| E diele, 19.09.2021, 03:39 PM |
Blerja e votave me “një petë lakrori” asfalt!
Shkruan:
Florim Zeqa
Dukuria
e blerjes së votave me “një petë lakrori” asfalt nuk është dukuri e re, por dukuri
e re është shitja e asfaltit “në të zezë” në kundërshtim me rregullat e
tenderimit! Pa dyshim, çdo investim në vendet rurale është i mirëpritur nga
banorët lokal, por investimet duhet të bëhen në përputhje me nevojat e
qytetarëve e jo me oreksevet e pushtetarëve.
Paradokset
e një pushteti lokal!
Nga
paslufta, po vazhdon dukuria e shtrimit të asfaltit në prag të fushatave
zgjedhore dhe blerja e votave me asfalt. Kryerja e punëve shkel e shko, pa
asnjë kontrollë nga organet kompetente komunale, i motivon punëkryerësit që të
manipulojnë me cilësinë dhe trashësinë e asfaltit dhe jo vetëm.
Shtrimi
i asfaltit nëpër rrugicat e lagjeve dhe familjeve në fshatin Bokshiq të Klinës,
në shikim të parë duket një mrekulli e pushtetit lokal. Por, në realitet është
e kundërta! Cilësia e dobët (troshitja e asfaltit sikur krelana e misrit) dhe
trashësia në përmasat e një “pete lakrori”, kanë bërë që asfalti që çahet
(plasaritet) akoma pa kaluar një muaj nga shtrimi i tij!
Siq
duket, ankesat e banorëve të disa lagjeve për prishjen e asfaltit, i motivuan
pushtetarët komunal dhe punëkryerësin që t’i zbukurojnë rrugicat me shënjëzimin
e vijave të bardha në tërë gjatësinë e tyre, por megjithatë ngjyra nuk i mbulon
dot të çarat e asfaltit milimetrik!
Logjika
e mashtrimit apo “Nusja e mirë, me syrin qorr”
Sikur
të kishte qenë e rregulluar dhe e shënjëzuar traseja e rrugës ndër-komunale dhe
ndër-rajonale, rrugë kjo që i lidhë disa fshatra të komunës së Klinës me Lugun
e Baranit, me Deçanin dhe Pejën në distancë më të largët, do të kishte kuptim
edhe asfaltimi i rrugicave dhe vijëzimi i tyre me ngjyrë të bardhë!
Por,
jo vetëm që rruga kryesore është e pashënjëzuar, ajo është dëmtuar aq shumë,
saqë në disa anekse është bërë e pakalueshme dhe e rrezikshme për jetën e
qytetarëve.
Nuk
e kuptojë logjikën e qeverisjes së pushtetarëve komunal, si ka mundësi të lihet
në gjëndje të mjerueshme rruga kryesore, ndërsa në anën tjetër të asfaltohen
dhe zbukurohen (pa asnjë arsye) me ngjyrë të bardhë të gjitha rrugicat lagjeve,
fushave dhe maleve, nuk e di se si ta quaj ndryshe, përpos paradoks të llojit
të vet, me prapavijë korruptive për qëllime elektorale partiake, apo t’i themi
me shaka “Nusja e mirë, me syrin qorr”!
Nëse
syri i pushtetarëve komunal nuk e ka vërejtur katandisjen e rrugës kryesore,
tashmë të kthyer në greminë, janë banorët e fshatit Bokshiq dhe fshatrave
përreth, janë kalimtarët e rastit, të cilët në disa raste, për t’i ikur
dëmtimit të makinave luksoze nga germadhat e rrugës, për 5 e jo më shumë se 10
metra gjatësi për të hyrë në “territorin e komunës së Pejës” ku rruga është
super moderne, kthehen mbrapa dhe i bëjnë 20 km rrugë shtesë në drejtimin
tjetër përmes Qeskove për të arritur në të njëjtin destinacion.
Kyqjet
në rrugica me pagesë
Pushtetarëve
të nderuar të komunës sime po ua shtrojë disa pyetje logjike, se si është e
mundur që për një shtëpi të vetme të shtrohen qindra metra asfalt dhe rrugica
të shënjëzohet me gjyrë të bardhë, kurse për një shtëpi (në të njëjtën lagje)
që lidhet me rrugën kryesore të mos i shtrohen as tri metra asfalt!? Si është e
mundur që kyqjet e shkurta në rrugicat e asfaltuara të bëhen në mënyrë
selektive dhe me pagesë!? Si kanë qenë të rregulluara kyqjet në tender, me ose
pa pagesë!?
Për
arsye se punëkryerësi i ka detyruar banorët e fshatit Bokshiq që t’i paguajnë
kyqjet edhe për gjysëm metre e më pak, kurse varësisht prej gjërësisë së
rrugës, metra e asfaltit është paguar nga 100-300 euro për një familje!
Ky
shkrim le t’i shërbejë ndërgjegjës së pushtetarëve aktual të Klinës, por, për më
shumë se kaq, le t’u shërbejë qytetarëve për vetëdijësim, se për kë të votojnë
me 17 Tetor 2021.
P.S. Fotografitë e shkrepura
nga telefoni im, i vërtetojnë ato që ceka më sipër dhe e dëshmojnë në mënyrën
më besnike dëmtimin e rrugës kryesore dhe paradoksin e shënjëzimit të rrugicave
me “një petë lakrori” asfalt, tashmë të çarë dhe të dëmtuar nga çarkullimi i
makinave të lehta.