| E merkure, 22.09.2021, 08:59 PM |
Nga Reciprociteti fillon e mbaron në Jarinjë e Bërnjak!
Nga
Enver Bytyçi
Kur
në Bruksel ishte nënshkruar para shumë vitesh marrëveshja për vendosjen e
postave kufitare në Jarinjë e Bërnjak ishte rënë dakord midis Serbisë dhe
Kosovës që kalimi të bëhej me targa dhe dokumente respektive të të dy shteteve.
Por çfarë ndodhi? Gradualisht Beogradi përforcoi pozitën e tij të imponimit me
mendësinë se "Kosova nuk është shtet" dhe se "Veriu i Kosovës i
përket Serbisë"! Klasa politike e Kosovës u përça, sepse pati prej atyre
politikannëve, midis të cilëve presidenti i vendit, që iu nënshtruan Beogradit!
Prandaj dhe Serbia nuk i konsideroi kurrë Jarinjën e Bërnjakun si pika të
kalimit kufitar, përkundrazi si pika të kontrollit policor, ta zemë në formën e
një post-blloku të vendosur diku në dalje të Kragujevacit!
Gjatë
gjithë kohës autoritetet serbe imponuan rregulla dhe lojëra politike të
pazakonta. Në Jarinjë, Bërnjak e në të gjitha pikat e tjera kufitare ndalesat
ishin me orë për shkak të kohës që zinte ndërrimi i targave. Shqiptarët hynin
në Serbi pasi kishin ndërruar targat e makinave nga RKS në KS, ose pasi
pajiseshin me targa të përkohshme të qyteteve të Serbisë. Kjo praktikë u bë
rutinë me vite .
Sot
në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë janë stacionuar forca policore e të
kontrollit kufitar, të cilat kontrollojnë zbatimin e masave të reciprocitetit
të vendosyr nga qeveria Kurti. Zoti Kurti u kishte shkruar një letër të gjithë
kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian dhe i kishte
paralajmëruar për masat e reciptocitetit me Serbinë. Nuk ka ndonjë informacion
nëse dikush nga këto personalitete shtetërore europiane i është përgjigjur
letrës së kryeministrit të Kosovës. Por edhe nëse kemi të bëjmë me një heshtje
të tyre, kjo heshtje jep mesazhin se "Reciproociteti është një çeshtje e
brendshme e Kosovës, gjë për të cilën nuk mund të ketë një përgjigje nga
partnerët"! Ndoshta është edhe një test prove për qeverinë e zotit Kurti,
për të testuar vendosmërinë dhe suksesin e këtij aksioni politik!
Reciprociteti
në këtë moment është produkt i diskriminimit dhe aparteidit që Serbia i bën
Kosovës. Edhe pas heqjes së autonomisë nga ana e Milosheviçit, Kosova thirrej
me emrin e saj të sotëm dhe nuk u thirr me emërtimin fyes dhe predikues të
kolonializmit, "Kosovo-Metohi"! Ky emërtim i trashëguar nga koha e
Aleksandër Rankoviç, u hoq me ndryshimet kushtetuese të vitit 1966 dhe u
rikthye veçmas nga Aleksandër Vuçiq. E megjithatë ky Rankoviçi i sotëm është
gjithashtu miku më i madh i të gjitha kohërave të qeverisë së Tiranës. Përveç
Stalinit dhe Titos, asnjëherë Tirana zyrtare nuk ka patur një mik kaq të
veçantë e të respektuar sa Aleksandër Vuçiqin.
E
gjitha ka ndodhur, sepse presidenti i sotëm i Serbisë është armiku më i madh i
shqiptarëve në përgjithësi dhe shqiptarëve të Kosovës në veçanti pas Rankoviçit
dhe Milosheviçit! Thjesht atë nuk e favorizojnë rrethanat ndërkombëtare për të
bërë atë që bëri shefi i tij i qeverisë së viteve 1990, Sllobodan Milosheviçi.
Për këtë arsye reciprociteti duket në këtë moment si masa më e efektshme që
Serbisë t'i imponohet një qasje tjetër ndaj Kosovës. Ndoshta ky reciprocitet
duhet të shkojë deri te emërtimi i Serbisë me ndonjë emër të dikurshëm, kur
ishte thjesht sanxhak i perandorisë osmane. Ndoshta duhen gjetur metoda analoge
që edhe në takimet zyrtare në Bruksel dhe në mbledhjet e tjera ndërkombëtare të
gjendet një formulë fyese për të, siç ajo përdor formulën e emërtimit
"Kosovo-Metohi"! Atëherë edhe reciprociteti do të kishte efekt të
jashtëzakonshëm. Kjo për faktin se kopertura anti-Kosovë përdoret prej
Aleksandër Vuçiç për kapital të brendshëm elektoral!
Reciprociteti
është një e drejtë ndërkombëtare e çdo shteti në botë. Kosova nuk është njohur
nga Këshilli i Sigurimit si shtet, për shkak të interesave gjeopolitike ruse.
Por ajo është çertefikuar si shtet i pavarur nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare
të Drejtësisë në Hagë. Në fund të fundit vetë Këshilli i Sigurimit dhe OKB e ka
adresuar çeshtjen në Hagë dhe Kosova ka dalë e fituar në të drejtën e saj që më
22 korrik 2010. Prandaj dhe masat reciproke me Serbinë janë legjitime.
Vendimi
i qeverisë së Kosovës për vendosjen e këtyre masave duket ndoshta i vonuar. Por
edhe ngutja nuk do t'i shërbente si duhet qëllimit. Ndoshta duhej një kohë e
caktuar për të sensibilizuar partnerët dhe miqtë e Kosovës. Ndërkohë kjo masë
duhet të shtrihet në gjithçka, edhe në dokumentet doganore, çertifikatat e
sigurisë së mallrave dhe deri te përdorimi i pasaportave ekuivalente të të dy
shteteve.
Duhet
besuar se qeveria e Kosovës i ka marrë masat që aksionin e saj politik dhe
ekonomik ta zhvillojë në harmoni me KFOR-in dhe aleatët më të fuqishëm të saj.
Gjithësesi është me rëndësi që ajo t'i shkojë deri në fund këtij aksioni. Të
mos tërhiqet jo vetëm në strategji, por as në ndonjë aspekt të veçantë, të
cilin e parashikon vendimi për vendosjen e masave reciproke. Çdo tërheqje do të
bëjë efektin e lëshimeve që Kosova ka bërë në dhjetë vitet e fundit ndaj
Serbisë dhe ndërhyrjeve që ajo ka realizuar në territorin e vendit.
Megjithatë
duhet besuar se Beogradi do të reagojë në format që ai di të reagojë në kësi
rastesh. Vështirë të besosh se liderët politikë të Serbisë, të cilët kanë
deklaruar krijimin e një shteti ku të përfshihen të gjithë serbët, të qëndrojnë
indiferentë! Ata do të provokojnë trazira. Do të ankohen në qendrat e vendosjes
ndërkombëtare. Do të shpifin e trillojnë lloj-lloj historish për akte që kurrë
nuk kanë ndodhur e nuk mund të ndodhin në Kosovë. Do të shpërndajnë ndoshta
trakte për rezistencë të serbëve në Kosovë! Çfarë nuk pritet prej kësaj Serbie
të tërbuar nga etja për territoret e reklamuara e të pretenduara nga
Garashanini, Gjergjoviçi, Pashiqi, Rankoviçi e Milosheviçi!
Me
rëndësi është të ruhet qetësia! Që forcat policore e të ndërhyrjes së shpejtë
të veprojnë me profesionalizëm të lartë! Që forcat politike të Kosovës të bëhen
bashkë e të flasin me një zë, duke mbajtur të njëjtin qëndrim! Që analistët e
media të heqin dorë nga tifozllëku politik e të mos I shërbejnë Serbisë! Që së
paku të neutralizohet qëndrimi pro-serb i Edi Ramës!
Vendosja
dhe suksesi i këtij reciprociteti në Jarinjë e Bërnjak është sukses i aksionit
politik në tërësi. Në Jarinjë dhe Bërnjak përcaktohet nëse Kosova do të ruajë
territorin dhe sovranitetin e saj shtetëror ose jo!