| E hene, 27.09.2021, 06:51 PM |
UNË
DHE TË 430 JURISTËT
-Fejton-
Nga
Gjokë Dabaj
Më lajmëruan papritur se isha propozuar
për të qenë drejtor i një burgu të veçantë, ku do të vuanin dënimin të 430
juristët, shkelës të ligjevet.
Të shkelë ligjet një ligjmbrojtës,
është një dukuri logjikisht dhe moralisht e pakonceptueshme dhe e papranueshme.
Megjithatë, jemi të detyruar të pranojmë që një e tillë dukuri, e
kundërlogjikshme dhe e kundërmoralshme, prapëseprapë na ka ndodhur. Dhe nuk ka
ndodhur në 10 apo 30 raste, por në më shumë se 400 raste, në një vend kaq të
vogël, sa ç’është Republika e Shqipërisë.
400 juristë, të padenjë për të qenë
juristë! 400 shqiptarë, të padenjë për të qenë shqiptarë! 400 njerëz, të
padenjë për t’u quajtur njerëz!
Më thirrën në Tiranë dhe më pritën ministri
i drejtësisë dhe ministri i punëvet të brendshme, pra, edhe i asaj pjese të
policisë, e cila kujdeset për burgjet.
Sapo u ula pranë tavolinës përballë
tyre, më thanë që, për një emërim të tillë e ka dhënë pëlqimin edhe ambasada e
SHBA-së në Tiranë.
Arsyeja, pse po më emëronin drejtor i
një burgu juristësh, paska qenë e dhëna, njoftimi, që unë në 25 vjet të punës
sime si mësues nuk kam pranuar asnjë lloj ryshfeti. Madje, ministri i punëvet
të brendshme m’i numëroi edhe disa prej rastevet që në bashkinë e Klosit në Mat
njihen prej të gjithëvet.
Një nxënës, nga ata që quheshin “me
korrespondencë”, më paska paguar njëherë udhëtimin për në Tiranë (ku unë shkoja
për punët e mia) dhe unë, kur jam kthyer nga Tirana, e paskam lënë atë nxënës
për në vjeshtë dhe përsëri në vjeshtë i paskam vënë notën jokaluese, katër.
Një tjetër nxënës, po me
korrespondencë, që ish edhe anëtar i byrosë së PPSH-së për rrethin e Matit, e
paskam detyruar të vijë në provimin e letërsisë në tre sezone provimesh dhe
vetëm mbas një viti e gjysmë përpjekjesh për ta mësuar lëndën, mezi paska
arritur të marrë tek unë notën pesë.
Një grua më paska sjellë njëherë në
shtëpi një shportë me rrush e fiq, me lutjen dhe përgjërimin, që të mos i
kërkoja shumë llogari vajzës së saj. Dhe unë, të nesërmen, asaj vajze i paskam
vënë notën katër në lëndën e gjuhës shqipe, duke i thënë: “Notat e mira nuk
merren me fiq e me rrush, por me dituri!”
Një tjetër grua, njëherë tjetër, më
paska prurë një mbrëmje një tenxhere plot me kos lope, sepse të nesërmen djali
i saj kishte provim. Unë e paskam detyruar atë grua ta kthejë kosin nga e kish
prurë, sado që të pesë fëmijët e mi mund të kishin një javë pa ngrënë, as
qumësht, as kos.
Më në fund ministri i punëvet të
brendshme më tha edhe një rast, kur unë kisha refuzuar një shumë jo të vogël
parashë, në këmbim të një note kaluese për një vajzë, e cila, pasi të merrte
provimin në gjuhë shqipe e letërsi, kish shansin të emërohej infermiere-mami.
-Këto janë disa nga të dhënat që
na kanë ardhur,” -më tha ministri i punëvet të brendshme, -dhe
prandaj ne, në bashkëpunim me ministrinë e drejtësisë, vendosëm që ti të
emërohesh drejtor i burgut ku do të mblidhen të gjithë gjyqtarët dhe
prokurorët, të cilët kanë pranuar të marrin ryshfete.
Atëherë unë, duke e konsideruar të rëndësishme
këtë masë që po ndërmerrte qeveria e shtetit tim, e pranova këtë detyrë, duke
vënë edhe unë disa kushte:
Kushti i parë ishte: Unë jam sot 83
vjeç. Ata do të rrinë në burg deri sa unë të vdes.
Dy ministart buzëqeshën. “Dashke
t’i detyrosh që ata të luten ditë për ditë për vdekjen tënde sa më parë!”
Kështu ha njëri, ndërsa tjetrei shtoi: “Ata do të bëjnë çmos për të ta
shkurtuar jetën, xhaxha!”
Kushti i dytë, thashë unë, është ky:
Juristët e burgosur nuk do të marrin kurrfarë ushqimi nga jashtë. Ata do të
jetojnë aty vetëm me ushqimin e burgut, i cili do të jetë i mjaftueshëm dhe
cilësor, sipas të gjitha rregullave.
Kushti i tretë: Meqë të 400 juristëvet
shqiptarë, tashmë të arrestuar, do t’u kofiskohet krejt pasuria e fituar në
mënyrë të paligjshme, gjatë vitevet që do të rrinë në burg, atyre duhet t’u
mundësohet që të fitojnë pará, jo me punë juristësh, por me punë të tjera:
zdrukthtari, rrobaqepësi, këpucari, axhusteri...
Kushti i katërt: Të 400 juristët e
burgosur do të lexojnë libra me detyrim. Jo vetëm të fushës së tyre që do të
detyrohen t’i rilexojnë në shenjë pendese, por edhe letërsi artistike, libra të
historisë, gjeografisë, sociologjisë dhe e gjithë kjo punë e tyre do të
kontrollohet, duke vënë një normë leximi, e pakta 50 faqe në 24 orë dhe,
rrjedhimisht, e pakta 15 mijë faqe në vit.
Dhe kushti i fundit: Në qoftë se
ndonjëri prej tyre vret veten në burg, familja e tij nuk do të ketë të drejtë
ta tërheqë kufomën. Trupi i tij, vetëkuptohet, pasi të jetë verifikuar
vetëvrasja e tij prej komisionit përkatës dhe në prani të familjarëvet, do të
digjet në krematorium dhe familjes do t’i dorëzohet vetëm hiri i mbyllur në një
shishe.
Të dy minisrat ia krisën së qeshurës me
të madhe dhe mua më doli gjumi. Isha i mbytur në djersë.
22 shtator 2021