitha zhvillimeve të mëvonshme politike.
Sikurse
organizimi i qytetarëve rreth lëvizjes paqësore demokratike (LDK), edhe
unifikimi i popullatës kundër pushtuesve serbë ishte i përmasave biblike.
Padëgjueshmëria qytetare ndaj regjimit okupues të Millosheviqit, e kishte
detyruar këtë të fundit, që t’i largojë qindramijëra shqiptarë në vendet e tyre
të punës me pretekstin e mospranimit të masave të jashtëzakonshme të Serbisë.
Me
këtë akt qyqarë, satrapi i Ballkanit kishte menduar që përveq me dhunë
sistematike, t’i nënshtrojë edhe me uri shqiptarët e Kosovës. Por u mashtrua
keq, madje kjo ç’menduri iu kthye në bumerang! Shqiptarët e Kosovës dhe të
gjitha trojeve etnike u unifikuan akoma më shumë në përkrahje të njëri-tjetrit!
Mërgata e jonë, si asnjëherë më parë gjatë historisë u mobilizue në mbështetje
materiale të institucioneve paralele të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve në
rrethanat e okuppimit klasik të Serbisë.
Ngjarjet që vunë
themelet e shtetit të Kosovës
E
di që është i pamundur përshkrimi kronologjik i të gjitha zhvillimeve politike
dhe shoqërore gjatë 10 viteve të rezistencës paqësore në një shkrim autorial,
por do t’ shkëpusë vetëm disa prej tyre, për të dëshmuar homogjenizimin e
paparë e të padëgjuar të shqiptarëve gjatë kësaj periudhe historike; nivel i
lartë humaniteti dhe solidariteti ndërqytetarë, falja e të gjitha gjaqeve dhe
ngatërresave, shpallja e Deklaratës së Pavarësisë së 2 Korrikut 1990 para
dyerëve të mbyllura të Kuvendit nga pushtuesit serb, Kushtetuta e Republikës së
Kosovës e 7 Shtatorit e të njëjtit vit, Referendumi mbarëpopullorë për Kosovën
shtet sovran dhe të pavarur, mbajtur prej 26-30 Shtator 1991, zgjedhjet e para
të lira dhe pluraliste për Kuvendin e Republikës së Kosovë, të mbajtura më 24
Maj 1992, nga të cilat zgjidhet edhe kryetari i parë i Republikës së Kosovës me
mandatin e Kushtetutës së Kaçanikut.
Të
gjitha këto ishin veprime vetëflijuese, për shkak se u realizuan nën masa të
egra represive të pushtuesve serbë, të cilat paraqitnin rrezik permanent për
jetën e delegatëve, aktivistëve dhe veprimtarëve, humanistëve dhe qytetarëve që
e ndanin kafshatën e gojës me njëri-tjetrin!
Përmes
këtij shkrimi të shkurtër, desha t’iu tregoj rrahagjoksëve që “luftën” e bënë
hoteleve luksoze dhe disa politikanëve të pasluftës që “luftën” e bënë për
pushtet e jo për shtet!
Shteti
bëhet duke dhënë gjithçka, pa marrë asgjë prej tij. Të tillë ishin
politik-bërësit, aktivistët dhe veprimtarët e viteve të ‘90-ta, të harruarit e
ditëve të sotme siq po harrohen dita-ditës edhe heronjët dhe dëshmorët,
invalidët e luftës dhe ushtarët e vërtetë të lirisë së Kosovës.
Sot
nuk kemi nevojë për vetëflijime dhe as për heronjë dhe dëshmorë të rinjë. Kemi
nevojë për kontributin e secilit qytetar për shtetin e Kosovës. Ta befasojmë
edhe një herë Serbinë me unitetin tonë sikurse në vitet e ’90-ta, duke e
bojkotuar çdo produkt të saj dhe çdo lëvizje nëpër territorin e saj.