| E merkure, 29.09.2021, 07:34 PM |
Rama mbështet Kosovën për reciprocitetin dhe përkrah Serbinë për Open Balkan!
Nga
Enver Bytyçi
Janë
bërë tashmë bajate demonstrimet e presidentit të Serbisë me ushtri në kufijtë e
Kosovës! Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, duket si ai I forti i lagjes që kur
e mundin vazhdon e thërret "Ke për ta parë çfarë do të bëj unë ty"!
Kësisoj u soll edhe ditën e shtatë të bllokimit të rrugës në Jarinjë e Bërnjak
nga automjetet e tonazhit të rëndë ngarkuar ne zhavor të shtetit të Serbisë. I
tha NATO-s se "Unë jap 24 orë kohë"! Për çfarë kohë?! Që Albin Kurti
të tërhiqet nga vendimi për reciprocitetin e targave dhe të legjitimojë
sjelljen brutale të Beogradit me Kosovën!
Vuçiq
duket shumë i nervozuar. I gjendur në dilemën e pamundësisë për të vepruar me
ushtrinë e ambasadorit rus në Beograd, ai thjesht nxjerr nga goja budallallëqe
të padëgjuara. Vetë e bllokon rrugën dhe i quan kriminelë ata që duan
çbllokimin! Vetë vendos precedente në qarkullimin e mjeteve dhe kur pala tjetër
bën të njëjtën gjë, krimin e vet e shet si "krim" të kundërshtarit,
në rastin konkret të Albin Kurtit. E ndërkohë nervozimi i tij ka të bëjë
pikërisht me prerjen e lidhjeve kriminale të presidentit të Serbisë me
trafikantët dhe bandat e Veriut të Kosovës.
Të
gjithë e njohin faktin se një nga eksponentët serbë të veriut, Randoçiq, është
në krye të aktivitetit të paligjshëm si kondrabandist në veri të Kosovës. Të
gjithë e dinë faktin se ai punon për llogari të Aleksandër Vuçiq dhe se për të
vazhduar këtë aktivitet i qetë, ai eleminoi Oliver Jovanoviqin. Kjo strukturë
kriminale e ka ndihmuar financiarisht presidentin e Serbisë në zgjedhjet elektorale.
Ndërhyrja
e qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitetin e targave me Serbinë, nuk
është thjesht operacion dhe aksion politik. Kjo ndërhyrje vendos kontrollin e
plotë në veri të Kosovës dhe vendosja e këtij kontrolli do të thotë ndërprerje e
burimeve financiare të paligjshme për Aleksandër Vuçiq. Prandaj dhe presidenti
i Serbisë nuk e konsideron "mizë" aktin legjitim të qeverisë së
Kosovës. Por Rama e quajti këtë si një mizë, për të kapur për brirësh buallin,
iniciativën serbe të Open Balkan!
Presidenti
i Serbisë është në nervozë e njëkohësisht në delemë. Prandaj ai nuk ka e nuk
mund të ketë forcë për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë. Lidhjet e tij me
krimin e bëjnë të matet shumë për çdo hap që hedh. Por fakti që serbët e veriut
të Kosovës nuk pajtohen me politikën e tij, dëshmon se ata janë në dijeni të
këtyre aferave të pista të presidentit serb. Kjo ia vështirëson akoma më shumë
aksionin politik e sidomos atë ushtarak kundër Kosovës. Kur Vuçiq i flet
Stoltenbergut për veprimtari kriminale të Albin Kurtit, ai beson se shefi I
NATO-s nuk ka dijeni për faktin se presidenti i Serbisë është i përfshirë në
veprimtari kriminale, ndërkohë që kryeministri i Kosovës po ia ndërpret burimin
e parave të pista që atij I shkojnë nga kjo veprimtari kriminale! Ndërsa
kryeministri i Shqipërisë edhe njëherë nga prishtina i dha krah për projektin e
Serbisë së Madhe!
Edi
Rama sot në Prishtinë thjesht tha se përkrahë qëndrimin e Kosovës dhe nuk
përkrahë diversionin e Serbisë! Në fakt askush nuk priste që të bënte më shumë.
Ajo që duhej bërë ka si objekt Open Balkan. Edi Rama duhej t'i vinte kusht
Beogradit. Nëse qeveria serbe nuk tërheq ushtrinë dhe forcat speciale të tij
nga kufiri me Kosovën në një kohë të caktuar prej 24 apo 48 orësh, atëherë do
të shpallë largimin e Shqipërisë pa kthim nga nisma e Open Balkan. Por jo,
përkundrazi, e mbrojti iniciativën serbe edhe në kushtet kur miku i tij
Aleksandër Vuçiq kërkon t'i vejë flakën Ballkanit.
Nëse
Edi Rama do shpallte largimin nga Open Balkan pa kthim në këtë nismë, atëherë
Vuçiq do të shihte se gjithë investimi i tij per Serbinë e Madhe do të merrte
fund. Ndërkaq kjo është arsyeja pse Rama nuk largohet nga kjo nismë serbe e
Beogradit! Ai mbështet Kosovën për reciprocitetin e targave, siç thotë vetë për
mizën, e ndërkohë i jep përkrahje Serbisë për buallin, për nismën e Open
Balkan! Kësisoj në Prishtinë kryeministri i Shqipërisë u shpreh edhe në
mbështetje të Kosovës, edhe në mbështetje të Serbisë. Për "mizën"
mbështeti Kosovën, për "buallin" mbështeti Serbinë!
Kur
Edi Rama tha se "Me Kurtin nuk pajtohet. Ballkani i hapur është rruga e
duhur", me këtë deklaratë i ka rrëzuar të gjitha shpalljet patetike për
patriotizëm! Si mund të ketë Ballkan të hapur me standarde të ndryshme të
sjelljes së Serbisë me shtetet që duhet ta përbëjnë atë, përkatësisht me
Kosovën?! Duhet të jesh i çmendur, ose të kesh marrë përfitime personale të
pamasa që t'i kërkosh Kosovës të bëhet pjesë e Open Balkan e ndërkohë të mos ia
njohësh pasaportën e shtetit, simbolet e shtetit, targat e makinave, dokumentet
shtetërore të lëvizjes së mallrave dhe njerëzve, madje as pikat kufitare! Duhet
të jesh armik i Kosovës dhe çeshtjes shqiptare në përgjithësi, që nga njëra anë
të pranosh hyrjen e Serbisë në Open Balkan me hartën e Kosovës brenda saj dhe nga
ana tjetër t'i kërkosh Kosovës ta pranojë këtë dorëzim të sovranitetit të saj
te Beogradi!
Edi
Rama këtë po bën. Ai para vizitës në Kosovë ka biseduar me Aleksandër Vuçiq.
Ndërkaq sjellja e tij në këtë vizitë le të kuptosh se kryeministri i Shqipërisë
po zbaton pikë për pikë detyrimet që i ka vënë presidenti serb. Pjesë e këtyre
detyrimeve është dekorimi i Rexhep Qosjes, evitimi i takimit me presdienten e
vendit, zonjën Osmani, arroganca në ceremoninë e pritjes me refuzimin për të
mos ua dhënë dorën mikpritësve e shumë të tjera! Ai i jep dekoratë të lartë
Rexhep Qosjes, sepse të dy janë të një mendje që Kosova duhet ndarë, se duhen
shkëmbyer territoret dhe ndryshuar kufijtë "për të vendosur paqen me
Serbinë"! Përndryshe nuk ka asnjë arsye që Rexhep Qosja të dekorohet,
sepse prodhimtaria akademike e shumë të tjerëve është sa ose më shumë sesa e
Qosjes! Ndaj këtë dekoratë do ta quaja si shenjë besnikërie e të dyve ndaj
Serbisë dhe Beogradit! Ky është gjithashtu mesazhi i saj!