| E marte, 14.09.2021, 07:48 PM |
IRIS HALILI: “LIDERI NUK
LIND…BËHET”
Nga
Frank Shkreli
Kohë më parë,
studiuesja dhe autorja Iris Halili pati mirësinë të më dërgonte librin e saj të
fundit, “Lideri nuk lind…Bëhet”. Është
një libër doracak për të gjithë ata lexues që duan të kuptojnë më mirë “tiparet
dhe cilësitë e lindura apo të fituara të liderëve.” Duke patur parasysh historinë e liderve
modernë shqiptarë –as të lindur as të bërë do të thoja unë -- të këtyre
30-viteve tranzicion të pa fund si dhe zhvillimet e ditëve të fundit në skenën
politike të Tiranës -- vendosa që kësaj rradhe të luaj rolin e promotorit të
promovimit të librit, “Lideri nuk lind… bëhet”, që organizohet në selinë
qëndrore të Federatës Panshqiptare Vatra në Nju Jork, të djelën që vjen. Këtë po e bëjë, me qëllim, para promovimit
formal në Vatër, për një publicitet sa më të madh për këtë vepër të rëndësishme
përball aktualitetit politik në trojet shqiptare, me shpresën që promovimi i
këtij libri të tërheq vëmendjen sa më të madhe nga lexuesit e interesuar, anë e
mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, por jo vetëm. Në të vërtetë janë vet
“liderët” negativë politikë aktualë në trojet shqiptare ose idivdidë që
aspirojnë që një ditë të jenë “liderë” të mirë e frymëzues e me karakter -- ata
që, vërtetë, do të përfitonin më së shumti nga leximi i këtij libri. Sepse,
sipas autores Halili, “Liderët negativë kanë një aftësi mahnitëse për të
ushqyer një vërbëri apo apati kolektive dhe janë pikërisht këto të dyja, apo dhe
vetëm njëra prej tyre që i shërbejnë jetëgjatësisë së tyre në pushtet.”
U garantoj se
nëqoftse dëshironi të jeni vërtetë liderë të mirë e frymëzues, jo vetëm në
politikë, por edhe në jetën e përditshme, ky libër ofron shembuj e analiza,
opinione e thënje nga personalitete botërore që do t’u frymëzojnë që të bëheni
liderë të mirë e frymëzues dhe jo negativë ose siç i quan studiuesja Halili,
“toksikë”, si diktatori komunist Enver Hoxha.
Apo edhe më mirë, të bëheni liderë, shembulli i të cilëve duhet imituar,
siç është Nënë Tereza. (Autorja shpjegon
gjithashtu se pse përdor termin “lider” dhe “lidership” dhe jo “udhëheqës” dhe
“udhëheqje” – si dikur “nën udhëheqjen e partisë”, “udhëheqsi i lavdishëm”, etj
).
Por është një
libër që përqendrohet gjithashtu edhe në marrëdhëniet e liderve dhe ndjekësve
të tyre, si një temë kryesore, “pasi janë ata që fuqizojnë dhe shfuqizojnë
liderët”.
Libri ka një
mesazh të thjesht por të rëndësishëm për politikën aktuale të botës shqiptare –
mbushur plot e përplot me liderë të këqij – por dhe për shqiptarët ndjekës të
politikanëve, në përgjithësi – liderëve të paaftë e të korruptuar – e që na kujtojnë edhe
fjalët e filozofit francez Joseph de Maistre, i cili është shprehur në vitin 1811
se, “Toute nation a le gouvernement qu’elle merite”, ("Every nation has
the government it deserves.")
Secili komb ka qeverinë që meriton!
Me këtë libër,
Iris Halili, sikur u thotë shqiptarëve, ndjekësve të këtyre liderëve të paaftë
e të korruptuar të këtyre 30-viteve post-komunizëm -- që para se të ankohen për
liderët e këqij që ata i ndjekin me sy mbyllur – së pari shikoni veten në
pasqyrë, sepse, “Nuk ka lider pa ndjekës” dhe “Nuk mund të ketë lider të mirë
me ndjekës të këqij apo anasjelltas.”
Në këtë dinamikë
marrëdhëniesh, sipas autores Iris Halili, është vetë kultura që përfaqësojnë
liderët dhe ndjekësit, që luan rolin kryesor dhe është faktori qëndrestar, që
më në fund, vendos se “lideri i suksesshëm nuk lind por bëhet”, sepse
“ndershmëria, karakteri, dëshira apo empatia, janë cilësi që kultivohen dhe
(njëherazi) përcaktojnë fatin e vet liderit apo të ndjekësve të tij.”
Gazeta Dielli --
organ i Federatës PanShqiptare Vatra në Nju Jork -- boton njoftimin se në
selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, ditën
e Dielë më 19 Shtator 2021, ora 11pm, do të promovohet libri “Lideri nuk
lind…bëhet”, i autores Iris Halili. Në
njoftim thuhet se libri vjen si një risi, pasi është i pari i llojit të tij në
letrat Shqipe. Botuar nga Shtëpia
Botuese Dituria, ai është përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit
2020 në kategorinë libër i mendimit, organizuar nga portali më i madh i librit
online në Shqipëri “Bukinsit.al”.
Libri më i fundit
i Iris Halilit, “Lideri nuk lind…bëhet”, dallon për gjuhen e kthjellët dhe të
qartë përmes së cilës autorja na përcjell cilësitë/tiparet që dallojnë liderët.
Ky libër tashmë është kthyer për lexuesin shqiptar si një manual që në formë
lakonike dhe sintetizuese rrëfen rrugën sesi çdo kush mund të bëhet një lidër i
sukseshëm apo edhe një ndjekës i ndërgjegjshëm dhe përgjegjës, shkruan gazeta
Dielli. Mes shembujsh konkretë nga historia botërore dhe ajo shqiptare,
autorja percjell tiparet e liderve që kanë bërë histori, si për mirë ashtu
edhe për keq, si dhe shpjegon se si modelet e tyre të lidershipit kanë
përcaktuar fatet e ndjekësve, kombeve apo kompanive, që ata kanë drejtuar.
Autorja Iris
Halili vjen me këtë botim pas një kariere të gjatë akademike dhe lidershipi si
në Shqipëri ashtu edhe në USA. Ajo është gjithashtu e njohur, në shtypin e
trojeve shqiptare dhe atë të diasporës, për artikujt e saj për lidershipin,
letërsinë apo aktualitetin politik e shoqëror. Autorja ka qenë prej 10
vjetesh pedagoge e Letërsisë Moderne në Fakultetin e Letërsisë pranë
Univesitetit të Tiranës; Shefe e Kabinetit e Presidentit Alfred Moisiu
2002-2005, Këshilltare e Ministrit Sokol Olldashi 2006 -2007 etj. Prej më shumë
se 12 vitesh ajo jeton dhe punon në Miami, Florida. Në USA ka kryer
doktoratën për Lidership dhe Zhvillim Organizatash, dhe aktualisht punon në
profesionin e saj si Partnere Biznesi e Burimeve Njerzore.
Gazeta Dielli
njofton se në promovim pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të blejnë librin
10Usd, të ardhurat e të cilit autorja ka nderin t’ia dhurojë Vatrës. Promovimi do të moderohet nga gazetarja
Marjana Bulku, përfundon njoftimi i gazetës Dielli për promovimin e librit
“Lideri nuk lind...bëhet”, të autores shqiptaro-amerikane, Iris Halili.